*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin Rajonal për Promovimin e Konventës së Stambollit, që kriminalizon dhunën ndaj grave dhe vajzave:
Pikë së pari do të doja të uroja shumë dy vajza, të cilat ma vështirësuan punën që të flas pas tyre. Është një sfidë shumë e mirë, faleminderit shumë!
Do të doja ta filloja me një lajm shumë të mirë. Kur Konventa e Stambollit u nënshkrua në maj të 2011-ës, nuk pati lajme që ta njoftonin atë në vendin tonë dhe disa ditë më pas patëm zgjedhjet vendore në 384 njësi administrative lokale, pra, në komuna dhe bashki dhe nga 384 kandidatët e përzgjedhur vetëm 5 ishin gra. Para disa ditësh, Kombet e Bashkuara publikuan renditjen e qeverive, të cilat ishin me një barazoi gjinore të ekuilibruar dhe jam krenar të them që ishim në top 5, sëbashku me vende ekzemplare si Suedia, Finlanda.
Në ditët sotme, rankimi më i lartë që ka Shqipëria në klasifikimet mbarëbotërore është në një ndër 34 vendet që maten përsa i përket nivelit të barazisë gjinore.
Ne kemi bërë një rrugë të gjatë. Sot kemi 50% të këshillave bashkiake, të cilët janë me përfaqësi grash dhe kemi pasur sukses të arrinim një ekuilibër perfekt ndërmjet përfaqësuesve vendorë në këshillat bashkiakë, 50% gra dhe 50% burra. Në qeveri kemi më shumë gra sesa burra, për t’ua bërë me dije dhe 60% e pozicioneve drejtuese tona në Administratën Publike mbahen nga gratë.
E gjitha kjo është një meritë në fakt dhe e merituar sepse nga përvoja ime mund t’iu them se, nëse doni që të flisni, të keni diskutime të gjata pa bërë asgjë, atëherë mund ta bëni thjesht duke patur burrat të pranishëm, por, nëse doni të punoni realisht dhe nëse doni që gjërat të bëhen, është më mirë të zgjidhni gratë, sepse ato janë një garanci më e madhe. Edhe me burrat, përvoja shkon në këtë mënyrë, ata gjithmonë thonë “po”, por në fund nuk e bëjnë atë që duhet të bëjnë. Kur u thua “pse nuk e bërë”, thonë “sepse thjesht mendova se…” dhe fillojnë me një listë justifikimesh të njohura dhe të dëgjuara. Kur i thua një gruaje që duhet ta bësh, mund të thotë “jo”, sepse ndoshta nuk është mënyra e duhur për ta bërë, por kur thotë “po”, atëherë është e sigurt që do ta bëjë. Kur vijnë afatet e fundit, nuk e dëgjon këtë fjalinë “unë mendova se nuk ishte mënyra e duhur për ta bërë”. Pra, thjesht ato e bëjnë punën, kur thonë “po”.
Unë mendoj se jemi në vendin e duhur deri më tani, por vetëm krahasuar nga pikënisje dhe jo ku duhet të jemi, ku duhet të mbërrijmë. Unë e kam shumë të qartë dhe jam i ndërgjegjshëm që e gjitha kjo është thjesht maja e ajsbergut. Ajo çfarë vjen nën sipërfaqen e ujit është shumë më e komplikuar dhe nuk janë lajme të mira. Nuk janë lajme të mira lidhur me situatën e grave, le të themi, në nivelin mesatar të jetës së shoqërisë. Situata nuk është ajo që duhet të jetë. Sigurisht që dhuna në familje është një tematikë dhe problematikë shumë e rëndësishme në përgjithësi, por është një problem shumë serioz në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, e gjitha kjo lidhet me një lloji rikthimi të fantazmave të së kaluarës në mënyrë paradoksale, por ndoshta jo pa shpjegim kjo gjë. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kur ne patëm një periudhë të gjatë të emancipimit të detyruar, ne pamë shumë pjesë nga e kaluara që riktheheshin në të tashmen dhe pamë shumë zakone të vjetra, të cilat u trashëguan edhe para komunizmit. Rifitimi i hapësirës, apo rifitimi i forcës në shoqëri, praktikisht mund të themi se hymë në një fazë tranzicioni, ku në njërin krah kishim shumë gra që falë mundësive të lirisë dhe shanseve arritën shumë, u bënë figura, imazhe publike, u bënë sipërmarrëse e kështu me radhë, por sigurisht që patëm edhe inflacionin e çmendur të keqkonkurrencave kudo. Falë Zotit këtë pjesë e shoh më të qetësuar, më të relaksuar, por përpara disa vitesh patëm “miss lagjen”, “miss kopshtin”, miss-in këtej, miss-in andej, të cilat qenë të lidhura me ekstremin tjetër të së kaluarës, ku gratë nuk vlerësoheshin aq sa duhet. Ndonjëherë kjo pjesë ishte edhe e tepruar.
Mjafton të shohim pikturat, filmat apo prodhimet artistike të periudhës komuniste dhe vështirë se mund të bësh dallimin midis grave dhe burrave përsa i përket paraqitjes fizike. Le të themi që gratë paraqiten thuajse si burra në pamjen e tyre të jashtme dhe kjo ishte pjesë e gjithë përpjekjes ideologjike të kohës për të luftuar zakonet e vjetra dhe për t’i nxjerrë gratë nga hija, por në të njëjtën kohë për të luftuar paraqitjen feminine. E kemi kaluar këtë, sigurisht kemi kaluar shumë veçanërisht në zonat rurale dhe periferike, ku kemi patur një rikthim të zakoneve të vjetra si, përshembull, familjet nuk i lejojnë vajzat që të ndjekin shkollën, nuk i lejojnë bashkëshortet e tyre të shkojnë të punojnë. E gjitha kjo solli sasi të konsiderueshme të dhunës në familje.
Tani është koha të nxisim dhe të shtyjmë më shumë në këtë drejtim dhe jo thjesht të vetëkënaqemi për faktin se kemi më shumë gra se burra në qeveri, apo në pozicionet drejtuese në Administratën Publike, apo pse kemi 50% me 50% përfaqësueses në këshillat bashkiakë e kështu me radhë. Sepse në fakt është dhe ana tjetër e medaljes, e cila është shumë e errët dhe ne duhet ta luftojmë fort atë. Ne po punojmë sëbashku me miqtë tanë, me Luigi-n, i cili është një kampion i të drejtave të njeriut dhe një përfaqësues i Bashkimit Europian, i cili i vlerëson shumë parimet dhe vlerat që kanë themeluar Bashkimin Europian, bazuar në barazinë gjinore e kështu me radhë. Po punojmë që të ecim më shumë me legjislacionin.
Në të njëjtën kohë, ne po jetojmë në një moment shumë jetik për vendin tonë, por gjithashtu edhe një kthese të menjëhershme, dramatike, përsa i përket reformës në sistemin e drejtësisë, që në fakt është shumë e qartë për të ardhmen që duam të kemi, por nuk është vendi që të bëjmë një gjumë të qetë për të tashmen, sepse kemi procesin e vetting-ut, të prokurorëve dhe gjykatësve, që do ta kalojnë këtë proces, është një proces i detajuar, i thelluar, është një proces shumë i vështirë dhe praktikisht po prodhon një situatë pastrimi rrënjësor dhe madhor. Në 180 raste që kanë kaluar vetting-un kemi 68 raste që janë jashtë deri tani dhe po flas për nivelet më të larta, pra, prokurorë, kryeprokurorë, kryegjyqtarë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese e radhë. Në të njëjtën kohë kemi një sërë prokurorësh e gjyqtarësh, të cilët janë ende në vendin e tyre, e dinë që ata nuk mund ta kalojnë vetting-un dhe ata po luajnë sikur është vakti i fundit, pra, nuk po luajnë mirë dhe duan që t’i marrin e t’i kenë të gjitha.
Ky proces i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presioni e dhune më pas. Kemi parë raste që janë të padurueshme, të pasuportueshme për vetë faktin se kanë qenë raste kur gratë janë dhunuar dy herë, pasi janë dhunuar në ambientin shtëpiak, janë dhunuar për së dyti për shkak të sistemit të drejtësisë, për shkak se sistemi i drejtësisë ka mbajtur anën e burrit. Nëse shohim përqindjen e grave, të cilat fitojnë raste gjyqësore në gjykatat shqiptare kundër bashkëshortëve apo partnerëve të tyre, është për të ardhur turp, në fakt.
… [e pakuptueshme] jo që burrat që rrahin gratë të jetë një normë dhe gratë që reagojnë kundrejt burrave duhet të jetë një e drejtë e njeriut, por sigurisht që këto gjëra mund të shkojnë shumë larg. Ajo që mendoj unë që është e rëndësishme tani është që të shkojmë në nivel më lart me kuadrin ligjor dhe rregullativ dhe me instrumentet që luftojnë dhunën në familje.
Ne po punojmë lidhur me këtë dhe shumë shpejt do dalim me një propozim, i cili do jetë shumë i rreptë përsa i përket dhunuesve dhe autorëve të dhunës në familje.
Unë bie plotësisht dakord me të gjitha përpjekjet dhe të gjitha burimet që janë vënë në dispozicion përmes qendrave për trajtimin e grave, të cilat janë subjekt i dhunës në familje. Por sigurisht duhet të mendojmë edhe për qendrat riedukative për burrat, të cilët i trajtojnë gratë keq. Nuk duhet të jetë kaq e thjesht, pra, nëse thjesht e bën dhe ti i shpëton kësaj për shkak të një sistemi të kalbur të drejtësisë. Nuk duhet të jetë kaq e thjeshtë edhe për faktin që burrat, të cilët janë subjekt i ligjit, janë ata që thjesht denoncohen dhe në fund janë fajtorë përpara një sistemi drejtësie. Por sigurisht duhet të ketë edhe një të mesme, që do t’i bëjë këta burra të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të gabuar që ata bëjnë dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të gabuar që ata bëjnë kundrejt grave, bijave të tyre, apo familjes. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë hapa përpara lidhur me këtë, ta çojmë më tutje këtë agjendë dhe ka shumë të mira që vijnë me këtë, por ka dhe aspekte negative. Pra, nuk është një çështje e izoluar në rrethin e grave që janë subjekt i dhunës së formave të ndryshme, sigurisht që kjo ka impakt dhe ndikim në të gjithë shoqërinë, qoftë në aspektin social, ekonomik, aspektin e sigurisë dhe kështu me radhë. Mendoj se duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim dhe duhet të bëjmë më tepër, për t’i bërë burrat të mbajnë përgjegjësi dhe kjo është shumë e rëndësishme.
E fundit, por jo për nga rëndësia, mendoj se duhet t’u ofrojmë grave një mbrojtje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme dhe nuk duhet të presim që gjithë procesi të vazhdojë pafundësisht. Sepse procesi është konsumues në kohë, nuk është i garantuar dhe sigurisht është shkurajues. Unë marr shumë mesazhe nga njerëz të zakonshëm, përditë, në telefonin tim celular. Jetojmë në një vend të vogël dhe jemi të gjithë kushërinj. Të gjithë njihemi me njëri-tjetrin dhe më besoni që çdo ditë, nuk ka një ditë të vetme, që unë të mos marr një mesazh, të paktën nga një grua, e cila është nën kërcënim, e cila ndihet vetëm, ndihet e braktisur, e lënë mënjanë, e cila ndihet që nuk po merr mbrojtjen për të cilën ka nevojë dhe kjo është shumë shqetësuese. E nuk mjafton thjesht t’i themi, shko raportoje, shko denoncoje. Ne duhet që të ofrojmë një garanci, një mbështetje, e cila të jetë direkte, e drejtpërdrejtë. E unë mendoj që burrat që janë të dyshuar që kanë gjasa të veprojnë në këtë mënyrë duhet të largohen nga shtëpia për një periudhë të caktuar kohore dhe duhet të izolohen. Ky është mendimi dhe pikëvështrimi im. Se ku dhe si, kjo është një pikëpyetje shumë e madhe.
“Si”- në , mund ta gjeni, nëse doni të luftoni kundër burrave, do ta gjeni. Është e sigurt që do ta gjeni. Kështu që sugjerimet tuaja do të jenë me vlerë. Jam gati t’ju mbështes, thjesht gjeni mënyrën si ta bëni këtë. Po sigurisht që ka mënyra, – duke i lënë shakatë mënjanë, – ne po i mendojmë këto mënyra dhe ka të bëjë me faktin sesa gati jemi ne për ta ngritur stekën dhe sa gati jemi ne për ta parashikuar në legjislacion dhe për të thënë se dhuna ndaj grave është një krim i rëndë. Nuk është një krim nga ata të zakonshmit, kur dy burra grinden me njeri-tjetrin, dhunojnë njëri-tjetrin. Kur burri dhunon gruan, duhet të cilësohet një krim i rëndë. E më pas, e gjithë tërësia e mundësive vjen së bashku me këtë, e çon stekën më lart, e trajton si një vepër penale të rëndë, e qartëson dhe në këtë mënyrë e kanalizon në forma të tjera.
Sigurisht që është e lehtë ta thuash, por jo ta bësh, por jam i sigurt që ka shumë praktika dhe përvoja të mira, që mund ta marrin në konsideratë të gjithë këtë. I vetmi problem që unë kam në gjithë këtë, është se kjo ka nevojë për kohë. E ndërkohë që flasim, në këtë moment të ditës, jam i sigurt që është një grua diku, e cila po vuan, po qan dhe nuk ka shansin dhe mundësinë që të ulërasë për të kërkuar ndihmë.
Kështu që, shumë mirë që të kemi gjithë këtë aplikacion, është fantastike, por sigurisht është koha ajo që na duhet. Pyetja është se çfarë duhet të bëjmë ne tani. Thjesht duhet ta bëjmë me çdo lloj kushti dhe mënyre. Shumë shpejt, një muaj, një muaj e gjysmë do të dalim me një propozim për të cilin po punojmë. Mund të jetë kontrovers si propozim, por mendoj që më mirë të kemi propozimin, sesa të qëndrojmë në vendnumëro dhe thjesht të ndihemi të lumtur, të kënaqur, të ndihemi mirë që mblidhemi bashkë, kemi konferenca, ëorkshop-e, projekte, të cilat sigurisht nuk kam asgjë kundër tyre, janë të mira, – është më mirë të jesh këtu në fakt sesa në Parlament, – por kjo nuk mjafton.
Duke e mbyllur, harroni se çfarë ka tënë Eleanor Roosevelt: “Në fund, ligji është përmbledhje e gjithë frikërave tona”.
Kështu që ne duhet të kemi një ligj, i cili të inkuadrojë të gjitha frikërat e burrave, në mënyrë që të kemi gra më të sigurta.
Ju faleminderit!
* Përkthim simultan