Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Tetor 2019:

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË VEPRIMIT 3-VJEÇAR, PËR VITET 2019-2021, NË ZBATIM TË STRATEGJISË MINERARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Drejtimet e zhvillimit të sektorit minerar, për periudhën 3-vjeçare 2019-2021, janë:

a) shfrytëzimi racional i rezervave minerare dhe miradministrimi i kësaj pasurie kombëtare;
b) zhvillim i veprimtarive minerare, duke përdorur teknologji bashkëkohore, që të parandalojnë dëmtimet mjedisore, shkarkimet në mjedis etj.;
c) mbrojtja e jetës së njerëzve dhe mjedisit;
ç) zhvillimi i aktivitetit minerar me ndikim minimal në panoramën dhe relievin;
d) promovimi i riciklimit dhe përdorimit të produkteve sekondare;
dh) përmirësimi dhe modernizimi i vazhdueshëm i bazës logjistike të institucioneve minerare;
e) realizimi i studimeve dhe projekteve përgjithësuese e specifike gjeologo-minerare nga institucionet minerare, si bazë e fuqishme informacioni të dobishëm dhe domosdoshmëri për vendimmarrjen;
ë) realizimi në vazhdimësi i funksioneve të mbikëqyrjes së shfrytëzimit racional dhe efektiv të pasurive minerale, monitorimit minerar e të fenomeneve të postshfrytëzimit, rritja e kontrollit për rehabilitimin minerar dhe sigurinë në punë si dhe rritja e aftësisë shpëtuese në raste emergjencash;
f) monitorimi i zonave minerare dhe rehabilitimi i mjedisit sipas planeve të rehabilitimit dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
g) zhvillimi i bazës të të dhënave GIS dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve minerare me ato homologe evropiane;
gj) mbështetja dhe inkurajimi i përgatitjes së specialistëve të rinj për veprimtarinë minerare, të aftë të përballen me sfidat e sektorit, dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në bashkërendim me universitetet dhe qendrat kërkimore të gjeoshkencave.

2. Zonat minerare, për të cilat do të jepen lejet minerare, nëpërmjet procesit të konkurrimit apo procedurave të hapura, për periudhën 3-vjeçare 2019-2021, janë të përcaktuara në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Zonat minerare, të cilat kalojnë në procedurë konkurruese, si dhe zonat e hapura përcaktohen në planin vjetor minerar. Përcaktimi i zonave në zona konkurruese dhe të hapura bëhet në bazë të vlerësimit të strukturave përgjegjëse (AKBN, SHGJSH) dhe në përputhje me kërkesat e tabelës për vlerën minimale të sipërfaqes së zonës së lejuar minerare dhe atyre të investimit.

4. Dhënia e të drejtave minerare për këto zona do të realizohet sipas legjislacionit për dhënien e të drejtave minerare për zonat konkurruese dhe për zonat e hapura.

5. Koordinatat për zonat minerare të propozuara për shfrytëzim apo kërkim-zbulim në këtë program të ndryshohen me bashkëpropozimin e ministrit përgjegjës për minierat dhe të ministrit përgjegjës për mjedisin, në përfundim të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis për secilën zonë minerare, nëse parashikohet që zhvillimi i aktivitetit minerar do të ketë një ndikim negativ të pakthyeshëm në mjedis.

6. Rehabilitimi progresiv i fondit pyjor realizohet sipas planeve të rehabilitimit dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

7. Veprimtaria studimore gjeologjike, gjatë kësaj periudhe, përfshin:

a) rivlerësimin e resurseve minerare, nëpërmjet përgjithësimit të të dhënave komplekse gjeologjike, vlerësimit e planifikimit territorial, miradmistrimin e territorit dhe vlerësimin e rrezikut gjeologjik;
b) monitorimin e vazhdueshëm të ujërave nëntokësorë;
c) realizimin e studimeve dhe të projekteve për emergjencat civile.

8. Zonat minerare të rrezikshme, për të cilat ndalohet dhënia e të drejtave minerare, janë të përcaktuara me koordinata në aneksin 2, bashkëlidhur këtij vendimi.

9. Zonat minerare, të cilave u është revokuar leja minerare apo do t’u revokohet leja minerare për shkaqe ligjore, mund të shpallen si zona të reja konkurruese, pavarësisht se nuk janë përfshirë në programin e veprimit për zbatimin e strategjisë minerare për periudhën 3-vjeçare 2019-2021.

10. Produkti vjetor minerar parashikohet me një rritje deri në 5% në vit.

11. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.357, DATË 24.4.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MENAXHIMIN E DOKUMENTIT ELEKTRONIK NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në tekstin e rregullores bashkëlidhur vendimit nr.357, datë 24.4.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:

a) Pas pikës 4.2 shtohet pika 4.3, me këtë përmbajtje:

“4.3. Institucionet shtetërore, sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, duhet të sigurojnë si të vetmen mënyrë qarkullimi të dokumentit, brenda vetë institucionit, Sistemin e Menaxhimit të Dokumentit Elektronik (SMDE).”.

b) Pas aneksit nr.2, bashkëlidhur tekstit, shtohet aneksi nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Kryeministria dhe të gjitha ministritë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
****
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PUNËSIM DHE AFTËSI 2019-2022 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019-2022 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Vendimi nr.818, datë 26.11.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020 dhe të Planit të veprimit për zbatimin e saj ”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare për Arsimin, Formimin Profesional dhe Kualifikimet dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.77, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KONTRIBUTET E DETYRUESHME DHE PËRFITIMET NGA SISTEMI I SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SIGURIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:

1. Pas pikës 12/1, të kreut IV, “Regjistrimi dhe evidentimi i kontributeve”, shtohet pika 12/2, me këtë përmbajtje:

“12/2. Për efekt të përfitimeve sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të njihen si periudha sigurimi të gjitha periudhat nga 1.10.1993 deri në 31.12.2014, për të cilat nga personat e vetëpunësuar në bujqësi janë paguar kontributet e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, sipas procedurave të kohës, të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.402, datë 11.6.2001, nr.167, datë 29.3.2006, dhe nr.1114, datë 30.7.2008, “Për disa çështje në zbatim të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, pavarësisht vendbanimit të tyre sipas regjistrit të gjendjes civile në atë periudhë të mbuluar me sigurim shoqëror, me kusht që kontributet të jenë paguar deri në datën 31.3.2015”.”.

2. Në pikën 8, të kreut VIII, shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:

“Në rastet kur paga mujore mbi të cilën paguhen kontributet dhe kontributet janë llogaritur dhe paguar mbi një shumë më të vogël se paga minimale ose kontributi minimal i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin përkatës, periudha mujore e sigurimit llogaritet duke vënë në raport pagën ose kontributin e paguar me pagën ose kontributin minimal të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e shumëzuar me 30 (tridhjetë).
Nga ky rregull bëjnë përjashtim muajt me pagesë kontributesh jo të plotë, për shkak se personi ka filluar punë ose është larguar nga puna gjatë muajit. Në këtë rast, për efekt të periudhës së sigurimit merren ditët e punuara.

3. Për vitin 2019, efekti financiar llogaritet në shumën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, dhe përballohet me fondet e parashikuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të këtij viti.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.793, DATË 24.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.10142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në kreun III, të vendimit nr.793, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 1, të shkronjës “B”, paragrafi “Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive nëse ka përfituar ose jo tokë, sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, vetëm nga personat që janë banorë në fshatra”, shfuqizohet.
b) Në shkronjën “F”, në fund të fjalisë së parë shtohen fjalët, me këtë përmbajtje: “… me përjashtim të personave, të cilët kanë përfituar tokë sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore dhe ushtrojnë aktivitet si persona të vetëpunësuar në bujqësi.”.

2. Efekti financiar vjetor nga zbatimi i këtij vendimi llogaritet në shumën 18 milionë lekë. Për vitin 2019, efekti financiar llogaritet në shumën 10 milionë lekë dhe përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të këtij viti.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E TË PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 12, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Nxënësit, të cilët ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim nga buxheti vjetor i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për arsimin profesional.

2. Nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:

2.1. Kriteri ekonomik:

a) Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët ndjekin procesin mësimor në largësinë mbi 5km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe që akomodohen në konvikte publike;
b) Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5km, të cilët plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, dhe që akomodohen në konvikte publike;
c) Nxënësit, fëmijë të familjeve në nevojë, me ndikim në uljen e nivelit të “braktisjes shkollore”, që janë regjistruar në arsimin bazë, por, në pamundësi financiare, nuk ndjekin arsimin bazë.

2.2. Kriteri i rezultateve të arritura:

Nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me notën mesatare 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë).

2.3. Kriteri joekonomik:

a) Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d) Nxënësit, fëmijë të personit/personave që gëzojnë statusin e invalidit;
dh) Nxënësit e pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane, të cilët regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e) Nxënësit, të cilët janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë
humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;
f) Nxënëset (vajza), të cilat ndjekin drejtimet mësimore mekanikë, elektroteknikë, elektronikë, përpunim druri, gjeodezi, shërbim mjete transporti, termo-hidraulikë;
g) Nxënësit me një prind.

Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, për këto kategori nxënësish, duhet të dërgojnë në institucionet arsimore ku ata ndjekin procesin mësimor si dhe në njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse listën e nxënësve përfitues sipas pikës 2.3 të këtij vendimi.

2.4. Kriteri i degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm:

a) Nxënësit, të cilët ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në drejtimet mësimore bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit;
b) Nxënësit me vendbanim të përhershëm në Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.

3. Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj kur:

a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) deklarohen mbetës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.

4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për uljen e nivelit të braktisjes shkollore, për nxënësit që janë regjistruar në arsimin bazë, por, në pamundësi financiare nuk ndjekin arsimimin, miratojnë bursa financiare me përfitues nxënësit, fëmijë të familjeve në nevojë, pas konfirmimit nga mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës për frekuentimin e procesit mësimor, si dhe nga zyra vendore e arsimit parauniversitar.

5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për kategorinë e nxënësve që janë regjistruar në arsimin bazë, por, në pamundësi financiare nuk ndjekin arsimin bazë, dhe për uljen e braktisjes shkollore të arsimit bazë, mund të miratojnë dhe të shpërndajnë bursa edhe nga fondet e veta ose nga fondet buxhetore të përfituara në formën e transfertës së pakushtëzuar.

6. Ministria përgjegjëse për arsimin, në fillim të çdo viti shkollor, në konsultim me institucionet arsimore, harton planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilin e dërgon në njësitë e vetëqeverisjes vendore, jo më vonë se muaji tetor.

7. Ministria përgjegjëse për arsimin profesional, në fillim të çdo viti shkollor, në konsultim me ofruesit publikë të arsimit profesional, harton planin e shpërndarjes së bursave për hyrjet e reja (në vitin e parë), të cilin e dërgon në njësitë e vetëqeverisjes vendore, jo më vonë se muaji tetor.

8. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar sipas pikës 6, të këtij vendimi, me vendim të këshillit bashkiak, miratojnë dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi.

9. Bursat e nxënësve për vitin e parë (klasën e 10) shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të kuotës financiare/kuotës ushqimore (bursës).

10. Nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë vitin e parë (klasën e 10) me vendim të këshillit bashkiak ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, të cilëve nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës, e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.

11. Nxënësit e shkollave profesionale, të cilët ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, dhe nxënëset (vajza), sipas shkronjës “f”, të pikës 2.3, të cilët kanë përfituar bursë në vitin e parë dhe në vitin shkollor paraardhës nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.

12. Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale, për nxënësit që regjistrohen për herë në klasën e 10, të cilët përfitojnë bursë sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi, i dërgojnë zyrtarisht kërkesat për miratimin e bursës në njësitë e vetëqeverisjes vendore të vendbanimit të përhershëm të nxënësit.

13. Nxënësit, të cilët gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore kanë përfituar bursë nga njësia e vetëqeverisjes vendore, e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose të kuotës financiare, në emër të prindit/prindërve ose të përfaqësuesit ligjor, për llogari të nxënësve, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë.

14. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se muaji dhjetor i çdo viti, drejtorive të shkollave të arsimit profesional dhe zyrave vendore të arsimit parauniversitar vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

15. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë zyrtarisht, çdo tre muaj, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe të arsimit profesional, që trajtohen me kuota ushqimore në konvikte dhe bursa.

16. Për nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë, drejtorët e shkollave të arsimit profesional si dhe të shkollave të tjera të arsimit parauniversitar dërgojnë zyrtarisht, në datën 5 të çdo muaji, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë.

17. Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë institucionet shtetërore.

18. Nxënësve, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet pas paraqitjes së librezës, kartës shëndetësore dhe epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

19. Nxënësit jetimë, të cilët ndjekin procesin mësimor në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.

20. Nxënësit e pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane, të cilët ndjekin shkollat e mesme profesionale, përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas kuotës financiare të përcaktuar në pasqyrën nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit, me një kuotë ushqimore (drekë) me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë, sipas kuotës financiare të përcaktuar në pasqyrën nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

22. Nxënësve të arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5km dhe që akomodohen në konvikte publike, bursa u jepet në formën e kuotës ushqimore. Në asnjë rast, bursa nuk jepet në formën e kuotës financiare.

23. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.

24. Nxënësve, të cilët përfitojnë bursë sipas rezultateve të arritura, jashtë kriterit ekonomik, të akomoduar në konvikte ose jo, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare në emër të prindit/prindërve ose të përfaqësuesit ligjor, për llogari të nxënësve.

25. Nxënësve, të cilët përfitojnë bursë në arsimin profesional, sipas shkronjave “dh” e “f”, të pikës 2.3, dhe shkronjës “a”, të pikës 2.4, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare në emër të prindit/prindërve ose të përfaqësuesit ligjor, për llogari të nxënësve.

26. Njësitë e vetëqeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës mujore për nxënësit përfitues vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale konfirmojnë zyrtarisht, brenda datës 5 të çdo muaji, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, informacionin për ndjekjen e shkollës/mësimit për nxënësit që përfitojnë bursë.

27. Nxënësve, të cilët nuk ndjekin mësimin/shkollën apo praktikën profesionale pa shkaqe të ligjshme, u ndërpritet bursa menjëherë.

28. Masa e bursës dhe kuota financiare ushqimore ditore për nxënësit jepet, respektivisht, sipas pasqyrave nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

29. Ministria përgjegjëse për arsimin profesional, për pranimet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, që ndjekin shkollat profesionale, të japë 2 400 (dy mijë e katërqind) bursa.

30. Ministria përgjegjëse për arsimin, për të gjitha kategoritë e nxënësve, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar, të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, të japë 1 200 (një mijë e dyqind) bursa.

31. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për arsimin profesional.

32. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është muaji dhjetor.

33. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore, në raste të veçanta, mund të miratohen përtej këtij afati vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin parauniversitar apo për arsimin profesional, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore përkatëse.

34. Vendimet e njësive të vetëqeverisjes vendore bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit për nxënësit/prindërit/përfaqësuesit ligjorë, komunitetin, median dhe institucionet e tjera qendrore apo vendore, publike ose private.

35. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si dhe ofruesit e arsimit të mesëm profesional publik për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.645, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN DHE MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË ÇMIMIT TË BARNAVE”, TË NDRYSHUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 38, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.645, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri ose përfaqësuesi ligjor i autorizuar prej tij, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXW” (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, kur barnat janë të pajisura me autorizim për tregtim. Dorëzimi i çdo zarfi të mbyllur me deklarimin e çmimeve bëhet në protokollin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe shoqërohet me nënshkrimin e personit të autorizuar nga shoqëria për këtë veprim dhe të punonjësit të protokollit, i cili pranon dokumentacionin. Çdo zarf i ardhur në ministri regjistrohet në një regjistër të veçantë, me numrin rendor përkatës dhe datën e marrjes së tij në dorëzim.
Në rastet kur bari është në proces për t’u pajisur me autorizim për tregtim ose proces rinovimi të autorizimit për tregtim, mbajtësi i autorizimit për tregtim ose përfaquesi i tij ligjor i autorizuar prej tij kanë të drejtë të bëjnë deklarim të çmimit të barit por komisioni miraton çmimin e barit pasi ai është pajisur me autorizimin për tregtim.”.

2. Kudo në vendim, pas fjalëve “… mbajtësit të autorizimit për tregtim …” shtohen fjalët “… ose përfaqësuesi i tij ligjor i autorizuar prej tij …”.

3. Në pikën 8 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në fund të fjalisë së parë shtohen fjalët “… ose deklarohen pas datës 31 tetor të vitit aktual …”.

b) Në fjalinë e dytë, fjalët “… bëhet brenda 30 ditëve …” zëvendësohen me “… bëhet brenda 60 ditëve …”.

4. Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“15. Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, brenda datës 31 tetor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme për vitin pasardhës. Barnat të cilat janë në proces të pajisjes me autorizim ose rinovim autorizimi për tregtim dhe kanë deklaruar çmim brenda datës 31 tetor të vitit aktual, do të lejohen të aplikojnë për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme, nëse bari pajiset me autorizim për tregtim deri në momentin e fillimit të procedurës së rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.”.

5. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“17. Struktura përgjegjëse në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, bën shpalljen në faqen zyrtare të ministrisë, të listës së përgjithshme me çmimet “CIF/EXW”, të miratuar nga komisioni. Kjo listë dërgohet pranë Agjencisë Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Komisionet teknike pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor negociojnë çmimet “CIF/EXW”, të miratuara nga Komisioni i Çmimit të Barnave, për të gjitha barnat ekzistuese dhe ato të reja, të propozuara për listën e listën e barnave të rimbursueshme, përpara hartimit të listës së barnave të rimbursueshme.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E KATËRT, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e katërt, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Në pjesën e katërt të rregullave teknike për industrinë e gazit të përfshihen rregulla për sistemin e transmetimit e shpërndarjes, referuar kodeve të praktikave në vazhdim, si më poshtë vijon:

a) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 459-2, nëntor 2015 “Rregullatorët e presionit të gazit për presionet hyrëse deri në 5 bar dhe për një sasi gazi të projektuar deri në 200 m³/h në kushte normale në linjat e rrjetit, kërkesat funksionale”, i përditësuar.
b) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 15, mars 2014 “Veshjet e linjave të tubacioneve, aksesorëve të sigurisë, valvolave, saraçineskave, si dhe rakorderive për tubacionet. Kërkesat për kualifikimin e punonjësve të mbështjelljes”.
c) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzues teknik GW 18, janar 2013 “Vlerësimi i gjendjes së linjave, të mbrojtura nga ana katodike, në tubacionet e furnizimit me gaz dhe me ujë”.
ç) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 22, shkurt 2014 “Masat gjatë ndërtimit dhe operimit të linjave të tubacioneve në zonat e ndikimit të impianteve/sistemeve energjetike trefazore të tensionit të lartë dhe trenave me rrymë alternative”.
d) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 27, shkurt 2014 “Procedurat për dëshminë e efektshmërisë së mbrojtjes katodike nga korrozioni në tubacionet e futura në tokë”.
dh) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 28, shkurt 2014 “Vlerësimi i rrezikut nga korrozioni i shkaktuar nga rryma e alternuar në linjat e tubacioneve prej çeliku me mbrojtje katodike dhe masat përkatëse”.
e) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzues teknik G 1001, mars 2015 “Siguria në furnizimin me gaz; menaxhimi i riskut/rrezikut të infrastrukturës së gazit në kushtet e operimit”.
ë) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzues teknik G 1002, shkurt 2015 “Siguria në furnizimin me gaz; organizimi dhe menaxhimi në një situatë krize”.

3. Shkronja “a”, e pikës 2, dhe teksti “Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 459-2, “Rregullimi i presionit të gazit në linjat e shërbimit për presionet hyrëse deri në 5 bar””, të vendimit nr.612, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e tretë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte”, shfuqizohen.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSION I RRUGËS PLASTMAS-KARBUNARË”, LUSHNJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Rikonstruksion i rrugës Plastmas-Karbunarë”, Lushnjë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “Tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 25 480 (njëzet e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 25 480 (njëzet e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë) lekësh, të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronari, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Lushnjë.

8. Bashkia Lushnjë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Lushnjë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Lushnjë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasurinë e shpronësuar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM I BREGLIQENIT ME STRUKTURA PUBLIKE REAKTIVE, ZADRA/MOL PANORAMIK DHE SHTIGJE KËMBËSORE NATYRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

13. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikim i bregliqenit me struktura publike reaktive, zadra/mol panoramik dhe shtigje këmbësore natyrore”.

14. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

15. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “Ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 566 610 (pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekësh.

16. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 566 610 (pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekësh, të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

17. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

18. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

19. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.

20. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

21. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.

22. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

23. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasurinë e shpronësuar.

24. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES ISTISNA’A DHE MARRËVESHJES SË AGJENCISË ISTISNA’A, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM, NË LIDHJE ME NDËRTIMIN E SEKSIONIT QUKËS-QAFË E PLLOÇËS TË KORRIDORIT RRUGOR TIRANË-KORÇË, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.128/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, në lidhje me ndërtimin e seksionit Qukës-Qafë e Plloçës të korridorit rrugor Tiranë-Korçë, të ratifikuar me ligjin nr.128/2013, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

SHPËRNDARJEN E AGJENCISË SË ZHVILLIMIT TË ZONAVE MALORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 62, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8788, datë 7.5.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpërndarjen e Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore.

2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të ndjekë procedurat për shpërndarjen dhe kryerjen e çregjistrimit të Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.409, DATË 1.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGUSHTIMIN E DIFERENCAVE NË MASËN E PENSIONIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 2, të vendimit nr.409, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2.1, si më poshtë vijon:

“2.1. Pensionet suplementare, të caktuara sipas dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, të rillogaritura sipas përcaktimeve në pikën 2, të nenit 29, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të sipërshënuar, do të indeksohen dhe masa e pensionit suplementar të vihet në kufirin deri në 50% të masës së pensionit të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.
2. Efekti financiar vjetor nga zbatimi i këtij vendimi llogaritet në shumën 26 milionë lekë. Për vitin 2019, efekti financiar llogaritet në shumën 13 milionë lekë dhe do të përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të këtij viti.

3. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore, që, brenda 30 ditëve, nga data e hyrjes në fuqi, të nxjerrë udhëzimin teknik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (GIZ), PËR PROJEKTIN RAJONAL “RUAJTJA DHE PËRDORIMI I QËNDRUESHËM I BIODIVERSITETIT NË LIQENET E PRESPËS, OHRIT DHE SHKODRËS/SKADAR (CSBL)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin rajonal “Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës/Skadar (CSBL)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.