Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Shkolla e mesme e bashkuar artistike “ Jakov Xoxa” në Fier, e cilësuar nga qytetarët si vlerë e qytetit, është e mirënjohur për artistët e talentuar që përgatit dhe rezultatet e tyre të larta në procesin mësimor.

Këtë vit, nxënësit nga Fieri, Lushnja dhe Mallakastra, por edhe nga qytete të tjera të vendit, kanë mundësinë të zhvillojnë procesin mësimor në kushtet më optimale bashkëkohore, falë investimit prej afro 105 milionē lekësh për rikonstruksionin tërësor të liceut artistik të Fierit. Shtimi i mjediseve të reja ku studiohet për muzikë, arte figurative e së fundmi koreografi, ka bërë që të rritet ndjeshëm cilësia e mësimdhënies. 

Kryeministri Edi Rama ishte sot në shkollën e mesme artistike Fier, e cila ka një histori 50 vjeçare dhe ku prej dekadash nuk ishte vënë dorë në infrastrukturë.

Kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi tha se shkollës i janë shtuar edhe mjediset e dikurshme të konviktit, të cilat janë shndërruar në klasa moderne dhe si rezultat është shtuar një degë  e re, ajo e koreografisë.  

Ndërsa drejtoresha e shkollës shpjegoi se shkolla e bashkuar artistike, ka aktualisht tre godina, ku zhvillojnë mësimin nxënës në të tre ciklet, fillor, 9 vjeçar dhe të mesëm. “Në këtë godinë që është godina qendrore zhvillohen lëndët e kulturës së përgjithshme, që nga cikli fillor deri në klasën e 12. Në katin e dytë të shkollës zhvillojmë kulturën e përgjithshme nga klasa e gjashtë në të nëntën dhe në katin e tretë nga e 10 në të 12. Ndërsa në dy godinat e tjera kemi artin muzikor dhe artin figurativ,” u shpreh ajo.

Kryeministri u ndal në disa prej mjediseve ku po zhvilloheshin lëndët e artit figurativ, si dhe në palestrën e re të shkollës, e cila më parë nuk siguronte as kushtet më minimale të zhvillimit të mësimit. Infrastruktura e re e bën punën më të lehtë për stafin pedagogjik, të cilët pohojnë se kishte shumë vite që në ndërtesë nuk vihej dore.  Shkolla ka gjithashtu edhe një sallë të re koncertesh, si dhe mjedise rrethuese të jashtme, lulishte dhe minisheshe.

 

***

 

Projekti për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe rikonceptimin e qendrës së Qytetit të Fierit është drejt përfundimit. Ky projekt synon të rikthejë Lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit dhe të rikonceptojë një shesh qendror, i cili mungon për qytetin.

Lirimi i hapësirave publike dhe aksesimi i drejtpërdrejtë i lumit; shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara në zonë, kryesisht përgjatë brigjeve të lumit dhe përgjatë rrugëve; sistemimi i infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore; konceptimi i disa minishesheve dhe akseve për të krijuar lidhje me parkun qendror të qytetit, janë disa nga objektivat e  projektit, që do t’i japë qytetit një dimension të ri urban.

Aktualisht punimet në shtratin e lumit Gjanica janë drejt fundit. Kanë përfunduar ndërhyrjet në të dyja urat e këmbësorëve, ku njëra ka qenë për t’u rikonstruktuar dhe tjera është ndërtuar totalisht e re. Ka përfunduar parkimi nëntokësor dhe shtrimi me pllaka guri i sheshit qendror të qytetit. Ndërkohë po punohet me realizimin e shkallareve, trotuarëve me pllaka guri dhe zonave të gjelbra përgjatë lumit Gjanica.

 

***
“Rilindja Urbane” po transformon krejtësisht hapësirën publike të Roskovecit. Kantieret e transformimit urban janë shtrirë nga qendra në blloqet e banimit. Është drejt përfundimit ndërtimi i godinës së re të bashkisë dhe rikonstruksioni i bulevardit kryesor, shtrimi me pllaka guri,  rehabilitimi i fasadave të ndërtesave dhe veshjen me pllaka guri të kateve të para. Drejt përfundimit është edhe rehabilitimi  i bllokut të banimit nr.2, që përfshin ndërhyrjet në rrjetin inxhinierik, ujësjellës dhe kanalizime dhe rehabilitimin e fasadave të pallateve.

Kryeministri Edi Rama ishte në Roskovec, ku pa nga afër ecurinë e punimeve për rikualifikimin urban, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 3,5 hektarësh.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi shpjegoi në detaje punën e deritanishme, e cila nisi mbi gërmadhat e ngrehinave të amortizuara që përhapnin ndotje dhe krijonin kaos. Si ndërtimin më të veçantë, ajo cilëson ndërtesën e re të bashkisë, një infrastrukturë moderne që do të përmbledhë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve në një One stop shop. Ndërkohë që ndërtesa ekzistuese, më e vjetra e qytetit, do të shërbejë si muze i traditës.

E gjithë pjesa përfituese e rikualifikimit urban është një sipërfaqe prej 3.5 hektarë. Përfshihen disa nënobjekte që kanë të bëjnë me sheshin. Është plotësuar e gjithë pjesa e infrastrukturës nëntokësore që ka të bëjë me furnizimin e ujit të pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Kemi pjesën e fasadave ku të gjitha katet përdhe kanë marrë këtë veshjen me gurë, suvatimet e godinave, të cilat nuk kanë qenë dhe lyerjet e tyre. Është pjesa e ndriçimit në të gjithë hapësirën që rikualifikohet, pjesa e gjelbërimit. Është dhe godina e re e bashkisë që do t’i përmbledhë në një ndërtesë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve. Janë dy sheshe. Njëri është planifikuar për aktivitet të ndryshme që do të bëjë bashkia e qytetit, si dhe takime të ndryshme. Një sipërfaqe e gjelbër i është dedikuar moshës së tretë dhe fëmijëve.  Këtu më përpara ka patur disa godina të cilat ne i kemi hequr me shumë punë. Ato kanë qenë godina të amortizuara që krijonin një papastërti dhe ndotje të madhe të të gjithë ambientit. Godina atje është një godinë ekzistuese e bashkisë, një nga më të vjetrat e ndërtuar në vitin 1926, e cila do të kthehet në muze, për të pasqyruar një pjesë të traditës së Roskovecit dhe të zonës më gjerë. Në bashkinë e re një hapësirë do ti dedikohet One Stop Shop, ku qytetarët do t’i marrin aty të gjitha shërbimet.” shpjegoi kryebashkiakia.

 

***

 

Qendra Shëndetësore e Roskovecit është një ndër 300 qendrat e Programit Kombëtar të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, që sot ofron një standard të ri shërbimi. Kjo qendër është rehabilituar, zgjeruar dhe pajisur me aparatura të reja, me një investim prej rreth 200 mijë euro. Transformimi dhe pajisja me aparatura të reja, sipas stafit mjekësor, ka rritur cilësinë së shërbimit dhe aksesueshmërinë në shërbimet e kujdesit parësor, ku numri i vizitave ambulatore është rritur ndjeshëm.

Kryeministri Edi Rama vizitoi Qendrën Shëndetësore, e cila ofron shërbim 24 orë për 35 mijë banorë të Roskovecit dhe të zonave përreth. Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se standardi i qendrave është i njëjte si në qytet dhe në fshat.

Ndërkohë që drejtuesja e Qendrës, u shpreh se me kushtet e reja dhe bashkëkohore është rritur ndjeshëm cilësia e shërbimit dhe pacientët janë më të kënaqur. “Kam 14 vite që punoj këtu. Kjo është qendër që i shërben të gjithë fshatrave të Roskavecit, që shkojnë tek rreth 35 mijë banorë, por jo vetëm atyre, sepse duke qenë zonë kufitare me Beratin, më shumë vijnë tek ne, sesa shkojnë të marrin shërbimin në Berat. Është rritur ndjeshëm cilësia e shërbimit  dhe pacientët janë më të kënaqur.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.