Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën mbi politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor:

Fan Noli tregon se gjatë kthimit nga një takim në Mount Vernon për në Washington u ndesh me Presidentin Willson, të cilit i kërkoi të merrte përsipër të shpëtonte, siç shkruan ai, një racë heroike, por të pambrojtur si shqiptarët, në vigjilje të Konferencës së Paqes ku do të vendosej edhe fati i Shqipërisë. E po sipas tij, Presidenti amerikan iu përgjigj pa ngurrim se do të ishte një zë në Konferencën e Paqes, por ai zë do të mbronte Shqipërinë.

E në fakt ashtu ndodhi dhe qysh prej asaj kohe, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës së me shqiptarët nisi të plazmohej si një marrëdhënie speciale, e cila sot pa as më të voglin dyshim është në themelin e politikës tonë të jashtme, por me shumë se kaq, është në themelin e vetëdijes së shqiptarëve se jo vetëm nuk janë vetëm, por se janë në shoqërinë më të mirë të mundshme. E nëse sot, në rajonin tonë, shqiptarët janë më mirë se asnjëherë tjetër, krahasuar me të shkuarën e vështirë të kombit tonë dhe të popullit tonë të shpërndarë në të gjitha shtetet e rajonit, kjo në radhë të parë mund të thuhet pa frikë se i dedikohet kësaj marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qasjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë rajonit.

Me thënë të drejtën i shkojnë më se miri  kësaj marrëdhënie  dhe përkushtimit të shqiptarëve për këtë marrëdhënie, fjalët e Nolit, i cili thotë për Amerikën, “një vend kaq i madh, që udhëheq njerëzimin drejt një të ardhme më të mirë dhe paqes universale, drejtësisë, lirisë dhe demokracisë”.

Kam vërë re se shumëkush ndër miqtë dhe partnerët tanë europiane në të gjitha nivelet, edhe në nivelin e njerëzve të zakonshëm, edhe në nivelin e njerëzve, le të themi, më pak të zakonshëm, e shikojnë këtë marrëdhënie si një shprehje deri diku naive të kuptimit tonë për botën dhe jo rrallë më ka ndodhur që ndesh një lloj buzëqeshjeje gati-gati të keqardhur për këtë përkushtim që ne kemi si popull, si komb ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt është shumë e vështirë që të mund të kuptohet nga të tjerët Pse-ja e kësaj marrëdhënieje, e cila është e lidhur thelle edhe me atë çka ne kemi jetuar si komb në shumë faza të historisë, por edhe me atë çka ne kemi përjetuar si popull, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, në periudhën e parë të jetës sonë si bashkëkohës që sot e jetojmë ende historinë dhe hapësirën shqiptare, qoftë çka kemi përjetuar ne në Shqipëri, kur Shqipëria u bë Koreja e Veriut e Europës, qoftë çka kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës në periudhën e zymtë të të jetuarit si qytetarë të dorës së dytë, në një kontekst që erdhi duke u rënduar deri në  kulmimin me një projekt të vënë në zbatim spastrimi etnik.

Këto kanë ndikuar thelbësisht në vetëdijen tonë, ashtu si sikundër, nëse sot, Ballkani Perëndimor është një vend më i mirë, kjo i dedikohet në radhë të parë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe besoj se Ballkani Perëndimor është pasqyra e ndoshta suksesit më rrezatues të politikës së jashtme amerikane të të gjithë periudhës historike pas përfundimit të luftës së ftohtë. Një pasqyrë, ku historia  e përmbledhur e viteve që ne i kemi jetuar si dëshmitarë okularë nisi praktikisht me një konflikt të madh, pastaj u shkua në bomba dhe nga bombat jemi në kushtet kur flasim për intensifikim të bashkëpunimit rajonal, edhe pse padiskutim jemi ende larg zgjidhjes përfundimtare të paqes, për sa kohë nuk ka një zgjidhje përfundimtare të konfliktit të trashëguar mes Serbisë dhe Kosovës.

Po ashtu vlen të theksohet se edhe emërimi në këtë fazë delikate të jetës politike të Ballkanit Perëndimor i dy personaliteteve krejt të ndryshëm, por gjithsesi me zë dhe me një fuqi të mjaftueshme për të ndikuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, nga njëra anë, i një miku të hershëm të kësaj zone dhe të shqiptarëve, pa diskutim, Matthew Palmer dhe nga ana tjetër, ambasadorit Grenell, përbëjnë një shenjë kuptimplotë të interesimit dhe të një fokusi që është i domosdoshëm, gjithsesi, nga ana e Shteteve të Bashkuara mbi rajonin dhe mbi këtë konflikt.

Nuk besoj se them një gjë të paditur që, pas vendimit të Këshillit Europian në 18 tetor, pozicioni i Bashkimit Europian në këtë konflikt është dobësuar tej mase dhe kapaciteti i Bashkimit Europian për të ndikuar në procesin e dialogut është tkurrur tej mase, sepse faktikisht, Bashkimi Europian me vendimin e marrë, apo me mosvendimin që rezultoi në fund të një debati të nxehtë mes veti në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndër të tjera dhe në radhe të parë, mendoj unë, i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vetë. Do të jetë e vështirë për të dyja palët në procesin e dialogut që të besojnë në mundësinë e incentivave që mund të deklarohen dhe mund të deklarohen sinqerisht, por faktikisht mund të mos mbahen dhe nuk është hera e parë. Po bëhen disa herë, për hir të së vërtetës, që Bashkimi Europian nuk mban fjalën dhe në rastin e Kosovës besoj se kemi një nga shembujt më flagrantë të mungesës së kapacitetit për të mbajtur fjalën, se në fund të ditës nuk duhet të harrojmë që nuk është një shtet, është një tërësi shtetesh, e cila funksionin në bazë të konsensusit dhe mjafton që një shtet në atë tërësi të kundërvihet dhe e gjithë tërësia e shteteve vendoset në një pozitë të vështirë. E kam fjalën këtu për rastin e kushtëzimit absurd, por, sidoqoftë, një kushtëzim që domosdoshmërisht u mor në konsideratë dhe praktikisht u adresua, të liberalizimit të vizave për Kosovën pas kryerjes së marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Është një rast unikal, ndërkohë që nga viti 2014, Bashkimi Europian ka liberalizuar vizat për 100 milionë njerëz, të cilët jetojnë në territore që nuk kanë asnjë proces negociatash, apo  nuk janë në perspektivën e negociatave me Bashkimin Europian. Marrja peng në këtë farë feje e 2 milionë shqiptarëve, – janë më pak, në fakt, që jetojnë në Kosovë, – deri në pikën e transformimit të një vendi të çliruar nga fuqitë e mëdha europiane në aleancë me Shtetet e Bashkuara, tejkalon kufirin e çdo absurdi. Është një pengmarrje që reflekton mungesën e një kohezioni dhe të një kapaciteti për të vepruar në mënyrë të unifikuar dhe rënien e gjithë familjes europiane në vazhdimësi, në grackën e një vendi a një vendi tjetër, që për arsye nga më të ndryshmet imponon moskonsensusin.

Sidoqoftë ajo që sipas meje mbetet e padiskutueshme dhe e palëvizshme është se shqiptarët, në përgjithësi dhe Shqipëria, në veçanti, nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse të ecim në rrugën e vetme që ka piketuar historia jonë dhe që është e trashëguar si amanet në gjithë vetëdijen e kombit tonë, pavarësisht periudhave të ndryshme historike, herë të zymta e herë me më shumë dritë, që është rruga drejt Perëndimit, drejt Bashkimit Europian, në aleancë strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian.

Në fund të ditës, ajo që të gjithë ne duhet të kuptojmë, është se nuk i bëjmë reformat as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as për Bashkimin Europian. Nuk i kërkojmë nga vetja të gjitha këto ndryshime të domosdoshme dhe nuk jemi të angazhuar me aleatët tanë në këto procese të ndërlikuara, sepse na kërkohet nga ata, por sepse e kërkon destinacioni i ynë historik, që është krijimi i një hapësire shqiptare dhe në rastin konkret të Shqipërisë, të një shteti modern europian me të gjitha standardet demokratike dhe me të gjitha institucionet funksionale.

Në këtë aspekt, mungesa e dhënies së një vendimi të merituar për Shqipërinë, pa asnjë diskutim, kush e diskuton, bën sikur nuk e kupton në rastin më të mirë, ose pastaj ka nevojë për t’u kuruar, ka goditur psikologjikisht, për një moment, që të gjithë, sepse “PO”-ja e Bashkimit Europian lidhet me një burim energjie për të çuar më tutje reformat, por në pikëpamjen faktike dhe praktike nuk ka ndryshuar asgjë. Sepse të njëjtat gjëra që Shqipëria duhet dhe do të bënte pasi të merrte “PO”-në, të njëjtat gjëra duhet dhe do të bëjë pavarësisht se “PO”-ja nuk erdhi dhe mund të vijë, apo mund të mos vijë në muajt e ardhshëm, apo në vitet e ardhshme, kjo nuk varet nga Shqipëria, kjo nuk varet nga çfarë bëjmë ne, kjo definitivisht varet nga çfarë duan apo nuk duan të bëjnë ata me veten e tyre dhe me perspektivën e Ballkanit Perëndimor në raport me familjen e Europës së Bashkuar.

Është e pamundur që të flasësh për marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kushtet aktuale dhe të mos prekësh Reformën në Drejtësi, e cila pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishte një iluzion, siç ka qenë për shumë e shumë vite me radhe në të shkuarën, kur disa herë është ndërmarrë reformë në drejtësi, d.m.th, reformë me këtë emër, por asnjëherë nuk është bërë reformë. Besoj se tek Reforma në Drejtësi, gjithkush që kërkon argumente dhe shembuj për të argumentuar lidhjen e fortë që ekziston dhe investimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë bashkësinë tonë në funksion të së ardhmes, gjen një shembull absolutisht kuptimplotë dhe domethënës.

Dua ta mbyll me një falenderim  për profesor Angjelin dhe organizatorët, si dhe me një falënderim qoftë për ambasadorin Shannon, qoftë për zotin Serwer  dhe gjithë të ftuarit e tjerë nga jashtë në këtë konferencë, duke iu uruar që përveçse të flasim për Shtetet e Bashkuara të Amerikë të marrin maksimumin e kënaqësisë nga qëndrimi në Tiranën dhe Shqipërinë e transformuar thellësisht, sikundër e thanë vete, por që mbetet po ajo që ka qenë, gjithmonë në lartësinë e duhur, kur është fjala tek mikpritja, tek shija e ushqimit dhe e gjithë kënaqësia që mund të merret. Këtë mund t’jua them jo vetëm si banor i Tiranës, por edhe si një njëri që kam patur fatin të shikoj që edhe vetë holandezët mrekullohen kur vijnë në Tiranë dhe thonë që është komplet ndryshe Shqipëria nga çfarë ne e mendojmë dhe pastaj kur kthehen, e shikojnë ashtu siç e mendojnë dhe jo ashtu siç e kanë parë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.