Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi i përjavshëm i Kryeministrit dhe koordinatorëve të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre, duke i adresuar në platformën Shqipëriaqëduam.al:

 

Kryeministri Edi Rama: Ky është eventi javor i bashkëqeverisjes dhe si gjithmonë, në fillim dua t’i falënderoj qytetarët që, pasi kanë zgjidhur problemin e  tyre, si zakonisht pasi nuk kanë mundur dot ta zgjidhin normalisht më parë, morën mundimin që të vinin këtu të na jepnin një ndihmë të madhe. Duke iu pasur juve këtu dhe duke pasur mundësinë të kemi dëshminë tuaj në sytë e të gjithë qytetarëve të tjerë, mesazhi bëhet konkret dhe besimi se çdo njëri i zakonshëm i këtij vendi gjen zgjidhje te platforma e bashkëqeverisjes forcohet.

Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes, Bledar Aliaj: Zonja Feride Lami, banuese në bashkinë Kurbinë, iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes së lidhje e shqetësimin që kishte komuniteti ku ajo banonte, për 30 familje të komunitetit egjiptian. Ky komunitet prej kohësh kishte problematikë të theksuar për  cilësinë e dobët të  furnizimit me  energji elektrike. Për këtë shkak, me marrjen e ankesës nga ana e OSHEE-së rajonale Burrel u bë e mundur verifikimi i të gjithë problematikës dhe zgjidhja e saj, duke bërë një investim që zgjidhi gjithë problematikën nga ana e OSHEE-së. U bë rikonstruksioni i gjithë kabinave, të cilat kishin problematikën e theksuar, si dhe një remont i linjës me tension të ulët.

Zonja Drita Keçaj (në emër të Zonjës Feride Lamit): Në emër të 30 familjeve që jeni në  rrethin Kurbin, Laç kishim probleme me furnizimin e dritave, kishim shumë drita të dobëta. Na u dogjën të gjitha pajisjet e shtëpisë. Bëmë kërkesë me e-mail, me gocën e motës sime, te bashkëqeverisja dhe na ndihmoi në këtë drejtim. Na erdhën dritat e plota. Faleminderit shumë Kryeministrit të Shqipërisë që na rregulloi dritat.

Kryeministri Edi Rama: E rëndësishme është që është zgjidhur problemi, por dhe më mirë akoma që është zgjidhur problemi për një numër jo të vogël familjesh, që japin një shembull sesi pa humbur kohë fare për të shkuar nëpër zyra i drejtohen platformës dhe marrin zgjidhje.

Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes, Ernest Pupla: Zoti Adelajd Allçi, banor i qytetit të Durrësit, adresoi ankesën në drejtim të platformës së bashkëqeverisjes. Kishte aplikuar pranë Akademisë së Sigurisë, duke kaluar me rezultat pozitiv dy fazat e para të testimit. Në fazën e tretë dhe përfundimtare informohet se referuar të dhënave që kishte deklaruar në formularin e besueshmërisë nuk mund të vijonte ecurinë pranë Akademisë së Sigurisë, sepse dosja e tij kërkonte një riverifikim. Me marrjen e ankesës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në përputhje me procedurat standarde të punës, si dhe koordinime me Akademinë e Sigurisë, bëri të mundur verifikimin në kohë, si dhe shpalli fitues zotin Allçi.

Zoti Adelajd Allçi: Kam kënaqësinë dhe nderin të shprehë përpara jush falënderimet e sinqerta për Zotin kryeministër dhe gjithë stafin që merren me të gjithë qytetarët dhe me të gjithë problematikat. Rasti im është një ndër këto raste, ku nuk besoja se kjo platformë funksiononte realisht, por falë një shtyse nga një mikeshë e imja  thashë ta provoja se nuk humbisja asgjë. E provova dhe në krye të 10 ditëve mora një zgjidhje, mora një telefonatë nga koordinatori  Ernesti dhe në krye të 10 ditëve, unë tani aktualisht jam në Akademinë e Sigurisë, shkolla bazë. Jam aty ku dua, sepse kjo ishte ëndrra dhe dëshira ime. Ju falënderoj.

Kryeministri Edi Rama: Të paktën ke dëgjuar mikeshën, se mua në mesazh nuk më dëgjove. Nga Akademia e sigurisë kam marrë disa mesazhe, por kanë pasur karakteristika të tjera, ndërkohë që djali ndoqi rrugën më të shkurtër se bashkëqeverisja Wapp-in tim, pavarësisht se unë të gjitha ato që më vijnë në Wapp e që lidhen me probleme që mbulon bashkëqeverisja ia çoj po bashkëqeverisjes. Edhe unë i kthej Shqipëriaqëduam.al, ky ma kthen me etikë, por mademek që ‘aha, u morëm vesh’. Mirëpo mikesha të ka thënë drejtohu atje se nuk kë gjë për të humbur dhe faktikisht u gjet zgjidhja.

Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes, Ergesta Ahmetaj: Një qytetare nga Tirana ka shkruar në platformën e bashkëqeverisjes për nënën e saj, Zonjën Shpresa Papa, e cila na ka nderuar sot me praninë e saj. Zonja Papa ka punuar gjatë gjithë jetës së saj si arsimtare, por masa e pensionit të saj nuk ka qenë në përputhje me vitet e punës, si dhe me profesionin e nderuar që ajo ka kryer. Pas trajtimit të ankesës u konstatua se masa e pensionit duhej rivlerësuar dhe për këtë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë bëri të gjitha sistemimet e duhura dhe kaloi  në llogarinë e  saj vlerën kreditore në një shumë të konsiderueshme.

Zonja Shpresa Papa: Unë kam punuar 33 vite si arsimtare dhe 8 vite para se të dilja në pension më hoqën nga puna. Kam ndenjur 8 vite pa marrë asnjë lek dhe prisja  me padurim të mermja pensionin pas 8 viteve pa lekë dhe u shtanga kur pensioni më del në një sasi aq të vogël, as 150 mijë leke (të vjetra). U ndjeva shumë keq. Më thanë që duhet të interesohesha, të gjej një mik te sigurimet, që ta shikonin edhe njëherë, ta rrisnin. Si përfundim nuk e gjeta mikun dhe bëra 5 vite me radhë që marr atë pension. Deri para 2-3 javësh, duke ndjekur në televizor këtë eventin e bashkëqeverisjes, dëgjoj dy raste që kishin patur të njëjtin problem, ndoshta jo tamam problemin tim, por pensionistë kishin qenë edhe ata. I thashë vajzës, pse mos ta bëjmë dhe ne. Nuk kisha ndonjë besim, por thashë po e provojmë se për të humbur nuk humbasim gjë. Unë u shtanga që në një kohë aq të shkurtër na erdhi përgjigja. Ishte punë 2-3 ditësh erdhi përgjigja. Nuk di si t’iu falënderoj Zoti kryeministër për këtë platformë kaq dinjitoze që keni krijuar. Jo vetëm nga ana ekonomike që ndihem shumë mirë, por ndihem edhe e vlerësuar. Më dukej vetja kot kur më pyesnin sa e ke pensionin.

Kryeministri Edi Rama: Prandaj edhe unë e përsëris që miku më i fortë për t’u kapur dhe që kapet më shpejt nga të gjithë miqtë se nuk ka nevojë as ta kërkosh dhe ta presësh, por mjaftojnë vetëm tre minuta, është platforma shqipëriaqëduam.al. Është miku më i fortë, sepse e çon fjalën e njeriut të zakonshëm drejt e në qeveri dhe i vihen në dispozicion gjithë këto vajza, gjithë këto djem, për të zgjidhur problemin pa të parë se kush je, pa pyetur se i kujt je, as kërkuar se sa lekë ke, as duke ditur se ku je. Mjafton të jesh qytetar i Republikës së Shqipërisë që të kesh pasaportën dhe kartën e identitetit të  Republikës së Shqipërisë, qofsh në Tiranë, qofsh në Tropojë, qofsh në Konispol, qofsh në Milano, qofsh në New York, qofsh prapa diellit, vetëm tre minuta dhe qeverinë e ke në dispozicion.

Juela Selimi, Zyra e Bashkëqeverisjes: Zonja Kristina Ajazi nga qyteti i Ersekës iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, pasi disa banorë të ardhur kanë zaptuar tokën e saj me disa baranga, 8 copë në fakt dhe në këtë mënyrë ajo iu drejtua platformës duke e parashtruar të gjithë situatën e saj në bashkinë e Kolonjës. Bashkia e Kolonjës gjithashtu verifikoi rastin dhe në kuadër të lirimit të hapësirave publike, u zgjidh menjëherë situata e saj.

Zonja Kristina Qirjazi: Jam nga qyteti i Ersekës. Kam qenë emigrante për shumë kohë dhe kur u ktheva në Ersekë për të rregulluar shtëpinë time, pashë se e kishin zaptuar me baranga banorët që kishin ardhur tek pallati ngjitur. Kishin bërë 8 copë të tilla. Prej dy, tre vjetësh iu drejtova bashkisë në atë kohë, stafit që e drejtonte, të cilët më përcillnin duke më thënë “e rregullojmë  sot, e rregullojmë nesër”. Nuk po merrja asnjë zgjidhje, ndërkohë që unë doja ta rregulloja dhe ta sistemoja që të banoja aty. Para një muaji aty u ndërrua dhe stafi dhe unë ju drejtova bashkisë së re, ndërkohë që iu drejtova edhe bashkëqeverisjes. Dhe me letrën që i shkoi nga bashkëqeverisja nënkryetares së bashkisë së Ersekës, Eljona Mydini, ajo mori direkt në telefon, e mori çështjen time përsipër dhe brenda muajit i dha zgjidhje. Jam shumë e kënaqur dhe i ftoj të gjithë shqiptarët që kanë probleme që t’i drejtohen platformës, se do të gjejnë zgjidhje. T’i lënë miqtë dhe ryshfetet se këtyre gjërave iu ka ardhur fundi.

Etleva Bandula, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zonja Dashurie Albrahimi, pas një pritjeje të gjatë prej dy vitesh që të rikthehej në vendin e saj të punës si infermiere në çerdhe, por pa mundur të kthehej, iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes në muajin shkurt. Me gjithë kërkesat e shumta të bëra nga ana jonë, nuk u bë e mundur një zgjidhje pozitive për rastin. Të nisur nga kushtet në të cilat ndodhej familja e zonjës Albrahimi, si dhe me ardhjen e kryetarit të ri, ankesa e Zonjës Albrahimi u ridelegua pranë bashkisë Përrenjas, e cila kësaj radhe rishqyrtoi rastin, duke bërë të mundur në datën 20 shtator punësimin e Zonjës Albrahimi si infermiere pranë çerdhes së qytetit të  Përrenjasit.

Zonja Dashuri Albrahimi: Kam punuar pranë çerdhes si infermiere, me arsim të lartë dhe si drejtuese e këtij institucioni. Në një moment të caktuar kryetari i asaj bashkie më shkarkon nga detyra, më ul pagesën dhe në fund më heq fare. E unë pas një periudhe të gjatë kërkimi të së drejtës, në prefekturë, në gjykata e kudo, pas një procesi gjyqësor rikthehem edhe njëherë në vendin e punës. Pasi punoj për dy vjet aty më del përsëri i njëjti problem. Merr këtë vendim edhe kryebashkiakja Miranda Lila, në një ditë të bukur më sjell postierin, 24 ditë pasi, më kishin ndërprerë marrëdhënien e punës. Kërkoj takim me të dhe ajo nuk ma ofroi kurrë që të më hapej një derë se unë isha thjesht një grua. Nuk kisha se çfarë të bëja. Ajo nuk më lejonte të bëja takimin. Me nxirrte policin përpara dhe nuk më lejonte. Pas kësaj iu drejtova platformës për bashkëqeverisjen. Platforma pas një periudhe i dërgon kërkesë personit që të më fuste në punë, ndërsa ajo nuk ndërmori asnjë angazhim. Në një kohë që në vendin e punës futi persona të tjerë të cilët ishin të paarsimuar, jo vetëm për sektorin në të cilin punon, por edhe pa arsim fare. Falë mbështetjes së këtyre personave që kanë punuar për platformën, në bashkëbisedim me kryetarin e bashkisë Nuri Belba, ma morën në konsideratë kërkesën time.

Kryeministri Edi Rama: Thoshte gjyshja ime një shprehje, që jo të gjitha të këqijat vijnë për keq. Kjo është një nga të mirat që ka sjellë 30 qershori sepse tanimë nuk ka asnjë bashki ku bëhet politikë e verbër me ankesat e qytetarëve në platformë, siç na ka ndodhur jo me të gjitha për hir të së vërtetës, por me një sërë bashkish që i ndanin qytetarët në “ata” dhe “ne”. Kështu që natyrisht që nuk janë përsosur të tëra, por shkalla e mospërgjigjeve dhe mosreagimeve nga ana e bashkive është ulur shumë ndjeshëm. Për të mos prishur syrin e keq kemi në vend të hurdhës Bashkinë e Shkodrës.

Duke ju falënderuar dua të marr vetëm dy minuta për një përpjekje që po bëjmë ndërkohë, sëbashku me skuadrën e bashkëqeverisjes dhe me të gjitha ministritë dhe institucionet që ofrojnë shërbime. Duke qenë se e nisëm 6 vjet më parë me vetëm tre shërbime online dhe sot kemi mbi 350 shërbime që ofrohen online nëpërmjet portali e-Albania, duke qenë se kemi fuqinë gjithmonë e më të rritur të kapaciteteve të platformës, mendoj se ka ardhur koha që të bëjmë një hap të madh përpara dhe të kalojmë duke filluar nga viti i ardhshëm, për një periudhë relativisht të shkurtër, në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%. Që do të thotë se duke filluar nga viti i ardhshëm, do të hyjmë në një fazë të re revolucioni që ka nisur në disa drejtime me shërbimet dhe një nga drejtimet është pikërisht platforma.

Kjo fazë e re e revolucionit do të jetë një përmbysje madhe, sepse shumë shërbime nuk do të jepen më duke i kërkuar qytetarit të vijë te sporteli, duke i kërkuar të bëj vara-vingo nga zyra në zyrë, të mungon ky apo ai dokument, por duke i dhënë mundësinë qytetarit të aplikojë online. Mos të marrë mundimin të niset nga ana e anës, për të shkuar e mbajtur radha, apo për të gjetur me humor të mirë atë që i shërben në sportel, mos të harxhojë asnjë minutë, asnjë lek për të marr një shërbim që i takon, por nga telefoni, nga kompjuteri, tanimë e mësuam edhe me platformën, kush nuk ka, s’mund të thotë nuk e bëj dot, por mjafton të gjejë një komshi, apo edhe një fëmijë nga 6 vjeç deri në 10 vjeç  dhe ia bën.

Jo vetëm kaq, por do të heqim kërkesën për qytetarët që të sjellin dokumente shtetërore. Kjo do të thotë që, nëse ti bën një kërkesë dhe për këtë duhen 20 dokumente dhe nga këto 20 dokumente, një, dy, tre dokumente janë privat, pra, është një vërtetim bankar, një vërtetim nga vendi i punës në privat, apo një vërtetim nga ndonjë institucion për arsye kur ke qënë në emigracion, do t’i gjesh vetë. Ndërsa dokumentet që janë shtetërore do t’i kërkojnë dhe do t’i gjejnë për qytetarin ata që rrinë atje tek sporteli dhe janë mësuar vetëm t’i thonë qytetarit sill edhe këtë.

Jam besimplotë se brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, ne do të mbyllim të gjitha sportelet, në një masë shumë të madhe, për aplikimet. Cikli i mbyllur i shërbimit, që ta marrësh shërbimin komplet në telefon, do kërkojë akoma investime të mëdha dhe kohë. Ka shumë shërbime që mund të merren në telefon të plota, përshembull nuk do i themi më njerëzve shkoni tek QKB-ja, rrini në radhë që të regjistroni biznesin. QKB me derë të hapur për të regjistruar biznes s’do ketë më, biznesi të regjistrohet drejtpërdrejt nga shtëpia dhe të marrë përgjigjen drejtpërdrejt nga shtëpia. Kemi bërë revolucion me nënshkrimin elektronik, me vulat elektronike, kështu që s’ka nevojë fare për t’i thënë dikujt nisu nga Shkodra, nisu nga Vlora, nga Korça për të zgjidhur një problem që fillon me aplikimin.

Natyrisht që jo të gjitha mund të bëhen menjëherë, por 90% mund të bëhen menjëherë. Përshembull, Kadastra që është një problem shumë i madh, po e studiojmë dhe absolutisht aplikimet do të bëhen të gjitha online brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të ndryshojë gjithçka dhe do të mbarojë historia e ecejakeve, do mbarojë historia e letrave dhe e dosjeve pa fund. Shumë nga ata që u pyetën në administratë për këtë hap të madh, që janë drejtues dhe përgjegjës, thoshin si do bëhet kjo, kur dosja për “X” gjë është “kaq e madhe”, si do futet në kompjuter. Në atë dosjen “kaq të madhe”, pjesa dërrmuese  janë letra shteti dhe ato nuk do futen fare në kompjuter. Në kompjuter do futen vetëm letrat e tua, ndërsa letrat e shtetit, ata që janë aty dhe marrin rrogën për këtë punë do shkojnë t’i gjejnë për qytetarin e zakonshëm, pa të njohur, pa ditur dhe pa patur mundësi t’i gërryejnë xhepin, për të marrë thjesht dosjen dhe për ta regjistruar.

Po punojmë edhe për pjesën tjetër, që kur të jetë gati licenca, autorizimi etj. të marrin qytetarin në telefon e ta lajmërojnë për ta marrë. Madje po studiojmë dhe mundësinë që, nëse do të duan t’ia sjellin në shtëpi, paguan një tarifë për postën dhe të vjen në shtëpi. Kështu merr fund historia e llumit dhe e zullumit me lloj-lloj njerëzish që nuk kanë për ta marr vesh kurrë çfarë do të thotë të shërbesh për qytetarin dhe çfarë do të thotë që qytetari të paguajë taksa për ty. Edhe korrupsioni në këtë nivel të zhduket. Nuk e korrupton dot kompjuterin.

Ndërkohë platforma do të hyjë në një fazë të, do të bëjë monitorimin e këtyre volumeve. Sot u bën kaq aplikime në një institucion, ato kanë data, kanë afate dhe në momentin kur vjen data dhe afati, kompjuteri do të nxjerrë shenjën e kuqe që ku aplikim nuk ka marr përgjigje. Nuk ka nevojë që qytetari të bredhë.

Kjo është faza e revolucionit që ne po përgatitemi nga janari, hap pas hapi do fillojmë dhe besoj që brenda vitit të ardhshëm, – po e jap si afat maksimal, se unë shpresoj që shumë më shpejt dhe do të luftojmë për ta bërë shumë më shpejt, – ne do ta realizojmë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.