Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikimi me mediat i Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, pas vizitës në disa pika të goditura prej tërmetit:

Komisioneri Janez Lenarčič: Unë do të flas në anglisht, kjo për arsye sepse shqipen nuk e flas shumë mirë, ndoshta në të ardhmen mund të flas në shqip.

Ndërkohë, më lejoni të them që prania ime këtu, si Komisioner i BE-së për Menaxhimin e Krizave, është demonstrim dhe tregon fare qartë, pra, është provë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë në këtë moment të vështirë. Ne qëndrojmë pranë Shqipërisë, krah për krah me ju, në këtë moment të vështirë pas kësaj fatkeqësie natyrore, që ju shqiptarët ta dini që nuk jeni vetëm.

Ne e kemi të qartë se çfarë ka ndodhur pas tërmetit, megjithatë, së pari, më lejoni që unë të shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që humbën jetën në këtë fatkeqësi natyrore, për familjarët e tyre, të dashurit e zemrës. Me dhimbje kemi mësuar për këtë humbje jete dhe më lejoni të shpreh dhembshurinë tonë për të gjithë ju që keni pësuar dëme në të gjitha ndërtesat ku jetoni.

Bashkimi Europian reagoi në mënyrë të menjëhershme. Ekipet tona erdhën në Shqipëri që atë ditë, të martën e shkuar ne ishim këtu, natyrisht, pas kërkesës zyrtare të qeverisë së Shqipërisë. Kemi dhënë asistencën tonë që atë ditë e në vijim. Asistenca jonë ka qenë edhe me anën e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Kjo  ka qenë faza e parë që, siç e dimë, ka përfunduar, ndërkohë që tani jemi në fazën e dytë, e cila është faza e vlerësimit të dëmeve. Kjo fazë do të na çojë në një fazë të tretë me të cilën do merremi, me çështjen e rindërtimit.

Më lejoni që në mbyllje të fjalës sime, t’ju siguroj edhe një herë që Bashkimi Europian do të vazhdojë të jetë krah jush. Ne do të vazhdojmë të japim asistencën tonë. Kjo, për arsye se Shqipëria është pjesë e Europës. Ju jeni një vend kandidat dhe ne, ta dini, nuk do t’ju zhgënjejmë. Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë edhe në fazën e tretë, e cila do të jetë faza e rindërtimit, natyrisht dhe me kalimin e dhimbjes për të gjithë.

Më lejoni të them që, ashtu siç e tha dje, Presidentja e Komisionit të ri të BE-së, Ursula von der Leyen, KE-ja ka vënë mënjanë një shifër prej 15 milionë eurosh, në mënyrë që këto t’i vijnë në ndihmë Shqipërisë dhe si pjesë e parë për fazën e rindërtimit, e cila do të vijë si fazë pas atij vlerësimi të nevojave që do të bëhen pas kësaj fatkeqësie natyrore.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, informojeni mirë publikun lidhur me fondin, e dhënë dje, që është vetëm një fond i parë, i garantuar me shpejtësinë maksimale, për një fazë paraprake. Nuk është fondi i përgjithshëm i mbështetjes së BE-së. Si gjithmonë, shumëkush prej jush vrapoi ta thotë gabim.

Së dyti, siç e tha Komisioneri, Komisioni, Presidentja e Komisionit është angazhuar me ne, për të pasur një raport të detajuar të post katastrofës e mbi bazën e atij raporti do të vihet në lëvizje mekanizmi i financimit të BE-së për rindërtimin, për aq sa mund të mbulojë natyrisht.

Së treti, dje në Samitin e NATO-s, unë kam marrë nga të gjithë liderët e pranishëm shprehjen e gatishmërisë për të marrë pjesë në një konferencë të madhe donatorësh, për të mundësuar mbledhjen e fondeve nga shtetet dhe jo thjesht nga BE-ja. Po mbrëmë, Presidentja e Komisionit ma ka konfirmuar se Komisioni Europian do jetë koordinatori i kësaj konference të madhe donatorësh, që së shpejti do të dimë se ku do të bëhet dhe kur do të bëhet, por sigurisht bëhet fjalë për një kohë të shpejtë. Unë kam kërkuar që të jetë jo më larg sesa janari, edhe pse nuk është në dorën time, por sidoqoftë besoj se do arrijmë ta realizojmë jo më larg sesa janari.

Së fundi, dua ta rinënvizoj, falë edhe mbështetjes së menjëhershme të Komisionit Europian, falë angazhimit të ambasadorit dhe të gjithë delegacionit këtu, falë angazhimit të gjithë ambasadorëve të përfaqësive këtu të shteteve të tjera, ne kemi numrin më të madh të imagjinueshëm të ekipeve që po bëjnë ekspertizën e godinave. Ka kaluar 4000, por ka ende të tjera për të bërë. Kështu që ju lutem njerëzve të kenë durim, sepse është shumë e rëndësishme të kemi ekspertizë të plotë dhe të kemi një raport të bërë pa nxitim, natyrisht me shpejtësi, por pa nxitim, në mënyrë që të dimë cilat janë godinat që do shemben dhe cilat janë godinat që do riparohen.

Duke i dhënë mundësi secilit prej jush që do bëjë pyetje për Komisionerin dhe duke ju thënë se nga ana ime preferoj t’ia lë Komisionerit radhën e përgjigjeve, sepse kemi edhe Parlamentin ku do kalojmë buxhetin dhe do alokojmë pjesën tonë të buxhetit në këtë program, po ia lë fjalën Komisionerit.

Flitet për dëme shumë të mëdha, por pritet të bëhet edhe fatura financiare. A mund të themi sa do jetë shuma që mund të alokojë BE-ja për fazën e dytë apo të tretë?

Komisioneri Janez Lenarčič: Gjëja e parë që duhet të ndodhë është ajo që në fakt unë e shpjegova, që të bëhet një vlerësim i nevojave pas katastrofës apo fatkeqësisë natyrore. KE-ja ka qenë tashmë në kontakt, jo vetëm me OKB-në, por edhe me BB-në, në mënyrë që të përgatitet ky vlerësim për nevojat. Vetëm pasi të jetë bërë kjo gjë, ne do të kemi mundësinë të kemi një shifër dhe do të jetë pastaj në bazë të kësaj shifre që ne do të vijojmë me ndihmën tonë Ne do të vazhdojmë të japim asistencën tonë, të qëndrojmë në krah të Shqipërisë edhe për fazën tjetër, pra, atë të rindërtimit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.