Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur sot në zyrën e tij inxhinieren Luljeta Bozo, e cila u kthye në shëmbëlltyrën e profesionistit që jo vetëm përcolli në studio televizive me qartësi e argumente shkencore, të fituara falë një eksperience shumëvjeçare, zhvillimet pas tërmetit të 26 nëntorit, por qetësoi edhe zemrat njerëzore të tronditura nga kjo fatkeqësi.  

“Keni bërë një punë të madhe për të qetësuar njerëzit,” iu drejtua Kryeministri Rama inxhinieres që në 10 ditët që pasuan tërmetin u bë personi më i dashur për publikun, me këshillat e saj, të cilat kanë ndikuar në qetësimin e panikut që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore. Vetë Luljeta tha se veç kësaj, një tjetër punë voluminoze ka qenë edhe ajo e inspektimit të banesave e godinave ku i është kërkuar për të dhënë ekspertizën e saj.

“Do ishte shumë pozitive, nëse ju do na ofronit ndihmë për një paketë të thjeshtë standardesh të riparimit që do bëjmë. Jeni një burim sigurie për njerëzit,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Ne si Akademi e Artit dhe Shkencës, pasi jemi bashkim vullnetar shkencëtarësh, kemi bërë një bërë një forum për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, ku përcaktojmë 5 drejtime kryesore. Por, nisur nga situata më e fundit, kemi menduar të bëjmë dhe një platformë se si duhet të organizohet ndërtimi. Tërmeti kishte pjesën e vet, por një pjesë e madhe e dëmeve ishte edhe për shkak të gabimeve që kemi bërë ne në procesin e ndërtimit,” u shpreh Zonja Bozo.

Kryeministri Rama tha se nisur nga kjo tragjedi, dy janë gjërat e para ku është menduar të ndërhyhet, sa i takon përgjegjësisë në lidhje me ndërtimet e reja. “Unë kam kërkuar dy gjëra, e para, cenimi i lejes së ndërtimit. S’ka një të dënuar për cenim të lejes së ndërtimit. E dyta, arkitekti dhe inxhinieri konstruktor duhet të bëhen përgjegjës që, nëse vjen investitori u thotë “ma shto një kat jashtë lejes”, nuk duhet ta pranojë. Nëse sheh që ai merr arkitekt tjetër, duhet ta denoncojë. Këtë duhet ta rëndojmë shumë.”

Kryeministri Rama, sëbashku inxhinieren Luljeta Bozo diskutuan gjithashtu edhe për licencat e arkitektëve dhe inxhinierëve, të cilat nuk duhet të jepen më nga Ministria, por nga vetë Urdhri përkatës. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.