Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministri Edi Rama: Duke parë të gjithë pasqyrën e situatës aktualisht dhe të gjitha ndërveprimet e kryera, besoj që kjo është mbledhja e fundit që bëjmë në kushtet e jashtëzakonshmërisë. Në vijim do të fokusohemi tek zyra e drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën dhe tek Komiteti Kombëtar i Rindërtimit. Ndërkohë, të gjithë anëtarët e kabinetit, paralelisht me detyrat e gjendjes së jashtëzakonshme, duhet ti japin një shtysë të fortë punëve të përditshme. Janë  një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me përditshmërinë e që kërkojnë një shtysë tani në fundviti, duke filluar nga infrastruktura dhe energjia, për projektet e mëdha, duhet lancuar gara për aeroportin e Vlorës, duhet lancuar gara për rrugën e re Thumanë-Rrogozhinë, duhet lancuar gara për fotovoltaikët, edhe një sërë punësh të tjera.

Në raportin e fundit, edhe me çadrat dimërore ishte bërë progres i konsiderueshëm. Janë 68 që rezultojnë të shpërndara në Manëz dhe në Ishëm dhe janë 460 të tjera, që do të shpërndahen sot.

Dje ka arritur në 92% shifra e qerave për familjet e prekura në zonën e Bashkisë së Tiranës. Duhet të konkludojmë edhe me shifrën e Vorës, për të akomoduar me qera familjet dhe Durrësi, që është pak më problem për shkak të mungesës së apartamenteve.

Po përgatitet thirrja për blerjen e apartamenteve, çështje e pak ditëve. Është shumë e rëndësishme që të informohet publiku që do të bëjmë një thirrje për ata që kanë apartamente stok, por me një çmim të ulët. Të gjithë ata që disponojnë stok duhet ta dinë që nuk është rasti për të bërë pazar apo tregti dhe në rast se do të marrim çmimin në tavanin që do të përcaktojmë, sipas analizave të tregut, një tavan të ulët, do të procedojmë, përndryshe nuk do të  procedojmë më tutje, sepse nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave.

Aktualisht kemi në terren 103 grupe inspektimi, në të tria qarqet e prekura dhe kemi një numër të konsiderueshëm grupesh të ekspertëve të huaj që mbështesin inspektimet.

Lidhur me planin e veprimit për shembjet e për pastrimet, janë aktualisht 33 objekte të shembura, 5 në proces. Pastrimi vijon paralelisht me mbledhjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.

Kemi dhe 155 objekte të futura në kategorinë e rrezikut dhe këtu kemi të angazhuara shumë forca policie që duhen çliruar një orë e më parë nga ruajtja e këtyre objekteve, sepse nuk mundet të vazhdojë gjatë kjo histori. Duhet bërë me shpejtësi edhe ndarja e punëve për këtë plan, pra, kalendari i prishjeve dhe angazhimi i forcave dhe të kompanive private për të vënë mjete, natyrisht nën monitorimin tonë.

Duhet bërë unifikimi i procedurës për dhënien e lejeve dhe meremetimet duhet të fillojnë menjëherë. Nuk ka nevojë të humbasim shumë kohë me meremetimet.

Komiteti Kombëtar për Rindërtimin do mblidhet ditën e hënë, është bërë lajmërimi për gjithë anëtarët dhe aty duhet të paraqesim për gjithë pjesëtarët një plan. Njëkohësisht duhet të ndajmë punën me organizatat solidare me njerëzit në nevojë që duhet të fillojnë të disbursojnë fondin e tyre. Ndarja e punës është e qartë në princip.

Përsa i përket angazhimit të tyre në terren, duke qenë se pjesën më të madhe të punës dhe më të ndërlikuar nga pikëpamja e rindërtimit e zë zona urbane, dhe duke qenë se ata kanë edhe një eksperiencë me banesat individuale, do të ndajmë me ta punën për banesat individuale, por duhet t’i ofrojmë e të përcaktojmë një standard dhe njëkohësisht puna të monitorohet.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si institucioni që do të implementojë gjithë Programin e Rindërtimit, drejtori i Fondit, bashkë me Kryetarin e Komitetit duhet të përgatisin një hartë të qartë me pikat e veprimit dhe me kalendarin, për ata të cilët do angazhohen bashkërisht me ne, por që do ta çojnë procesin përpara.

Duhet të jetë i qartë edhe mekanizmi i financimit, në kuptimin e transparencës, pra, administrimi i përgjithshëm i fondit, fondit të buxhetit, fondit të donatorëve, qoftë donacionet e marra përmes adresës sonë unike, qoftë donacioneve nga shtete, apo nga Bashkimi Europian dhe fondet të marra nga donacionet e tyre, në mënyrë që pavarësisht ekzekutimit sipas kapacitetit të secilit, administrimi, monitorimi dhe transparenca të bëhen të përbashkëta.

Urgjentisht duhet të përfshihet Enti i Banesave në këtë proces, i lidhur drejtpërdrejtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Menjëherë, drejtuesi i Entit duhet të vihet në dispozicion të Programit dhe gjithë çfarë Enti disponon sot që flasim, qoftë nga pikëpamja e apartamenteve, qoftë nga pikëpamja e fondeve, qoftë nga pikëpamja e planeve duhet të integrohet në Programin e Rindërtimit.

Puna për ligjin e posaçëm për zbatimin e Programit të Rindërtimit po ecën. Koha është shumë e ngushtë, prandaj duhet bërë me intensitet maksimal, në mënyrë që në datën 19 dhjetor, në Parlament të mund të kalojmë ligjin e posaçëm.

Ndërkohë duhet përgatitur për Parlamentin, edhe një kërkesë për shtyrjen e periudhës së emergjencës, në mënyrë që edhe ligjërisht të kemi një fokus të detyrueshëm për këtë proces për të gjitha institucionet.

Elva, në bashkëpunim me Fondin duhet të përgatisin raportin. Fondi, në këtë rast me bashkitë, raportin e të dhënave në territoret ku do të ndërtohet, për të pasur qartësi të plotë mbi statusin e pronës. Ne i jemi referuar territoreve që janë pronë-shtet, por KÇK-ja ka bërë të vetën në ndërkohën që kemi bërë punë të tjera dhe duhet verifikuar në hipotekë çdo pronë, që të mos gjendemi përpara surprizash, që ne shohim hartën që aty është pronë-shtet dhe papritur e pakujtuar del që është një pronë e cenuar apo e kafshuar nga KÇK-ja.

Raporti duhet të jetë gati javën e ardhshme me të dhënat e territorit, statusi i pronës dhe çdo e dhënë tjetër që duhet disponuar në një territor nga pikëpamja e ndërtueshmërisë, sizmologjisë etj..

Hotelet do fillojnë të zbrazen pas Vitit të Ri. Hapja e dyerve për të tjerë, tani në këto kushte, duhet të jetë shumë e kufizuar dhe shumë e kujdesshme, sepse hyjmë në fazën ku fillojnë spekulimet “po shkojmë në hotel, të kalojmë Vitin e Ri aty”. Kush nuk ka pasur mundësi të sistemohet gjatë gjithë këtyre ditëve nuk mundet të kërkojë tani të hyjë në hotel.

Në hotel, aktualisht janë sistemuar mbi 4000 persona, që janë më të prekurit, jo të gjithë sigurisht aty brenda, por kjo tani është kapërcyer. Familjeve që janë në hotele dhe familjeve të tjera do u ofrojmë dy rrugë;

Rrugën e qerasë me lekë në dorë dhe brenda atij fondi ka dhe një ekstra për transportin në Durrës dhe Thumanë, sepse është problem për një pjesë të madhe të familjeve.

Rruga tjetër është t’u ofrojmë apartamentin vetë, pra, do e marrim ne me qera dhe do u themi futuni.

Hotelet në janar duhet të fillojnë të zbrazen nga të gjithë, sepse ky është edhe pakti i bërë. Aq më tepër tani që kemi arritur të gjejmë alternativa, pasi mund të rrinin edhe më gjatë, nëse s’do gjenim alternativa. Tani alternativën e kemi, financimin për alternativën e kemi dhe duhet vazhduar.

Është shumë e rëndësishme që çdo familje që do përfitojë nga qeraja të jetë e skanuar. Të mos hyjnë në këtë sistem familje që nuk kanë lidhje me tërmetin drejtpërdrejtë, pra, që nuk e kanë humbur shtëpinë. Nuk është një program ku do hyjnë ata që kanë qenë pa strehë përpara. Ata të kthehen aty ku ishin, sepse e kanë një shtëpi për të qëndruar.

Mos harroni, data 15 është afati fundor për të sistemuar me shtëpi familjet më fatkeqe. Për ta duhet të mbarojë procesi dhe duhet të jenë në shtëpi. Edhe ata fëmijët që isha unë mbrëmë duhet të shkojnë në shtëpi. Sigurisht duhet gjetur mënyra si do të kujdesemi për njërin prej tyre që e ka nënën në spital dhe ka humbur të tjerët. Duhet t’i japim shtëpinë, por duhet t’i vëmë një kujdestare etj., se nuk mundet dot t’i japim një fëmije çelësin e shtëpisë. Daja jeton në Angli, ka ardhur përkohësisht. Mund të hyjë përkohësisht. Por shtëpia sidoqoftë është aty për një kohë të gjatë dhe do jetë në emrin e tij. Ai është i zoti i shtëpisë. Kështu që duhet të marrim masa që të jetë e plotësuar me të gjithë kujdesin e nevojshëm.

Asnjë nga ata që kanë pasur shtëpinë në pallatet e shembura nuk do të shkojë më atje. E kanë tmerr. Të gjithë do i sjellim këtu. Edhe ata që kanë humbur, edhe ata që s’kanë humbur njerëz.

Projektet e shkollave duhen bërë me shpejtësi. Ato që do shemben, ato që do rindërtohen, plus financimi i meremetimit. Të gjitha shkollat që do meremetohen do të kenë faturën financiare, punimet që do të bëjnë. Duhen bërë shpejt.

Duhet ta përsëris atë që thashë dje, – Ilir, – për Krujën. Ka dy vjet që dëgjoj AKBN-në që thotë do bëjmë këtë ri-update. Tani duhet bërë ri-update. I gjithë ai tmerri i Krujës atje duhet të gjelbërohet komplet.

Në mbyllje një rikujtesë për zonat sipas planit të kujdestarisë nga ana e qeverisë, përtej çfarë bën zyra apo shtabet. Për Vorën duhet mbyllur dosja për të gjithë nevojat, familjet, transferimet. Edhe kampi i Vorës, sado me kushte, nuk mund të rrijë pafund atje, kështu që duhet të garantojmë lëvizjen. Kemi Durrësin, zonën e Lezhës, Kurbinit. Prandaj, ju lutem shumë, plotësoni të gjithë komponentët e dosjes së transferimit dhe të akomodimit më afatgjatë, deri kur të vijë puna për të pasur shtëpitë e reja.

Fjala e kryetarit të Komitetit Ndërministror për Emergjencën, Bledi Çuçi: Ka kaluar 13 mijë numri i njerëzve që janë strehuar në hotele, çadra, qendra sociale. Kemi akoma disa të mbetur në palestra.

Ka një rrite të kërkesës si pasojë e rikthimit të normalitetit, sidomos në zonën më të prekur që është Durrësi, të jetë së përditshme dhe sot e nesër, Bashkia e Durrësit do të marrë vendimin për bonusin e qerasë dhe do fillojë procesi i akomodimit në shtëpi me qera dhe largimi i tyre nga të gjitha ambientet e tjera.

Jemi në rrugën e duhur përsa i përket infrastrukturës për të përgatitur raportin përfundimtar të nevojave sipas metodologjisë së BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore. Dje pata një takim me përfaqësuesit e të tre organizatave, ku ramë dakord që të ecim me këtë metodologji. Besoj brenda janarit do të kemi raportin përfundimtar, sipas këtij standardi.

Lidhur me situatën e prishjeve, ka pasur angazhim serioz të të gjithë firmave që kanë kontribuar për këtë proces. Javës tjetër nuk do të kemi asnjë nga ambientet e prishura në situatën e një grumbulli inertesh, por çdo shesh do të jetë i pastruar.

Është koordinuar puna me prokurorinë e Policinë Gjyqësore, kështu që ky proces po ecën normalisht.

Kemi një angazhim të shtuar të firmave, investitorëve, ndërtuesve që kanë ndërtuar pallatet, të cilat janë dëmtuar. Në Durrës ka shkuar në 18 numri i atyre që kanë shprehur vullnetin e po bëjnë procedurat për të filluar ato meremetime ku kemi dëmtime vetëm në pjesën murale. Janë nxitur kryebashkiakët që për dëme shumë të lehta të krijojnë brigada pune dhe mund të ndërhyjnë menjëherë, sepse me shumë pak ndërhyrje, sipas ekspertëve të huaj, pallate me 100-200 familje mund të kthehen menjëherë në pallate krejtësisht të banueshme.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.