Stamboll, Fjala e Kryeministrit Edi Rama adresuar konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë për investimet publike e private, me ftesë të Presidentit Erdogan:*
Shkëlqesi, Zoti President i Republikës së Turqisë,
I nderuar mik me të vërtetë!
Më lejo së pari e mbi të gjitha të shpreh mirënjohjen që jam përballë kësaj audience të nderuar dhe të gjithë atyre që po na shohin nga televizioni, mirënjohjen më të thellë për reagimin e menjëhershëm pas ngjarjes tragjike që theu zemrën e vendit tim.
Ju ishit atje për mua dhe popullin shqiptar qysh prej mëngjesit të parë që na u desh të merreshim me pasojat shkatërrimtare të tërmetit të 26 nëntorit. Nuk do të jem kurrë në gjendje të gjej fjalët që do të përshkruanin sesa shumë desh të thoshte për popullin shqiptar e për mua, angazhimi juaj personal dhe mobilizimi i njerëzve tuaj, që erdhën në Shqipëri me shpejtësi të plotë, me zemrën plot e me ndihmën plotë. Asnjëherë nuk do të harrojmë dedikimin në terren të ekipeve tuaja atë shpëtimit që vendosën jetën në rrezik, për të shpëtuar jetën e tanëve dhe kurrë nuk do të harrojmë premtimin për të qenë atje, për ne, për rindërtimin.
Faleminderit shumë për sot që jeni këtu me mua dhe që më keni krijuar këtë mundësi unike, për t’ju drejtuar një forumi kaq special personash të pasur në një kohë kaq vendimtare për vendim tim, që ka nevojë reale për ndihmë, për t’u mbijetuar plagëve të thella që u janë shkaktuar.
Të nderuar pjesëmarrës,
në vijim të tërmetit të tmerrshëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor e të përballur me pasojat e tij tragjike, me 51 të vdekur, mbi 900 të plagosur, dhjetëra mijëra të pastrehë e dëme të panumërta, qëndroj përpara jush për t’ju kërkuar ndihmë.
Cila është vërtetë fytyra më e bukur në Islam?
Sipas Profetit të Zotit, – Paqja qoftë mbi të! – të ushqesh atë që është në nevojë, të përshëndesësh, të shpëtosh ata që njeh e ata që nuk njeh.
Një parim themelor që gjen jehonë përmes fjalëve të fisme të Profetit, të përcjella nga Adi Ibn Hatim: Shpëtojeni veten nga zjarri i ferrit, edhe duke dhënë në bamirësi vetëm gjysmë hurme.
Dëshiroj të falenderoj përpara jush secilin prej vëllezërve tanë, që deri më tani kanë qenë shëmbëllim i kësaj fytyre dhe dua që të falenderoj paraprakisht të gjithë ata prej jush që do të bëhen shëmbëlltyre e këtyre fjalëve. Qoftë bamirësia juaj e pranuar!
Shqiptarët e të gjitha besimeve dhe fushave të jetës, të pasur e të varfër, brenda e jashtë Shqipërisë, nga Tirana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës, deri në pikat më të largëta të globit, dhanë e vazhdojnë të japin gjithçka që kanë. Mijëra e mijëra prej tyre kontribuuan në fondet e solidaritetit pas katastrofës, duke na ndihmuar të mbledhim një vlerë prej dhjetëra mijëra, që për vendin tonë të vogël është shumë.
Të moshuar me një pension vetëm prej 200 dollarë në muaj kanë ofruar strehë e ngrohtësi për fqinjët e pastrehë. Nënat kanë liruar shtretërit e fëmijëve të tyre për jetimët, fëmijët në nevojë për një çati. Të rinj e të reja në diasporë kanë lënë shkollat, punët, për të ardhur e punuar vullnetarisht kudo ku ka qenë nevojë në atdheun e tyre. Gjithë ky solidaritet është një dëshmi e gjallë e poemës së mrekullueshme turke:
Në pyjet e netëve me borë,
fuqia jonë më e çuditshme është kurajoja për të jetuar,
duke e ditur që do të vdesim.
Megjithatë nuk ka nevojë të shpjegoj se i gjithë ky solidaritet brenda nesh, pavarësisht sa i madh është për zemrën e vendit, është larg së qeni mjaftueshëm për atë që ka nevojë vendi për të kapërcyer tragjedinë. E pranoj që po të mos ishte për dy Hadithe të mrekullueshme të Profetit do të kishte qenë e pamundur, thuajse e pamundur që të vija këtu para jush e të bëja këtë thirrje për ndihmë. Ja çfarë thonë:
Njerëzit që Allahu do më shumë janë ata që janë të dobishëm për të tjerët dhe kushdo ndihmon një njeri në vështirësi, Allahu do ta lehtësoja nga vështirësia në ditën e ringjalljes.
Më lini të jemi i qartë, miqtë e mi. Unë nuk ofroj një ringjallje, por po kërkoj dritën në zemrat tuaja, me besimin që shkrimtari turk, Mehmet Murat Ildan kishte të drejtë kur shkroi se drita më e çmuar është ajo që të vjen në orën më të errët.
Më lini t’ju kërkoj falje, nëse përsëris veten, por për të thënë të vërtetën, kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve, fanarëve të saj. Mes dhimbjes së papërshkruar për jetët e humbura, për shkatërrimin që ka qenë thuajse apokaliptik në disa zona, Turqia e provoi edhe një herë që i përmbahet urtisë së saj, sepse nuk braktisi një mik e një vëlla në nevojë dhe siç thotë edhe thënia e vjetër: Të ecësh me një mik në errësirë, është më mirë, sesa të ecësh i vetëm në dritë.
Për të gjithë këtë e për premtimin më shumë se fisnik të Zotit President, për të ndërtuar menjëherë 500 banesa, për të gjithë mirësinë e mbështetjen përmes tij e popullit turk në tokën e plagosur të Shqipërisë, kam ardhur këtu që t’ju falënderoj e me përulësi t’ju kërkoj të gjithëve që të bashkoheni në këtë rrugëtim të dhimbshëm, por të paharruar.
Kurani i lavdishëm na mëson që asnjë gjethe nuk e prek dot tokën, pa lejen e Zotit. Kurani i madhërishëm gjithmonë na mëson gjithashtu se katastrofat natyrore janë sprova që i jepen njerëzimit, në mënyrë që të pastrohet nga mëkatet e të pendohet.
Dëshiroj që katastrofa që po përballemi të kthehet në frymëzim. Dhimbja që po ndjejmë të kthehet në forcë dhe shkatërrimi që ne po shohim, të shndërrohet në një peizazh të bukur në të ardhmen. Duke ju bashkuar çdo mëngjes e darkë shqiptarëve të mi në lutjen, Zot mbaje dorën, nuk mund të rresht së kujtuari e menduari që tërmeti shkatërrimtar, më i madhi që kemi pasur, na ka sfiduar në mënyrë të pakrahasueshme me asnjë sfidë tjetër gjatë gjithë historisë moderne. Ka përkulur qytetet tona më të rëndësishme, Tirana dhe Durrësi.
Durrësi është qyteti që udhëtari otoman e eksploruesi Evliaja Çelebi e përmend në librin e tij të udhëtimeve në 1670-n për limanin, portin e vet të rëndësishëm, rrënojat e kështjellës, të rrënuara nga tërmeti i mëparshëm dhe xhaminë e mrekullueshme Fatih, e ndërtuar për nder të Mehmet Pushtuesit në 1502-shin. Vite më vonë, udhëtarë të tjerë do të përshkruanin bukurinë marramendëse të xhamisë Fatih, e gjendur në një kodrinë hijerëndë, e rrethuar nga tulipanë e narcisë, lulet e preferuara të otomanëve. Tani, e njëjta xhami madhështore rrethohet nga rrënojat. Megjithatë dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj, do të arrijmë të bëjmë për Durrësin e të gjitha zonat e tjera të prekura nga tërmeti, atë çfarë Turqia bëri për Izmirin pas tërmetit shkatërrimtar të 1999-n.
Të dhënat tona paraprake janë tronditëse. Shumica e ndërtesave të shkatërruara, që ju në turqisht do t’i quanit gecekondus, janë banesa të ndërtuara me ndërtime të dobët nga periudha komuniste, apo nga kohët kur nuk ka pasur plan, kontroll apo përgjegjësi për këto ndërtime. Megjithatë, shumica e këtyre ndërtesave, të përmendura më lart, janë struktura shumëkatëshe, secila prej të cilave mban dhjetëra familje. Kjo është arsyeja që, edhe pse nuk kemi një shifër finale zyrtare, pas shumë ndërtesave që po kontrollohen, inspektohen nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë ata turq, që janë ende në terren, ne besojmë që dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj që është njerëzisht e përballueshme nga ne. Pra, pa kontribute nga jashtë, koha që do të na duhet për të shëruar plagët tona do të jetë shumë e gjatë, për durimin që njerëzit mund të kenë e për frymën e shpresës në të ardhmen e vendit dhe koha me dimrin në Shqipëri e me rrëmujën shpërqëndruese të politikës ndërkombëtare është për fat të keq një komoditet që nuk e kemi.
Megjithatë, përtej debateve tokësore, le të kemi besim në Hadithin e çmuar që i thotë gjithsecilit që do të dëgjohet, se Zoti pranon vetëm atë çka është e drejtë.
E ndërkohë që ju kërkoj ndihmë, më lini t’ju bëj thirrje ndjenjës tuaj të dashurisë e mirësisë, fjalë që kanë 50 sinonime në Kuranin e Shenjtë, fjalë të cilat askund nuk përshkruhen kaq bukur e në mënyrë kaq të gjithanshme, sa në Librin e Shenjtë.
Më shumë se kaq, Kurani i Madhërishëm ka një përkufizim unik për bujarinë, një akt sinqeriteti ndaj krijuesit, çfarëdo që shpenzoni nga ajo që është e mirë, është për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për ata në nevojë e për udhëtarët. E çfarëdo që bëni, që është e mirë, Allahu e di më së miri.
Duke ju kërkuar falje që ndërhyra në konferencën tuaj me një çështje kaq të rëndë, shqetësuese për një vend që shumica prej jush nuk e njohin, duke ndarë me ju, edhe të njëjtën bindje të atit themelues të këtij shteti të madh, Qemal Ataturk, i cili besonte se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është gjymtyrë e këtij trupi, ju falënderoj me zemër për durimin e falënderoj gjithashtu, edhe presidentin Erdogan për dhembshurinë e tij.
Zoti ju bekoftë!
Zoti e bekoftë këtë komb të madh!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe i bekoftë shqiptarët!
Faleminderit!
*Përkthim simultan