Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri:
I nderuar Zoti Dekan i trupit diplomatik!
Shkëlqesi ambasadorë dhe krerë përfaqësish diplomatike të akredituara në Shqipëri!
I jam mirënjohës Dekanit tuaj për fjalët miqësore në adresë të popullit e të qeverisë shqiptare. Këto fjalë mishërojnë sipas dokeve diplomatike të gjithë ju sëbashku dhe secilin prej jush në veçanti dhe nuk besoj se është e tepërt të them se asnjëherë më parë, kjo përshëndetje nuk më ka tingëlluar më e afërt sesa sonte.
Në fakt, vetë kjo mbrëmje e fundvitit, sa tradicionale, aq edhe krejt unikale, njësoj si të mëparshmet nuk është dhe nuk ka si të jetë njësoj as me ato që do ta pasojnë në vitet më pas. Madje, kjo mbrëmje ishte në diskutim edhe brenda stafit tim, a duhej, apo s’duhej bërë, siç ishin në diskutim edhe vetë dritat festive të qyteteve të prekura nga fatkeqësia dhe të goditura nga dhimbja e rëndë për plot 51 viktima.
Por njësoj si dritat e festave të fundvitit, edhe kjo mbrëmje nuk mund të mos ndodhte në kushtet kur ju të gjithë në këtë kohë kaq dramatike për Shqipërinë jeni ndjerë dhe jeni treguar po aq shqiptarë sa vetë shqiptarët. Përballë gërmadhave dhe lotëve të 26 nëntorit, detyra juaj në kuptimin strikt të kësaj fjale ishte të raportonit atë ditë nga ambasadat tuaja në kryeqytetet respektive, ndërkohë që unë e di në vetë të parë se si ju nuk pritët as të zbardhte mirë dita, për të na ofruar solidaritet dhe ndihmë.
Unë nuk kam ndërmend t’i publikoj ndonjëherë mesazhet tuaja që vijnë në telefon dhe as i ruaj si zakon në ndonjë arkivë, por mesazhin e Lejlës e kam nxjerrë në një folder të veçantë dhe kur im bir, 5 vjeç sot, Zaho, të rritet dhe pak dhe të bëjë pyetjen e parë për SHBA-në, unë do i lexoj atë mesazh, për ta prezantuar si shqiptar me Amerikën mike. Ashtu sikundër, nëse dhe me siguri do vijë dita, kur im bir do inatoset me Bashkimin Europian, – kush nuk inatoset me Bashkimin Europian, – unë do i tregoj historinë e zbarkimit të trupave të kërkim-shpëtimit në mbrëmjen e 26 nëntorit dhe heroizmat, në kuptimin më të plotë të fjalës, të atyre burrave dhe grave veshur me uniforma të ndryshme, që flisnin në gjuhë të ndryshme dhe që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetë shqiptare.
Dhe vërtetë do të jetë shumë më e lehtë edhe hyrja në histori në marrëdhënie me fqinjët rreth e rrotull nesh, duke ia nisur jo nga ngatërresat politike, apo keqkuptimet historike, por nga rrëfimi i nxjerrjes prej gërmadhave, pas thuajse 24 orësh, të një djali shqiptar nga trupat fantastike greke të kërkim-shpëtimit, apo rrëfimi i një beteje të përbashkët të kërkues-shpëtuesve nga Kosova dhe nga Serbia për të shkëputur nga kthetrat e vdekjes njerëz të zakonshëm të këtij vendi.
Ishte e gjitha një mrekulli me kalorësit e kërkim-shpëtimit italianë, që gjithë përkushtim, krahas atyre turq plot disiplinë e vendosmëri, i rrethuan gërmadhat e kthyera në kështjella të vdekjes dhe nxorën prej tyre jetë shqiptare.
Po për vëllezërit dhe motrat tona në uniformë nga Kosova, me çfarë mund të përshkruhen, pa e zvogëluar furinë e rrahjeve të zemrës së mbarë Kosovës, gjithçka që u reflektua në të gjithë operacionin e tyre të paharrueshëm.
Asnjë fjalë dhe as një milionë fjalë nuk e përshkruajnë dot atë që sytë e mi kanë ngulitur përgjithmonë në kujtesë.
Si ta tregosh aq bukur sa e pashë unë në ato orë të pafundme, ku dita ngjante si natë dhe nata ishte ditë, Francën që kujtoja se e kisha parë mjaftueshëm, për t’i admiruar madhështinë dhe bukurinë, deri kur legjionarët e kërkim-shpëtimit u shfaqën në Durrës me gjithë shkëlqimin, por edhe me zhdërvjelltësinë e tyre mahnitëse.
Po skuadrën izraelite që aq shumë kurajo dhe qetësi u dha qytetarëve të Durrësit, si ta tregosh aq thjeshtësisht dhe aq qetësisht, sa u përball me situatën! Dukeshin sikur përballeshin me një furtunë shiu në verë.
Këto dy javë janë në fakt, një histori brenda historisë së vendit tonë. Një histori e gjallë solidariteti faktik, solidariteti që si fjalë ne e përdorim vijimësisht, por që këto dy javë e pamë të mishëruar në njerëz, flamuj të ndryshëm, uniforma të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, njësoj sikur të ishin këtu për të ardhur me një porosi pas tërmetit psikologjik të tetorit, për të mishëruar atë që etërit themelues të Europës shkruanin se kur eruopianët punojnë bashkë, kjo do mjaftojë për të kuptuar se përtej dasive të momentit, apo barrierave gjeografike ka vetëm një horizont të përbashkët qëllimesh dhe idesh.
Unë nuk do e ekzagjeroja, besoj, kur them se, si mënyra sesi trupat tona të shpëtimit punuan përkrah francezëve, italianëve, turqve, rumunëve, grekëve, kroatëve, serbëve, kosovarëve, padiskutim e bashkë me ta dhe shumë të tjerë, krah përkrah njëri-tjetrit, janë mishërimi i asaj që Mone, Schuman, Adenauer e kishin parasysh kur e skicuan me një imagjinatë që sot duket pjellë e një kurajoje të marrë, Bashkimin Europian.
Nuk e harrova Zvicrën natyrisht, por edhe pse Zvicra, në ato ditë e net të jashtëzakonshme ishte e jashtëzakonshme si vetë emri që ka, e veçova se ka zgjedhur të jetë veç në Europë, por dhe jashtë Europës.
Rrënojat të kujtojnë gjithmonë luftërat, sheshet e betejave, por ndoshta operacionet e kërkim-shpëtimit janë të vetmet beteja ku rrezikimi i jetës bëhet për të shpëtuar jetë të tjera. Në të tjera sheshbeteja në Solferino, në 1959-n, kardinali Montini, Papa i ardhshëm, Pali VI i pat thënë gjeneralit De Gaulle: Ja mbi çka duhet të rrënjoset Europa e nesërme mbi rrënojat e fundluftërave, mbi sheshbetejat e luftës për jetën.
Me një shprehje shumë të posaçme mirënjohjeje për ju të gjithë, të cilës i bashkohet padiskutim e gjithë qeveria dhe vetë Kuvendi i Shqipërisë, të pranishëm sot këtu, dua t’ju siguroj se pikërisht kështu i shoh dhe i shohim këto gërmadha dhe sheshbeteja, ku njerëzit tuaj, krahas njerëzve tanë luftuan për të nxjerrë dhe për të shpëtuar njerëz nga tanët, si platformën e një faze të re për jo vetëm zonat e prekura, por për të gjithë vendin, nga përgjigja imediate tek procesi i një rindërtimi për të cilin padiskutim kemi nevojë të vazhdojmë t’ju kemi në krah dhe të jemi sëbashku.
Procesi i rindërtimit ka nisur. Ne kemi krijuar një Komitet Kombëtar të Rindërtimit dhe kemi filluar të punojmë intensivisht, pa pushim, pa orar, për të përgatitur planet e rindërtimit.
Pak ditë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, ne prezantuam dhe miratuam në parim buxhetin e vitit të ardhshëm, në të cilin kemi parashikuar një alokim fillestar fondesh prej pothuajse 200 milionë dollarësh, për të mos humbur kohë me nisjen e procesit të rindërtimit që do të kërkojë ende më tepër se kaq dhe detyrimi ynë prioritar është të ofrojmë një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë për të gjitha familjet që kanë humbur çatinë në këtë katastrofë, por për këto raste, Rusoi na paralajmëron që të kemi mendjen.
Bota e realiteteve ka kufijtë e saj, ndërsa ajo e imagjinatës, kufijtë nuk i njeh. Pra, duhet të jemi realistë dhe besoj që ne jemi realistë dhe nga një anë e dimë shumë mirë që për ta përmbyllur procesin e rindërtimit na duhet më shumë, por nga ana tjetër nuk duam që procesi i rindërtimit të bëhet në kurriz të së ardhmes së të gjithë qytetarëve e të fëmijëve të këtij vendi. Për këtë arsye, ne nuk kemi parashikuar asnjë taksë të re, nuk kemi parashikuar asnjë ndërprerje të investimeve madhore dhe nuk kemi parashikuar as rritje të borxhit. As buxheti i mbrojtjes nuk do të preket, sepse si anëtarë të NATO-s, ne kemi marrë një angazhim dhe qeveria jonë nuk i ikën asnjë angazhimi, sado të madh ta ketë justifikimin dhe aq më tepër, ne nuk mund me justifikimin e madh të nevojës për të financuar rindërtimin, t’i bëjmë bisht në atë tryezë ku kemi nderin e madh të jemi sëbashku me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, angazhimit të përbashkët të secilit vend.
Në këto vite kemi bërë shumë për të vendosur ekonominë dhe financat e vendit në një themel të qëndrueshëm e nuk mund ta prekim këtë themel. Ashtu sikundër kemi bërë shumë për të përgatitur hapat dhe më pas, për zhvillimin e qëndrueshëm e nuk mund t’i ndalim këto hapa.
Natyrisht, unë jam krenar që, pavarësisht përmasave të jashtëzakonshme të kësaj katastrofe dhe lëkundjes shumë të fortë prej saj të të gjithë ngrehinës së shoqërisë e të shtetit, ne e kemi përballuar momentin e parë me plot dinjitet. Ju ose më saktë, jo pak ndër ju janë dëshmitarë ndër vendet e tyre, të efektit që ka një tërmet apo një katastrofë natyrore mbi shoqërinë dhe mbi shtetin dhe qeverisjen. E besoj që ndani me mua mendimin që Shqipëria, duke arritur që të sistemojë të pastrehët në kohë rekord, në hotele me kushte optimale mikpritjeje dhe shërbimi, në shtëpi me qera që shpesh janë më të mira sesa shtëpitë që të prekurit kanë humbur, meriton sigurisht respekt.
Ne e dimë shumë mirë që kjo është e përkohshme dhe e dimë shumë mirë që koha nuk punon për ne e për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka që të mos e lëmë kohën të vijë e të përplaset kundër nesh, që do të thotë, duhet të pajtojmë afatet e përkohshmërisë me afatet e nevojshme për përditshmërinë e qëndrueshme të njerëzve.
Duam të rindërtojmë, në kuptimin më të plotë të fjalës. Duam të ndërtojmë zona me standarde të reja dhe shembullore në aspektin e planifikimit dhe cilësisë së jetës urbane dhe duam njëkohësisht të akomodojmë në shtëpi më të mira se ato që kishim, të gjithë ata që jetojnë në zona rurale.
Bibla ka një fjalë shumë të favorshme për këtë moment, “me anë të mençurisë do të ndërtohet shtëpia e me anë të aftësisë dalluese do të bëhet e patundur. Me anë të njohurisë dhomat do të mbushen me gjithfarë gjërash të nevojshme, të çmuara e të këndshme”.
I kam përdorur posaçërisht shpesh fjalët e shenjta gjatë gjithë këtyre ditëve e kam parë edhe që disa kanë perceptuar gabimisht tek unë një hoxhë apo një prift, por unë mendoj që fjalët e shenjta janë pasuri e të gjithë njerëzimit e nuk janë pronë, as monopol i atyre që shkojnë nëpër kisha e nëpër xhamia. Janë një pasuri e vyer që në këto raste, sidomos, është një mbështetjeje e madhe kreditore për moralin e individit dhe të shoqërisë.
Ne ende nuk e kemi një bilanc të plotë të dëmeve e po punojmë intensivisht, sëbashku me ekspertët e vënë në dispozicion nga ju, duke bërë verifikimin e dëmeve dhe duke formuluar hap pas hapi edhe faturën e dëmeve. Megjithatë, deri tani jemi të vetëdijshëm që fatura është e lartë dhe besoj që do ndani me mua gatishmërinë që këtë faturë, ne mund ta përballojmë vetëm me ndihmën tuaj.
Unë i jam shumë mirënjohës Komisionit Europian që me shumë shpejtësi vuri në lëvizje, – një shpejtësi e pazakonshme për Komisionin Europian, me thënë të drejtën, – një mekanizëm për të vënë në dispozicion një shumë të parë, shpresoj e besoj që do pasohet nga të tjera. E njëkohësisht jam shumë mirënjohës shumë udhëheqësve të vendeve europiane që kanë rënë dakord për të organizuar një konferencë të madhe donatorësh për të mbështetur Shqipërinë. Ashtu sikundër jam shumë mirënjohës Presidentit të Republikës së Turqisë, që ka marrë një angazhim solemn dhe që është angazhuar personalisht, duke angazhuar vendin e tij, por po ndihmon jashtëzakonisht shumë për të angazhuar dhe vende të tjera të atij krahu të botës, siç i jam mirënjohës dhe të gjithë miqve të tjerë që janë këtu të pranishëm dhe vendeve të tyre, që kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar. Në kushtet në të cilat gjendemi, është shumë e rëndësishme që duhet të mirëkuptoni këmbënguljen time për të përsëritur se ne jemi në domosdoshmëri për të pasur mbështetje. Asnjë vend nuk do ta përballonte dot vetëm këtë situatë, nëse në proporcion territori dhe popullsie do t’i kishte ndodhur kjo që na ndodhi ne.
Ka qenë 11 prilli i vitit 1865, kur u duk dritë në fund të një tuneli lufte të pamëshirshme civile në Amerikë, kur Abraham Linkolni ka mbajtur një fjalim që besoj është bibla e rindërtimit. Në mes të gjithë atij shkatërrimi, aty ku askush përveç tij nuk shihte shpresë, ai e nisi fjalën e tij me shpresën, duke folur pikërisht për rindërtimin, me bindjen që plaga e thellë e gjithë atij konflikti rraskapitës ishte aty për të krijuar një vend më të fortë, shumë më të denjë e shumë më të drejtë, pikërisht Amerikën që njohim sot.
“We meet this evening not in sorrow, but in gladness of heart”, është fjalia e parë e asaj fjale, që unë e sjell këtu përpara jush, duke vazhduar me një tjetër fjali që i shkon shumë kësaj kohe që po kalojmë, nga një libër që çuditërisht, akoma nuk e kam kuptuar si i ka shpëtuar censurës komuniste, “100 vjet vetmi” i Garcia Marques, i cili përmbyllet me një përmbyllje apokaliptike, ku personazhi kryesor thotë, “më mjafton të di që nuk jam i vetëm”.
E pikërisht këtë fjali mund ta kisha përsëritur papushim, kur zbarkuan trupat e kërkim-shpëtimit. Sepse ajo që unë munda të përjetoj dhe të kuptoj është se në kushtet e katastrofës, më e madhe sesa përmasa e saj është frika nga vetmia. E fakti që Shqipëria nuk është sot vetëm dhe thënë kjo, në një vend ku për gjysmë shekulli u mësua të rrinte vetëm dhe të ecte në vetmi, i jep një kuptim të padiskutueshëm të gjithë përpjekjes sonë për t’u bashkuar me vendet dhe popujt e familjes, të cilës ne kemi besuar gjithmonë historikisht që i përkasim, por që historia asnjëherë nuk e na e ka mundësuar si sot, që të mund t’u përkasim.
Ky takim, ata që kanë qenë në mbrëmje të ngjashme në vite të shkuara e dinë që si zakon përfundon me një libër të dhuruar. Por kësaj here, bibliotekat tuaja nuk do të pasurohen me librat e mi, sepse, këtë mbrëmje, unë mendoj se nuk ka asnjë mundësi për të mos ia dedikuar pikërisht trupave të kërkim-shpëtimit dhe pikërisht sepse është më e denjë dhe më fitimprurëse të japësh sesa të marrësh, ju nuk do mbeteni duarbosh gjithsesi. Por dua t’ju them vetëm diçka, unë jam produkt bujarie i Zotit apo i natyrës, nuk e kam bërë akoma zgjedhjen mes të dyjave, sepse kam kaq shumë centimetra, sa asnjëherë nuk jam ndjerë i vogël përpara të tjerëve. Madje kam vështirë të kujtoj qëkur kam lënë parketin e basketbollit, se a kam patur më shumë se dy apo tre takime me njerëz më të gjatë se vetja. Por pa asnjë retorikë mund t’ju them se kam dy javë që ndihem shumë herë më i vogël se Erion Braçe, në masë. E sot, edhe më i vogël përballë shembullit të gjithë atyre heronjve që ishin këtu mes nesh, njerëz të zakonshëm të vendeve nga erdhën; prindër, motra, vëllezër, bij, bija, që siç erdhën, ikën, si engjëj mbrojtës që u shfaqën dhe u zhduken. E prandaj këtu nuk bëhet fjalë për lartësi, as fizike, as politike, as shoqërore, por bëhet fjalë për atë që, siç thoshte Shën Pali, ishte gjerësia, thellësia dhe lartësia e brendshme, heroizmi të jashtëzakonshëm.
Ekziston një varg që është i njëjti në të gjithë librat e shenjtë, edhe në Bibël, edhe në Kuran, edhe në Torah: “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar gjithë njerëzimin”.
Unë nuk e di se çfarë thuhet për ata që shpëtojnë më shumë se një jetë. Nuk e di si mund të përkufizohet devotshmëria dhe si mund të shpërblehet gatishmëria e të gjithë atyre që nga 13 shtete dhe dy ekipe të Bashkimit euopian dhe të Kombeve të Bashkuara shpëtuan këtu më shumë se një jetë. Por di që, çka ata bënë dhe çka ata e bënë para syve tanë, do të luajë më shumë rol në gjithë konstitucionin tonë në raport me Europën, sesa të gjitha raportet e Komisionit Europian. Do të luajë në konstitucionin tonë në raport me fqinjët, më shumë rol sesa të gjitha historitë që na janë treguar, apo ngatërresat që na janë trashëguar. E padiskutim do të luajë më shumë rol edhe në raportin tonë me vetveten.
Ju lodha me shembuj ndoshta, por kam dhe një në fund. Në aktin e dytë, Hamleti i përvuajtur dhe i pushtuar nga deliri, lutet që t’i jepet fund maktheve që e torturonin natën, makthe që vlenin aq sa ishte gjithë gatishmëri të falte mbretërinë, që t’i rikthehej qetësia e shpirtit.
Dhe ekipet tuaja të kërkim shpëtimit janë arsyeja e parë dhe më themelorja, sepse ai makthi i madh i momentit të asaj nate të gjatë, ku gjithkush ishte i gatshëm të falte gjithçka vetëm që të mbaronte ai makth, u shndërrua në shpresë dhe në besim për ju dhe për të gjithë njerëzit tanë, të cilët në një moment tjetër do të gjejmë kohën që t’u përcjellim të gjitha admiratat dhe respektin.
Jam i bindur që një medalje nuk do të thotë pothuajse asgjë, por është një medalje që jepet për herë të parë. Nuk është bërë tani, ka kohë që është bërë, por nuk është dhënë kurrë më parë. Është një medalje që është e vështirë të gjesh se kujt t’ia japësh me thënë të drejtën; Medalja e Artë për Vlerësim, Profesional.
Fakti që për herë të parë ju jepet këtyre njerëzve, patjetër që do të bëhet edhe më e vështirë që t’u jepet të tjerëve mbrapa, por lum ata që do ta marrin më mbrapa dhe do të renditen në radhën e atyre që janë pas këtyre trupave, që për nga përkushtimi dhe për nga aftësitë profesionale janë nga gjërat më të çmuara që kanë krijuar shtetet në shërbim të njerëzve.
Do të dua që t’ju lutem t’i përcillni bashkë me medaljet, të gjithë komandantëve të trupave, shprehjen më të ndjerë të mirënjohjes në emër të të gjithë popullit shqiptar dhe urimin më të madh nga të gjithë, për një vit sa më të lumtur në familjen e tyre. E mundshin flamujt dhe shenjat e tyre dalluese ta mbajnë edhe këtë medalje kuqezi, që është shprehje e dhimbjes dhe e shpresës të mbarë një populli që ata me aq heroizëm e ringritën shpirtërisht, brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ju faleminderit të gjithëve!
Duke marrë një masë paraprake me një ndjesë në rast se ngatërrohet ndonjë medalje, njëri merr të tjetrit, prapë do të thosha se edhe ngatërresa shkon në të njëjtin drejtim, që kjo është diçka që pa njërin ose tjetrin nuk do të kishte formën që ka. Kështu që do ju lutem, në rast se ambasadorit të Serbisë do t’i bjerë medalja e Kosovës, ose anasjelltas, apo në rast se ambasadorit të Izraelit do t’i bjerë medalja e Turqisë, ose anasjelltas, apo nuk e di çfarë mund të ngatërrohet tjetër, merreni thjesht si një lapsus, mos e merrni si provokacija. Nuk janë renditur sipas rëndësisë, sepse nga i pari tek i fundit meritojnë vlerësim të madh. Të gjitha medaljet janë të arta. Dua ta filloj me mirëkuptimin e të gjithëve ju me ambasadorin e Kosovës e t’i kaloj medaljet për:
Njësinë Speciale Operative të Republikës së Kosovës;
Task-forcës së Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës;
Ekipit të Zjarrfikësve të Republikës së Kosovës.
Ambasadorit të Republikës së Italisë medaljet për:
Njësinë e kërkim-shpëtimit të Departamentit të Emergjencave Civile;
Njësinë e Kërkim-shpëtimit e Qendrës së Vullnetarëve të Emergjencave Civile.
Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Guardia di Finanza.
Ambasadorit të Republikës së Turqisë medaljet për:
Njësinë e Kërkim-shpëtimit të ekipit të Menaxhimit të Emergjencave të Fatkeqësive Natyrore;
Njësinë e Kërkim-Shpëtimit të ekipit GEA.
Ambasadores së Republikës së Francës medaljen për:
Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Repartit të Marinarëve Zjarrfikës të Marsejës;
Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Mbrojtjes Civile të Rajonit Jugor;
Ambasadorit të shtetit të Izraelit për Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Forcave Mbrojtëse të shtetit të Izraelit.
Ambasadorit të Republikës së Greqisë Njësinë e Kërkim-shpëtimit Greek Rescuers të Selanikut
Dua të bëj një falënderim shumë të veçantë dhe do t’i kërkoja ndjesë paraprakisht, me lutjen që t’i lihet një lodhje të vogël që unë kam, pasi nuk i përmenda në fjalimin tim, Njësinë kundër-zjarrit të Tetovës në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile dhe gatishmërinë me të cilën Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi reaguan, erdhën menjëherë dhe u jam shumë mirënjohës. Do të ftoja ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për t’i dorëzuar medaljen për Njësinë Kundër-zjarrit të Tetovës në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile.
Ambasadorit të Malit të Zi, shumë mirënjohje dhe falenderime për Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Forcës Kombëtare të Malit të Zi.
Ambasadorit të Republikës së Rumanisë, me një mirënjohje të madhe. Trupat nga Rumania u shfaqën pa pritur që të vinte radha që ne t’i kërkonim, ndërkohë që ne kishim bërë kërkesat e tjera, ata ishin nisur. Për Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Republikës së Rumanisë.
Ambasadorit të Republikës së Serbisë për Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Sektorit të Emergjencave Civile.
Ambasadorit e Republikës së Kroacisë për Njësinë lëvizëse të Mbrojtjes Civile të Rjekës.
Ambasadorit të Konfederatës Zvicerane për Njësinë e Kërkim-shpëtimit të ndihmës humanitare zvicerane.
Përfaqësuesit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Njësinë e kërkim-shpëtimit të ekipit të koordinimit dhe të vlerësimit të fatkeqësive.
Duke qenë se radhët e listave të falënderimeve, ose të dekorimeve mund ë krijojnë situata interesante nga pikëpamja e shpjegimit, pse ky përpara e ai mbrapa, duke qenë se lista s’ka asnjë preferencë, kam lënë për në fund Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, që të gjithë të thonë që ishim përpara tyre dhe derisa ngelën ata në fund, nuk ka problem se dikush tjetër ishte më përpara se tjetri.
Ambasadorit të Bashkimit Europian për t‘i dhënë medaljen për Njësinë e Kërkim-shpëtimit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian.
Ambasadores në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dorëzuar medaljen e Njësisë së Kërkim-shpëtimit në kuadër të ekipit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Në mbyllje të kësaj ceremonie dua të theksoj faktin se pas trupave të kërkim-shpëtimit kanë vijuar të vijnë trupa të vlerësimit të dëmeve, për të dhënë një ndihmë shumë të çmuar për aktet e konstatimit, por, mbi të gjitha, një ndihmë shumë të çmuar psikologjike për të gjithë banorët, sepse shprehja nuk ka profet në vendin e vet, në Shqipëri besoj ka në valencë shumë të lartë. Duke pasur krahas inxhinierëve dhe specialistëve tanë shumë të mirë, të gjithë ata që janë bashkuar edhe nga vende të tjera, ne po mundim të bëjmë një proces që krahas vlerësimit të dëmeve po ulim në mënyrë të vazhdueshme edhe tensionin, edhe pasigurinë dhe po krijojmë qetësi, pak nga pak, në mendjet e shpirtrat e njerëzve të tmerruar nga tragjedia e të frikësuar pa masë nga shfaqja e dëmeve në muret e shtëpive të tyre. Kështu që do të ketë patjetër një moment kur do t’i shprehim edhe gjithë atyre mirënjohjen e falënderimet tona.
Më lejoni ta mbyll duke ju uruar juve personalisht, familjeve tuaja, një vit të ri sa më të qetë, sa më të pasur në shëndet për familjet tuaja, por edhe sa më të suksesshëm për juve, të gjithë e pjesëtarët e familjeve tuaja. Po ashtu një urim për të gjithë qeveritë e të gjitha shoqëritë që ju përfaqësoni, që të kenë një vit të suksesshëm, një vit ku të mund të plotësohen sa më shumë nga dëshirat e njerëzve të zakonshëm dhe ku suksesi i secilit të ndihmojë në suksesin e përbashkët të botës ku jetojmë.
Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve, nga zemra!