Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës:
Shumë faleminderit, të gjithë të pranishmëve që kanë marrë mundimin të vijnë nga 4 anët e botës për të konstituuar këtë Këshill Koordinues të Diasporës dhe dëshiroj të nis me pothuajse 100 vjet më parë, kur Durrësi u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili sipas kronikave të kohës, shkaktoi shumë dëme materiale dhe po ashtu dhe dëme në njerëz.
Një gazetë e publikuar në 18 dhjetor të vitit 1926 raporton se “tërmeti i pasdrekes qe shkak i çarjes së një tog mureve, që rrëzoi 12 shtëpi, hodhi përdhe gurë dhe gëlqere, sakatoi portën e Kalasë ku gjendesh zyra telegrafike, çau godinën e qeverisë dhe hodhi tmerr e panik në popull, në katund, në Ndroq, Rrogozhinë, Romanat, ku dëmet qenë të mëdhenj dhe u rrëzuan plot shtëpi.”
Gazeta vazhdon ta përshkruajë këtë fenomen, të njohur që nga antikiteti në fakt në Shqipëri, por ende pa të kuptuar mirë në fillim të shekullit të kaluar, “ i themi pra tërmet asaj dridhjeje dheu që e ndjejmë, që i dëgjojmë zërin, që i pësojmë dëmet. Fenomeni i tërmetit është një nga më të çuditshmet e më të tmerrshmet që njeh njeriu dhe aq i keq sa robi nuk ka ku të fshihet kur shtëpia, kjo banesë e sigurisë i duket e rrezikshme dhe toka e fortë dhe e shëndoshë i ngjan sikur do çahet. Humbet besimin tek dheu dhe mbetet pa pikë mbështetje, pa strehë, pa mbrojtje.”
Pse e solla këtu këtë fakt, ndërkohë që jemi në një takim të këshillit koordinues të diasporës. Sepse pavarësisht se të dhënat zyrtare mbi dëmet dhe rindërtimin që pasoi tërmetin e vitit 1926 janë fare të pakta, ka shumë të dhëna dokumentare të asaj kohe që tregojnë se shumica dërrmuese e banesave të rindërtuara, u rindërtuan falë ndihmës së diasporës shqiptare.
Në mungesë të strukturave moderne të një shteti shqiptar që ishte ende në moshën e fëmijërisë, shumë nga banorët iu drejtuan kontributeve bujare të familjarëve apo të të njohurve të tyre në mërgim dhe shumë prej mërgimtarëve u mblodhën dhe siguruan të holla dhe ndihma materiale.
Natyrisht sot, shumë gjëra për fat të mirë kanë ndryshuar nga ajo kohë dhe mua më vjen mirë të them që shteti ynë është plotësisht në gjendje të përballojë një emergjencë të tillë kombëtare edhe pse përmasat e saj janë të mëdha në shumë aspekte.
Më vjen mirë që në një kohë rekord, mbi 13.000 banorë të gjendur befasisht pa strehë u sistemuan në hotele apo struktura të tjera dhe të tjerë në shtëpi me qera, ndërkohë që përkujdesja ndaj tyre për të mos pasur asnjë mungesë në aspektet esenciale, që nga ushqimi, tek ilaçet e me radhë, ka rezultuar plotësisht e suksesshme.
Sot që flasim vazhdon inspektimi në terren i inxhinierëve tanë, sëbashku me inxhinierët e huaj të ardhur nga shumë anë të botës për të ndihmuar dhe ne urojmë që brenda muajit janar, të kemi raportin e post katastrofës dhe një faturë financiare paraprakë të dëmeve të tërmetit, them paraprake sepse dhe eksperienca e vendeve të tjera tregon që faturimi i dëmeve është një proces që vazhdon.
Patjetër që fill pas kësaj, do fillojë dhe pjesa e vështirë e rindërtimit që unë besoj që do ketë një ndikim përcaktues në të ardhmen e vendit tonë dhe në qasjen e shoqërisë sonë ndaj të ardhmes.
Ne duam që të dalim më të fortë nga kjo situatë dhe falë procesit të rindërtimit, të krijojmë një cilësi të re në marrëdhëniet me njerëzit, por edhe në marrëdhënien e njerëzve me vendin. Ka eksperienca të ndryshme bota përreth, edhe vende shumë më të zhvilluara dhe shumë më të forta se i yni, sot kanë situata gangrenoze të post tërmeteve të shumë viteve më parë, ashtu sikundër kanë dhe shumë shembuj të shkëlqyer për të parë dhe për të mësuar se si pas tërmeti ka sjellë një cilësi të re në zhvillimin e përgjithshëm, por dhe në unitetin e komuniteteve.
Në këtë pikë, unë nuk mundet veç se ta ripërsëris se që në sekondën e parë ne patëm komfortin e mbështetjes masive të Diasporës. Diasporës, që për hir të vërtetës në 30 vitet e transformimit të Shqipërisë nga një vend i mbyllur diktatorial, drejt një demokracie funksionale dhe një vendi që synon të bëhet anëtar i BE, ka qenë investitori më i madh në Shqipëri.
Askush nuk ka investuar në Shqipëri më shumë se sa diaspora shqiptare dhe statistikat zyrtare thonë se 86% e familjeve shqiptare kanë përfituar ndihmë financiare nga të afërmit e tyre në emigracion.
Miliona dollarë janë mbledhur me shumë shpejtësi pas tërmetit, qoftë përmes platformës e-albania, qoftë përmes organizatave të mirënjohura “Shqiptarët për shqiptarët”, “Fundjavë ndryshe”, “Rrënjët shqiptare”, por edhe të tjera dhe ne jemi besimplotë që do të arrijmë që gjithë këto fonde, që përtej vlerës së tyre të konsiderueshme financiare kanë edhe një vlerë të madhe shpirtërore dhe morale, të shkojnë për aty ku janë destinuar, me eficiencë e me transparencë të plotë. Për këtë arsye kemi ngritur dhe një Komitet Kombëtar të Rindërtimit me gjithë aktorët dhe faktorët, që do të ndjekin këtë proces, por edhe do të sigurojnë që mekanizmi i transparencës të jetë i besueshëm dhe i aksesueshëm nga të gjithë.
Ne u mblodhëm një vit më parë, në vitin e Skënderbeut, për një Samit të rëndësishëm të diasporës, ku edhe u aprovua një strategji afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse për aktivizimin e saj me prani të ndërsjellët të Shqipërisë dhe vetë diasporës.
Në fakt, ka pasur një strategji të parë për diasporën që në vitin 2004, por në atë dokument, përveç një analize serioze të faktorëve të emigracionit, apo të shumave të kontributeve të diasporës në financat e vendit, nuk ka patur një strategji për mënyrën se si mund të aktivizohet ky thesar në jetën ekonomike të vendit. I referohem këtu të nderuarit Mark Gjonaj, i cili e ka quajtur në mënyrë të përsëritur me të drejtë diasporën thesarin më të çmuar të këtij vendi në të gjitha aspektet.
Strategjia e re e ka ndryshuar këtë raport, duke u përpjekur të përcaktojë mundësi përmes së cilës ne mund të angazhojmë njëri-tjetrin, Shqipëria, shqiptarët jashtë vendit dhe shqiptarët janë vendit, Shqipërinë.
Sot që flasim, mekanizmat dhe kanalet përmes të cilave diaspora mund të kontribuojë në vend janë shumëfishuar.
Nuk mund të mos e nënvizoj këtu rolin e posaçëm që ka pasur përfshirja në qeverinë e re e ministrit të diasporës, por dhe rolin e posaçëm që ka pasur personi i ministrit, i cili ka udhëhequr një proces që ka sjellë krijimin e një sërë institucionesh, aprovimin e një sërë ligjesh, vënien në funksion një sërë mekanizmash që i shërbejnë një bazë solide mbi të cilën mund të punojmë për të forcuar këtë ndërveprim e për t’i dhënë rol diasporës, një forcë shumë më të madhe seç e ka pasur deri më sot.
Është e vërtetë – dhe e rimarr nga fjala e Pandit, – puna ka nisur me një ministër shteti dhe me tre persona dhe sot kemi tre agjenci; Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Qendrën e Botimeve të Diasporës, Fondin Shqiptar të zhvillimit të Diasporës dhe së shpejti do të krijohet dhe një agjenci e katërt, qendra e studimeve dhe e publikimeve për arbëreshët.
Kemi tre ligje të reja dhe ndryshime ligjore esenciale në një sërë ligjesh të tjera, që nga ai i pushtetit lokal, për ngritjen strukturave administrative për diasporën dhe emigracionit në çdo bashki, deri tek ndërhyrjet e bëra në ligjin për arsimin, e kështu me radhë.
Në kuvendin e Shqipërisë ka një nënkomision parlamentar për diasporën dhe emigracionin, ndërsa në pushtetin ekzekutiv është krijuar dhe Komiteti shtetëror për diasporën nën drejtimin e kryeministrit.
Në nëntor u inaugurua dhoma e biznesit të diasporës dhe jo më larg se dje në Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë janë dorëzuar propozimet e ekipit të punës ndërinstitucional për të çuar përpara procesin e dhënies së të drejtës së votës për shqiptarët jashtë kufijve territorial të Republikës së Shqipërisë.
Vitin që vjen fillon shkolla verore për fëmijët e diasporës, një propozim që e kemi marrë me shumë dëshirë nga vetë diaspora për të krijuar kushte që fëmijët e lindur jashtë, të mund të kenë eksperienca fizike, në raport me vendin dhe në 2019, ky vit pra, ishte viti i parë shkollor kur mësuesit në diasporë i kanë marrë librat e shkollës përpara vitit të ri shkollor se ishte një histori e gjatë dhe absurde që librat arrinin të binin në duart e mësuesve nganjëherë dhe në fund të vitit shkollor.
Janë bërë mbledhje të përbashkëta të komisionit të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës për një kurrikul të re të përbashkët të arsimit në diasporë.
Po i them të gjitha këto për të bërë një bilanc dhe për të shfrytëzuar rastin që ju jeni këtu, – sepse ju këto i dini, – por edhe përmes mediave për të informuar të gjithë ata që janë të interesuar për këtë temë, lidhur me një inventar që është jo i vogël për një periudhë kohore të shkurtër dhe që në raportin mes këtyre dy vjetëve e pak, të punës, krahasuar me 28 vjet, është si dita me natën.
Patjetër që historia e botës ofron më shumë shembuj të suksesshëm në kontributin e diasporës, edhe në rastet e nevojave imediate për rindërtim. Armenia në vitin 1988 u godit nga një nga tërmetet më të llahtarshme që ka njohur historia e planetit që i kushtoi jetën 200. 000 njerëzve dhe konsiderohet momenti i një transformimi epokal të imazhit të Armenisë dhe të vetë të ardhmes së Armenisë falë unitetit, bashkëpunimit dhe ndërveprimit që krijoi mes armeneve brenda dhe jashtë kjo goditje fatale. Kush shikon këtë apo të tjerë rezultate spektakolare që vendet kanë pasur pas tërmeteve nuk ke si të mos i referohesh asaj fjalës së shenjtë që thotë “Zoti e dërgon tërmetin si një mundësi për t’u menduar dhe për t’u pastruar”.
Po ashtu, donacione të shumta janë mbledhur edhe në rastin e Armenisë edhe në rastin e Haitit, edhe në raste të tjera, por të gjitha rastet kanë një të përbashkët dhe është shumë interesante, që diferencën e ka bërë ndërveprimi mes njerëzve të atij populli, brenda dhe jashtë. Pra, diasporat e vendeve të goditura kanë qene faktori kryesor i një procesi ndërveprimi, përtej faktit p.sh. që në Haiti donacionet ndërkombëtare tejkaluan 5 miliardë dollarë, bëhet fjalë për një apokalips, përsëri të dhënat tregojnë që rolin kryesor edhe financiar e ka patur vetë populli brenda dhe jashtë.
E kur ke parasysh Haitin që është një vend jo i pasur, është e qartë që bëhet fjalë për një masë kritike njerëzish që me donacione të vogla kanë bërë një diferencë shumë të madhe.
Përpara se sa të fillonte kjo mbledhje u ndeshëm me një surprizë të ministrit që na ftoi me alarm të madh që në 9:30 duhet të ishim këtu dhe në fakt s’na kishte ardhur radha sepse ishin mbledhur të rinjtë nga Firence së bashku me pedagogë për një ekspozitë që titullohej “Make your home a better place” . E në fakt, pavarësisht se ministri me detyroi të lë një aktivitet tjetër për të qenë këtu në orar në 09:30 mendoj se vonesa ishte plotësisht dhe konceptualisht e drejtë sepse ajo ekspozitë aty përkon dhe me një moment shumë të përshtatshëm për mesazhin “Make your home a better place”. Është një motiv për ta kuptuar këtë situatë si momentin e konceptimit të një shtëpie të re, të një shtëpie më të mirë për të gjithë, të një shtëpie ku është shtëpia, ku jo thjesht banojnë, por është shtëpia ku lindim fëmijë, rrisim fëmijë, ku trashëgojmë vlerat, që është shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria.
Kur mora materialin për të ardhur këtu, pashë që kjo sallë këtu ka emrin e Jeronim De Radës dhe Jeronimi ishte mishërimi i shqiptarëve të diasporës. Nuk e di nëse Pandi e ka zgjedhur me qëllim këtë sallë të ngushtë thjeshtë dhe vetëm të jemi në hapësirën që mban emrin e De Radës, por ajo që vlen të thuhet është se ai la pas një testament politik në të cilin parashikonte ditën kur të gjithë shqiptarët në liri dhe begati – thotë ai – të mund të ulen bashkë në një tryezë për të vendosur bashkërisht për të ardhmen, pa marrë parasysh kufijtë që mund t’i ndajnë fizikisht.
Po e mbyll me fjalën e një eksponenti të madh të diasporës, Faik Konicës, i cili thoshte se “historia na mëson se të gjitha ndryshimet politike kanë patur përherë dy faktorë; emigrantët dhe një elitë të vogël intelektuale brenda vendit”.
Këtu nuk bëhet fjalë për një ndryshim politik, por bëhet fjalë për një ndryshim të madh shumë më tepër sesa politik, për një ndryshim që ta kapërcejë politikën dhe ta ridimensionojë atë në rolin e saj, duke e kufizuar brenda një perimetri të arsyeshëm dhe duke zgjeruar shumë më tepër perimetrin e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit të njerëzve me njerëzit. Përpara sesa të jenë njerëz me bindje politike apo inate politike, janë njerëz që mund të hanin një termet të gjithë bashkë dhe të iknin bashkë me bindjet e tyre politike pa mundur që të lënë dot gjurmën që i detyrohen vendit. Shpresoj që këtë mesazh të tërmetit ta kenë të gjithë parasysh. Unë është e sigurt që nuk do ta harroj.
Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj dhe respekte për të gjithë angazhimin dhe përpjekjen tuaj për të qenë pjesë e këtij këshilli koordinues që emrin e ka të madh, njerëzit që e përbëjnë i ka shumë të vlefshëm e të respektuar dhe shpresoj që edhe produktet t’i ketë në lartësinë e emrit dhe të njerëzve që ka në përbërje.
Faleminderit!