Në kuadër të takimit të 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Kryeministri Edi Rama së bashku liderët pjesëmarrës, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Presidentin e Malit të Zi Milo Đukanović dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vučić ishin në Durrës, për të parë nga afër zonat e prekura nga tërmeti.
Ata u njohën me situatën aktuale, si dhe u informuan rreth hapave të ndërmarra për të ndihmuar të prekurit e kësaj fatkeqësie.
Kryetari i Komitetit Ndërministror për Emergjencën, Bledi Çuçi tha se grupet e inspektimit të inxhinierëve janë në terren dhe po vijon me intensitet puna për përcaktimin e shkallës së dëmit në çdo ndërtesë.
Kryeministri Rama theksoi se të gjithë të prekurit e tërmetit janë tashmë të sistemuar në hotele apo në shtëpi me qera deri sa të ndërtohen banesat e reja. “Në shumicën e rasteve është nevoja vetëm për riparime pasi strukturat janë mirë, por në disa raste të tjera strukturat nuk janë mjaftueshëm të forta”, – tha kryeministri.
Pasi panë disa nga zonat më të prekura në Durrës, të ftuarit vizituan një prej strukturave të mikpritjes, të vëna në dispoziocion të plotë për familjet e prekura. Ministri Blendi Klosi u shpreh se resortet turistike në përgjithësi nuk janë vetëm për biznes apo për turizëm, por kanë treguar solidaritet edhe në situata fatkeqësish natyrore si ajo e 26 nëntorit, ku familjet janë akomoduar në këtë fazë kalimtare.