Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për mediat e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj: 

Dëshiroj të komunikoj me qytetarët disa vendime të rëndësishme që kaluam sot në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave lidhur me procesin dhe programin e Rindërtimit.

Dua të theksoj gjithashtu për qytetarët para se të shpjegoj se çfarë janë këto vendime, që procesi konkret ka filluar që në 26 nëntor, ka vazhduar me akomodimin e gjithë qytetarëve humbën shtëpitë e tyre apo atyre shtëpitë e të cilëve u përcaktuan nga vlerësimi në vazhdim si të pabanueshme. Bonusi i qirave bën të mundur që të gjithë familjet dhe qytetarët deri në momentin e rikthimit në shtëpitë e tyre apo në shtëpitë që do të ndërtohen në bazë të programeve të rindërtimit, të kenë mundësinë e një shtëpie me qira dhe në datën 2 janar Kryeministri ka kërkuar nga Bashkitë në zonat e definuara si zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të fillojnë procesin ligjor, konkret, të përcaktimit të tokave ku do të ndërtohen qytezat urbane të cilave Kryeministri i është referuar në vazhdimësi dhe sot janë pjesë e ligjit të posaçëm për Rindërtimin.

Besoj që në bazë të atij Urdhri dhe të referencës ligjore, brenda 15-20 ditë do të kemi të përcaktuar të gjithë territorin që është definuar si i dëmtuar nga tërmeti dhe po i referohem të gjithë bashkive të prekura në bazë të vlerësimit. Pra, të gjitha këto bashki, janë të detyruara brenda afatit të kërkuar nga Kryeministri, të sjellin në Këshillin e Ministrave të gjithë verifikimin dhe përcaktimin e tokave/truallit ku do të ndërtohen banesat individuale dhe qytezat urbane siç i jemi referuar dhe në ligjin e posaçëm.

Ndërkohë sot kaluam vendimet e mëposhtme:

  1. Për përcaktimin e rregullave, kategorive prioritare, masës së shpenzimit që kompensohet, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin e përzgjedhjen e përfituesve nga programet e procesit të rindërtimit.

Dua t’ju them se është hera e parë në 30 vite për të qenë korrekt, që hartohet një ligj i posaçëm dhe procedura të posaçme në përgjigje të emergjencës dhe nevojës që kanë qytetarët dhe familjet.

Nesër ne do të zhvillojmë një takim të posacëm me kryetarët e bashkive që në bazë të ligjit, do të hartojnë të githë listën zyrtare të familjeve që kanë humbur shtëpitë, në pallate apo njësi indivuale banimi që janë vlerësuar si të pabanueshme, apo dhe ato që në referencë të kritereve që po ndjekim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si banesa që kanë nevojë për rikonstruksion, sepse edhe kjo fashë e familjeve do të përfitojnë nga grantet e rindërtimit.

Kryetarët e Bashkive, duke filluar nga nesër, në bazë të këtij vendimi, do të duhet të ngrenë menjëherë një platformë elektronike aplikimi për qytetarët që e dëmtuar në referncë të asaj që përmenda më lart.

Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë. Iu lutem të gjithë qytetarëve, familjeve, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti dhe janë kategorizuar si të pabanueshme, apo që kanë nevojë për rikonstruksion, menjëherë me hapjen e platformës në bashkitë përkatëse, të aplikojnë. Aplikimi do të jetë jashtëzakonisht i thjeshtë, por do t’u duhet bashkive, njësive zbatuese dhe Këshillit të Ministrave për të hartuar politikat dhe më pas për të bërë të mundur financimin e projekteve, qoftë nëpërmjet njësive vendore, qoftë nëpërmjet entiteteve që do të autorizohen me Vendim të Këshillit të Ministrave si njësi zbatuese, ose për ta thënë më thjesht për qytetarët, që do të ndërtojnë qytezat dhe njësitë individuale.

  1. Për caktimin e rregullave dhe procedurës së përshpejtuar për hartimin dhe miratimin e planit të detyruar vendor, si dhe procedurës së miratimit të lejeve të zhvillimit e të ndërtimit në rastet e fatkeqësisë natyrore për objektet e reja dhe/ose infrastrukturës publike, si dhe zonave të reja për zhvillim

Për qytetarët, ky është vendim shtyllë në proces sepse i detyron njësitë vendore me afat kohor, Bashkinë e Tiranës, Durrësit, Kurbinit, të gjitha bashkitë e prekura, që menjëherë në bazë të tokave që do të caktohen (dhe ne kemi kërkuar që të jenë toka shtetërore mundësisht), brenda një kohe shumë të shkurtër siç e përcakton VKM 30 ditë, të hartojnë planet e detyruara vendore, pra ato që i referohemi si masterplane. Pa këto, nuk do të mund të kalojmë dot në fazën e rindërtimit.

Në të njëjtën kohë, i është dhënë e drejta e aplikimit të procedurës së përshpejtuar të marrjes së lejeve të ndryshme të ndërtimit, nga ato më të thjeshtat deri tëk ato që kërkojnë projekte të detajuara.

  1. Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për kompensimin e shpenzimeve për akomodim dhe ushqim të të dëmtuarve nga fatkeqësia natyrore.

Nuk ka nevojë t’jua shpjegoj, ju e keni parë që qeveria që ditën një është kujdesur që qytetarët të mos ngelen pa çati, që nga akomodimi në hotele dhe deri tek bonusi i qirave që është duke funksionuar dhe do të funksionojë deri ditën që qytetarët dhe familjet do të futen në shtëpitë e tyre të reja, të ndërtuara rishtazi në gjithë kuadrin e projektit të rindërtimit, apo të rikthehen në banesat e tyre të rikonstruktuara nesër do të vlerësohen si në nevojë rikonstruksioni.

  1. Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për përfitimet nga grantet e rindërtimit.

Vendimi i referohet nevojës për rikonstruksion të tre niveleve të ndryshme të referuara në standardin që ne përdorim së bashku me partnerët ndërkombëtarë, me të cilët së bashku po bëjmë edhe vlerësimin, pra dëmtime të lehta, mesatare-të rënda dhe të rënda, ku do përdoren grante të drejtpërdrejta të rikonstruksionit. Pra jemi duke folur vetëm për rikonstruksionin, jo për ato banesa që do të vlerësohen si të pabanueshme, apo që janë shembur, apo që do të shemben në bazë të vlerësimit të thelluar.

Jemi duke iu referuar mundësisë për grante për ato banesa që do të vlerësohen nga inspektimi dhe vlerësimi profesional i inxhinierëve të licencuar, që në i referohemi si vlerësim i thelluar, që janë të banueshme me kusht rikonstruksioni.

Rikonstruksioni është i tre niveleve, i lehtë, mesatar dhe mbi mesatar dhe mbi këtë bazë, do të ketë grante për rikonstruksion.

Do të ketë dy mënyra të përdorimit të granteve për rikonstruksion, një direkt tek familjet me atë mini-projekt më duhet të them, që kërkon legjislacioni në fuqi, ose e dyta nëpërmjet bashkisë respektive ku bashkia mund të organizojë përmes strukturave të veta, rikonstruksion të përqendruar për çdo njësi që do të evidentohet ose është evidentuar si e dëmtuar dhe me nevojë rikonstruksioni.

  1. VKM për kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike.

Bëhet fjalë për politika dhe reforma specifike, madje deri kirurgjikale në zonat e dëmtuara. Shembull konkret është devijimi i një prej kredive që kemi ne me një nga partnerët financiarë ndërkombëtarë, nga zonat e jugut të Shqipërisë ë zonën e dëmtuar të Durrësit, ku do të bëhet një ndërhyrje e plotë infrastrukturore në funksion të ringritjes ekonomike, qoftë të tregtisë, qoftë të bujqësisë apo turizmit.

Ka disa të tilla, që shkojnë në harmoni edhe me masat fiskale që kemi ndërmarrë apo kemi ndërmend të ndërmarrim për të lehtësuar sipërmarrjen në zonat e dëmtuara.

Ndërkohë, e gjithë logjika e rindërtimit, që nga njësitë individuale të banimit deri tek pallatet apo qytezat urbane që planifikohen të ndërtohen në bashki të ndryshme, të gjitha këto sigurisht do të kenë bazën kushtetuese, aty ku është e domosdoshme, të shpronësimit dhe kompensimit dhe për këtë arsye kemi kaluar një vendim specifik “Për kushtet dhe procedurën për shpronësimet dhe shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”.

Vendimi tjetër është “Përcaktimi i kushteve dhe kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”.

Është një proces dhe procedurë e domosdoshme ligjore sepse i jep mundësi që edhe aty ku ka ndërtime pa leje, shteti, qeveria të marrë përsipër që ata qytetarë, ato familje, të përfitojnë nga programi i Rindërtimit, sigurisht, kundrejt kushteve të përcaktuara në VKM.

I fundit, jo i parëndësishëm, është dhe ngritja e Komisionit shtetëror të rindërtimit.

Ky Komision i ka bërë dy mbledhje në kuadër të Aktit Normativ Nr. 9, pra të Ligjit të Posaçëm, dhe tani nëpërmjet këtij vendimi detajohet funksionimi i tij. Logjika e Komisionit është propozimi i politikave, apo propozimi i financimit të programeve. Këto propozime i shkojnë Këshillit të Ministrave, që i gjykon, merr vendim dhe pasi cakton edhe njësitë zbatuese, FSHZH, apo Bashkitë, apo ndonjë institucion tjetër që Këshilli i Ministrave mund të vendosë në procesin e rindërtimit, dhe më pas vijohet me financimin e programeve dhe njësitë zbatuese mbajnë përgjegjësi për zbatimin e procedurave dhe sigurisht edhe të përfundimit me sukses në afatin e duhur, dhe me afatin e duhur i referohemi një kufiri kohor jo më gjatë se 12 muaj nga momenti i fillimit, që do të thotë deri në pranverën e vitit tjetër, unë besoj që 100% e familjeve kanë gjetur përgjigje të plotë nga programi i rindërtimit, qoftë nëpërmjet rikonstruksionit, pra granteve, qoftë nëpërmjet ndërtimit të qytezave urbane, qoftë nëpërmjet ndërtimit të banesave individuale, të cilat do të bëhen në bazë të një logjike urbanistike dhe zhvillimi ekonomik, të menduar mirë nga institucionet përkatëse përgjegjëse për zhvillimin e territorit. Pra nuk është se do të ndërtohet ku të duam, por do të ketë një zhvillim urbano-ekonomik të maturuar, të menduar mirë, që t’i shërbejë edhe zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe logjikës urbanistike të së ardhmes.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.