Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Familja e Riza Tafës në fshatin Zall Herr të Tiranës i la pas ditët e vështira të jetesës pas tërmetit dhe ka rinisur jetesën në shtëpinë e rindërtuar dhe të mobiluar nga e para. Kryeministri Edi Rama, sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj ishin sot miq në familjen Tafa, e cila humbi banesën individuale dhe i kaluan ditët në çadrat e ngritura në oborrin e shtëpisë. Sot, vetë kryefamiljari dhe fëmijët pohojnë se çdo gjë është shumë më e mirë se ajo që kishin më parë.

“Shumë faleminderit për gjithçka që keni bërë për ne”, – janë fjalët e mirënjohjes që Rizai ka për të gjithë ata që ju gjendën pranë që në momentet e para të fatkeqësisë dhe uron që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje edhe familje të tjera, të dëmtuara si ai.

Ndërsa, Kryeministri u shpreh se po bëhet ç’është e mundur që të gjithë familjet që humbën banesën e tyre individuale nga tërmeti i madh, të hyjnë në shtëpi të re, më të mirë se ajo që kishin, brenda këtij viti, në të gjitha zonat jashtë qytetit. “Po bëjmë sa më shpejt të mundemi planet e rindërtimit, që të bëjmë jo thjeshtë atë që ishte, por ta bëjmë më mirë, ashtu siç jeni ju në një shtëpi edhe më të mirë se ajo që kishit. Ne do të bëjmë çmos që t’i bëjmë sa më shpejt. Duam që grupin e familjeve që kanë shtëpi individuale ta mbyllim brenda këtij viti dhe të gjithëve t’u krijojmë mundësinë që të kenë një shtëpi më të mirë se ajo që e kishin.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.