Konferenca e përbashkët për mediat e Kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, në përfundim të takimit mes tyre në Pallatin e Brigadave:
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!
Besoj që nga vonesa në nisjen e Konferencës mund të ilustrohet fakti që ishte kënaqësi që u takuam përsëri me, këtë herë, Presidentin e Këshillit Europian, – herën e shkuar në rolin e Kryeministrit të Belgjikës, – si një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe një personalitet i interesuar në mënyrë të posaçme për rajonin tonë. Diskutuam gjerësisht, do të vazhdojmë të diskutojmë edhe pas Konferencës, por, në radhë të parë, unë dua ta falënderoj Presidentin e Këshillit Europian, Zotin Charles Michel për ngushëllimet dhe interesimin e posaçëm lidhur me situatën e vështirë të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe për angazhimin e tij personal për të ndihmuar që Konferenca e Donatorëve, e thirrur nga Presidentja e Komisionit në 17 shkurt, në Bruksel, të jetë një sukses dhe populli shqiptar e në mënyrë të posaçme, afro 15 mijë njerëz që kanë humbur strehën të marrin mesazhin e qartë që Europa është pranë dhe nuk do të na lërë vetëm në përpjekjen e madhe për rindërtimin.
Natyrisht, kemi folur me Presidentin e Këshillit edhe për procesin e reformave dhe ecurinë e procesit të integrimit. Kemi ndarë pikëpamjet lidhur me çka është arritur deri këtu, çka duhet arritur më tutje dhe njëkohësisht, edhe mbi diskutimin e brendshëm në Bashkimin Europian për atë që tanimë njihet si Metodologjia e re e Zgjerimit dhe në tërësi më vjen shumë mirë që Presidenti ka shprehur vullnetin për të qenë posaçërisht i angazhuar për rajonin, jo vetëm në funksion të procesit të integrimit të mëtejshëm individualisht të vendeve, por edhe në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe të një qasjeje të re të Brukselit në raport me zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit. Ai me siguri do të flasë vetë dhe patjetër shumë më mirë sesa unë, lidhur me të gjitha këto, por në mbyllje, për të mos marrë më shumë kohë, dua edhe njëherë ta falënderoj sepse, sidoqoftë në këtë rol është vetëm në momentet e para, ka shumë dosje të rëndësishme në tryezë për të trajtuar. Fakti që pas një firmosjeje në orën 01:30 të mëngjesit, të lidhur me Britaninë e Madhe, sot, ai ka ardhur në Tiranë, për të çelur një fazë të re të dialogut me ne dhe në tërësi me rajonin, është shumë domethënës për mua.
Shumë faleminderit edhe njëherë, i dashur mik dhe fjala është për ju!
*Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: Shumë faleminderit Edi!
Para se të filloj, dua t’ju ngushëlloj edhe njëherë, t’ju transmetoj ngushëllimet e mia personale dhe të Bashkimin Europian pas tragjedisë që goditi vendin tuaj në nëntor dhe pohoj solidaritetin ndaj viktimave, ndaj familjeve, ndaj jetëve që humbën. Ne jemi tronditur.
Në lidhje me takimin e të gjitha vendeve në Bruksel, ne inkurajojmë organizimin e Konferencës së Donatorëve që do të mbahet në shkurt, me qëllim që përtej fjalëve dhe përtej mëshirës, përtej dashamirësisë, simpatisë dhe mbështetjes të ketë mbështetje reale për popullsinë e vendit tuaj.
Zoti Kryeministër, i dashur Edi kemi patur rastin, përsëri, të dialogojmë, të mbajmë një dialog të dobishëm, intensiv, për të cilin kam gjithmonë kënaqësi. Kemi patur rastin të takohemi kur kam qenë Kryeministër i Belgjikës dhe sot, si President i Këshillit Europian patëm rastin të përmendim marrëdhëniet mes këtyre vendeve dhe Bashkimit Europian. Në javët e ardhshme, në tryezën e Këshillit Europian do të kemi këtë temë, do të kemi rastin të debatojmë, por shpresojmë të kemi rastin të marrim vendime, të marrim orientime për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Si President i Këshillit Europian, unë shoh 3 shtylla në qasje, në strategjinë që duhet të zhvillojmë së bashku. Shtylla e parë është domosdoshmëria, dua ta shpjegoj këtu te ju, domosdoshmëria për vendet europiane, për kryetarët e qeverive që të bien dakord mbi mënyrën sesi do ta mendojnë procesin e zgjerimit, cilat do të jenë reformat për zgjerimin, çfarë tip zgjerimi duan vendet e Bashkimit Europian, me qëllim që ky proces të jetë i besueshëm, të ketë besim dhe të ketë lidership politik. Ky është debati që do të kemi mes vendeve të Bashkimin Europian. Ky do të jetë debati që do të kemi në Këshillin Europian dhe do ta shikoni shumë shpejt me Komisionin Europian, pasi të jenë konsultuar me vendet anëtare, do të formuloj propozimin në lidhje me çështjen e modernizimit të parimeve dhe të procesit, në përgjithësi, të zgjerimit.
Pika e dytë, siç e dini, Komisioni Europian para verës bëri propozime për Këshillin Europian, lidhur e hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut. Përsëri do ta kemi këtë debat në Këshillin Europian mbi bazën e propozimit që do të bëhet përsëri nga Komisioni Europian në lidhje me këtë temë. Ne jemi këtu. Komisioni Europian duhet të jetë i qartë për orientimin që do të bëjë dhe më pas, ne do të kemi nevojë që të konsultohen vendet anëtare dhe do të jetë një dialog i fortë, një dialog intensiv dhe një dialog i përgjegjshëm dhe unë si President i Këshillit Europian do të inkurajoj afrimin e pikëpamjeve dhe do të inkurajoj Komisionin Europian që të vendosë.
Pika e tretë është kryesore për mua, sepse mund të lejojë që të bëhen hapa në lidhje me dy temat e tjera. Hapi i tretë është thirrja që bëj dhe mobilizimi që duhet të bëhet rreth tryezës së Bashkimit Europian për arritjen e një pakti investimesh dhe rritje për Ballkanin Perëndimor, një pakt rritjesh që do të mobilizojë të gjitha sferat e mundshme, me qëllim që të inkurajohet zhvillimi ekonomik që është një kusht kyç për avancimin e progresit social dhe ekonomik dhe gjithashtu, për të çuar përpara të gjitha bashkëpunimet rajonale, të cilat mund të ndihmojnë për këto 3 shtylla.
Ne pohojmë edhe njëherë, që fati i këtij vendi, fati i Ballkanit Perëndimor duhet të jetë krejtësisht i kthyer drejt Europës. Është një bindje shumë e fortë dhe kjo kërkon që ne ta vazhdojmë këtë dialog në mënyrë të rregullt dhe kjo kërkon që të ketë angazhim, siç e pohuat edhe ju. Angazhim për të vazhduar përpjekjet përsa i përket reformave, modernizimit, mobilizimit për shtetin e së drejtës, për luftën kundër krimit të organizuar, të gjitha këto tema që janë shumë të rëndësishme, që të vazhdojmë të punojmë bashkë, dorë për dore, për të afirmuar atë që sapo pohova, e ardhmja e këtij rajoni e kthyer drejt Europës është e rrënjosur në Europë dhe ne na takon që të punojmë në javët e ardhshme, në muajt e ardhshëm, bashkë me këtë objektiv, me këtë ambicie. Është e nevojshme që të vazhdohet dialogu, të vazhdojmë punën për të përforcuar besimin, besueshmërinë, për të afirmuar lidershipin politik, të kemi rezultate të prekshme për vendet e përfshira, por gjithashtu të kryejmë hapa përpara.
Do të kem kënaqësinë në Bruksel, me rastin e Konferencës së Donatorëve, për të ndihmuar vendin tuaj, të organizoj një mbledhje me përgjegjësit e Ballkanit Perëndimor dhe do të jetë rasti që të japim këtë shtysë politike që duam të japim në planin institucional, që Komisioni Europian dhe unë vetë kemi marrë detyrën në fillim të muajit dhjetor dhe pas marrjes së detyrës, me këtë prani këtu dua të pohoj në mënyrë shumë të fortë e të qartë, ambicien që kemi për të ecur përpara në këtë objektiv që e kemi të përbashkët. Faleminderit!
-Zoti President, në fakt kjo është një pyetje që i bëjmë gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Europian këtë vitin e fundit. Ju thoni që shpresoni që të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë, ndërkohë javën e shkuar, Shqipërinë e vizitoi Komisioneri për Zgjerimin. Ai ishte më optimist që në mars, Shqipëria do të kishte një vendim pozitiv nga Këshilli Europian për çeljen e negociatave, por ndërkohë shohim që nuk ka asnjë ndryshim nga skepticizmi i Francës. A keni marrë ju ndonjë hap konkret për të bindur Francën dhe Holandën?
-Zoti Kryeministër, ju keni në planet tuaja, takime lobuese, siç bëni gjithmonë përpara vendimeve të Këshillit Europian, me këto dy vende?
*Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: Sikurse e dini, ne kemi nevojë në Këshillin Europian për një vendim unanim në lidhje me këtë çështje, që është shumë e rëndësishme, që të gjitha vendet të kenë, të aderojnë në këtë orientim që është marrë në lidhje me këtë temë. Kjo është arsyeja për të cilën ju paraqita 3 shtyllat, të cilat duhet të ecin përpara. Paralelisht ka filluar puna në lidhje me këto shtylla, sepse shumë shpejt do të kemi rastin të kemi një debat në lidhje me këto tre tema që sapo përmenda, në lidhje me modernizimin e procesit të zgjerimit, me disa objektiva politike të rëndësishme për vende të ndryshme europiane. Në javët e ardhshme, – kjo do të jetë një pjesë e punës sime si President i Këshillit Europian, – dua të drejtoj një dialog të fortë dhe intensiv se si mund të bëhen hapa përpara. Por mesazhi im është i qartë, si President i Këshillit Europian, unë ju them që sot nuk kemi unanimitet. Do të organizojmë mbledhje javët dhe muajt e ardhshëm, për të parë se si mund të punojmë bashkë, se si mund të kemi një pozicion unanim për tërësinë e këtyre temave që ju paraqita. Ka gjithsesi një pikë shumë të rëndësishme, e cila është e pranishme në tryezën e mbledhjes së fundit të Këshillit Europian dhe mund t’ju them që ka një unanimitet në lidhje me një pikë. Kjo është ambicia e përbashkët nga 28 vendet e BE-së, të cilët konsiderojnë që e ardhmja e Ballkanit duhet të jetë drejt BE-së, për të vazhduar, për të zgjeruar punën e bashkëpunimit të ngushtë, për të inkurajuar reforma që ndonjëherë janë të vështira. Ne e dimë që këto reforma janë të vështira, sepse duhet luftuar konservatorizmi, duhen luftuar situata që janë të ngulitura e kjo nuk është e thjeshtë, kjo kërkon kurajë, kjo kërkon përpjekje. Duhet të inkurajojmë ata dhe ato që punojnë me këto reforma, që tregojnë kurajë e që tregojnë përpjekje, por kemi nevojë javët e ardhshme të vazhdojmë debatin e të vazhdojmë diskutimet në lidhje me këtë temë e kjo mbledhje është e rëndësishme për mua, sepse do të ketë një kuptim të mirë të situatës, duke përfshirë këtu detajet sipas vendeve, me qëllim që Presidenti i KE-së të jetë si një zëdhënës e të jetë i dobishëm në procesin e argumentimit.
Kryeministri Edi Rama: Tani, unë e kuptoj këtë pyetje, por do mirëkuptoni edhe përsëritjen time të të njëjtit opinion. Kjo që po kalojmë është një fazë në të cilën Bashkimi Europian ka një diskutim të brendshëm dhe me të gjithë mirënjohjen për vëmendjen që asnjëherë nuk ka munguar në raport me nevojën time për të përcjellë opinionet e mia, qoftë në Paris, qoftë në kryeqytetet e tjera, jam i vetëdijshëm dhe duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por varet nga sa dhe si miqtë tanë në Bashkimin Europian do të bien dakord për atë që quhet një metodologji e re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e Bashkimit Europian. E kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, në këto kushte, edhe Franca të ishte duke kërkuar të hynte në Bashkimin Europian nuk do pranohej nga Franca, përpara se sa të bihej dakord për si do zhvillohej procesi. Pra, është një diskutim konceptual brenda Bashkimit Europian, që ne duhet ta respektojmë dhe nga ana tjetër, ajo që unë konstatova me shumë kënaqësi nga biseda me Presidentin e Këshillit dhe që u tha edhe këtu prej tij, është qasja që ai kërkon të sjellë sëbashku me të tjerët, për një dimension të ri në marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social. Pra, ajo që po ndodh në funksion të një metodologjie të re duhet parë si një mundësi e re për të pasur zhvillime pozitive, jo thjesht në raport me hapjen e negociatave nga pikëpamja formale, por në raport me marrëdhëniet mes nesh dhe Bashkimit Europian. E nëse çfarë Presidenti shpreh sot si një vizion e si një objektiv, do të materializohet në investime të inkurajuara e të mbështetura nga Bashkimi Europian, përmes Bankës Europiane apo instrumenteve të tjerë, në më shumë mbështetje financiare për vendet e rajonit në funksion të sektorëve kyç e të politikave europaine në tërësi, kjo përbën një arsye për të qenë shumë pozitivisht të inkurajuar.
E fundit që do të thoja në këtë aspekt, është se pavarësisht se cili do të jetë vendimi i radhës, në aspektin e çeljes së negociatave, ose shtyrjes përsëri të vendimit, ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që do kishim bërë edhe po të ishin hapur negociatat tashmë, sepse ne këtë e bëjmë për veten tonë e për të ardhmen tonë, nuk e bëjmë sepse na e kërkon Presidenti i Këshillit, apo na i kërkon Parisi, apo na i kërkon Haga.
Më vjen shumë mirë që ka një qartësi për faktin se reformat tona po ecin, se rezultatet e pritura po vijnë e do vazhdojnë të vijnë. Kam ndarë me Presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri dhe pa humbur kohë në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së e kështu do të vazhdojmë hap pas hapi.
Ajo që ka rëndësi është që në fund të këtij viti që sapo kemi hyrë, Shqipëria të jetë një vend më i mirë e ne të kemi arritur sëbashku me Bashkimin Europian, si një mbështetës kryesor, t’i kemi dhënë atyre që kanë pasur tragjedinë e madhe të nëntorit drejtpërdrejtë në kurriz, jo më vetëm thjesht shpresë, por shtëpi të reja e perspektivë të qartë për të hyrë në shtëpi, jo më larg se fundi i vitit të ardhshëm, për ata që jetojnë në qytet.
Shumë faleminderit!
*Përkthim simultan