Videomesazh i Kryeministrit Edi Rama mbi takimin e zhvilluar në Bruksel me Presidenten Ursula von der Leyen:
Mirëmëngjesi nga Brukseli!
Mbrëmë takuam Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, një zonjë me një karrierë të admirueshme dhe njohje mbresëlënëse të çështjeve europiane, e cila bujarisht na mundësoi një bashkëbisedim shumë të hapur që zgjati përreth 2 orë e ca.
Qëllimi parësor i vizitës, siç edhe ju kam shkruar dje, ishte adresimi i problematikës së pas tërmetit me fokus Konferencën e Donatorëve që është thirrur pikërisht nga Presidentja e Komisionit në Bruksel, në 17 shkurt. Ishte një bisedë që në fillim kishte një pjesë të madhe informative dhe ne informuam për të gjitha aspektet e punës tonë për trajtimin e problematikës së pas tërmetit, që nga trajtimi i familjeve të prekura, tek raporti i dëmeve që po finalizohet së shkruari në bashkëpunim me ekspertët e Bashkimit Europian, të OKB-së, së Bankës Botërore, tek masterplani i Rindërtimit dhe të gjitha planet vendore për të gjitha zonat e prekura, kalendari i gjithë këtij procesi dhe natyrisht, edhe plani ynë i financimit të këtij operacioni masiv rindërtimi, që po të shohim dëmet, tejkalon mundësitë tona.
Më vjen shumë mirë të ndaj me ju, një ndjesi shumë pozitive që kam nga vëmendja e veçantë dhe rëndësia që Presidentja e Komisionit i ka kushtuar, në fakt që në ditën e parë pas tërmetit e në vijimësi, të gjitha aspekteve të kësaj problematike dhe takimi i mbrëmshëm ishte konfirmim i gatishmërisë së plotë dhe angazhimit konkret të saj për të mbështetur operacionin e rindërtimit.
Serioziteti me të cilin po organizohet Konferenca e Donatorëve është maksimal dhe pavarësisht se ne e dimë shumë mirë që shuma e mundshme që mund të mbledhim në atë Konferencë nuk do të përmbushë dot kurrsesi të gjithë nevojat, plani i Presidentes Von der Leyen shkon përtej Konferencës, pra, edhe më pas ne do të vazhdojmë të punojmë sëbashku. Ndamë me të dhe idetë e financimit të rindërtimit me një skenar shtesë, pas Konferencës.
Sigurisht pastaj kaluam dhe në temën e saj të preferuar, përshpejtimin e procesit të çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lejomëni të mos zgjatem në këtë pikë të dytë, por është e sigurt që Presidentja e Komisionit ka një strategji konkrete për objektivin e çeljes së negociatave dhe ndërkohë është po kaq e sigurt që përsëri, sidoqoftë, fati i vendimit mbi çeljen e negociatave do të varet nga ecuria e debatit të brendshëm të Bashkimit Europian mbi vetveten dhe mbi të ardhmen e të gjithë procesit të zgjerimit.
Megjithatë, strategjia për negociatat është vetëm një pjesë e strategjisë së gjerë të Komisionit të ri dhe të Presidentes Von der Leyen për nxitjen e bashkëpunimit dhe të zhvillimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja e Komisionit e sheh me entuziazëm, realisht, përpjekjen për ta çuar përpara Procesin e Berlinit përmes marrëveshjeve që do të çojnë hap pas hapi në lehtësimin e të gjithë lëvizjes në rajonin tonë dhe finalizimin e Shengenit rajonal dhe BE-ja do të luajë rolin e saj mbështetës në këtë drejtim, qoftë politikisht, por edhe qoftë financiarisht, sikundër e tha në Tiranë, edhe vetë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
Dita sot vijon me detyrën e kryetarit të OSBE-së në selinë e NATO-s dhe pasdite vonë do të kthehemi në Tiranë për të vazhduar të gjitha përpjekjet tona.
Përqafime të gjithëve nga Brukseli dhe shihemi patjetër nesër!