Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Willy Brandt, Kancelari i Gjermanisë, një ndër figurat më të ndritura të shekullit të shkuar, ka thënë: “Bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm për t’u lënë në duart e qeverive kombëtare”.

E faktikisht, kjo fjalë e shumë viteve më parë, sot tingëllon më aktuale se asnjëherë tjetër. Pasi sot, edhe Gjermania e madhe dhe e fuqishme, edhe Shqipëria e vogël dhe ende shumë e dobët, janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe të ndërveprojnë për të zgjidhur probleme të përbashkëta.

Problemi jo i vetëm, por padyshim më i mprehti, që është shfaqur së fundmi, është problemi i azilkërkuesve. Një problem që është shumë kompleks dhe konsiderojmë se një pjesë e madhe e tyre, sot dynden nga vende konfliktesh të thella dhe pamundësish të mëdha për t’i mbijetuar luftërave drejt Gjermanisë; Apo edhe nga rajoni ynë, prej ku Gjermania shihet me të drejtë, si vendi që mund të plotësojë më shpejt dhe më mirë, jo vetëm sesa vendet tona, por edhe sesa gjithë vendet e tjera të Europës, ëndrrat dhe shpresat e njerëzve.

Mirëpo ka një ndryshim të madh, thelbësor, midis të gjithë atyre që braktisin shtëpinë, braktisin tokën, braktisin ëndrrat dhe shpresat tek atdheu i tyre për shkak luftërash dhe konfliktesh vrastare dhe atyre që largohen nga Shqipëria, nga vendet e tjera të rajonit, për të pasur mundësinë e një jete më të mirë, pa pasur nevojë të presin dhe me idenë se mjafton të shkojnë në Gjermani dhe jeta më e mirë është e gjitha e tyre.

Pjesë e këtij ndryshimi të madh është edhe mundësia reale, konkrete, që kanë të gjithë të rejat dhe të rinjtë e rajonit tonë, edhe të Shqipërisë, për të plotësuar dëshirën e tyre dhe për të realizuar ëndrrën për të punuar në Gjermani, duke kaluar nëpërmjet rrugës së ligjshme, e cila nuk është aq e shkurtër sa ajo e ikjes dhe kërkesës së azilit, por sidoqoftë është e vetmja rrugë e sigurt. Ndërkohë që, ajo e ikjes dhe kërkesës së azilit është një rrugë e shkurtër që të nxjerr gjatë dhe në fund të saj ka vetëm një mundësi; të kthehesh po këtu.

Sigurisht që nuk kemi se si të mos i mirëkuptojmë të rejat dhe të rinjtë, që nga vende të vështira, – pjesë të vështira të vendit tonë, nga provinca të rraskapitura në vite dhe të mbetura shumë mbrapa, – ndjejnë një pamundësi për të pritur gjatë, apo për t’ia lënë një të ardhmeje të largët, realizimin e ëndrrave të tyre dhe marrin rrugën për azil. Por nga ana tjetër është e sigurt që ngulmimi për ta realizuar një ëndërr legjitime, për çdo vajzë e djalë, për çdo qytetar apo qytetare të këtij kontinenti, për të jetuar në një vend të Europës së bashkuar është plotësisht i realizueshëm, duke kaluar nëpërmjet rrugës së ligjshme.

Edhe pse rruga e ligjshme, janë shumë pak shqiptarët që mund ta ndërmarrin që sot, duke pretenduar që brenda javës në Gjermani, të kërkojnë të jenë të punësuar të ligjshëm. Sepse në 20 e kusur vite, jo vetëm varfëria dhe plagët e mëdha në të gjithë sektorët nuk krijuan kushtet që ne sot të ishim më mirë saç jemi në fakt, por sepse në 20 e kusur vite, këtu u parapëlqye të ndërtohej shteti i “qofteve të dajës”. U parapëlqye të ndiqej politika “qofte te daja”. Një nga “qoftet te daja” ishte universiteti i bazuar tek pagesat dhe marrja e një diplome pa asnjë vlerë. Ishte një sistem arsimor i bazuar i gjithi tek një parim; se si ata që qeverisnin të fitonin kohë dhe të mos të përballeshin me problemin e madh të papunësisë së të rinjve, por t’ju hapnin të rinjve një perspektivë false, një autostradë pa korsi, pa limit shpejtësie, pa asnjë shenjë dalluese, për të shkuar të gjithë nëpër universitete. U bëmë vendi me numrin më të madh të universiteteve në Europë. Tetë herë më shumë se Britania e Madhe për një milion banorë, 15 herë më shumë se Gjermania për një milionë banorë.

Ndërkohë që, arsimi profesional, që është dera për të çelur rrugën e ligjshme të punësimit në Gjermani apo kudo tjetër në Bashkimin Europian, ose dhe në vende të tjera, u katandis në një tufë klasash ku elektricistëve ju mësohej zanati duke ju vizatuar poçin në dërrasën e zezë dhe duke ju thënë ky është poçi, ose infermiereve ju jepej zanati duke iu treguar gishtin dhe duke ju thënë kjo është gjilpëra.

Ne vendosëm të bëjmë atë që duhet të ishte bërë 20 vjet më parë dhe nuk do ishim sot këtu; të çelim korsinë alternative, sepse jo të gjithë shqiptarët do bëhen juristë, ekonomistë, inxhinierë, se përderisa nuk janë bërë të gjithë gjermanët të tillë, nuk kanë pse të bëhen dhe gjithë shqiptarët të tillë. U katandisëm vendi me numrin më të madh të juristëve për metër katrorë në botë. Kemi më shumë juristë sesa çdo vend tjetër i botës. Për këtë arsye kemi dhe drejtësinë më të degjeneruar në Europë. Kemi juristë me diplomë, por s’kemi realisht gjyqtarë, prokurorë dhe njerëz të një sistemi normal drejtësie.

Sot, kemi rezultatin e korsisë alternative që ne e çelëm vitin e shkuar. Këtu shumë bëjnë sikur e harrojnë që ne kemi vetëm dy vjet në qeverisje; këtu shumë bëjnë sikur e harrojnë që çka është shpartalluar në 22 vjet, nuk mund të rimëkëmbet vetëm në dy vjet; këtu shumë bëjnë sikur e harrojnë që sidoqoftë, nëse deri dje, askush nuk kishte shans të imagjinonte që të shkonte në Gjermani dhe të punonte si i ligjshëm, sot, këtu në këtë vend, i hapet rrugë punësimit të ligjshëm në Gjermani të rreth 250 vajzave (nuk e di a ka dhe djem infermierë këtu në këtë grup). Por praktikisht janë afro 250 shqiptarët e parë që marrin një kurs profesional ashtu siç duhet, një akreditim ashtu siç kërkohet dhe nesër shkojnë në Gjermani dhe paraqiten si punonjës të ligjshëm, jo si azilkërkues të paligjshëm.

Faktikisht, kjo ndodh sepse ne bëmë një reformë të sistemit tonë arsimor dhe  sepse ne ju referuam në këtë reformë, sistemit arsimor gjerman. Futëm në Shqipëri arsimin profesional me sistemin dual, që do të thotë në shkollë dhe në ndërmarrje, në kursin teorik dhe në sipërmarrje, të ndarë gjatë javës në mënyrë proporcionale, për të pasur elektricistë, për të pasur rrobaqepës, për të pasur infermiere, për të pasur me radhë të gjitha profesionet që përfshihen në sistemin tonë të arsimit profesional, të lidhur me tregun. E jo njerëz që kur shkojnë të paraqiten për punë, llambën e kanë parë vetëm në dërrasën e zezë dhe telin e kanë parë vetëm nga lidhja e paligjshme e energjisë së drejtuesit të kursit.

Kjo bëri që sistemi ynë të krijojë besim. Mbi bazën e këtij besimi, sot, edhe kjo akademi është këtu, falë edhe mbështetjes që nga dita e parë e “Biznes Albania”, që nuk ka qenë thjesht mbështetja dashamirëse e presidentit, por ka qenë mbështetja e kërkuar me insistim nga ne, për të pasur të lidhur Ministrinë e Mirëqenies Sociale, ministria e kësaj reforme të madhe, me tregun dhe me sipërmarrjen. E dinë të gjithë që  “Biznes Albania” është një tërësi sipërmarrjesh dhe nuk është një kompani e vetme. Po ashtu, edhe me Dhomën Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë e me radhë.

Të gjithë duhet ta dinë që në Gjermani, 30 % e mjekësve, në vitin 2014 ishin me origjinë të huaj. Çdo vit Gjermania ka nevojë për 10 mijë infermierë. E jo vetëm infermierë, por plot 140 profesione, sepse të rinjtë dhe të rejat në Gjermani, ashtu si në shumë vende të tjera të zhvilluara, i preferojnë më pak këto profesione, ndërkohë që nevojat  tregut janë shumë më të larta sesa preferenca.

Me statistikat zyrtare të shtetit gjerman, 61 % e spitaleve apo e klinikave në Gjermani kërkojnë infermierë shtesë. Kërkesat janë në rritje progresive, vit pas viti. Këtë kemi pasur parasysh, kur kemi ndërmarrë këtë reformë. Atyre që na tregojnë me gisht se ç’po bëjmë ne për fenomenin e shfaqur të azilkërkimit, ne ju themi: “qoftet tek daja” mbaruan. Daja mund të rrijë dhe të bëjë qofte për vete dhe çunat e gocat e SHQUP-it, por jo t’u tregojë më shqiptarëve, që të kthehemi tek koha e qofteve. Ajo kohë e qofteve dhe e shtetit të qoftes na la ne në këtë katandi, ku e gjetëm vendin dy vite më parë.

Largpamësia jonë ka qenë kjo, që sot jemi gati. Sigurisht që 250 infermierë apo infermiere që do të dalin nga ky kurs dhe do të shkojnë të punësohen në Gjermani nuk do të zgjidhin problemin e të gjithë atyre që duan të shkojnë dhe të punësohen në Gjermani, por janë shembulli kuptimplotë se ka një rrugë për t’u punësuar në Gjermani, ka një rrugë për të realizuar ëndrrën e të jetuarit me punë të ndershme në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, por përfshi edhe vende jashtë BE-së. Janë të gjithë vendet e pasura të Gjirit që kërkojnë të punësojnë infermiere dhe një sërë profesionesh të tjera. Në botën e hapur ku ne sot jetojmë, mundësitë janë të pafundme, por për t’i shfrytëzuar ato mundësi duhen përgatitje dhe hapësira  për të pasur në dorë dokumentin që i garanton punëdhënësit gjerman, kapacitetin  e plotë  të punëkërkuesit që vjen nga Shqipëria, nga rajoni apo ngado qoftë.

Ky është vetëm hapi i parë konkret, pasi kemi përmbushur fazën e parë që ishte reforma dhe pasi i kemi kthyer sytë e shumë vajzave dhe djemve nga arsimi profesional. Deri dje të gjithë dëshironin të bëheshin juristë dhe kemi arritur t’i kemi të gjithë taksixhitë e Tiranës me master juridiku dhe pretendentë për t’u bërë doktor shkence e pastaj, prapëseprapë në timon, ditë e natë.

Ndërkohë, ne kemi ecur edhe me nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore me Gjermaninë, që është pjesë e zinxhirit të marrëveshjeve të mbrojtjes shoqërore për njohjen e kontributeve të të gjithë shqiptareve që jetojnë dhe punojnë jashtë, në funksion të pensionit. Është një lajm fantastik për të gjithë punëtorët tanë, të sotëm dhe të nesërm në Gjermani, të cilëve do t’u njihen të gjitha kontributet atje, për efekt të llogaritjes së pensionit.

Nga ana tjetër, më lejoni të nënvizoj se ka një politike shumë të qartë dhe një qëndrim shumë të hapur dhe jashtëzakonisht miqësor të Gjermanisë dhe kabinetit të Kancelares Merkel ndaj Shqipërisë dhe rajonit. Pjesë e kësaj qasjeje është edhe kjo marrëveshje që bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, në trajnim, në përftim nga të  ardhurat. E nëse shanset për të marr azil janë zero dhe nëse të gjithë benefitet financiare nuk kanë shans të shkojnë duke u rritur, por vetëm shkojnë duke u ulur drejt zeros, për të gjithë ata që e marrin rrugën, qoftë edhe për të përfituar ndonjë benefit financiar, shanset për të gjetur punësim të rregullt në Gjermani janë të pafundme. Por ka një kusht, duhet të bësh një shkollë profesionale dhe duhet të marrësh një kartë akreditimi.

Kancelarja, – në Tiranë, por dhe në vijimësi dhe nga të gjitha kontaktet e mëtejshme që ne kemi pasur, – e inkurajon shumë fort rrugën e punësimit ligjor të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të rajonit. Por nuk e ka lënë inkurajimin vetëm me deklarata pozitive, që nuk kanë munguar edhe nga ana e mikut tonë  të shtrenjtë, ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, por është e angazhuar  konkretisht. Vetëm në javët e fundit, së bashku me të gjithë kryeministrat e landeve të Gjermanisë ka pasur një ecje në drejtimin e duhur, për të inkurajuar rritjen e mbështetjes dhe për të rritur  këtu, numrin e shkollave që do të binjakëzohen me shkollat gjermane.

Që ditën e parë kur kemi përgatitur Procesin e Berlinit dhe kemi propozuar platformën tonë, ne si Shqipëri e kemi ngritur këtë problem dhe ka qysh nga hapja e Procesit të Berlinit, që Kancelarja, qeveria gjermane dhe një sere landesh janë bërë mbështetës të kësaj kërkese, në mënyrë që binjakëzimi i qendrave të ekselencës këtu, me shkollat gjermane, të krijojë kushtet që të kemi një sistem europian akreditimi në Shqipëri, që do të thotë se në momentin kur mbaron këtu shkollën profesionale, me kartën që ke në dorë mund të shkosh në Gjermani, në Holandë, në Suedi, në Kuvajt, në Emirate dhe kudo tjetër ku janë këto mundësi, për të kërkuar një punë.

Ndërkohë, investimet gjermane në Shqipëri po njohin një rritje. Kjo rritje është përsëri shumë e rëndësishme për çfarë po flasim, jo thjesht për paratë që hidhen në ekonomi dhe nëpër vendet  e punës që hapen, por edhe për rritjen e burimeve të dijes dhe forcimin e lidhjeve brenda sistemit tonë dual, mes shkollave dhe sipërmarrjes.

Investimet e huaja tremujorin e parë, sipas Bankës së Shqipërisë, janë rritur me mbi 90 milionë euro në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërkohë që janë 30 % më shumë kompani të huaja të regjistruara. E këto nuk janë si rezultat i luftës kundër infomalitetit, se kompanitë e huaja nuk vijnë këtu  për të bërë biznes informal.

Në vitin 2014, ne kemi regjistruar 16731 kompani të reja, që është rekordi i të gjithë viteve. I them këto shifra, jo për të bërë paradë suksesi, por për t’ju thënë që janë rritur kapacitet e ndërveprimit mes sistemit tonë të arsimit profesional dhe sipërmarrjes. E kryesisht, në këtë rast, ne e vlerësojmë shumë faktin që pjesë e kësaj rritjeje janë sipërmarrjet gjermane.

Në përfundim, unë dua edhe njëherë ta përsëris: Ne do të vazhdojmë të vendosur në këtë rrugë. Ne jemi të bindur që e nesërmja do të na japë plotësisht të drejtë, nëse e sotmja është ende e ndarë midis një shumice që e ka kuptuar mesazhin tonë të mbarimit të “qofteve tek daja”, – por e ka kuptuar, sepse u neverit nga qoftet dhe daja – dhe të një pakice që vazhdon predikon rikthimin tek “qoftet e dajës”, bashkë me dajën.

Nuk ka fyerje më të madhe për inteligjencën e këtij populli, sesa daja bashkë me qoftexhinjtë e tij të vazhdojnë të predikojnë fundin e botës, sa herë që ne ndërmarrim një reformë. Reformat tona janë pjesë e një operacioni që ne do t’i shkojmë deri në palcë, në një organizëm shtetëror të kapur nga të gjitha anët nga kanceri i parazitizmit, i korrupsionit dhe i lëngëzimit nga “qoftet e  dajës”. Ky operacion do të vazhdojë, sepse ne nuk kemi asnjë të drejtë dhe asnjë mundësi t’u themi shqiptarëve, jemi mirë shumë, të ecim përpara, të vazhdojmë ta kurojmë këtë sëmundje të rëndë, të trashëguar, duke lyer flokët, duke lyer buzët, duke lyer sytë dhe duke bërë sikur nuk ekziston sëmundja.

Kjo sëmundje kurohet me një terapi si kjo që kemi filluar. E fakti që reformat tona kanë një mbështetje kaq të madhe vjen për një arsye shumë të thjeshtë; Jo sepse ne jemi të rënë nga qielli, as sepse ne jemi shumë bindës, por sepse janë vetë shqiptarët të bindur, janë prindërit të bindur që nuk mund t’i investojnë më kursimet e tyre, sakrifica dhe vite pune pa fund, për t’ju dhënë fëmijëve diploma që në fakt janë si ato letrat që mbështillnin qoftet.

Shumë faleminderit dhe respekt për punën e bërë nga gjithë të pranishmit!

***

Në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë gjermane, për lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës, nisi sot kursi i trajnimit të mbi 200 infermierëve të përzgjedhur shqiptarë, të cilëve do t’u jepet mundësia të punësohen në tregun europian, konkretisht në Gjermani.

Ky projekt, i cili do të vijojë edhe në të ardhmen është bashkëpunim i  Kompanisë gjermane DEKRA, Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional dhe “Biznes Albania”, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.