Me qëllim përmirësimin e sistemit të prokurimit publik në Shqipëri dhe garantimin e mirëpërdorimit të fondeve publike, qeveria shqiptare ka përfunduar punën për hartimin e projektligjit të ri të prokurimit publik. Drafti i këtij projektligji, i cili synon të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke lehtësuar procesin e prokurimit si për autoritetet kontraktore, ashtu edhe për operatorët ekonomikë, është tashmë në fazë konsultimi me grupet e interesit.
Gjatë një tryeze konsultative me ekspertë dhe bashkëhartuesit e këtij drafti, për të cilin janë marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e ndryshme të organizmave ndërkombëtarë, si: Komisioni Europian, Banka Botërore, OECD/SIGMA, etj., zëvendëskryeministri Erion Braçe ka deklaruar se në fokus të objektivave të qeverisë mbetet transparenca e financave publike dhe konkurrenca e ndershme mes operatorëve ekonomikë.
“Është e qartë se një procedurë prokurimi e hapur, transparente, e pandikuar, me garë reale efektive në kohë, në çdo fazë të saj, nga njoftimi deri te kontrata, përfshirë edhe një proces ankimimi transparent, efikas e të shpejtë mbetet në interes absolut të qeverisë. Gara e ndershme dhe konkurrenca efektive mbeten për ne prioritet absolut,” u shpreh zv/Kryeministri Braçe.
Ai shtoi se qeveria ka arritur të minimizojë vitin e kaluar procedurat problematike, gjë që do të reflektohet më tej me ndryshimet në ligjin e prokurimeve publike.
“Kemi bërë një punë të mirë gjatë vitit që shkoi. Në vitin 2019 janë vetëm 192 procedura të tilla nga 7384 procedura në total. Zënë vetëm 2,5% e procedurave. Është niveli më i ulët historik në 10 vitet e fundit. Në vlerë ishte vetën 2.3 miliardë lekë nga 110.6 miliardë lekë të prokuruara në total. Edhe këtu është vetëm 2.1% e vlerës totale të përmbyllur. Të ulësh në 2.1% nga 13.9% këtë procedurë prokurimi është arritje pozitive. Ndryshimet në këtë projektligj synojnë pikërisht garën efektive,” deklaroi zv/Kryeministri.
Draftligji përcakton procedura më të thjeshtuara, si dhe lehtësimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, lehtësi në prokurimin e shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera të veçanta, rritjen e rolit kontrollues të APP-së, shkurton procesin e rishikimit administrativ të afateve të ankimimit, etj..