Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rimëkëmbja pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës, qytetin më të prekur nga fatkeqësia e rëndë po vijon për riparimin e dëmeve në pallatet të padëmtuar në strukturë dhe brenda dy muajsh banorët të mund t’i rikthehen jetës normale.

Kryeministri Edi Rama ishte në Durrës, ku ka parë nga afër punën në një nga këto pallate me 175 apartamente, që sipas zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda, ka ndjekur procedurat e përshpejtuara të lejeve.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj tha se dëmet në këtë pallat nuk kanë qenë të rënda, ndaj dhe puna do të ecë me ritme më të shpejta. “Dëmtimet kanë qenë prishje të suvasë dhe prishje të mureve. Struktura është në rregull.”

Kryeministri kërkoi që punimet të përfundojnë brenda muajit mars, ndërsa u shpreh se fillimisht duhet të mendohet për familjet, që ato të kthehen sa më parë në banesat e tyre, më pas për bizneset. “Fokusohuni te apartamentet që të paktën familjarët të futen, pastaj njësitë tregtare mund të marrin edhe më shumë kohë. Besoj se, nëse ju e vazhdoni intensivisht punën, në shkurt, mesi i marsit e mbaroni,” nënvizoi Kryeministri Rama.

Ndërkohë, edhe me pallatet e tjera të dëmtuara, theksoi Kryeministri, duhen nxitur që të punohet shpejt, sidomos aty ku ende nuk kanë përfunduar projektet e rindërtimit për shkak se dëmet nga tërmeti kanë qenë më të rënda.

Punimet përfshijnë muret e brendshme, veshjet me pllaka, instalimet elektrike etj..

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.