Fjala e Kryeministrit edi Rama në ceremoninë e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa, trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit, Gianni De Biasi
“Kam humbur më shumë se 9 mijë gjuajtje në karrierën time. Kam humbur pothuajse 300 ndeshje. 26 herë më është besuar gjuaja e fundit dhe e kam humbur. Kam dështuar me herë e me herë të tëra në jetën time dhe për këtë arsye kam pasur sukses.”
Këto janë fjalët e një kampioni të madh, Michael Jordan, që unë i zgjodha për të filluar këtë fjalë, sepse mu kujtuan pikërisht duke u menduar se çfarë mund të thosha për Gianni-n, i cili sot është në një kulm epik të karrierës tij, por që duke e pas njohur si dashamirës apo ndjekës i futbollit italian, karrierën e tij të mëparshme, për të ardhur deri këtu i është dashur të bëjë shumë beteja dhe të humbi shumë beteja.
Shqipëria është një vend që ka bukuri të rrallë natyrore, që ka një histori dinjitoze, po të marrim parasysh vogëlsinë e vet, por edhe sfidat e mëdha me të cilat shqiptarët janë përballur në shekuj, ka një kulturë të trashëguar brez pas brezi, por mbi të gjitha ka një histori përpjekjesh jashtëzakonisht të mundimshme për të mbijetuar. Është një vend që ka njohur shumë luftëra që nuk i ka filluar asnjëherë vetë, ka njohur pushtime që nuk i ka dëshiruar asnjëherë dhe me të cilat asnjëherë nuk është pajtuar qetësisht, ka njohur regjime të vështira, madje edhe një diktaturë shumë të rëndë, por ka ditur vazhdimisht t’i mbijetojë sfidave më mbytëse dhe të rilindë.
Ajo që mund ta karakterizojë bukur shqiptarin është fakti se edhe në të keqen më të madhe, edhe në momentin më të vështirë, edhe në humbjen më të thellë e ka jetuar me adrenalinë jetën e vet.
Dhe futbolli padyshim është një metaforë e mënyrës së të jetuarit të shqiptarëve.
Do të vazhdoj me Michael Jordan, i cili thotë: “Ji i vërtetë ndaj lojës, në mënyrë që loja të jetë i vërtetë ndaj teje. Nëse lojës i bën hile, edhe loja do të të bëjë hile. Nëse në çdo lojë, ti përpiqesh të shkosh më tutje, patjetër që më tutje të presin gjëra të mira.”
Kjo është e vërtetë për lojën, por kjo është e vërtetë edhe për jetën.
Besoj që sot, më shumë sesa çdo gjë tjetër, ne jemi këtu për të kremtuar këtë të vërtetë. Të vërtetën e një kapiteni që mori në dorë një skuadër, të cilës në radhë të parë i mësoi që të jetë e vërtetë ndaj lojës dhe bëri të mundur që loja të jetë e vërtetë për skuadrën. E po ashtu i mësoi që të kërkojë çdo herë më shumë nga loja, në mënyrë që loja t’i japë çdo herë e më shumë skuadrës.
Nëse sot ne kemi një skuadër kombëtare që na bën të gjithëve krenarë, unë besoj që nuk është thjesht sepse ndryshe nga herë të tjera, kjo skuadër ka bërë rezultate të panjohura deri më sot, por sepse këto rezultate kanë ardhur si rrjedhojë e një filozofie të re, të të qenit skuadër dhe të të jetuarit të lojës në mënyrë të vërtetë.
Kjo është kaq e vërtetë, saqë edhe kur rezultatet kanë munguar, apo kur jemi tradhtuar në pritshmërinë tonë në momentin e fundit, siç ndodhi në ndeshjen e fundit, përsëri, të gjithë sëbashku pa asnjë hipokrizi i kemi qenë mirënjohës skuadrës. Kjo është një arrije e veçantë, e posaçme, speciale e trajnerit tonë, që ia ka përcjellë edhe publikut, këtë ndryshim të madh, që skuadra kombëtare mund të fitojë, mund të barazojë, mund të humbasë, por në çdo rast është e vërtetë me lojën dhe prandaj edhe loja është e vërtetë e të.
Duke qenë se këtu u ftova si Kryeministër, por edhe si ish sportist dhe duke qenë se unë kam luajtur basketboll e jo futboll, do të vazhdoj t’i referohem Michael Jordan,sepse përsëri gjej një përputhje mes një fjalie të tij: “Duhet t’i pranosh gjërat me veten tënde, përpara sesa t’i bësh ato realitet.”
Faktikisht e gjej shumë të përafërt këtë shprehje me çka Gianni ka thënë një herë: “Kush ngurron është i humbur.”
Dhe filozofia ime e jetës, – e Giannit, por dhe e imja në këtë rast, – është që gjithmonë të përpiqem për të përmirësuar atë që varet nga vullneti im. Dhe Michael Jordan e plotëson këtë mendim, duke thënë: “Unë mund ta pranoj dështimin. Gjithkush dështon edhe më shumë se një herë, por ajo që unë nuk pranoj kurrë, është që të mos provoj suksesin.”
Të gjitha këto na bëjnë vërtet, sot, të privilegjuar dhe unë jam i bindur se Henri më ka privilegjuar si Kryeministër, se po të ishte puna si ish sportist, kishte zgjedhje shumë më të mira për të bërë. Por duke pasur frikë se si Kryeministër mund të mos vija, shtoi se ke qenë edhe basketbollist.
Gjithsesi, kjo më ka dhënë privilegjin që të jem këtu, për të respektuar jo sepse duhen thënë fjalët e bukura të rastit, por sepse rasti na është dhënë që t’i themi fjalët e duhura për një njeri, i cili ka bërë diferencën jo thjesht në fushën e futbollit, por ka bërë diferencën në shoqërinë tonë, duke na dhënë një provë të padiskutueshme që asgjë nuk është e pamundur aty ku ka një lider, aty ku ka një strategji dhe aty ku ka një skuadër.
Në një letër të Gianni-t, kushtuar djemve të skuadrës kombëtare, ai shkruan: “Mund të jeni të parët që mund të kualifikoheni në një botëror në historinë e këtij kombi, të kombit tuaj, të kombit të baballarëve dhe nënave tuaja, një komb të cilin edhe unë kam filluar ta ndjej pjesë timen. Unë kam besim dhe jam aty me ju.”
Por, nga ana tjetër, në prag të një ndeshjeje vendimtare, unë dua t’i rikthehem prapë bazës së filozofisë së Gianni de Biasi-t, që është se mund ta pranojmë dështimin, por nuk mund ta pranojmë kurrë, që të mos e provojmë deri në fund suksesin.
Ndeshja me Serbinë është padyshim vendimtare për t’u kualifikuar, por është vendimtare edhe për një arsye tjetër, për të bërë diferencën në fushën e lojës, për të bërë diferencën në shkallët e stadiumit. Për të bërë diferencën jo vetën në respekt të trajnerit dhe djemve në fushë, por edhe të atyre nënave dhe baballarëve që Gianni nuk harron t’ia kujtojë djemve të vet, të cilët meritojnë jo vetëm që djemtë të japin gjithçka në fushë, por edhe që të gjithë ata që do të ndjekin ndeshjen në shkallët e stadiumit të japin gjithçka, për të provuar se ne jemi ndryshe dhe se ne dimë të respektojmë jo vetëm lojtarët tanë, por dimë të respektojmë edhe kundërshtarin, se ne dimë të këndojmë himnin tonë, por dimë të respektojmë edhe himnin e kundërshtarit, se ne dimë të përballemi me të gjitha forcat tona, por dimë edhe sesi t’i bashkojmë forcat tona. Që pavarësisht rezultatit, nga çdo përballje të dalim dinjitozë, të dalim ashtu siç duan nënat, baballarët e këtij kombi dhe siç do të donin edhe etërit që dhanë edhe jetën e tyre për këtë komb. Një komb, rreth një kombëtareje, që mbetet dinjitoz në fitore, në barazim apo në humbje.
Në fund të fundit, siç Gianni më ka thënë që ju thotë lojtarëve në momentet më të vështira, vlen përsëri ajo që thotë Michael Jordan: “Just play, have fun, enjoy the game”
Gianni të falënderoj nga zemra. Dua të falënderoj pjesën tënde më të mirë, zonjën tënde, sepse pas çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e madhe. Shpresoj që vajza juaj të jetë e denjë për ty dhe bashkëshorten tënde. Ndërkohë, sëbashku me ministren kemi filluar të mendojmë si të bëjmë të mundur të bindim gruan dhe vajzën tënde të marrin pasaportën shqiptare.
Faleminderit.
***
Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit Gianni de Biasi u nderua sot me titullin Doctor Honoris Causa. Titulli iu akordua nga Universiteti Europian i Tiranës, miratuar nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademinë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me motivacionin: “Për merita të jashtëzakonshme si kreativiteti, kërkimi, disiplina taktike, si dhe puna e madhe me themelimin e ekipit tonë kombëtar shqiptar, ndoshta më të suksesshëm në historinë e futbollit tonë; Për rolin e veçantë që sëbashku me ekipin kombëtar, nëpërmjet sukseseve të tij ndërkombëtare, ka ndikuar cilësisht në ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve, duke kontribuar fuqimisht në krijimin e një ndjenje kombëtare në brezat e ndryshëm të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, kryesisht tek të rinjtë, duke i afruar ata gjithnjë e më shumë tek sporti, jashtë veseve të kohës që jetojmë; Për këmbënguljen dhe besimin tek djemtë e ekipit kombëtar të futbollit, duke rigjetur nëpërmjet tyre ndjenjën e thellë dhe të bukur të krenarisë kombëtare; Për krijimin e frymës së skuadrës, me talentin dhe mjeshtërinë tij, me një model të suksesshëm bashkëpunimi, mbështetur fort në këtë frymë, e cila përbën në fakt, modelin më të mirë për vetë shoqërinë shqiptare.”