Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë “Tirana 100 vjet Kryeqytet”, në Pallatin e Brigadave:
Nuk e mbaj mend saktësisht vitin, por mbaj mend që ishte hapur vendi i punës për ambasadorin e Bashkimit Europian dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane, që më tha, “çfarë ndodh me Shqipërinë?”
Nuk e kuptova pyetjen. “Kemi disa vende për ambasador – tha – dhe kemi hapur aplikimet. Për vendet e BE-së ka një mesatare të zakonshme 9-10 aplikime. Për vendin në Tiranë janë 41 aplikantë. Çfarë është ai vend? Pse duan të vijnë në Tiranë? Përveç kësaj ka ambasadorë aktualë që janë ambasadorë, ose që janë në pozicione shumë të larta në ambasada të mëdha nëpër botë, që kanë qenë në Tiranë, e duan të rikthehen në Tiranë.”
Kush janë? – e pyes. Nuk e them dot, – tha.
Mora vesh njërin prej tyre që e njihja. Ishte Sekretar i Parë në një nga ambasadat më të mëdha të botës dhe i çova një email. Është e vërtetë – i thashë – që ke aplikuar të kthehesh në Tiranë? Më shkroi, po e vërtetë, – tha, – mbasi ke qenë në Tiranë, nuk ka kontinent që ta mbush syrin.
E marr me mend se çfarë mund të jenë në këtë moment duke menduar, se në cilat faqe të librit të shtëpisë janë duke më sharë ata që ndoshta më ndjekin e që thonë çdo ditë e çdo natë që ky është ferr, këtu nuk jetohet, këtu të mbyt betoni, por e vërteta është që ky është një qytet që unë në vetë të parë e kam provuar, që në sytë e atyre që vijnë, është një vend ku duan gjithmonë të kthehen. Edhe e gjithë Shqipëria po ashtu, por po flasim sot për Tiranën. E mbase këta që vijnë nga BE-ja janë të lodhur me shumë rregull e me shumë disiplinë, me shumë standarde e me shumë monotoni. Mbase, ata që vijnë nga Amerika janë të lumtur sepse këtu ndihen njësoj si Papa, kur shkon në Argjentinë. Mbase, të tjerët që vijnë, mendojnë që vijnë në mes të Europës, papritur gjejnë gjëra që Europa nuk i ka dhe ju kujtojnë vendet e tyre.
Është një qytet që 100 vjet përpara ishte shumë i vogël dhe në shekullin e 19-të kishte vetëm 10 mijë banorë, edhe pse në shekullin e 20-të kishte rrugën e Durrësit, rrugën e Kavajës, rrugën e Dibrës dhe rrugën e Elbasanit. Këto të katërta kishte. U ndërtua në një mënyrë si pak qytete të tjera, nga shumë duar që ia lanë stafetën njëra-tjetrës, me hir ose me pahir dhe që vunë tullat e tyre, duke sjellë kultura të ndryshme, duke sjellë vizione, perceptime e mënyra të ndryshme të të jetuarit me realitetin. E nisën me institucionet e para, komunitetet fetare, pastaj erdhën më pas austriakët, pastaj italianët, pastaj komunistët, pastaj liri-demokratikasit dhe në fund fare erdhi dhe lali Eri.
Në të gjithë këtë rrugëtim, Tirana u ndërtua si një qytet eklektik, një qytet që si në asnjë vend tjetër, ose si në rrallë vende të tjera, – që të mos ta bëjmë si ekskluzivitet botëror, edhe pse na lejohet sepse sot festojmë 100 vjetorin dhe lali Eri i ka qejf pak këto ekzagjerimet, – që të kthejmë kokën në 360 gradë dhe duket sikur je jo në 4 pamje të të njëjtit qytet, por në 4 kohë dhe në 4 botë të ndryshme.
Ajo që sot do t’ia vlente për një moment të mendonim është, OK këto 100 vjet, por 100 vitet e tjera, çfarë do ndodhi këtu? Çfarë do jetë mbas 100 vjetësh? Nëse në shekullin e 19-të ishte me 10 mijë banorë e sot është këtu ku jemi, po në fund të shekullit të 21-të?
Është një pyetje e vështirë shumë për t’i dhënë përgjigje, por unë besoj që asnjëherë, strategjitë, politikat, planet nuk do e pengojnë dot Tiranën që të jetë befasuese e që të jetë eklektike. Sesi do ndodhi, nuk mund ta parashikoj, por mendoj që vazhdimisht do jetë një qytet ku të gjithë do përpiqen të vënë rregull, por gjithsecili do ketë dëshirë ta prishi pak rregullin, gjë që në fund të fundit besoj është ajo që e bën edhe atraktive dhe interesante në vetvete.
E fillova me një ambasador, duhet ta vazhdoj me një VIP ndërkombëtar, kuptohet, nga një vend shumë serioz, i cili erdhi në Tiranë dhe nuk dilte nga aeroporti i Rinasit. Kishte ardhur me policë e me gazetarë. Sigurisht erdhi me mesazhe të forta për luftën kundër krimit. Kuptohet, është gjëja më e kollajshme që mund të bësh kur nisesh nga diku për të ardhur këtu, sepse kjo funksionon andej dhe nuk dilte nga aeroporti i Rinasit, nuk dilte nga ajo salla VIP. Prandaj ju thashë është VIP. Nuk dilte se donte makina të blinduara, donte edhe automatik. Kishte idenë që kishte ardhur në një vend ku rrugës mund ta vrisnin, mund ta rrëmbenin, mund ta torturonin, mund ta martonin me zor, nuk e di.
Pas shumë minutash negociata u detyruam, – sepse erdhi deri tek unë fjala, – i thashë se këtë shërbimin me makina të blinduara, me kallashnikovë nuk e ofrojmë, nuk e kemi në portofolin e ofertave tona, kështu që kthehu. Vendosi të vinte. Sakrifikoi deri në Tiranë, erdhi gjallë dhe të nesërmen në mëngjes erdhi tek unë. Nuk e di, a e dinte ai që unë e dija që çfarë ai nuk dinte para se të hynte, por më tha, “të kërkoj shumë falje, se ndihem në vështirësi. Sepse kam parë shumë vende, por kurrë nuk kam parë veten time kaq budalla, që ajo që prisja të ishte komplet e kundërt me atë që gjeta” dhe ky është fakt.
Ashtu sikundër është fakt që Tirana, siç prodhon të gjitha, superprodhon në fakt, prodhon edhe me shumicë energji autoshkatërruese.
Sigurisht, unë nuk e kam harruar që kam qenë kryetar i bashkisë. Duke e pas prekur me dorë dhe duke pasur edhe unë dorën time në këto duart, stafetë mbas stafete, them që më shumë sesa çdo filozofi, apo çdo retorikë tjetër, mund të vlejë për të përcaktuar një epokë, një episod që unë e kam pasur me një ndërtues pa leje tek Lana. Ishte njëri që ishte ngritur mbi të tjerët dhe ndërkohë, Lana po prishej. Unë kaloja andej, këtej, që të ndiqja prishjet, pastrimet, kur shoh se përpara kësaj ndërtese po shkarkoheshin vetrata për t’i montuar. E gjithë rruga ishte mbushur me ekskavatorë, me policë bashkie, policë shteti, me njerëz që shikonin – e keni parasysh, ne e kemi me shumë qejf të mblidhemi kur i prishet dikujt ndonjë gjë – dhe me shumë spektatorë. Mendova se ishte dikush që po na sfidonte, që “bëni çfarë të doni, mua s’ma prishni dot”. Zbrita nga makina. E pyeta kush ishte pronari. Më tha “është lart, se po monton vetratat”. Ishte 6-7 kate, ndoshta edhe më shumë, një godinë e madhe diku andej poshtë. I them t’i thoshte të zbriste poshtë dhe isha i bindur që do gjeja një njeri që po sfidonte shtetin.
Kur zbriti i them “si e bën këtë?” “Çfarë po bëj”? – tha. “Ti e sheh çfarë po bëjnë këta këtu?” “E shoh”, – tha. “Si po merr xhamat dhe po vë vetratat?” – vazhdova.
“Shiko, – tha, – çfarë po ndodh rreth e rrotull është fiksimi yt. Kjo që po bëj unë është fiksimi im.” I thashë “po do prishet”. “E di, – tha, – po kam që në ’91-in që po e ndërtoj dhe e kam fiksim ta shoh të mbaruar. Ta mbaroj unë, pastaj ti prishe”.
Domethënë ka një sens të thellë të nevojës për protagonizëm, edhe të nevojës për t’u ngritur lart, për të parë lart, për të qenë lart etj., tek të gjithë, kush më shumë dhe kush më pak.
Në mbyllje dua t’i referohem dy vargjeve të Ismail Kadaresë, që thotë:
“Tirana gdhin aq pabesisht e hijshme,
Sa s’di ç’ta marrësh, për dëlir apo për qytet”.
Kjo frazë i ka brenda që të gjitha. Ka brenda edhe të shëmtuarën, edhe të bukurën, edhe ndërtimet pa leje, edhe kullat, edhe sheshin “Skënderbej”, edhe Pazarin, edhe të gjitha nga të gjitha. Kështu që tani besoj se është momenti për të thënë që vërtetë nuk është dhe aq fat i keq që të kesh lind në Tiron, të jesh rrit në Tiron, apo të kesh mundësinë të vish në Tiron, ashtu sikundër nuk është fat i keq, që, duke qenë se gjërat ndryshuan dhe të gjithë patën mundësinë të lëvizin, të gjithëve iu dha mundësia dhe iu është dhënë mundësia që të vijnë në Tiranë dhe të bëhen pjesë e saj. Është Amerika jonë e vogël, në vitet kur Amerika na ngjante më shumë ne, seç i ngjante Amerikës sot, por, normal, tani kohët kanë ndryshuar dhe me të drejtë, edhe Amerika kërkon që të bëhemi si Amerika sot nga të gjitha pikëpamjet. Dhe është vendi ku të gjithë njerëzit lindin, ose vijnë dhe kanë një ëndërr, të vogël apo të madhe. Për sa kohë, ne mund ta themi këtë, duke e përjetuar vetë dhe duke e parë në sytë e të gjithë miqve që na vizitojnë, duke parë si iu shkëlqejnë sytë të gjithë ambasadorëve që janë këtu në Tiranë, mendoj që nuk jemi keq. Ka dhe shumë më mirë, nuk diskutohet, por, siç thonë gratë e moçme shqiptare, ka dhe më keq, e kemi parë; ka dhe mos më keq, e kemi parë. Keq nuk jemi. Do jemi shumë më mirë, padiskutim, sepse, edhe nëse ne nuk jemi të zotë mjaftueshëm që të jemi shumë më mirë, Tirana nuk rri. Tirana, aq sa ti mund ta udhëheqësh, aq të udhëheq, aq sa ti mund ta disiplinosh, aq të shtyn përpara. Lum si ne që jetojmë në Tiranë!
Faleminderit shumë! Po ju njoftoj, nxirrini celularët, ka një titull tani në portal që thotë, Edi Rama, si ai që thoshte dikur “lum si ne që rrojmë në Pukë”.