Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Familja e Bujar Cukës, nga Thumana, e cila në tërmetin e tragjik të 26 nëntorit humbi dy prej anëtarëve të saj, bashkë me shtëpinë ku banonin më parë, sot ka marrë çelësat e një apartamenti të ri mundësuar nga Bashkia Tiranë, në përpjekje për të lënë pas plagët e fatkeqësisë natyrore të dy muajve më parë. Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizituan sot banesën e re të familjes Cuka. Kryeministri Rama, duke sjellë në vëmendje Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet ditën e hënë në Bruksel me qëllim për të ndihmuar Shqipërinë për procesin e rindërtimit, u shpreh optimist. “Kemi punuar me kontakte, me udhëtime, me takime dhe kemi një ndjesi të mirë, që nuk do të jetë diçka thjesht simbolike apo shumë nën nën pritshmëritë. Pritshmëria ime është që të kemi një mbështetje që të na japë mundësinë që bashkë me fondet që kemi vendosur vetë dhe nga dy ide të tjera që do i vendosim në lëvizje pas pak ta plotësojmë nevojën edhe ta shfrytëzojmë këtë moment, këtë plagë për ta bërë shumë më mirë dhe të fortë organizimin më pas” tha Kryeministri, duke siguruar se “ata që u goditën t’u japim mundësi të hyjnë në një jetë të re dhe të gjithë do të kenë banesa më të mirë se ata që kishin. Kjo është sfida”.Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se edhe fëmijët e kësaj familjeje, shumë shpejt sikurse edhe fëmijët e tjerë të gjithë zonës Don Bosko do të kenë edhe dy shkolla të reja. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se në këtë zonë kanë nisur dy nga 17 shkollat e reja, sikurse është  shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” gjimnaz. “Pas këtyre vilave janë dy shkollat e reja të projektit të 17 shkollave, shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” gjimnaz. I gjithë pellgu i fundit i Don Boskos do mblidhet në 2 mega shkolla. Pra janë rreth 3000 nxënës, 1500 njëra dhe 1500 tjetra, kështu që edhe zgjidhet gjithë problematika e kësaj zone”, theksoi Veliaj.Familja Cuka është trajtuar me bonus qeraje nga Bashkia Krujë gjatë periudhës tranzitore deri në sistemimin në apartamentin 2 + 1 në Tiranë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.