Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sërish sot në zonën e Plazhit në Durrës, për të parë ecurinë e punimeve për riparimin e godinave të banimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të shkuar. I shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj dhe nga zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, Kryeministri inspektoi një nga godinat ku meremetimi ka nisur pas marrjes së lejes në 24 janar. Ndërkohë vazhdojnë miratimet e lejeve për këtë kategori godinash, informoi zëvendësministrja Voda, “bazuar në projekte të përputhura rigorozisht me standardet ligjore dhe europiane të ndërtimit.”

Sipas kryebashkiakut të Durrësit, për meremetimin po punohet “në dy fronte,  në ambientet e jashtme të godinës dhe apartamente”, por nënvizoi ai, problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore.

“Ky është problemi kryesor që nuk e keni vetëm ju, – u theksoi Kryeministri. – Duan punë, por kur vjen puna për punë, jo vetën që duan punë shteti, por, edhe kur i thua kualifikohuni, jo të gjithë janë gati. Megjithatë, ne e kemi kaluar ligjin tani, për të lehtësuar maksimalisht sjelljen e fuqisë punëtore nga jashtë. Sado absurde që duket, ky është fakti dhe nuk është vetëm tek ne, është dhe në rajon.”

Faza e parë e rindërtimit mundëson rikthimin e të prekurve nga tërmeti në 1859 apartamente, deri në fund të muajit mars, në godinat e pabanueshme ku nevojitet vetëm meremetim. Kryeministri Rama theksoi se ndërkohë që vazhdon dhënia e lejeve për meremetimin e godinave të banimit, “për pak ditë do shpallim procedurën ndërkombëtare për banesat individuale.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.