Qyteti i Durrësit ka nisur rimëkëmbjen e dëmeve në godinat e banimit që la pas tragjedia natyrore e 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama ishte sërish në Durrës, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, në mënyrë të gjitha familjet e dëmtuara të mund të rikthehen sa më parë në banesat e tyre të rindërtuara.
Kryeministri Rama ftoi të gjithë ato familje që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti të kryejnë aplikimin në aplikacionin Shtëpia Ime në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblim sipas shkallës së dëmit të përcaktuar.
”Duhet që të gjithë të bëjnë aplikimin te aplikacioni Shtëpia Ime se është e domosdoshme që të mbyllen aplikimet deri në datën 28 shkurt dhe deri në datën 8 Mars, ne duhet të përgatisim të gjitha dosjet, pasi të bëhet dhe vlerësimi nga bashkitë, për të pasur një pamje të plotë të të dhënave edhe për donatorët, përndryshe procesi nuk mund të avancojë më tutje për askënd që nuk bën aplikimin. Gjithkush që ka një dëmtim të cilitdo niveli është i konstatuar, por duhet të bëjë aplikimin sipas ligjit dhe kërkesës për financimin e rindërtimit. Janë bërë mbi 20 mijë në total për të gjithë perimetrin, por ka mijëra akoma që duhet të aplikojnë te Shtëpia Ime. Me aplikimin do u japim dëmshpërblim sipas shkallës së dëmit të përcaktuar. Ne do bëjmë një mbështetje për të gjitha nivelet e dëmeve, sipas listës që kemi hartuar bashkë me partnerët,” u shpreh kryeministri Edi Rama.
Ai ka nxitur edhe përfaqësuesit lokalë që të përshpejtojnë ritmin e rindërtimit dhe tha se nëse nuk ka forca të mjaftueshme pune, do kërkohet asistencë edhe nga vende të tjera.
“Ne do marrim edhe punëtorë nga jashtë, nëse do jetë nevoja,” u shpreh Kryeministri.
Në Durrës aktualisht janë 1871 apartamente që po riparohen, ndërkohë që këto familje janë edhe përfituese të bonusit të qerasë.