Një tjetër aks i ri në shërbim të zhvillimit bujqësor e rural, të zonës së Elbasanit, do të jetë rruga bujqësore Kuqan-Bujqës-Jagodinë-Murriqan-Thanë, e cila i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Tejet e amortizuar dhe pa asnjë standard sigurie për lëvizjen e banorëve dhe mjeteve, rruga ishte kthyer në një pengesë serioze në transportin e produkteve bujqësore të fermerëve të zonës.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge, e cila do të shndërrojë tërësisht zonën në një hapësirë të mirëfilltë agroturistike.
“Rruga do të lehtësojë produktet bujqësore të Elbasanit në qendrat e grumbullimit në Lushnje. Vetëm në dy muaj, nga janari-në 15 mars nga prodhimi i lakrës prodhohet në vlerë rreth 2 milionë dollarë, e cila është e gjitha e kontraktuar për eksport. Prodhimi shkon në vendet përreth, por edhe më tej në Europë. Aksesi i rrugës na jep mundësi ta çojmë në pika më tej prodhimin dhe shpresojmë që vitin tjetër për të njëjtën periudhë kohore të kemi dyfishin e kësaj vlere,“ tha deputeti i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla.
Në bisedë me fermerët e zonës, kryeministri theksoi se orientimi i duhur për të zhvilluar ekonominë e tyre personale dhe të zonës në tërësi është organizimi i fermerëve. “Ne po i heqim dhe do t’i heqim përfundimisht të gjitha ato tezgat e rrugëve se ato janë një skandal. Kështu që të bashkohen njerëzit, jo si në atë kooperativën e dikurshme që punonin të gjithë dhe i mblidhte vetëm shteti, por këtu të gjithë punojnë dhe secili merr atë që i takon. Bashkë për të përcaktuar cfarë do të prodhojmë, bashkë për të përcaktuar si do ta prodhojmë, por secili prodhon vetë dhe në shitje të gjithë bashkë.” – u shpreh kryeministri.