Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Belshi, qyteza buzë liqenit me të njëjtin emër, po kthehet në destinacionin turistik të qindra turistëve nga zona të ndryshme të vendit. Falë projektit modern në infrastrukturë, financim i qeverisë shqiptare, i cili sapo ka përfunduar, qyteti i shton mozaikut urban pedonalen e re, dhe korsinë e biçikletave pranë liqenit. Gjithashtu pjesë e projektit janë edhe rikonstruksioni i rrugës hyrëse të qytetit, sëbashku me ndërtimin e trotuareve, ndriçimit, gjelbërimit, kanalizimeve të ujërave të bardha, si dhe sinjalistikën rrugore.

Kryeministri Rama, i cili inspektoi sot disa investime në zonën e Belshit, vlerësoi se impakti i investimeve në infrastrukturën urbane dhe agroturizëm është i prekshëm edhe për Bashkinë e Belshit.

“Ky investim, përveç të tjerave ka sjellë edhe ata, të cilët kanë qenë në emigracion”, – tha kreu i bashkisë së Belshit, Arif Tafani. Ai gjithashtu shtoi se “dy vitet e fundit, me përfundimin e fazës së parë të investimit, në Belsh janë hapur mbi 28 biznese të reja, janë shtuar restorantet dhe baret”.

Kryeministri nga ana e tij e vuri theksin tek inkurajimi i agroturizmit. Sipas tij, investimet po e kthejnë këtë zonë në një zonë tërheqëse për agrikulturën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.