Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Familja Baruti prej 11 anëtarësh në Maminas është një nga qindra familjet e Bashkisë së Shijakut, e cila ka lënë çadrën pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit dhe është sistemuar në një banesë me qera të paguar nga qeveria, deri në ndërtimin nga e para të shtëpisë së shkatërruar plotësisht. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në këtë familje përfituese të bonusit të qerasë deklaroi se projektet e rindërtimit në këtë Bashki janë tashmë gati dhe së shpejti pritet të nisë puna për vënien në zbatim të tyre, në mënyrë që të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë e tyre individuale të futen brenda këtij viti në banesat e reja.

“Bashkia e Shijakut ka punuar në mënyrë shembullore për të gjithë projektet. Kemi projekte shumë të mira këtu. Të hënën ose të martën do të hapet gara dhe brenda një muaji do të kemi gjitha rezultatet dhe me ndihmën e Zotit, nga muaji maj do fillojnë të dalin në terren për të filluar shtëpitë. Angazhimi është që Vitin e Ri t’i mblidhni të gjithë tek shtëpia e re dhe të bëni “Gëzuar!”” u shpreh Kryeministri Rama, duke theksuar se shtëpitë e reja do të jenë më të mirë sesa ishtin, shumë herë më të forta dhe do të ofrojnë 70 vite garanci.

“Do t’i bëjmë me çelik. Janë antisizmike dhe përballojnë tërmet shumë herë më të fortë se ai. Janë të izoluara shumë mirë. Janë më të freskëta në verë dhe më të ngrohta në dimër sesa shtëpitë e vjetra dhe kursejnë energjinë 30%. Kanë 70 vjet garanci,” u shpreh Kryeministri.

Në Bashkinë e Shijakut janë 597 familje që trajtohen nga granti i bonusit të qerasë.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.