Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Mars 2020: 

 

V E N D I M

PËR

CAKTIMIN E DATËS 13 MARS 2020 DITË PUSHIMI PËR NËPUNËSIT DHE PUNONJËSIT E ADMINISTRATËS PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e datës 13 mars 2020 ditë pushimi për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë në administratën publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

2. Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që u ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

3. Përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të këtij vendimi, prindërit që janë personel shëndetësor.

4. Për shkak dhe në funksion të marrjes së masave optimale për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

 

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1, dhe 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (Lista e OKB-së), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:

Në listën e shkronjës “D”, të titulluar “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatat ISIL (Da’esh) dhe AL-Qaida”, shtohen kompanitë e renditura në shkronjën “b”, sipas shtesës bashkëlidhur këtij vendimi, në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për kompanitë që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatat ISIL (Da’esh) dhe AL-Qaida.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROFILIT TË ZGJERUAR KOMBËTAR TË MIGRACIONIT PËR VITET 2015-2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 141, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e Profilit të Zgjeruar Kombëtar të Migracionit për vitet 2015-2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

  

***

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KATEGORISË SË TATIMPAGUESVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT TË PROCEDURËS SË THJESHTËZUAR TË FISKALIZIMIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, pika 1, dhe 27, pika 1, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Tatimpaguesit që lëshojnë fatura për transaksione me para në dorë, sipas nenit 22, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave, nëse përmbushin kriteret e mëposhtme:

 

  1. a) Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar;
  2. b) Nuk kanë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me mos lëshimin e faturës në 3 vitet e fundit;
  3. c) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.

 

  1. Tatimpaguesit që nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, të cilët lëshojnë fatura elektronike për transaksione pa para në dorë, sipas nenit 27, të ligjit nr.87/2019, mund të lëshojnë fatura elektronike dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave, nëse përmbushin kriteret e mëposhtme:

 

  1. a) Nuk kanë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me moslëshimin e faturës në 3 vitet e fundit;
  2. b) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.

 

  1. Tatimpaguesi që lëshon fatura sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, mund të përdorë platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, për sa kohë që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara. Në momentin kur një nga kriteret nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, tatimpaguesi nuk mund të përdorë më tej platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, por duhet të zbatojë procedurën e fiskalizimit me anë të zgjidhjeve software-ike të certifikuara, sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në ligjin nr.87/2019.

 

  1. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet respektivisht në të njëjtën kohë me afatet e përcaktuara në legjislacionin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

 PËR

 

EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të  ligjit nr.10 233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Emërimin në detyrë të kryetarit dhe anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil, si më poshtë vijon:

 

  • Dritan Gjonbalaj, kryetar;
  • Elira Kokona, anëtar;
  • Arta Gurabardhi, anëtar;
  • Evis Mamaj, anëtar;
  • Artan Shkreli, anëtar.

 

  1. Vendimi nr.752, datë 13.12.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil”, shfuqizohet.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ZBATIMIN E KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 76, të ligjit nr.8378,  datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Neni 231/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 231/1

Kriteret dhe rregullat për kontrollin dhe verifikimin e përputhjes me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre, që prodhohen dhe importohen

(Neni 76 i Kodit Rrugor)

  1. Shërbimi i kontrollit dhe verifikimit të përputhjes me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre, që prodhohen dhe importohen në Republikën e Shqipërisë (që më poshtë do të quhet “Shërbimi i kontrollit dhe verifikimit”) do të kryhet pranë qendrave të kontrollit teknik, të licencuara nga ministri përgjegjës për transportin.
  2. Subjekti, që do të kryejë shërbimin e kontrollit dhe verifikimit, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

 

2.1.    Të ketë përvojë të suksesshme mbi 3 (tre) vjet në realizimin e shërbimeve në fushën e mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre.

2.2.    Të ketë personel drejtues/menaxhues teknik me përvojë pune më shumë se 5 (pesë) vjet në realizimin e shërbimeve në fushën e mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre, në mënyrë që të garantojë me kompetencë dhe me cilësi këtë shërbim.

2.3.    Të ketë staf të mjaftueshëm profesional teknik, i cili të ketë përvojë pune më shumë se 3 (tre) vjet në këtë fushë, në realizimin e shërbimeve në fushën e mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre, në mënyrë që të garantojë me kompetencë dhe me cilësi këtë shërbim.

2.4.    Të sigurojë të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme sipas kërkesave të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë për kryerjen e shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit.

2.5. Të zotërojë personalitet juridik dhe pas përzgjedhjes të sigurohen për përgjegjësinë në ushtrimin e veprimtarisë së këtij shërbimi.

2.6.    Të informojë rregullisht ministrinë përgjegjëse për transportin me anë të një raporti mujor me shkrim për gjendjen (funksionale, teknike, kapacitetin etj.) dhe sasinë e mjeteve rrugore që kanë kryer kontrollin dhe verifikimin.

 

  1. Qendrat e shërbimit të kontrollit dhe verifikimit të përputhjes me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre (që më poshtë do të quhet “Qendra e kontrollit dhe të verifikimit”) për kryerjen e shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit duhet:

 

3.1. të sigurojnë kushte të mjaftueshme materiale-teknike dhe kapacitete operacionale, që të garantojnë funksionimin e përshtatshëm në ushtrimin e këtij shërbimi;

3.2. të kenë pajisje kompjuterike së bashku me software-ët aplikativë nga fusha përkatëse e homologimit të mjeteve rrugore për verifikimin e karakteristikave të mjeteve rrugore dhe verifikimin e kërkesave e parametrave teknikë të këtyre mjeteve;

3.3. të sigurojnë vazhdimisht paanshmëri profesionale në marrëdhëniet me grupet e interesit (personat fizikë apo juridikë), të cilët janë të varur në mënyrë direkte apo indirekte nga rezultati i kontrollit dhe verifikimit të përputhjes me tipin e homologuar të mjetit rrugor për të cilin konstatohet përputhshmëria;

3.4. të kenë certifikatën për menaxhimin e cilësisë ISO 9001, SSH ISO 9001 ose SSH EN ISO 9001 dhe të sigurojnë zbatimin e legjislacionit të fushës për mbrojtjen e të dhënave personale;

3.5. të kenë një sistem unik dhe uniform të ofrimit të shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve rrugore në të gjitha qendrat e kontrollit dhe verifikimit;

3.6. të kenë kapacitetet e nevojshme për monitorimin e shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve rrugore në kohë reale, përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit;

3.7. të kenë nën vëzhgim me sistemin elektronik të kamerave mjediset ku kryhet shërbimi i kontrollit dhe i verifikimit të mjeteve rrugore;

3.8. të kenë në strukturën organike personel i cili duhet të jetë i trajnuar dhe i certifikuar, si dhe i njohur nga subjekti i ngarkuar me mbikëqyrjen e qendrave.

 

  1. Shërbimi i kontrollit dhe verifikimit të përputhjes me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre, që prodhohen dhe importohen në Republikën e Shqipërisë, përfshihet në kategorinë VII.3 të shtojcës së ligjit për licencat.

Kjo veprimtari licencohet nga ministri përgjegjës për transportin në përputhje me dispozitat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë si dhe dispozitat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim.

Çdo licencë e lëshuar nga ministri përgjegjës për transportin publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.

 

4.1. Subjektet e licencuara për kryerjen e shërbimit të kontrollit dhe verifikimit të mjeteve rrugore mbikëqyren nga persona juridikë publikë apo privatë, të specializuar dhe të caktuar nga ministri përgjegjës për transportin, sipas legjislacionit në fuqi.

4.2.    Mbikëqyrja e shërbimit të kontrollit teknik dhe e kontrollit dhe verifikimit të mjeteve rrugore do të kryhen nga i njëjti person publik ose privat, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

  1. Shërbimi i kontrollit dhe i verifikimit do të kryhet përpara veprimeve të regjistrimit të mjeteve me motor, rimorkiove dhe sistemeve të tyre, të reja dhe të përdorura, që prodhohen ose importohen në Republikën e Shqipërisë.

 

5.1. Shërbimi i kontrollit dhe i verifikimit të mjeteve rrugore nuk do të aplikohet për:

 

  1. a) mjetet rrugore të projektuara dhe të prodhuara për/dhe në emër të ushtrisë;
  2. b) mjetet rrugore të projektuara dhe të prodhuara për/dhe në emër të shërbimit zjarrfikës;
  3. c) mjetet rrugore të projektuara dhe të prodhuara për/dhe në emër të policisë;

ç) mjetet rrugore me destinacion të veçantë dhe të përjashtuara nga autoriteti kontraktues, ministria përgjegjëse për transportin.

 

5.2.    Mjetet me motor, rimorkiot dhe sistemet e tyre, të prodhuara në seri në Republikën e Shqipërisë, duhet të kryejnë shërbimin e kontrollit dhe të verifikimit për të përcaktuar shkallën e përputhshmërisë përpara kryerjes së regjistrimit të tyre.

5.3.    Mjetet me motor, rimorkiot dhe sistemet e tyre, të prodhuara individualisht në Republikën e Shqipërisë, duhet të kryejnë shërbimin e kontrollit dhe të verifikimit për të përcaktuar shkallën e përputhshmërisë përpara kryerjes së regjistrimit të tyre.

5.4.  Mjetet me motor, rimorkiot dhe sistemet e tyre, të reja, të importuara në seri në Republikën e Shqipërisë, duhet të kryejnë shërbimin e kontrollit dhe të verifikimit për të përcaktuar shkallën e përputhshmërisë, përpara kryerjes së veprimeve të regjistrimit të tyre.

5.5.  Mjetet me motor, rimorkiot dhe sistemet e tyre, të reja, të importuara individualisht në Republikën e Shqipërisë, duhet të kryejnë shërbimin e kontrollit dhe të verifikimit për të përcaktuar shkallën e përputhshmërisë përpara kryerjes së veprimeve të regjistrimit të tyre.

5.6. Mjetet me motor, rimorkiot dhe sistemet e tyre, të përdorura, të importuara në Republikën e Shqipërisë, duhet të kryejnë shërbimin e kontrollit dhe të verifikimit për të përcaktuar shkallën e përputhshmërisë përpara kryerjes së veprimeve të regjistrimit të tyre.

5.7.  Mjete të përdorura do të konsiderohen mjetet rrugore të cilat janë të regjistruara në shtete të tjera dhe që importohen në Republikën e Shqipërisë.

 

  1. Kategoritë e mjeteve rrugore, që do të kryejnë shërbimin e kontrollit dhe të verifikimit përpara kryerjes së veprimeve të zhdoganimit ose të regjistrimit të tyre, janë:

 

6.1.    ciklomotorët dhe motomjetet e kategorive L1, L2, L3, L4, L5, L6 dhe L7, të përcaktuara në nenin 47 të Kodit Rrugor.

6.2.  mjetet për transport njerëzish me të paktën 4 rrota të kategorive M1, M2 dhe M3, të përcaktuara në nenin 47 të Kodit Rrugor.

6.3.    mjetet për transport mallrash me të paktën 4 rrota të kategorive N1, N2 dhe N3, përcaktuar në nenin 47 të Kodit Rrugor.

6.4.    rimorkiot edhe gjysmërimorkiot të kategorive O1, O2, O3 dhe O4, përcaktuar në nenin 47 të Kodit Rrugor.

 

  1. Procedura për kryerjen e shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve rrugore nga subjekti i licencuar nga ministri përgjegjës për transportin është, si më poshtë vijon:

 

7.1. Personi i interesuar ose përfaqësuesi i prodhuesit të mjeteve bën kërkesën për kryerjen e procedurës së shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit, si dhe dërgon mjetin rrugor te subjekti i përzgjedhur për kryerjen e këtij shërbimi.

7.2.  Kërkesës për zbatimin e procedurës së shërbimit të kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve rrugore të reja i bashkëlidhet një nga dokumentet e mëposhtme:

 

7.2.1.   Kopja e homologimit të tipit të mjetit nga prodhuesi;

7.2.2.   Të dhënat teknike për mjetin rrugor nga prodhuesi;

7.2.3.   Certifikata e përputhshmërisë së mjetit, rimorkios, pajisjeve dhe pjesëve të mjetit (certifikata e përputhshmërisë nga prodhuesi për mjetet e prodhuara në seri;

7.2.4.   COC apo lista e direktivave/rregulloreve ndërkombëtare që përmbush mjeti rrugor i prodhuar individualisht);

7.2.5.   Kopja e faturës së shitjes.

 

7.3.    Kërkesës për zbatimin e procedurës së shërbimit të kontrollit dhe verifikimit të mjeteve rrugore të përdorura i bashkëlidhet një nga dokumentet e mëposhtme:

 

7.3.1.   Të dhënat teknike për mjetin rrugor nga prodhuesi;

7.3.2.   Certifikata e përputhshmërisë së mjetit nga prodhuesi;

7.3.3.   Leja e qarkullimit etj;

7.3.4.   Kopja e faturës së shitjes.

 

  1. Shërbimi i kontrollit dhe i verifikimit të mjeteve rrugore që importohen në Republikën e Shqipërisë ka të bëjë me zbatimin e procedurës së:

 

  1. a) kontrollit identifikues të mjetit rrugor;
  2. b) verifikimit me tipin e miratimit të mjeteve të reja apo të përdorura, pavarësisht nëse janë të riparuara apo të modifikuara etj;
  3. c) identifikimit dhe verifikimit të pjesëve, pajisjeve e sistemeve të tyre.

 

8.1.    Të gjitha mjetet rrugore, që importohen në Republikën e Shqipërisë, duhet të plotësojnë kërkesat teknike që garantojnë siguri në qarkullim, mbrojtje të shëndetit të njerëzve e të mjedisit, si dhe kërkesat e tjera të ndërlidhura me këto mjete, rimorkio apo sisteme të tyre.

8.2.    Plotësimi i kërkesave teknike konsiderohet në harmoni të plotë kur, nga kontrolli dhe verifikimi identifikues në dokumentacionin e prejardhjes së mjetit dhe në mjet, është konstatuar se ekziston përputhshmëri me kërkesat e përcaktuara teknike, të cilat janë në përputhje me rregulloret përkatëse ndërkombëtare (Konventa e marsit 1958, e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara “Marrëveshja në lidhje me miratimin e rregullave teknike uniforme për mjetet me rrota, pajisjet dhe pjesët që mund të përshtaten dhe/ose përdoren në mjetet me rrota dhe kushtet për njohjen e ndërsjellë të miratimeve të dhëna në bazë të këtyre rregullave”, datë 20, direktivat 2007/46/EC, 2002/24/EC dhe 2003/37/EV) dhe që përmbushen të gjitha kushtet e përcaktuara.

8.3. Kur plotësohen kushtet e përputhshmërisë me tipin e homologuar, qendra e kontrollit dhe verifikimit lëshon vërtetimin e përputhshmërisë me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe sistemeve të tyre (që më poshtë do të quhet vërtetimi i përputhshmërisë).

8.4.    Qendra e kontrollit dhe verifikimit nuk lëshon vërtetimin e përputhshmërisë së mjeteve rrugore kur nuk plotësohen kushtet e përputhshmërisë me tipin e homologuar.

8.5.    Për të rregulluar ose për të plotësuar kushtet e përputhshmërisë me tipin e homologuar të mjeteve rrugore, subjekti i përzgjedhur nga autoriteti kontraktues do të përcaktojë një periudhë kohore të arsyeshme, afat deri në 60 ditë, për të bërë përmirësimet e nevojshme nga personi i interesuar.

8.6.    Kur dhe pas periudhës së lënë në dispozicion për të bërë përmirësimet e nevojshme rezulton se mjeti vijon të mos jetë në përputhje me tipin e homologuar, subjekti i përzgjedhur nuk lëshon vërtetimin e përputhshmërisë dhe njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që të mos lejohet të kryhen veprimet e regjistrimit për këto mjete rrugore.

8.7. Modeli i vërtetimit të përputhshmërisë me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe të sistemeve të tyre përgatitet nga subjekti i përzgjedhur nga autoriteti kontraktues për mbikëqyrjen e qendrave të kontrollit dhe miratohet nga ministri përgjegjës për transportin.

 

  1. Kundër refuzimit të lëshimit të vërtetimit të përputhshmërisë së mjetit rrugor, sipas pikës 8.4, të këtij neni, mund të bëhet ankimim sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative pranë ministrisë përgjegjëse për transportin. Për shqyrtimin e ankimit ndiqet procedura vijuese:

 

9.1. Ministri përgjegjës për transportin ngre Këshillin e Ekspertëve të mjeteve rrugore për shqyrtimin e ankimimeve.

9.2. Këshilli i Ekspertëve përbëhet nga pesë anëtarë, të kualifikuar në fushën transportit. Kërkohet që anëtarët e Këshillit të Ekspertëve të jenë inxhinierë të kualifikuar në fushën e transportit rrugor: një nga bota akademike e fushës përkatëse, një nga DPSHTRR-ja dhe dy nga ministria përgjegjëse për transportin dhe që mbulojnë fushën përkatëse dhe një nga subjekti që kryen mbikëqyrjen e qendrave të kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve rrugore.

9.3. Këshilli i Ekspertëve shqyrton ankesat për refuzimin e lëshimit të vërtetimit të përputhshmërisë së mjetit rrugor sipas aktit nënligjor të ministrit përgjegjës për transportin, brenda afatit kohor prej 15 ditësh nga data e pranimit të ankesës.

9.4. Këshilli i Ekspertëve, pasi shqyrton ankesën dhe kërkesat e palëve, jep rekomandime dhe ide konstruktive teknike për gjetjen e zgjidhjes, për të kryer ndryshimet e nevojshme në funksion të përputhshmërisë me kriteret e kërkuara për mjetet rrugore.

 

  1. Mjetet me motor, rimorkiot dhe sistemet e tyre, të cilat prodhohen ose importohen në Republikën e Shqipërisë, duhet të jenë të pajisura me vërtetimin e përputhshmërisë me tipin e homologuar nga qendrat e kontrollit dhe verifikimit, të përzgjedhur nga autoriteti kontraktues, në mënyrë që të mund të regjistrohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.”.

 

  1. Pas pikës 11, të nenit 234, shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:

 

“12. Veprimtaria e qendrave të kontrollit teknik të reja përfshihet në kategorinë VII.3 të shtojcës së ligjit për licencat.

Kjo veprimtari licencohet nga ministri përgjegjës për transportin në përputhje me dispozitat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, dispozitat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim si dhe kriteret e përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për transportin.

Çdo licencë e lëshuar nga ministri përgjegjës për transportin publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.”.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M 

PËR

 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, NË EMËR TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL PËR TË LUFTUAR SIDA-N, TUBERKULOZIN DHE MALARIEN, PËR PROGRAMIN “PËRSHKALLËZIMI DHE SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË PËRGJIGJES KOMBËTARE NDAJ HIV/SIDA-S DHE TUBERKULOZIT NË GRUPET KRYESORE TË POPULLATËS”,  MIRATUAR ME VENDIMIN NR.126, DATË 13.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Global për të Luftuar SIDA-n, Tuberkulozin dhe Malarien, për programin “Përshkallëzimi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së përgjigjes kombëtare ndaj HIV/SIDA-s dhe Tuberkulozit në grupet kryesore të popullatës”, miratuar me vendimin nr.126, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

 

***

 

V E N D I M

 PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.47, DATË 22.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2020, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Në vendimin nr.47, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 1 565.
  2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, në ndarjen “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” shtohet nënndarja sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të depozitojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhën kohore të punësimit dhe kategorinë përkatëse të pagës së tyre.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN SI ZONË TË LIRË TË NJË PJESE TË TERRITORIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PORTO-ROMANO

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 1, të nenit 216, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Përcaktimin si zonë të lirë të një pjese të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në Porto-Romano.

 

  1. Planvendosja e zonës së lirë dhe pikat e hyrjes e të daljes përcaktohen në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

 

  1. Ushtrimi i veprimtarisë në zonën e lirë do të autorizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas plotësimit nga aplikuesi të kushteve dhe të kritereve të parashikuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi për këtë qëllim.

 

  1. Të gjitha shpenzimet për rrethimin e zonës së lirë, plotësimin e kushteve të punës dhe për sistemet e monitorimit me videokamera e të ndriçimit, për ushtrimin e mbikëqyrjes nga autoritetet doganore, të përcaktuara në legjislacion, do të kryhen me shpenzimet e aplikuesit.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.