Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim me publikun mbi paketën e zgjeruar: 

Mirëdita!

Jam këtu për të bashkëbiseduar, duke iu dhënë përgjigje shumë pyetjeve që kanë ardhur edhe si rezultat i publikimit dje të paketës së zgjeruar të mbështetjes për plot 176 mijë familje. Faktikisht, duke bashkuar këto me ato që u përfshinë në paketën e pare, jemi në një shifër që prek drejtpërdrejtë dhe ndihmon drejtpërdrejtë më shumë sesa gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në Republikën e Shqipërisë.

Duke filluar nga një pyetje që e bëjnë shumë;

“Ku duhet të interesohem për të marrë pagën dhe këtë procedurë duhet ta bëjë personi i pezulluar nga puna, apo kompania?” 

Ju lutem përqendrohuni dhe dëgjoni me vëmendje të gjitha përgjigjet që lidhen drejtpërdrejtë me pyetjet që janë drejtpërdrejtë në interesin tuaj.

Ne duam që kjo pagë, 400 mijë lekë të vijë drejtpërdrejtë tek ti, jo të kalojë nëpërmjet pronarit apo kompanisë.

“Si janë përzgjedhur punonjësit?”

Punonjësit janë përzgjedhur bazuar në listë-pagesat e paraqitura nga kompanitë deri në datën 10 prill, që do të thotë që të gjithë ata që figurojnë të larguar, të papaguar, javë pas jave në këto lista janë të identifikuar dhe do duhet vetëm që në momentin që do të hapet faqja përkatëse në adresën online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, thjesht të konfirmosh. Pra, ne e disponojmë emrin tënd, ti duhet vetëm të konfirmosh. Një konfirmim shumë i thjeshtë, pa asnjë procedurë verifikimi, siç ndodh  me paketën e parë, ku është e detyrueshme të bëhet një verifikim një për një i bizneseve të vogla, të mbyllura, edhe në terren me inspektorë. Për këtë arsye, procedura është pak më e gjatë.

Sot që flasim, shifra e fundit, 31 mijë janë të paguar. Mbeten ende në ditët në vijim, edhe 40 mijë të tjerë për t’u paguar. Nuk do të mbetet askush pa marrë pagën, por vetëm duhet të kenë parasysh që kërkon të jenë të gjitha llogaritë në rregull përsa i përket kontabilitetit shtetëror. Thjesht e vetëm një klik, një konfirmim “po, jam unë” dhe kaq.

“Kur dalin pagat e luftës se nuk po shohim gjë? Unë i kam dhënë numrin e llogarisë pronarit dhe akoma s’na kanë hedhur lekët. Po na mbarojnë dhe ushqimet.” 

Nuk është e qartë, nëse ti je në kategorinë e biznesit të vogël që mbështetesh në paketën e parë, apo nëse je në kategorinë që mbështetet në paketën e zgjeruar, por gjëja që është e qartë është se të gjithë ata që janë qoftë në kategorinë e parë, qoftë në kategorinë e dytë do t’i marrin paratë në llogarinë e tyre drejtpërdrejtë, jo të kaluar nga pronari.

“Po ne që jemi pa burime dhe punojmë në të zezë, si i bëhet?”

Kjo është një pyetje që e bëjnë shumë, madje, për fat të keq, shumëkush nga ata që e bëjnë këtë pyetje nuk arrijnë dot të kuptojnë dhe shkojnë deri në fyerje, sharje, ofendime, mashtrime, gënjeshtra, predikime, “kemi faj ne që u besuam”, etj. Por punën në të zezë, ne e kemi luftuar me të gjitha forcat dhe praktikisht kemi nxjerrë nga ajo skllavëri një numër të madh që janë regjistruar. Ama, asnjë vend i planetit, as SHBA-ja, as Franca as Anglia, askush nuk ka në ndonjë paketë që kemi parë deri më sot, ndonjë shumë për ata që punojnë në të zezë. Është një arsye shumë e thjeshtë, si identifikohen kush punon vërtetë në të zezë dhe kush thotë, “unë kam punuar vërtetë në të zezë, dua edhe unë lekë”. Është e pamundur. Për këtë arsye, informaliteti është një plagë, e cila duhet luftuar përditë e për këtë arsye, ata që kanë punuar në të zezë, duhet të kenë minimumi sot, – nëse vërtetë janë në vështirësi të madhe, unë e kuptoj që janë në vështirësi të madhe, – kurajon që të denoncojnë.

Ne po bëjmë gati një shpërblim financiar për ata që do të thonë, unë kam punuar në të zezë në filan kompani dhe sot nuk kam asnjë të ardhur, por, jo sepse nuk kam punuar, por sepse nuk më ka regjistruar pronari. Disa thonë, “si ta denoncoj kur ai më bën këtë e më bën atë?!” Atëherë, si ta zgjidhim ne, kur ti, edhe pse je në hall të madh, nuk ke kurajon të luftosh për veten tënde!

Ligjet janë shumë të qarta, pronarët kanë sanksione shumë të forta, nëse mbajnë dikë në të zezë. Por kjo nuk zgjidhet me kontrolle, me inspektime, me verifikime, sepse është një marrëveshje e heshtur mes një pronari dhe një individi dhe nuk është e dukshme asgjëkund. Nëse s’ka nga brenda një zë, atëherë, kjo nuk zgjidhet edhe pse në shumë raste, ne kemi arritur të bëjmë spostime nga e zeza në punë të ligjshme dhe të siguruara falë përpjekjeve e presionit të madh që kemi ushtruar mbi kompanitë.

Brenda 24 orëve, ne do të kemi edhe këtë ofertë të re për të gjithë ata që janë në një punë të zezë në një kompani, apo që kanë punuar në të zezë deri përpara 2, 3, 4 apo 5 javësh dhe që sot gjenden pa mbështetje, sepse nuk figurojnë asgjëkund. Do ju japim një shpërblim financiar dhe do të marrim përsipër që ta ndjekim këtë deri në fund, në mënyrë që pronari të njohë të drejtën e tyre për të qenë të regjistruar dhe do kërkojmë nga pronarët e kompanive që të jenë në mbështetje të kësaj nisme, përndryshe do duhet të përballen me ligjin. Kjo nuk është koha për të bërë atë që duhet të kishim bërë në një ditë të zakonshme, se këtu të gjithë janë në një hall shumë të madh. Kjo është koha për të ndihmuar sa më shumë dhe do u kërkojmë pronarëve që të ndihmojnë ata, të cilëve u kanë borxh, por nuk mund ta bëjmë dot nëse këtu vetëm ankoheni, shani, mallkoni.

Ndërkohë kuptojeni vetë, asnjë shtet nuk e bën dot, sepse është e pabëshme. Nëse ne themi do ju japim mbështetje atyre që kanë punuar në të zezë, si e ndajmë ne të vërtetën me atë që thotë të vërtetën, me atë që gënjen dhe thotë edhe unë kam punuar në të zezë dhe të na dalin sikur të gjithë janë rropatur në të zezë, ndërkohë që e vërteta është që një pjesë kanë punuar në të zezë, pjesa tjetër nuk ka punuar, ka jetuar me paratë e prindërve, duke pirë kafe e duke bërë muhabet e komente, duke dhënë mend në Facebook.

“Shtyrja e afatit të pagesave…,” – thotë Nehati, që është edhe punëdhënës dhe vazhdon “si do e bëjmë ne këtë punë?”

Nuk shtyhen pagesat e sigurimeve shoqërore. Pagesat e sigurimeve shoqërore janë pensionet. Pagesat e sigurimeve shoqërore janë pikërisht ajo që ndan personin që sot mbështetet, me atë që sot nuk e mbështesim dot. Pagesat e sigurimeve shoqërore janë kontributi i secilit për pensioni e tij nesër, ndërkohë që babai nëna në shtëpi, që marrin pension sot, përfitojnë nga kontributet e atyre që kanë dhënë dje, pra, sot paguajmë ne pensionistët, nesër ata që do të vijnë pas nesh do të paguajnë pensionin tonë. Nuk mund të shtyhen pagesat e sigurimeve shoqërore, do të ishte një gropë nga e cila nuk do dilnin dot më pensionistët dhe ne nuk do t’i fusim pensionistët në gropë sot, se ti me hap do të shtysh sigurimet shoqërore. Nuk shtyhen.

Ti do u paguash sigurimet shoqërore të gjithëve atyre që ke në punë, padiskutim fare.

“Fasha e lëvizjes me makinë është 05:00-08:00 dhe 12:00 me 13:00, pse nuk e sqaroni, apo është ndryshuar?” 

Sa herë duhet ta sqaroj që fasha orare e lëvizjes është zgjeruar, sepse kemi bërë një hapje me pikatore të kësaj hapësire në funksion të çlirimit pak, të gjithë asaj pengese. Duke u bazuar në faktin që kemi një përparim në këtë luftë, falë jush dhe edhe psiokologjikisht, por edhe për të vlerësuar këtë kontribut, si dhe për të lehtësuar pak jetën në këtë moment, po bëjmë zgjerimin e fashës së orareve, duke ju dhënë mundësi që të keni më shumë hapësirë për të zgjedhur se kur do dilni për pazar, një anëtar në familje. Fasha orareve është 05:00-17:30 pasdite dhe fasha orareve të lëvizjes me automjete private për në punë, që një pjesë e madhe nuk i përdor dot dhe ne do t’i lejojmë dhe po bëhemi gati, sot mbase do t’u paraqesim edhe një aplikim shumë të thjeshtë për të hequr gjithë ato strese dhe vështirësi të natyrshme, por edhe të lidhura me nevojën për të dhënë sa më pak autorizime, jo sa më shumë autorizime, në mënyrë që kush ka një automjet privat të mund të shkojë në punë normalisht me të, por brenda fashash orare. Jo të marrë automjetin privat se po shkon në punë dhe të bëjë xhiro nëpër qytet, siç fatkeqësisht kemi vënë re se ka ndodhur ditën e djeshme, apo të premten. Prandaj, që këto të mos na kthehen në një fenomen që të na hedhin në lumë të gjithë këtë që kemi arritur deri tani, do lejojmë nga njëra anë, lëvizjen e automjeteve private për në punë. Të gjithë ata që kanë një automjet privat dhe shkojnë në një punë që lejohet sot të vazhdojë, mund të shkojë me automjetin e tij, por brenda fashave të orareve dhe fashat e orareve për të shkuar në punë do të jenë 05:00-08:00 për automjetin dhe për t’u kthyer nga puna do të jenë 16:00-17:30. Në aplikimin që do bëjmë, do të jetë dhe një fashë e veçantë për ata që kanë punën me turne dhe këtu besoj që u sqaruam.

“Asnjë nga paketat e deritanishme nuk përfshin largimin nga puna për arsyen e mbylljes së kopshteve.”

Nëse bëhet fjalë për kopshtet private dhe nëse bëhet fjalë për shkurtim nga puna apo jo, mbetje pa punë të atyre që janë në kopshte private, patjetër që përfshihen, 100%.

“Të nxjerrësh në terren specialistë, kush ka biznes i plotëson kushtet e kush jo, ndërkohë që unë kam një restorant me dy veta staf total dhe mund të lë 5 tavolina.” 

Restorantet do të jenë të fundit që do hapen. Kështu e ka kjo punë, më vjen shumë keq. Ne po përgatisim programin e hapjes graduale, që do ta bëjmë publik në ditët në vijim, që do të jetë një program i qartë dhe strikt për rregullat që do të ndjekin të gjithë ata që do të hapen sipas aktivitetit të tyre tregtar, apo dhe ekonomik dhe duke parë edhe vendet e tjera, asnjë vend nuk ka folur për një hapje ku restorantet apo baret janë pjesë në fillim, ose në mes të procesit. Janë të fundit që do hapen. Më vjen keq, por është e pamundur ndryshe.

“Ne që jemi në fshat, si të shkojmë në qytet, përderisa ju nuk na lejoni të lëvizim me makina?”

Edhe njëherë, nëse ju keni punë në qytet dhe do shkoni me automjet privat, patjetër, por do të merrni një autorizim dhe autorizimet do të jenë shumë më të thjeshta tani që mund të lirojmë pak lëvizjen me automjet. E di shumë mirë, jam i vetëdijshëm që ka qenë shumë e shtrënguar, e di që shumë autorizime janë refuzuar dhe kjo nuk ka qenë as për të mos respektuar kërkesën, as për të shtrënguar njerëzit nga ndonjë dëshirë apo epsh dictatorial, por thjesht e vetëm për të garantuar atë që kush do ta shikojë, e shikon qartë sot, rezultatin që kemi arritur deri më tani në këtë luftë, duhet ta mbrojmë këtë rezultat, duhet ta çojmë drejt përmirësimit, që do të thotë ta çojmë kurbën drejt zeros së infektimeve, me durim. Nga ana tjetër, sigurisht që dhimbjet nga pasojat e natyrës ekonomike janë të konsiderueshme, por askush të mos e harrojë që halli i halleve këtu është jeta e njerëzve. E shoh që shumë nga ju e kanë harruar, e shoh që shumë nga ju thonë që ne do vdesim për bukë, do vrasim veten për bukë, se CoronaVirusi nuk na bën gjë. Jo, CoronaVirusi ne na luan fenë, siç ja luajti fenë e siç po ia luan shumë të tjerëve, shumë më të mëdhenj, shumë më të fortë se ne, por arsyeja pse deri sot nuk na ka bërë dot gjë është se ne jemi mbrojtur shumë më fort dhe shumë më mirë se shumë të tjerë, më të zgjuar e më të fortë se ne. Por ama do të ishte fatale që të mos e marrim parasysh që armiku nuk ka ikur, është vërdallë dhe në momentin që ne i hapim një shteg, na bën gjëmën që kemi shmangur deri tani. Unë këtë nuk kam për ta lejuar. Për bukë, në Republikën e Shqipërisë jo e jo, por në trojet shqiptare, që nga koha e Skënderbeut nuk ka vdekur kush ndonjëherë. Kurrë, shqiptar të vdekur për bukë nuk ka në historinë e Shqipërisë, sepse është bukë, krip dhe zemër historia e Shqipërisë! Nuk ka dalë kot kjoj fjalë. E në këtë vend ka solidaritet, në këtë vend ka gjithmonë një ndihmë e pavarësisht se çfarë thonë disa, sot po  ndihmohen njerëzit më në nevojë, siç as nuk mund të imagjinohej se do të mund të ndihmoheshin ndonjëherë më parë dhe këtë e them me bindje. Kanë kaluar 200 mijë rastet e trokitjeve derë më derë nga operacioni humanitar dhe jo me një kilogram makarona e një shishe vaj, por me një pako të plotë, që i ka ndihmuar familjet me ndihmë ekonomike, ka ndihmuar familjet me vështirësitë më të mëdha. Familjet me ndihmë ekonomike, ndërkohë kanë marrë dyfishin e ndihmës ekonomike pikërisht sepse është kjo situatë. Kështu që unë e kuptoj shumë mirë vështirësinë, por hedhja poshtë  e punës, hedhja poshtë e sakrificave, e mundimit të madh të mijëra njerëzve që janë në gjithë territorin e që edhe tani që flasim shkojnë trokasin derë më derë për ushqime,  për ilaçe, për asistencë për të moshuarit, është jo dinjitoze dhe nuk është shqiptare në këtë moment që flasim.

“Po studentët, a do të marrin bursë?”

Nuk kemi ndërprerë asgjë për studentët, me shpresë që në karantinë vazhdojnë të studiojnë e nuk janë shpërqendruar, apo nuk janë thjesht duke harxhuar kohën në Facebook.

“Patentat e bllokuara…”

Patentat janë bllokuar për një arsye e nuk kanë për t’u zhbllokuar. E për më tepër, siç e kam paralajmëruar, hapja do të shoqërohet me shtrëngim të masave. Ne nuk mund të pranojmë, nuk mund të tolerojmë që ata, të cilët gabimisht mendojnë se kjo punë iku, që gabimisht gënjejnë veten se tani mund të dalin, apo mund të lëvizin jashtë rregullave, të na hedhin në lumë gjithë këtë sakrificë që kemi bërë.  Masat do të shtrëngohen. Ne do ta miratojmë futjen në Kodin Penal të masave që lidhen me një situatë epidemie, që nuk e kemi pasur fare në Kodin Penal, si asnjë vend tjetër në planet. Kemi pasur në Kodin Penal dhe kemi karantinimin e kafshëve dhe nuk kemi asgjë për karantinimin e njerëzve. Pavarësisht se çfarë thonë shumë ideologë të liri-demokracisë, këto janë kushte lufte, masat janë për këtë periudhë, nuk janë për t’u shtrirë përtej periudhës së epidemisë.

Ne do t’i miratojmë dhe ndëshkimet do të bëhen ekzemplare, shembullore, për të gjithë ata që do të na kërcënojnë rezultatin që kemi arritur e do të  na kërcënojnë fundin me sukses të kësaj lufte. Kush thotë që “populli me gjoba”, “populli me burg”, harron që ai nuk është popull, ai është një individ. Gjobat nuk vihen për popullin, se populli nuk e shkel ligjin, nuk i shkel rregullat. Po të kishte shkelur populli rregullat, ne sot do ishim në një humnerë që nuk dua as ta mendoj dhe do numëronim dhjetëra të vdekur në ditë e qindra të infektuar në ditë e nuk do dilnim nga kjo histori pa mijëra të vdekur. Pikërisht se populli është në respekt të ligjit dhe populli e kupton shumë më mirë se të gjithë ata që këtu në këtë faqe e quajnë dele dhe e quajnë budalla, populli nuk merr gjoba. Gjobat janë për të pabindurit, gjobat janë për të papërgjegjshmit, për abuzuesit, për fajtorët dhe gjobat nuk janë për të mbushur buxhetin. Janë disa që thonë po mblidhni lekë në buxhet se nuk keni. Nuk janë farë për të mbushur buxhetin dhe nuk mbushet buxheti me ato pak gjoba, se janë pak fare në raport me popullin, por gjobat janë për të dhënë mesazhin e qartë që kjo luftë dhe që në një shtet në tërësi, edhe kur nuk ka luftë, jetohet me rregulla, nuk jetohet kush është më i forti e kush është më i dobëti. Rregullat janë njësoj për të gjithë.

“Kemi një biznes të vogël familjar, byrektore. Për arsye të gjendjes që ndodhemi, u mbyllëm, aplikuam, na e kanë refuzuar.”

Do të merrni 400 mijë lekë me paketën e zgjeruar. E përsëri, nuk kemi refuzuar asnjë që ka të drejtën të marrë pagën nga paketa e parë. Të gjitha refuzimet janë për ata, të cilët kanë aplikuar e nuk janë në atë kategori, pra, nuk përfshihen. Nuk është refuzim i dhimbjes, nuk është refuzim i nevojës, nuk është përjashtim nga puna. Është thjesht e vetëm refuzimi i një aplikimi në dritaren e gabuar, sepse ka qenë shumë e qartë dhe është stërthënë se cilat janë bizneset e vogla që do të marrin pjesë në fondin e paketës së parë. Ndërkohë që ti do të marrësh 400 mijë lekëshin.

Dua edhe një herë të të them se nga paketa e parë, para se të vija këtu, shifra e fundit e përfituesve është 30 mijë e diçka. Kemi dhe 40 mijë të tjera për të dhënë. Vonojnë disa ditë, sepse bëhen verifikime edhe në terren dhe ju kalon paga, siç e kemi premtuar. Siç e kanë marrë 30-31 mijë deri më sot, do ta marrin dhe 40 mijë të tjerët, padiskutim. Janë të miratuara, janë në thesar dhe thjesht lëvrohen pasi marrin vulën e tatimeve të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë 176 mijë të tjerë do të marrin 400 mijë lekë. Për çfarë do t’i marrin? Për këtë periudhë të mbetur deri në fund të majit, ndërkohë që unë kam besim që nga fillimi i majit do të fillojë edhe kthimi në punë i shumë prej tyre. Megjithatë nuk ka problem, nuk do bëjmë këtu llogari të ngushta, do të bëjmë llogarinë që të keni 400 mijë lekëshin e të merrni frymë të lehtësuar, që nuk keni problem të ekzistencës normale në shtëpinë tuaj. Ndërkohë që as për kafe nuk dilni, as për birra nuk dilni, as për shpenzime të tjera nga ato që bëni pothuajse të gjithë, pavarësisht se shumëkush ankohet që po vdesim për bukë, atëherë është mëse e mjaftueshme për të kaluar pa stres maksimal këtë fazë.

“Unë jam biznes i hapur në vitin 2020, kam punuar vetëm 3 javë, sepse u mbyllëm sipas urdhërit. Kam punësuar dy persona.”

Do të marrësh nga paketa e parë. E kemi sqaruar, në paketën e parë janë të përfshirë edhe bizneset e hapur në vitin 2020. Mjafton që ta kesh bërë regjistrimin dhe mjafton që 2 personat e tjerë t’i kesh të siguruar. Do të marrësh nga paketa e parë, sepse të takon. Je mbyllur me urdhër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e  Republikës së Shqipërisë nuk të lë vetëm. Nuk lë vetëm asnjë, me të gjitha mundësitë që kemi. Nuk kemi mundësi të pakufishme. Edhe qeveria është në hall, njësoj si ju të gjithë, sepse shtëpia jonë  e përbashkët është në hall, siç është çdo shtëpi e vogël ku secili prej nesh ka familjen e tij, por asgjë që ne e kemi të mundur, nuk do ta lëmë pa e bërë.

“Jetojmë në një fshat të Vlorës dhe kemi për të bëjë pagesën e kamatvonesës. Problemi është se na thonë që duhet të shkojmë në  Vlorë të aplikojmë tek OSHEE-ja që të përfitojmë nga falja.”

Nuk do ta paguani kamatë vonesën. Kamatvonesat janë falur dhe arsyeja pse duhet të shkoni atje, unë do ta verifikoj. Por ju pagesën mund ta bëni, siç bëni këtë komentin në Facebook, përmes celularit. Edhe pagesën e OSHEE-së mund ta bëni përmes celularit, njësoj.

Guxim Zeneli thotë, “po ne që punojmë në  call center? Ajo është mbyllur gjatë kësaj periudhe. Disa punojnë nga shtëpia, po ne që nuk kemi mundësinë e punës nga shtëpia dhe kemi më shumë se një muaj që rrimë në shtëpi, na është paguar vetëm 12 ditët e para të marsit. Aq na mjaftuan për të kaluar këtë muaj, por me këto të prillit, a ka ndonjë gjë për ne?”

E kam thënë shprehimisht, do të marrësh 400 mijë lekë nga paketa e zgjeruar ti dhe të gjithë ata punonjës në situatën tënde, me kusht që të jesh i siguruar, kuptohet, që të figurosh në listën e të punësuarve dhe padiskutim, të gjithë do të marrin 400 mijë lekë. Janë 176 mijë familje që do të marrin 400 mijë lekë, 400 dollarë, direkt në llogarinë tënde, pa kaluar nga pronari. Thjesht e vetëm do të hapet faqja e aplikimit e nuk do bësh asgjë më shumë, sesa do konfirmosh që ti je punonjës në Call-center “X”.

“Dëgjova mbrëmë për fillimin e lëvizjeve nga e shtuna drejt Italisë nga Roma. Do të bëhet lëvizje vetëm për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në Itali, apo do të lëvizin emigrantët që kanë mbetur në Shqipëri e duan të rikthehen  në vendet ku jetojnë e punojnë?”

Edhe kjo është një çështje me të cilën ne po merremi seriozisht, përditë, si me të gjitha. Shumë shpejt do të kemi një përgjigje konkrete se kur do fillojë e si do të fillojë kjo lloj lëvizjeje nga këtu, jashtë. Shumë shpejt, në ditët në vijim.

“Nga Venecia, Gjermani, Bruksel, do të merren atdhetarët?

Atdhetarët nuk e di, por shqiptarët po, se jo të gjithë janë atdhetarë, me thënë të drejtën. Ndërkohë që nga Venecia mund të shkosh në Romë, pasi të kesh prenotuar sipas kushteve që do të prezantohen nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Shqyrtoje dhe një herë çështjen e riatdhesimi të shqiptarëve që janë rezidentë në Shqipëri. Nuk kemi ardhur për vizitë, por nuk kemi mundësi për hotele.”

Miku im, po punojmë dhe besoj që paketa do të jetë e arsyeshme. Nuk bëhet fjalë për shpenzime të mëdha, por më e arsyeshme nga të gjitha është që të kuptohemi. E kuptoj shumë mirë situatën tënde, por e kupton se çfarë do të thotë – se nuk është puna për 1, 5 apo 7 – që të riatdhesohen të gjithë tani, pa vënë limit e pa e bërë hap pas hapi? Do të thotë që të bëhemi gazi e turpi i botës, duke hedhur poshtë gjithë këtë sakrificë e duke filluar të numërojmë 10 të vdekur në ditë.

“Jam 25 vite i siguruar. Në ndërmarrje po punoj gjithë kohës edhe unë. Përse ne nuk përfshihemi  askund tek paketa e ndihmave?

Për çfarë do të ndihmojmë miku im, që ti vazhdon punon edhe sot? Edhe unë vazhdoj punoj dhe sot, por rrogën time e marr përgjysmë. Natyrisht nuk mund të them në asnjë mënyrë  që ti duhet të bësh të njëjtën gjë. Ti do marrësh rrogën, siç e merr gjithmonë. Ministrat e marrin rrogën përgjysmë. Deputetët e Partisë Socialiste e marrin rrogën përgjysmë për solidaritet. Edhe unë punoj, madje, të them të drejtën, edhe më shumë se gjithmonë, por nuk është se duhet të kërkoj ndonjë shpërblim për këtë. Ti punon, kështu që vazhdo punën me shëndet, me të gjitha të mirat, por nuk mund t’i themi dot të tjerëve, që nga taksat tuaja, ne do të paguajmë edhe Albanin, sepse Albani, pavarësisht se punon, pavarësisht se asgjë s’ka ndryshuar në jetën e tij dhe për më tepër, diçka ka kursyer më shumë se më përpara, sepse nuk ka harxhuar për kafe, birra e të tjera gjëra që normalisht janë pjesë e jetës së përditshme, do ndihmë. Për cfarë?

“Më bën përshtypje që nuk përmend transportin fare”, – thotë Landi Marku. “Ne jemi biznesi që paguajmë më shumë taksa, pra, jemi biznesi më i goditur në fushën e ……”

Është habi më e madhe dhe mua më bën shumë përshtypje që ti je i interesuar drejtëpërdrejtë për transportin dhe mirë që nuk ke dëgjuar, mirë që nuk ke lexuar se kam folur specifikisht edhe për transportin, po tani më akuzon mua që nuk e përmend fare. Në fakt, e vëretta është që të gjithë ata që punojnë në transport dhe janë biznes i vogël janë përfshirë në paketën e parë dhe do të marrin një për një atë që ne kemi dhënë. Të gjithë ata që janë punonjës transporti në biznes të madh do të përfitojnë nga paketa e zgjeruar dhe do të marrin 400 mijë lekë, shoferë, fatorino, çfarëdo qofshin, pa dallim. Tani, duhet  të më bëjë përshtypje mua që ty të bën përshtypje që unë s’e përmend transportin, kur unë e kam përmendur, apo do të bëjë përshtypje ty, fakti që unë e kam përmendur dhe kjo është në paketën e zgjeruar, sikundër ata që janë biznes i vogël në transport janë në paketën e parë?

“Jam studente. Kam një vajzë të vogël, jetoj në Tiranë. A mund të kem një ndihmë?”

Je studente, ti merrr një bursë më shumë se aq.

I vetmi problem për ne që mbetëm në Greqi,” – thotë Meleq Mucka, – “bisedoni mos penalizohemi se ndryshe nga shtet e tjera këtu gjoba është…”

Me qeverinë greke e kemi biseduar dhe ka mirëkuptim  që për këtë periudhë, që nuk është disa vjet, është disa javë dhe për ata, të cilët kanë shkelur jo sepse kanë dashur t’i shkelin, por nga pamundësia për t’u kthyer, afatet, nuk do të ketë gjobë.  E kemi biseduar, është një marrëveshje mirëkuptimi me qeverinë greke dhe kjo është fjala që na kanë dhënë. E nuk më rezulton deri tani që të kenë vënë gjoba. Mund të ketë ndonjë rast tek-tuk, por deri tani ka mirëkuptim.

Bashkëshorti im,” – thotë Tefta HasanRamaj, “punon tek tregu industrial në Vlorë. Paguajmë taksën e bashkisë, aq është mundësia jonë. Kemi një muaj pa marrë përgjigje, si do të bëhet me ne, ndërkohë që nuk po dalim dot në punë.

Ata që punojnë në tregje dhe që janë të regjistruar, – jo në të zezë, – janë brenda paketës së zgjeruar. Marrin 400 mijë lekë.

“Po për arbitrat, o shefi, si i bëhet, a do të na paguajë njeri?”

Arbitrat e kujt, arbitrat e futbollit? T’ju paguajmë, pse nuk po jepni penallti gabim? Jepni shumë penallti gabim ju. Kam dëgjuar se unë nuk e ndjek kampionatin shqiptar. Arbitrat e futbollit jo, nuk ka asgjë për momentin.

“Gruaja ime punon shitëse në butik veshjesh. Ka aplikuar për pagën dhe nuk e ka marrë. LLogaria në BKT është zero.”

Bashkëshortja juaj do të përfitojë nga paketa e zgjeruar. Ka aplikuar gabim në paketën e parë dhe do të përfitojë nga paketa e zgjeruar. Ose, nëse nuk i është refuzuar dhe është në paketën e parë, llogaria në BKT do të jetë me paratë e premtuara, por duhet të bësh pak durim, sepse janë 70 mijë. Bëhen verifikime për të gjithë në paketën e parë dhe jemi tani tek 30-31 mijë që janë dhënë. Janë edhe 40 mijë paga për t’u dhënë dhe besoj se në 4-5 ditët e ardhshme të gjithë do të kenë marrë atë që u takon.

“Unë jam e vetepunësuar në profesionin tim, Logopediste. A do të përfshihet tek kjo paketa?”

Nëse je e vetëpunësuar e regjistruar, padiskutim je pjesë e paketës.

“Po lexo dhe kupto njehere të vetme,” – thotë Xhensila Muçeku, – “se ne duam kthimin në atdhe, jo çfarë do ti.”  

Po ti, kur do lexosh dhe kur do kuptosh që ajo që dua unë është që e gjithë kjo të mbarojë tani që po flasim dhe ti të vish sot, jo neser, në Shqipëri. Por, meqë je jashtë, nuk e di në çfarë vendi je dhe nga ç’vend po shkruan, ti e shikon se çfarë bëhet? Apo e shikon se çfarë bëhet atje dhe ndërkohë sheh në TV gjithë Shqipërinë që nuk bëhet si atje dhe mendon që  këtu është thjesht çështja çfarë dua unë? Pse dashkam unë, që ti të mos vish në Shqipëri! Pse dashkam unë, që të mar gjithë këto të shara, gjithë këto mallkime, gjithë këto rromuze e dëngla nga të gjitha anët, për gjëra, të cilat, më fal që po ta them, por më shumë se tek gjithë të tjerët shkaktojnë dhimbje koke tek unë vetë! Ju keni secili hallin tuaj, ndërsa unë kam të gjitha hallet tuaja bashkë. E prandaj jam këtu, që të merem me çdonjërin nga hallet tuaja. Jo Xhensila, ti do të rrish atje dhe kur të hapet rruga, do të ndjekësh procedurën, sepse ti ke për detyrë të mbrosh përveç vetes tënde, familjen tënde dhe vendin tënd. Ti nuk  mund të kthehesh në një transportueshe bombash, apo edhe nëse nuk e ke, të vish në një …[e padëgjueshme] ku ka transportuesh bombash dhe pastaj bëhet hataja. Kjo nuk ka për të ndodhur. Ti më shaj, më mallko, bëj rromuze sa të duash, por unë di kaq, që bashkë me ty, je dakort apo jo dhe me gjithë të tjerët do ta nxjerr Shqipërinë faqebardhë nga kjo luftë dhe shqiptarët nuk do të qajnë me mijëra të vdekur. Këtë di unë.

Transporti publik, kur do hapet nëpër rrethe?”

Është herët për të folur për këtë.

“Kam një dyqan gazetash dhe revistash. Për këto arsye e kam mbajtur të mbyllur. Nga paketa e parë nuk kam përfituar pagën e luftës, por në paketën e dytë, a e përfitoj?”

Nuk e ke përfituar në paketë e parë, por në paketën e zgjeruar po. Do të marësh 400 mijë lekë. Gjithmonë nëse je i regjistruar dhe i siguruar.

“Biznesi i trajtimeve estetike, si do të vijojë?”

Edhe edhe pak fare durim.

“Cmimet e ushqimeve janë në stratosferë dhe akoma nuk ka asnjë reagim.”

Në sistemin që kemi zgjedhur nuk përcaktohen nga shteti, por përcaktohen nga ata që shesin mallin. Kijeni parasysh këtë gjë. Jo më larg se dje flisja me miq në SHBA dhe më thonin që çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë.

“Shumica e popullit janë në të zezë, shpresonim tek 10 lekëshi jot.”

Më thuaj, ata që punojnë në të zezë, si e gjen shteti se kush është i vërteti, kush është i gënjeshtërti? Pse asnjë shtet, në asnjë vend të botës nuk ka përfshirë në asnjë paketë ndihmë, qoftë të zbatuar, se të zbatuar janë shumë pak edhe tani që flasim, qoftë të draftuar, ata që punojnë në të zezë? Pse nuk dua unë? Cili është ai kryeministër në planet, cili është ai udheheqës në historinë e botës,  që nuk do t’u japë njerëzve gjithçka që ata duan! Ti në shtëpinë tënde ua jep fëmijëve gjithçka që ata duan? Pse nuk ia jep, se nuk i do, apo do që ti mërzitësh, ti shqetësosh?! Ju jep atë që ke mundësi. Edhe për ata që punojnë në të zezë është e pamundur praktikisht. Aty ku ka për 176 mijë, patjetër që mund të ketë edhe për disa mijëra apo dhjetëra mijëra të tjerë, por si i gjejme ne këta, del në FB dhe thua unë punoj në të zezë?! Mund të jetë kjo një provë që taksat e shqiptarëve vijnë tek ty në formën e nje ndihme, nëse ti del në FB? Për këtë arsye, ne po përgatisim dhe një sforcë të fundit që nuk e kanë bërë vendet e tjera dhe do të vendosim një shpërblim, do të marrësh para  për të denoncuar se kush ti ka dhënë paratë në të zezë. Në qoftë se më thoni që as këtë nuk e bëni dot, atëherë më thoni si mund ta zgjidhim.

Këtu ku jam në Itali japin 400 euro. Të paktën juve hajdeni në ndihmë familjeve…”

Nuk e di si mund ta zgjidhim këtë çështjen e të folurit në ajër. Ku japin 400 euro në Itali, dalin në rrugë e i shpërndajnë euro? Edhe nëse në Itali janë 400 euro, ne po japim 400 mijë. Nuk jam 400 euro, por janë pak më pak se 400.

“Prindërit e mi kanë një dyqan peshku, a mund të përfitojnë?”

Po, çdokush që ka një dyqan dhe është i regjistruar dhe është dëmtuar si gjithë të tjerët në xhiron e tij do të përfitojë. Por dyqan peshku më rezulton se nuk është i dëmtuar në xhiron e tij, siç nuk janë të dëmtuar dyqanet e ushqimeve që kanë fituar më shumë seç fitonin më përpara. Cuditërisht blihen më shumë ushqime sot, kur të gjithë thonë s’kemi lekë, sesa bliheshin përpara se të fillonte kjo luftë. Si shpjegohet kjo?!

E njëjta pyetje, ju që keni humbur vendet e punës në javët e mëparshme qysh se ka filluar kjo luftë dhe që jeni në biznese të mëdha do të merrni të gjithë 400 mijë lekë.

“Po mirë, si do bëhet me ne që s’jemi të regjistruar? Ma thuaj ti.”   

Unë nuk e gjej dot, ma thuaj si ta gjejmë që ti je vërtetë një person që ke punuar në të zezë dhe nuk je një profil fals që bën sikur ke punuar. E them këtë, sepse nuk e bën dot asnjë shtet. Prandaj kur punohet në të zezë, duhen menduar të gjitha. Prandaj nuk duhet pranua puna në të zezë dhe prandja duhet denoncuar ai që t’i jep lekët në të zezë, se ja vjen e nesërmja dhe gjendesh pa mundësi të marrësh mbështetje.

“Po mirë, ata që punojnë në të zesë dhe ata që nuk kanë punuar, kanë pirë kafe, do të vdesin urie, kjo është zgjidhja që jep ti?”

Unë nuk jam magjistar, nuk kam shkopin magjik, por një gjë është e sigurtë, unë jetoj ditë-natë me hallet tuaja. Nuk ka asnjë shtet dhe asnjë formulë deri tani, që të më ndhimojë mua të kuptoj si mund t’i ndihmoj ata që nuk janë të rejgistruar asgjëkundi. Nëse ti e ke këtë formulë, të lutem ma jep dhe të jesh i sigurtë se nuk do t’i lë pa ndihmiuar.

Qendrat tregtare nuk punojnë dhe iu është refuzuar…”

Ata që punonjnë në qendrat tregtare do të marrin 400 mijë lekë nga paketa e zgjeruar.

Këtu po e mbyll duke bërë këtë përmbledhje;

Paketa e parë, e cila adresoi valën e parë të goditjes, duke dyfishuar ndihmën ekonomike për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, duke iu dhënë pagën e luftës të gjithë atyre që mbyllën menjëherë aktivitetin në biznese të vogla dhe duke ju njohur pagën edhe të punësuarve në një biznes të vogël që janë të regjistruar, por nuk paguhen nga biznesi pasi është biznes familjar, regjistron gruan, por nuk i jep rrogë për të shmangur tatimet dhe indeksimi i pensioneve në kushte financiare jo të mira. Kjo ishte paketa e parë.

Janë 71 mijë familje në ndihmë ekonomike që kanë marrë dyfish ndihmën ekonomike.

Janë mbi 70 mijë sot që flasim, bizneset e vogla, të cilat po marrin pagën nga paketa e parë, 30-31 mijë deri sot, para se të vija këtu.

Janë edhe 40 mijë të tjerë që po verifikohen. Është një punë kolosale verifikimi për të gjithë, që të jemi në regull me të gjithë dhe brenda disa ditëve shlyhet. Kur të marrin këstin tjetër, nuk do ketë më nevojë për verifikime se dihet kush janë dhe do jetë në një ditë.

Paketa e zgjeruar prek edhe 100 mijë të tjerë në biznesin e vogël që marrin të gjithë 400 mijë lekë, sepse kanë qenë lejuar të punojnë, por kanë punuar me xhiro shumë të cunguar, me orare të cunguar dhe janë dëmtuar, por nuk janë si të tjerët që janë të mbyllur totalisht.

66 mijë të tjerë që janë në kompanitë e mëdha, që janë mbyllur në shtëpi, nuk punojnë dot, i kanë hequr nga puna, apo janë pezulluar, marrin 400 mijë lekë.

Edhe 10 mijë të tjerë në sektorin e turizmit marrin 400 mijë lekë.

Kjo është paketa e zgjeruar që në totalin e saj shkon 70 milionë dollarë.

70 milionë dollarë, për një vend si Shqipëria, për të dhënë një pagesë që vlen vetëm për periudhën 40 ditore, nga sot deri nga fundi i majit, vetëm ata që nuk kanë fare idenë se për çfarë flasin, ose ata që e dinë 7×7=42 këtë punë, mund të thonë që janë pak në kushtet që jemi dhe për këtë kategori njerëzish, për t’ia lehtësuar pak frymëmarrjen, jo për t’u zgjidhur të gjitha hallet e jetës së tyre.

Kjo është paketa e zgjeruar.

Cdo gjë që them, e bëj dhe çdo gjë që bëj, unë e them. Këtë është pak, por e sigurtë. Ne nuk kemi dalë këtu për të treguar përralla, nuk kemi dalë për të mashtuar, nuk kemi dalë t’u hedhur hi syve askujt, sepse këtu jemi prapë nesër dhe do jetojmë prapë nesër. Kjo nuk është çështje votash. Kjo është  çështje dinjiteti, respekti për veten, respekti për njerëzit. Pengesat, vonesat, vështirësitë, të gjitha sëbashku duhen marrë mirë parasysh sepse nuk jemi një robot i madh që i bën të gjitha gjërat, siç bëni disa nga ju komentet në Facebook dhe ku i zgjidhni të gjitha. Dhe ku madje keni arritur disa nga ju të zgjidhni misterin e kësaj epidemie, duke  ia lënë 5G-së. Janë disa këtu, i shoh që shkruajnë që ndërkohë që po bëhet e gjithë kjo, është një lojë e madhe se po instalohen antena 5G gjithandej. Unë nuk e di çfarë është kjo. Po kjo është idiotësia më e madhe e dëgjuar këtyre anëve, qyshse ka filluar kjo hata. Ju lutem shumë, mos u merrni me këto teori konspiracioni idioteske, por fokusohuni se po bëjmë nëj gjë të madhe për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.