Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedimi publik i Kryeministrit përmes rrjeteve sociale: 

Bashkëbisedimi ynë sot niset nga një nismë me shumë rëndësi për shoqërinë dhe ekonominë tonë, të cilën e kemi paralajmëruar disa kohë me parë, përpara se të hynim në këtë situatë befasie për shkak të Covid-19 dhe tani jemi gati që, pasi ta kalojmë këtë javë në qeveri, t’ia çojmë Parlamentit, sigurisht të hapur për konsultime e diskutime me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që brenda një afati të arsyeshëm, uroj brenda muajit maj, Parlamenti të mund ta miratojë.

njala është për Amnistinë Fiskale, një amnisti e domosdoshme. Për 30 vjet me radhë, ne e dimë shumë mirë që, së pari, qindra mijëra bashkëqytetarë në emigracion kanë punuar punë nga më të ndryshmet dhe kanë plot kursime e kanë pasur dhe e kanë ende sot të pamundur që t’i depozitojnë të gjitha në banka. Duke vazhduar edhe me një shumicë dërrmuese në Shqipëri, që si rezultat i një transformimi të madh ekonomik dhe një transformimi rrënjësor në raportin mes individit dhe sistemit, në një ecuri në të përpjetë në vitet ’90-të dhe më pas kanë kursime, të cilat padiskutim janë të interesuar t’i depozitojnë nëpër banka. Po ashtu, edhe kompanitë që kanë të ardhura të padeklaruara, të cilat ka ardhur koha të kenë një mundësi për t’i depozituar nëpër banka.

Do të jetë një amnisti gjithëpërfshirëse, që do të synojë lehtësimin maksimal të të gjithë atyre që jetojnë në emigracion në radhë të parë dhe të gjithë atyre që jetojnë në vendin tonë dhe që janë në nevojën 30-vjeçare për të formalizuar paranë joformale që kanë në dispozicion.

Amnistia ndalon qartësisht riciklimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale dhe po ashtu të ardhurat nga korrupsioni nuk mund të amnistohen. Që do të thotë se përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë ata, të cilët janë të dënuar për aktivitete të caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është edhe subjekt i drejtpërdrejtë i veprimtarisë së ligjit special dhe të OFL-së.

Përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë politikanët, të gjithë zyrtarët e lartë, së bashku me rrethin e tyre familjar dhe dhe të gjithë ata që militojnë në radhët e Policisë së Shtetit, të gjykatësve, të prokurorëve apo të rangjeve të larta të administratës.

Të gjithë të tjerët do të përfitojnë nga kjo amnisti, kur amnistia të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Ҫdo qytetar që ka një pasaportë të Republikës së Shqipërisë mund të përfitojë nga amnistia, natyrisht, nëse nuk është në ato kategori përjashtuese që përmenda më lart.

Amnistia mendohet të ketë një kohëzgjatje prej një viti dhe të ndahet në 3 fasha 4-mujore.

Në fashën e pare, detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5 %;

Në fashën e dytë, 7%;

Në fashën e tretë, 10%.

Sigurisht që këto janë shifra që do të diskutohen dhe do të kolaudohen më tutje në proces gjatë diskutimeve edhe me grupet e interesit, por edhe gjatë leximit të draftit në procedurën e komisioneve parlamentare përkatëse e pastaj në seancën parlamentare përkatëse në Kuvendin e Shqipërisë

Amnistia, për të qenë plotësisht e besueshme dhe përgjithmonë e qëndrueshme, do të jetë fiskale dhe penale. Për këtë periudhë dhe për të gjithë subjektet që do të kërkojnë të përfitojnë nga amnistia nuk do të ketë më, në të ardhmen, asnjë konsekuencë. të asnjë natyre, përveçse në rastet kur një subjekt i caktuar ka bërë një vetëdeklarim të rreme, fjala vjen duke thënë se nuk ka qenë përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastaj të rezultojë i tillë.

Kjo ishte nisma që do të prezantoja sot, ndërkohë që jam këtu për t’u përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe për të adresuar shqetësimet tuaja, duke filluar nga blloku i dytë i bizneseve që do të hapen në javën e ardhshme, të hënën më 27 prill, sipas planit që ne kemi ndërtuar nën mbikëqyrjen e ministres së Shëndetësisë dhe natyrisht, me protokollet e miratuara nga Komuniteti Teknik i Ekspertëve, që do të publikohet.

Dua ta nënvizoj dhe është shumë e rëndësishme që protokollet duhen lexuar dhe zbatuar pasi hapja vjen me risk dhe natyrisht, ne kemi në dispozicion mjete të rëndësishme penalizuese, duke përfshirë masat e reja në Kodin Penal, që hyjnë në fuqi këto ditë. Por kjo nuk është çështje penalitetesh, por është çështje në radhë të parë e ndërgjegjes dhe e mbrojtjes që gjithsecili duhet t’i bëjë shëndetit të vetvetes, shëndetit të njerëzve të familjes dhe shëndetit të të tjerëve. Vetëm duke mbrojtur njëri-tjetrin, ne mund të hapemi pa marrë risqe të mëdha dhe pa qenë të detyruar nesër të rikthehemi në pozicionin fillestar, çfarë do të ishte vërtetë e padëshirueshme.

Hapja në të gjithë botën është një proces gradual dhe askush në botë nuk e di sesi do të shkojnë gjërat, që do të thotë se të gjithë janë të përgatitur për t’u tërhequr, në rast se dinamika e epidemisë do të ndryshojë negativisht, sepse shoh që shumëkush ankohet se gjërat ndryshojnë herë pas here, se masat ndryshojnë herë pas herë, se fashat orare ndryshojnë herë pas here. Nuk ka si të jetë ndryshe. Kështu ndryshojnë kudo dhe kështu ndryshojnë edhe këtu, sepse është një ndeshje me kundërshtar. Nuk është një plan i zakonshëm pune i qeverisë në kushte të zakonshme, por është një ndeshje me kundërshtar dhe duke parë lëvizjet e kundërshtarit, ti adaptohesh dhe duke parë e konstatuar tërheqjen e kundërshtarit, ti avancon. Kështu që, në këtë pikë ju lutem, durim dhe mirëkuptim.

Kemi afishuar në faqen e e-albania bllokun e bizneseve të lejuara. Të gjitha bizneset e lejuara duhet të marrin autorizimin përkatës, që duhet  të jetë i disponueshëm në mjediset e aktivitetit të tyre për çdo rast kur ato do të kontrollohen. Është një procedurë shumë e thjeshtë, mjafton të jesh në listën e kategorive të lejuara. Me një klik merr autorizimin që e mban të afishuar në mjedisin e biznesit tënd dhe natyrisht e mban edhe në smartphone apo kompjuterin tënd për çdo rast.

E gjithë hapja shoqërohet me  protokolle. Sot që flasim, në e-albania ka një protokoll të përgjithshëm. Me miratimin e të gjitha protokolleve specifike nga Komiteti Teknik, ne do të kemi protokoll specifik në dispozicion për të gjithë. Që do të thotë, secili që merr leje për të ushtruar aktivitetin  ka edhe protokollin përkatës, që do ta  zbatojë pikë për pikë, se përndryshe penalizohet. Por, përsëri, penalizimi është pasoja e shkeljes nga pikëpamja ligjore. Ndërsa në këtë situatë, shkelja ka një pasojë shumë më të madhe, sesa ajo që vjen nga penalizmi ligjor, që është pasoja mbi shëndetin e të tjerëve. Prandaj duhet shumë  ndërgjegje, duhet shumë angazhim dhe shumë këmbëngulje e durim për të mos çeduar, sepse këtu nuk jemi në kushtet e zakonshme, kur një përpjekje për t’ia hedhur shtetit, përkthehet thjesht në një dëm për shtetin. Këtu, një përpjekje për t’ia hedhur shteti është në fakt një aksion që mund të rezultojë deri, largqoftë, në vdekjen e tjetrit apo disave, pa llogaritur vuajtjet e padrejta që u shkaktohen shumë të tjerëve, si pasojë e infeksionit që ke përhapur me shpejtësi.

Në faqen e e-albania-s do publikohen sot, – maksimumi deri nesër, sepse  presim edhe miratimin e Komitetit Teknik për protokollet përkatëse, – aktivitet që do të hapen prej datës 27 prill.  Do të publikohen brenda 24 orëve sepse duhet që të gjithë ata që do të hapin aktivitetin të njihen me protokollin dhe të marrin masa që të jenë konform rregullave të reja në fuqi në këto kushte, në momentin që hapin aktivitetin. Lista e aktiviteteve që do të hapen do të publikohet në e-albiana dhe çdo aktivitet ka edhe kodin e vet përkatës.

Me këtë bllok të dytë, ne u japim mundës të kthehen në punë 27 589 punonjësve të regjistruar. Këtu hyjnë:  shitje me pakicë në dyqane jo të specializuara; tregti me pakicë e veshjeve në dyqane të specializuara; shitje me pakicë e mallrave të  tjera të reja në dyqane të specializuara; tregtia me pakicë e tekstileve në dyqane të specializuara; tregtia me pakicë e këpucëve dhe artikujve prej lëkure në dyqane të specializuara, aktivitete të tjera p.k.t; tregtia me pakicë e mobiljeve, pajisje të ndriçimit, artikujve shtëpiakë në dyqane të specializuara; tregtia me pakicë e luleve, bimëve, farërave, plehruesve, kafshëve të shtëpisë dhe ushqimi i tyre në dyqane të specializuara; tregtia me pakicë e orëve dhe bizhuterive në dyqane të specializuara; tregtia me pakicë e pajisjeve audio dhe video në dyqane të specializuara; regjistrimi i zërit dhe aktivitete të publikimit të muzikës; tregtia me pakicë e qylymave, sixhadeve, veshjeve të mureve, dyshemeve në dyqane të specializuara; tregtia  me pakicë e lojërave dhe lodrave në dyqane në dyqane specializuara; tregtia me pakicë e regjistruesve muzikorë dhe video që janë të specializuar; tregtia me pakicë e pajisjeve sportive në dyqane të specializuara, shitja me pakicë e sistemeve të sigurisë, pajisjeve të telekomunikacionit në dyqanet e specializuara.

Kjo është lista dhe bashkëlidhur me të ka një protokoll të veçantë të masave higjieno-sanitare. Protokolli i veçantë i masave higjieno-sanitare nuk është një punë e vogël. Duhet lexuar, duhet adoptuar dhe në momentin e hapjes së aktivitetit duhet të jetë aty, i zbatuar.

Në javën e ardhshme do të hapet edhe një aktivitet tjetër, që ka protokollin e vet specifik, që është protokolli i shërbimit taksi. Protokolli i shërbimit taksi ka një tërësi kërkesash specifike. Shërbimi taksi është pjesë e listës për javën e ardhshme, sigurisht me vetëm një person brenda, në diagonal me shoferin, siç parashikohet në rregullin përkatës për këtë fazë.

Dua të theksoj se qoftë taksitë, qoftë një pjesë e konsiderueshme e punonjësve apo e bizneseve që janë hapur aktualisht, apo që do të hapen javën e ardhshme, përmbajnë specifikisht një numër jo të vogël punonjësish, duke filluar nga taksitë që janë edhe përfitues të tre pagave të luftës, apo janë përfitues të bonusit 400 mijë lekësh në kategoritë e tjera.

Pavarësisht faktit të hapjes, çfarë iu është dhënë, nuk do të merret. Edhe pse, përshembull, ata që punojnë taksi kanë marrë pjesën e parë dhe kanë edhe dy pjesë të tjera për të marrë, një pjesë të dytë në fillim të majit dhe një pjesë të tretë në fillim të qershorit, nuk do t’u merren mbrapsht, pavarësisht se fillon puna. E kemi shumë të qartë që puna fillon, por megjithatë xhiroja maksimale në këto kushte është e parealizueshme për disa javë dhe nuk duam të cenojmë në asnjë mënyrë askënd dhe nuk duam askujt t’i japim përshtypjen se po i kthejmë në punë, sepse duam t’u marrim mbrapsht paratë.

Paratë e dedikuara, qoftë për të ashtuquajturën pagë të luftës, qoftë për bonusin e luftës, pra, qoftë për ata që u mbyllën qysh në ditët e para, siç ishin edhe taksitë dhe nuk u lejuan më, qoftë për ata që u lejuan të hapur, por u ra xhiroja në mënyrë drastike, do të jepen një për një, siç janë premtuar. Fatmirësisht, për pak ditë mbaron lëvrimi i pagës së pare. Pas shumë verifikimeve, tani nuk ka më nevojë për verifikime, dihet se kusht janë dhe pagat e tjera do të jepen rrjedhshëm, pa asnjë problem.

Nesër fillon lëvrimi i bonusit prej 400 mijë lekësh, është shumë më e thjeshtë  procedura dhe parashikojmë që deri në javën e parë të majit, të gjitha paratë të jenë të derdhura në kontot e të gjithë atyre që përfshihen në paketën e zgjeruar si subjekte të saj.

Ndërkohë e kemi folur shumë shpesh, kam reaguar shumë shpesh lidhur me shumëkënd që jeton në vështirësi të mëdha ekonomike dhe punonte në të zezë, nuk ka një zgjidhje individuale, por, duke konstatuar dhe duke analizuar se një pjesë e atyre që ushtrojnë veprimtarinë e punës në të zezë janë një grup prej afro 70 mijë familjesh, të cilat nuk janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, por sidoqoftë, edhe pse kanë pasur një pikëzim që ka qenë më i lartë se pikëzimi i atyre që kanë hyrë në ndihmën ekonomike, si aplikues për ndihmën ekonomike konsiderohen përgjithësisht, – do të bëhen verifikimet e duhura natyrisht, – familje që në këtë situatë kanë një hall më të madh se të tjerët. Prandaj për këto familje, ne po punojmë për një bonus të veçantë, në masën e një ndihme direkte, njëherë, për periudhën e mëtejshme. Si e sa do jetë dhe kur do ndodhë, do e kemi të qartë brenda kësaj jave. Më herët se vonë do mund të publikojmë këtë nismë plotësuese të paketës së zgjeruar, për t’iu ardhur në ndihmë shumë prej atyre që ankohen me të drejtë që janë në punë të zezë, familja e tyre nuk mori ndihmën ekonomike, janë në situatë të keqe dhe një ndihmë ekonomike direkte do ta bëjmë shumë shpejt.

 

Duam që të shkojmë pak përtej nga pikëpamja financiare sesa ndihma prej 8 mijë lekë [të reja]. Sa përtej do të shkojmë, do ta kalkulojmë, por mos harroni që në këto kushte, deri në muajin qershor, kjo shtëpia jonë e përbashkët, për shkak të ndalimit të shumë punëve, që do të thotë, më pak të ardhura për secilin prej jush, më pak të ardhura për shtëpinë tonë të përbashkët, do të goditet në financat e veta me mbi gjysmë miliardë euro. Pra, kur flasim për para që shteti duhet t’i japë me të drejtë, duhet të bëjmë edhe llogarinë, sepse, siç ka ndodhur në çdo shtëpi, edhe në arkën e shtëpisë tonë të përbashkët, lufta ka sjellë ndikimin e vet negativ. Luftërat nuk vijnë për të sjellë ndikime pozitive në pikëpamjen materiale, vijnë për të goditur materialisht që të gjithë, njerëzit, familjet, shtetin.

 

Paralelisht me hapjen, ne po punojmë dhe brenda javës do ngrihet një task-forcë ndërinstitucionale AntiCovid, e cila do të jetë me një bërthamë qendrore në Kryeministri dhe me bërthama rajonale bashkiake dhe grupe në territor, që do ndjekin nga afër ekzekutimin e të gjitha standardeve të vendosura në protokolle për ata që ushtrojnë një aktivitet biznesi të lejuar. Në këto kushte po punojmë për të vendosur pranë bizneseve që hyjnë në biznese me protokollin e kuq, – ka 3 protokolle; protokolli jeshil, aty ku risku konsiderohet i ulët; protokolli i verdhë, aty ku risku konsiderohet mesatar; protokolli i kuq, aty ku risku konsiderohet i lartë, – fillimisht me protokollin e kuq dhe pastaj ndoshta edhe me të verdhin, do të vendosim një bluzë të bardhë, një person i cili do të ndjekë nga afër zbatimin pikë për pikë të protokollit në kohë reale, që të mos ketë absolutisht më asnjë cedim në këtë aspekt, të mos ketë më asnjë pronar, asnjë sipërmarrës, që duke mos zbatuar si duhet të gjitha standardet e sigurisë të godasë shëndetin e njerëzve dhe njëkohësisht që të mos ketë punonjës të painformuar për si duhet të sillet në mjediset e punës, për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe familjarëve apo të afërmve. Kjo do të ndihmojë shumë dhe padyshim, bluzat e bardha do jenë pjesë e pandarë e punës së task-forcës ndërinstitucionale AntiCovid, që do jetë funksionale duke filluar nga java e ardhshme e do të ngrihet me strukturë dhe me emra të përveçëm gjatë kësaj jave. Në task-forcën ndërinstitucionale do përfshihet edhe pushteti vendor me përfaqësuesit e vet.

 

Përpara se të vazhdoj po jap disa përgjigje për pyetjet tuaja.

 

Përse i falët të gjithë shkelësit për gjobat e vendosura më parë?” 

 

E kam shpjeguar dhe po e rishpjegoj. Gjobat dhe ndëshkimet nuk janë qëllim në vetvete. Gjobat nuk janë ashtu siç fatkeqësisht i komentojnë disa, një mënyrë për të mbushur arkën e shtetit dhe për më tepër, me gjobat e vendosura për këtë situate, të cilat janë të rënda për individin, nuk është se ka shteti ndonjë përfitim financiar, përkundrazi janë të pallogaritshme nag kjo anë. Por duke pasur parasysh që kaluam Kodin e ri Penal, i cili përshkallëzon masën e penalizimit, duke çuar deri në heqje lirie të personave që shkelin rregullat e karantinimit, apo që shkelin protokollet e sigurisë në aktivitetin e tyre tregtar, duke pasur parasysh edhe të gjithë stresin e ngarkesën e jashtëzakonshme të një situate të befasishme, e pamë të arsyeshme që atyre njerëzve që u nxituan, që gabuan, t’u japim një shans të dytë dhe një mundësi të barabartë në kushtet kur startojmë me Kodin e ri Penal.

 

Ndërkohë që disave që thonë, “ishim budallenj, ne që e zbatuam ligjin”, u them që zbatimi i ligjit, respektimi i rregullave, normave të sjelljes dhe të edukatës nuk bëhet sepse dikush mund të të kapë gabim, nuk bëhen sepse dikujt mund t’i bësh gabim, bëhen sepse është gjëja e duhur që duhet bërë. Fjala vjen, unë e kam të lehtë që, kur them burrat duhet të rrinë në shtëpi dhe nënat me fëmijë duhet të dalin, të dal sepse mund t’ia dal, teorikisht, që të mos gjobitem, por unë nuk dal. Kur them që ju informoj se ministrja e Shëndetësisë ka kërkuar që të shtunë dhe të dielë, që nga hera e parë, të mbyllemi në shtëpi, nuk dal, por mbyllem në shtëpi edhe me koston që disa të thonë “shiko çfarë frikacaku”. Nuk më vjen fare keq që dikujt tjetër që e shkeli rregullin, iu fal për t’iu dhënë një  mundësi e dytë, sepse nuk mendoj që e bëra ngaqë mund të më kapnin, por e bëra sepse është gjëja e duhur që duhet bërë. Nuk mund t’i kemi as zili, nuk mund të na vijë as keq, nuk mund jo e jo të zhgënjehemi, pse dikush që bën një gabim falet për atë gabim për shumë arsye të tjera. Gabimet nuk i bëjmë se nuk duhen bërë, jo sepse po i bëmë, do të na kapin.

 

“Nëse një person nga rrethet ka një vizitë urgjente mjekësore në Tiranë, ku mund të marrë leje?”

 

Kam lexuar shumë komente lidhur me marrjen e lejes tek e-albania për vizita mjekësore. Lejet për vizitat mjekësore janë të përcaktuara nga mjeku i familjes, apo nga spitali përkatës për shërbime të caktuara shëndetësore. Janë vizita që duhen kryer në bazë të takimeve të lëna nga mjekët, që do të thotë se edhe pa ndodhur kjo situatë, urgjencën nuk e përcakton ti, urgjencën e përcakton Urgjenca Kombëtare, e cila vendos nëse ti ke vërtetë nevojë për urgjencë, apo thjeshtë ke një dhimbje koke dhe do të shkosh tek spitali me të parën. Kjo ka bërë që spitalet të ishin tejet të ngarkuara dhe që shumica e rasteve, medemek urgjente, të mos ishin urgjente e të bllokonin rastet e tjera që mund të ishin urgjente. Nga ana tjetër, me vendosjen e takimeve online nga spitali është bërë e mundur që të ulet shumë fluksi i urgjencave, kohë më parë sesa të ndodhte kjo. Pra, ke një urgjencë mjekësore, është 127 direkt, nuk ka lidhje me e-albania. Ndërsa leja që deri dje ishte problem me email-et, me policinë, fluksin etj., tani merret fare thjeshtë, por çdokush që qarkullon me makinë për të shkuar për një shërbim mjekësor, duhet të ketë me vete dokumentin përkatës që provon se po kryen këtë shërbim mjekësor dhe nuk del rrugës për punë të tjera dhe i thotë policit, po shkoj se kam dhimbje koke.

 

“Jam një recepsionist në një hotel në Tiranë. Nuk kam qenë në punë që prej datës 11. A përfitoj nga paketa?”

 

Hotelet nuk janë mbyllur asnjëherë me urdhër, nuk janë në atë kategori. Ajo që ndodh edhe për punonjësit e hoteleve është që kush është mbyllur, apo është larguar nga puna, do marrë 400 mijë lekëshin deri në datën 10 prill. Nga ana tjetër, të gjitha hotelet përfshihen në paketën e turizmit dhe përfitojnë në paketën e zgjeruar.

 

“A do zgjatet gjendja e jashtëzakonshme pas datës 24 prill?”  

 

Padiskutim po, do të zgjatet.

 

“Po ne që kemi spitalin 2 orë e gjysmë me makinë, a vlen leja e marrë?”

 

Nëse ti shkon në spital dhe ke me vete 1 copë letër që tregon që je i pritur në spital, nuk ka problem. Nëse nuk e ke atë, nuk mund të nisesh në spital. Duhet të marrësh Urgjencën Kombëtare, të konstatojë nëse je, largqoftë, për spital, apo për të qendruar në shtëpi dhe për të ndjekur këshillat e Urgjencës.

 

“Për të shkuar në punë duhet të iki nga Durrësi në Vorë, ndërkohë autobusët e fasonerive mbushen plot. S’na lejoni të shkojmë në punë me më shumë se 1 koleg.”

 

Vende të tjera rreth nesh e kanë 1 person në makinë. Ne e kemi 2 persona në makinë dhe kështu do të jetë edhe për të paktën disa jave, 2 apo 3 javë do e shohim në proces. Prandaj durim dhe mos hyni në teori. Të gjithë kanë specifikat e tyre. Sa i përket fasonëve e kam thënë, zinxhiri ekonomik është këputur në shumë hallka, por nuk mund të këputet edhe në disa hallka bazike, sepse të gjitha këto që kërkoni me të drejtë, reduktohen shumë më tepër nga pikëpamja e mbështetjes financiare. Nuk do jepnim jo tre paga lufte, por as gjysmë page lufte një herë. Nuk do jepnim dot, jo një bonus 40 mijë lekë [të reja], por do jepnim një bonus 4 mijë lekë. Ju lutem, kuptojeni që çfarë shteti jep, e merr si rezultat i punës dhe i të ardhurave që burojnë nga puna.

 

“Po për ne që duam të ikim në Itali dhe jemi me kontratë punë, si i bëhet?”

Për ju që doni të ikni në Itali, duhet pasur parasysh se brendapërbrenda Italisë nuk lëvizet dot nga një vend në tjetrin. Nëse punon në një zonë ku nuk ka shërbim ajror, ti nuk shkon dot në një zonë tjetër në Itali, nuk lëviz dot jashtë  një zone komunale apo rajonale, sot që flasim. E dyta, në fluturimet që bëhen drejt Italisë për të marrë bashkëqytetarë në Shqipëri, është e mundur të prenotoni, por natyrisht janë shumë pak fluturime. E këtë e them për  ju që doni të shkoni atje, e them edhe për ata që duan të vijnë, sepse ankohen se po mundohen të prenotojmn, por nuk po marrim përgjigje. Janë shumë pak fluturime, për këtë arsye nuk mund të vijnë të gjithë përnjëherë. Nuk ka këtu as qeveria, as ministria, as ambasada apo konsullata, janë prenotime direkt dhe bëhet sipas vendeve që janë në dispozicion. Hapja e fluturimeve është me pikatore, nuk është hapje fluturimesh e zakonshme, për këtë arsye duhet të jenë të gjithë mirëkuptues.

“Jemi një çift pensionistësh”, – thotë Besnik Frashëri, – “na ka zënë karantina në Tiranë. Jemi nga Berati, por nuk kemi mundësi të ikim në shtëpi.”

Edhe pak durim. Nuk do duroni sa keni duruar, por edhe pak. Me ndihmën e Zotit dhe me punën e me luftën e përbashkët që po bëjmë, le të shpresojmë që do kemi mundësi të hapemi sipas planit. Le të shpresojmë që shifrat nuk do të na thonë tërhiquni shpejt, se u hapët shumë.

“Përshëndetje thotë Gjergji. Jam në Gjermani dhe kam prerë biletën me një kompani tjetër. A mund të vi me këtë kompani?

Si do vish me këtë kompani, kur kjo kompani nuk vjen në Shqipëri?

“Zoti Kryeministër, çfarë do bëhet me biznesin e vogël, konkretisht veshjesh, këpucësh, sepse nuk kemi një informacion të saktë?

Shitja me pakicë e këtij biznesi do të bëhet duke filluar nga java e ardhshme.

“Qendrat tregtare do lejohen?”

Jo, qendrat tregtare do hapen të fundit.

“Zoti Kryeministër, kur mund të hapen kufijtë e të rifillojnë fluturimet, pasi shumë prej nesh kanë viza që u skadojnë për në vende të tjera?”

Kjo nuk varet nga ne. Kjo varet dhe nga vendet e tjera. Ka vende sot që nuk shkon  dot. Mund ta kesh vizën, mund të ketë dhe avion, por nuk shkon dot. Varet shumë nga si do zhvillohen ngjarjet, që janë ngjarje që na lidhin të gjitha vendet bashkë. Më habisin disa që flasin sikur kjo po ndodh vetëm në Shqipëri dhe sikur vetëm Shqipëria po i bën këto. Shqipëria po bën gjërat e duhura, prandaj është në një situatë shumë më pozitive se shumë vende të tjera që i filluan shumë me vonesë, që janë më të relaksuara dhe që po e paguajnë shumë më shtrenjtë, por në të përgjithshmen jemi të gjithë në të njëjtën varkë me të gjitha vendet.

“Zoti Rama, pronari i lokalit më tha se nuk mund të përfitoj pagën e luftës, për shkak se vetëm një muaj punë keni tek mua.”

Kjo nuk ka lidhje me sa muaj punë keni. Nëse je i regjistruar dhe nëse të ka goditur vendin e punës kjo situatë, ti e përfiton pagën. Nuk e di për çfarë biznesi bëhet fjalë.

“Zoti Kryeministër, ndonjë paketë solidariteti për Forcat e Armatosura të Shqipërisë duhet të kishit shikuar?”

Cila është arsyeja? Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë sot në krye të detyrës dhe mbështeten gjatë gjithë kohës për të qenë në krye të detyrës aty ku detyra i thërret. Sot nuk është koha për të bërë paketa mbështetëse për ata që e kanë një punë, për ata që e kanë një rrogë, – të madhe, të vogël, kjo është temë tjetër – e për ata që janë në krye të detyrës. Sot, kur shteti duhet të jetë më shumë se kurrë në krye të detyrës, është koha për të mbështetur ata që janë në pikë të hallit, që nuk kanë mundësi të punojnë, që punojnë në të zezë e nuk dalin dot e kështu me radhë.

Ibn Mustaf Jonuzi thotë, “Përshëndetje, jemi një grup studentësh në Arabinë Saudite e duam të kthehemi në Shqipëri. Si duhet të veprojmë?”

Duhet të shikoni përmes kanalit të Stambollit, fluturimet nga Stambolli, ose nëse shkoni në një pikë tjetër. Por pikat janë vetëm ato që janë deklaruar nga ministrja e Infrastrukturës, ku bëhen fluturimet për t’u kthyer në Shqipëri.

Ledi Ledi kërkon të dijë nga unë “kur hapet ambasada amerikane?”

Nuk ta jap dot këtë informacion.

“Zoti kryeministër, ajo paga e luftës që morëm një herë, si do kalojë e dyta dhe e treta?

E dyta dhe e treta do kalojnë pa asnjë zgjatje në afatet e caktuara, sepse tanimë verifikimet janë bërë. Ti e ke marrë të parën, tani prit të dytën e të tretën dhe nëse do fillosh punë ndërkohë, përsëri do t’i marrësh, nuk do t’i  tërheqim mbrapsht.

“Pse duhet me nejt në hotel, kur kemi shtëpi bosh?”

Hapja e mundësisë për t’u kthyer nuk është hapje e kufirit për të gjithë, është një hapje me pikatore që lehtëson sado pak, ata që janë në hall andej, por që duhet të garantojë mbrojtjen e këtyre që janë këtu. Flas për familjarët tuaj e për gjithë të tjerët. Vetëm sipas rregullave, të paktën për disa javë, më tutje do shohim e do bëjmë.

“A ka shpresë për një rikthim në normalitet pa vaksina të dyshimta?”

Fillove të dyshosh tek vaksinat që nuk ekzistojnë! Kthimi në normalitet do të jetë një proces jo i shkurtër.

“A lejohet lëvizje për arsye shëndetësore nga qyteti në qytet, për trajtim, mjekim, konsulta?”

Vetëm në rast se ke një letër që tregon se ke një trajtim mjekësor p.sh, në QSUT dhe duhet të vish nga qytet tjetër, apo se ke një trajtim mjekësor që e bën në spitalin rajonal përkatës.

Endri Caci pyet, “çfarë do të ndodhë me ekonominë tonë deri në fund të vitit aktual?”

Të merremi me të përditshmen, të luftojmë e të fitojmë çdo ditë, siç kemi bërë deri tani. Me ekonominë tonë do ndodhi ajo që do ndodhi me gjithë ekonominë e planetit. Do kemi një rënie dhe do na duhet të shtrëngohemi dhe të ringrihemi të gjithë sëbashku.

“Një biznes shitje mishi me pakicë, a përfiton ndihmë ekonomike 400 mijë lekë, sepse mall nuk ka patur dhe dyqani më shumë mbyllur?”

Besoj se po, sepse është pikërisht për këto kategori që dyqani ka qenë më shumë mbyllur sesa hapur. Mall jo dhe aq, blerës dhe më pak.

“A do t’i falen taksat bizneseve për 6 muaj që të rikuperojnë dëmin?”

E përsëris, të gjitha bizneset e vogla nuk do të paguajnë taksa deri në fund të këtij viti. Për bizneset e mëdha, një pjese do t’i shtyhen taksat, me përjashtim të atyre që janë të përjashtuara, që janë telekomunikacionet, bankat, që nuk kanë nevojë t’i shtyjmë asgjë. Një pjese do t’i shtyhen deri në fund të shtatorit. Turizmit, fasonëve, call center-ave dhe disa të tjerëve që janë të përcaktuar qartë në vendimmarrjet tona do t’i shtyhen deri në datën 31 dhjetor. Këta do të fillojnë t’i paguajnë në mënyrë proporcionale vitin e ardhshëm. Ndërsa për bizneset e vogla do falen të gjitha taksat për këtë vit dhe nuk kanë punë fare, nuk do u kërkojë njeri gjë vitit tjetër, çfarë iku, iku, në mënyrë që të marrin veten plotësisht. Me këtë mbështetje që po bëjmë, me hapjen që po bëjmë, me taksat që po falen, nuk do të dalin keq, do dalin mbase më mirë se të tjerët dhe e meritojnë se janë më të vegjël, janë më të dobët.

“Si ti paguajmë dritat ne fshatarët, kur nuk kalon asnjë automjet, ka zgjidhje?”

Dritat mund të paguhen online, mund të paguhen përmes postës. Faktikisht po paguhen masivisht e shumë mirë që  pothuajse askush nuk ra në atë kurthin e asaj idesë që mos paguhen se nuk kemi. Kush ka rënë në atë  kurth janë shumë pak e nuk kanë drita sot që flasim e nuk ka si të ketë.

“Pse i mban mbyllur farmacitë të shtunë e të dielë? Në çdo lagje duhet të jetë një hapur dhe me turne, apo i ke nga Kolumbia ilaçet?

Merre seriozisht këtë gjë Brunilda jo me talle, amanet mushkën, thonë plakat e jugut, kur i dalin përpara njerëz si ti, që natyrisht je një profil fals, shumë –  shumë ti je Bruno, nuk je Brunilda, se nuk ka shans që një Brunilda të flasë me këtë gjuhë.

“Përshëndetje, ndodhem në Greqi e më mbaron pasaporta në datën 9 maj. A kthehem dot në Shqipëri brenda kësaj date?

Nuk di ta them sot se çfarë do ndodhë në datën 9 maj, sepse punojmë me hap pas hapi. Të gjitha vendet kështu bëjnë, vënë afate, pastaj i shtyjnë afatet. Unë nuk dua të vë afate, sepse askush nuk ka qartësi për shumë përtej mjegullës. E shumë përtej është edhe më shumë se një javë, është e vështirë të shikosh se çfarë ndodh.

Toni Montana thotë, “përshëndetje Zoti Kryeministër! Kur do hapen gjendjet civile për celebrime?”

Rëndësi ka dashuria të jetë e fortë. Edhe fakti që duhet duruar pak sa të hapet zyra, ndihmon që të provosh sa e fortë është dashura dhe të kesh mundësi ta rimendosh nëse nuk është aq e fortë, përpara se të hapet zyra e gjendjes civile. Shaka, por gjysma e të vërtetës.

“Për personat e papunë që janë të regjistruar, por që nuk marrin pagë papunësie?”

Jo, nuk përfitojnë.

“A ka ndonjë shans që nga gushti të jenë hapur doganat për ne që jetojmë jashtë, për të hyrë në Shqipëri?”

Uroj shumë që përpara sesa nga gushti, por askush nuk di vazhdimin deri në fund të kësaj situate, sepse armiku i padukshëm është këtu.

“Përshëndetje! Do doja të dija kur mund të hapen rrugët në rrethe, për të shkuar me makinë personale?

Edhe pak durim.

“Përshëndetje Zoti Kryeministër! Ju na premtuat se do të jepni një garanci sovrane për kredi të butë në favor të bizneseve. Prisnim me padurim datën 15 prill, por udhëzimi që bankat do fillonin, deri më sot asgjë.”

Gjithçka është OK. Edhe udhëzimet, edhe marrëveshjet me bankat dhe faktikisht kanë filluar kërkesat. Kështu që nga nesër mund të shkosh në bankë dhe kërko nëse je në kategoritë që përfiton. Patjetër do përfitosh.

“Përshëndetje! Interesohem se kur do të na i hapni zyrat e Aleatit.”

Nuk ka akoma lajm për këtë. Të shohim në javët në vijim.

“Ju lutem brenda mundësive një leje levizje për studentë që janë në Tiranë, duhet të lënë shtëpitë me qera.”

Po diskutohet. Ministrja e Arsimit po diskuton me rektoratet dhe shumë shpejt do të ketë një vendim lidhur me çfarë do të bëhet me këtë.

“Stomatologët. ortodontë që kanë pacientë në aparate ortodontike, me tela, nuk punojnë me …. Pacientët kanë nevojë të vizitohen çdo muaj.”

Edhe pak durim.

Desha të pyesja po ustallarët, elektricistët, pllakaxhinjtë, që punojnë të pasiguruar, si mund të lëvizin me makinë, se leje ju refuzohet?”

Sigurohuni, regjistrohuni, nxirreni më në fund këtë mësim nga kjo sëkëlldi e taksirat i madh, që juve ju ra si të tjerëve,  por që ju godet më shumë se të tjerëve. Sigurohuni si të vetëpunësuar, person fizik dhe vazhdoni punën, përndryshe s’ka sesi, se mund të dalin shumë të tjerë të thonë unë jam pllakaxhi, elektricist, usta dhe të kërkojnë leje.

“Ju lutem Zoti Kryeministër, si mund të aplikojmë për leje, për t’u dërguar prindërve ushqime, të paktën një herë në javë, pasi tek e-albania mund të marrim leje vetëm  për ….”

Siç keni bërë gjithë këto javë, do bëni edhe pak durim, jo sa kaq sa keni bërë, por edhe pak, ju lutem.

“Zoti Kryeministër, keni thënë që do të dyfishohen pagat. Nuk kemi marrë qoftë edhe një pagë. Ku janë fjalët e premtuara?”

Nuk e di ku e ke dëgjuar që do të dyfishohen pagat. S’e kam thënë kurrë. Kam thënë që do të  dyfishohet ndihma ekonomike dhe është dyfishuar. E kanë marrë ndihmën ekonomike dyfish të gjitha familjet që janë në ndihmë. Përsa i përket pagave, kategoria që hyn në paketën e parë dhe që u mbyll me urdhër qeverie menjëherë dhe që u godit nga vala e parë, e ka marrë dhe po e merr. Sot që flasim, po shkon në 50 mijë numri i tyre dhe në 2-3 ditët në vijim përfundon lëvrimi i pagave për mbi 60 mijë njerëz. Nesër fillojnë pagat 400 mijë lekëshe për 176 mijë vetë. Nëse je një nga këta 176 mijë, do ta marrësh.

“Për ne që jemi në punë dhe shkojmë në këmbë, çfarë leje do të marrim pasi tek e-albania nuk ka ansjë leje për këmbësorët.”

Një anëtar i familjes, 1 orë e gjysëm. Ndërkohë që  për në punë, patjetër që ka dhe do të shkosh siç ke shkuar deri më sot.

“Zoti kryeministër, a do të ketë fluturime në Milano, pasi kam prindërit në Itali dhe kanë mungesa ilaçesh. Nuk arrinin të prenotonin biletën se ishte ngarkesë e madhe.”

Do ketë fluturime si ç janë deklaruar me pikatore dhe shpresojmë të arrijnë të prenotojnë.

“Zoti kryeministër, insistoj për faktin se duhet të lejoni kafenetë.”

Kafenetë nuk do të lejohen. Do të jenë të fundit që do të hapen. Kështu po e bën e gjithë bota, ne nuk do dalim veç nga të tjerët për kafenetë. Ndërkohë ti, nëse ke një kafene, je një përfituese e pagës së luftës. Të tjerët, jo të gjithë.

“Kam aplikuar për pagën e luftës në datë 1, më datë 9 më erdhi konfirmimi…”

Brenda afatit të dhënë do ta marrësh. Konkretisht për rastin tënd, nëse do të lesh një numër telefoni aty, duhet të interesoheni tek Drejtoria e Tatimeve. Gjithkujt që i është aprovuar, e ka marrë dhe po e merr.

“Zoti Kryeministër, dua të shkoj në Vlorë se këtu në Tiranë jam me qera. Puna është mbyllur. Kuzhinjier restoranti. Familja përbëhet prej 5 personash.”

Edhe pak durim dhe do të kemi edhe një lajm më tutje për lëvizjet nga zona në zonë për shumë njerez që kanë këto probleme

“Aktiviteti im është kancelari. Në listën e parë u lejua.”

Është në bllokun e dytë, për të hënën 27 prill.

“Një shtyrje të afatit të sigurimeve për ne që akoma nuk kemi marrë pagën.”

Me sigurimet nuk luhet. Është njësoj si me dritat. Sigurimet nuk kanë shtyrje afati. Nëse ne shtyjmë afatin e sigurimeve, atëherë i bie të mos kemi mundësi të paguajmë pensionistët. E pafalshme, e pajustifikueshme, e pabëshme.

“Pse të rrimë në makinë diagonal,  kur jemi çift dhe e dyta, dyqanet si mund t’i furnizojmë?”

Në makinë, ti përpara, gruaja diagonal mbrapa. Sepse po u hap rruga për ty, bëhen çift gjithë të tjerët dhe thonë ky mbrapa është gruaja ime, edhe pse mund të jetë burrë dhe këto nuk i verfikojmë dot. Kështu që të gjithë në të njëjtin rregull, edhe pak kohë besoj. Duke parë si do shkojnë gjërat në fushën e luftës me armikun  e padukshëm, që është pikërisht spitali, të dhënat e  zinxhirit të infeksionit dhe kapaciteti për të përballuar rritjen e numrave.

“A është e mundur që këto ditë të bëhen punime? Jo vetëm punime, por të shemben edhe mure?”

Kjo është e patolerueshme dhe ju duhet menjëherë të lajmëroni policinë.

“Zoti Kryeministër, a mendoni që turizmi, jo vetëm bregdetar, siç është folur këto ditë, por edhe ai kulturor të zhvillohen në vjeshtë, nga shtatori?

Nuk e di të të them se kur çështja e turizmit është një çështje e hapur botërisht. Askush nuk e di ekzaktësisht dhe nuk kam dëgjuar ende asnjë lider nga shumë vende që unë ndjek, që të ketë mundur të thotë diçka konkrete për turizmin. Të gjithe thonë fjalë të përgjithshme.

“Më është miratuar paga e luftës, por unë do të rikthehem në punë.”

Do të vazhdosh ta marrësh njësoj siç të është miratuar edhe po u ktheve në punë. Do ta mbash edhe pagën dhe besoj do të dalësh mirë nga kjo situatë.

“Jemi dy bashkëshortë, punojmë jashtë Tirane. Ju keni vënë si rregull që nuk lejohen dy bashkëshortë në makinë.”

Nuk kam vënë këtë rregull, largqoftë. Nëse ju jeni dy bashkëshortë që punoni bashkë, të shkoni bashkë, vetëm diagonal në makinë. Jo sepse ju nuk mund të rrini në krah, por po ndejtët ju në krah, do rrinë në krah edhe ata që s’janë bashkëshortë dhe policia nuk mund të merret se kush është bashkëshorti dhe kush pseudobashkëshorti.

“Po lokalet e dasmave që kanë bërë prenotime?”

Ose do të presin të bëjnë një dasëm të madhe, ose do bëjnë një të vogël online me njëri-tjetrin.

“Po ne që jemi me aftësi të kufizuara a do marrim pagë lufte?”

Nuk hyn kjo në paketën tonë si karakteristikë për momentin.

Nuk kam mundsi të prenotoj biletë për në Itali, se kam permesso di soggiorno. A do të ketë fluturime të tjera?”

Pak, por do të ketë në vijimësi.

Mirëditori socialist thotë “kur do të ngrihet Gjykata Kushtetuese.

Kjo tregon që temat kryesore u ezauruan dhe mirëditorit socialist i them se Gjykata Kushtetuese do të ngrihet me Covid, pa Covid, sipas procesit dhe procedurave.

Përshëndetje të gjithëve! Durim, besim dhe do t’ia dalim!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.