Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën e COVID-19 dhe Fazën II të lehtësimit të masave:

Përshëndetje të dashur miq!

Sot patëm një diskutim shumë të dobishëm në mbledhjen e qeverisë mbi strategjinë dhe taktikën e asaj që tanimë njihet botërisht si Faza II.

Më parë dua t’ju informoj se në kuadrin e konsultimeve me miq dhe kolegë kryeministra kam pasur një bashkëbisedim shumë pozitiv me Kryeministrin Mitcotaqis kryesisht lidhur me pikërisht Fazën II. Kemi diskutuar konkretisht rezultatet e derikëtushme në përballjen me armikun e padukshëm në të dyja vendet, strategjinë e testimit, lehtësimin e masave, procesin arsimor, planin e hapjes së sezonit turistik, por edhe specifikisht interesin reciprok për lehtësimin e ndërveprimit lidhur me punësimin sezonal. Gjeta rastin ta falenderoj me gjithë zemër mikun grek, për mirëkuptimin e premtuar më parë dhe të tregugar gjatë gjithë kësaj periudhe për ata punonjës që sezonalë që mbetën matanë kufirit, por nuk u trajtuan si shkelës të afateve në shtetin fqinj. Nga ana tjetër dakordësuam që të shohim me vëmendje bashkarisht problemin e lëvizjes së punonjësve sezonalë më tej, nga Shqipëria në Greqi, sipas kalendarit të Fazës II dhe për nevojën reciproke që t’i çelet rrugë përfshirjes së tyre në aktivitetin e sezonit rreth mesit të muajit maj.

Shkëmbimi i eksperiencës dhe informacionit me sa më shumë vende dhe edhe drejtpërdrejtë në nivelin më të lartë është një kyç në suksesin që kemi arritur të gjithë sëbashku deri këtu dhe do të vazhdojë të jetë për mua, një praktikë e pandashme deri në fund të kësaj lufte me kaq të panjohura ende. Por shkëmbimi në këtë aspekt mes vendeve fqinjë dhe posaçërisht në këtë rast me një vend si Greqia, për vetë ndërlidhjen e madhe që kemi për nga niveli i lëvizjes së njerëzve mes nesh, është një domosdoshmëri.

Duke u kthyer tek diskutimi i sotëm në qeveri, ja cilat janë gjërat që dua të ndaj me ju.

E para dhe kryesorja, Faza II e strategjisë sonë të luftës me këtë armik të padukshëm nuk është se ndryshon shumë nga ajo e vendeve të tjera, por qasja jonë në këtë fazë do të jetë pak më e ndryshme taktikisht sesa në shumë vendeve të tjera. Si dhe pse?

Po e filloj nga “Pse”-ja.

E po e filloj duke ju përsëritur se virusi nuk ikën meqë ne rrimë mbyllur. Kur ne rrimë mbyllur, virusi nuk na vrit dot, siç do të na vriste sikur ne të mos mbylleshim. Por ama, ai është aty, është mbrapa derës së secilit prej nesh dhe sapo dalim nga shtëpia e vogël, apo sa e hapim derën e shtëpisë sonë të madhe, të përbashkët, vendit tonë për të dalë, ne jemi të ekspozuar nga mundësia që ai të na godasë përsëri. Prandaj mblidheni mendjen top se deri kur të dalë vaksina, ne do të duhet të jemi çdo moment të vëmendshëm si individë, si familje dhe si shoqëri, që të mos goditemi prej tij, ashtu sikundër nuk u goditëm as në Fazën e parë.

Kjo do të thotë që duhet ta mbledhim mendjen që deri në daljen e vaksinës, normaliteti ynë i ri nuk do të ngjajë me normalitetin që kishim përpara sesa të niste kjo luftë e papritur. Shqipëria, rajoni, Europa, bota nuk do të jenë si më parë, pa u zhdukur paraprakisht ky armik i shëndetit, i ekonomisë, i lirive dhe të drejtave tona si njerëz, që jemi mësuar të japim duart, të takohemi, të përqafohemi, të mblidhemi bashkë, të qëndrojmë sëbashku për të mësuar, për të punuar, për t’u argëtuar, për të gëzuar me njëri-tjetrin dhe deri (largqoftë!) për të ngushëlluar njëri-tjetrin kur humbim një njeri të dashur.

Imagjinoni vetëm këtë; Për të ruajtur veten, familjen, të tjerët, ne nuk duhet të shkelim më në shtëpitë e njëri-tjetrit, pa u zhdukur më parë ky armik. Por nga ana tjetër, as nuk mund të rrimë mbyllur pafund, sepse është njësoj si të mbyllesh familjarisht në shtëpi pa mundur më të gjenerosh të ardhura për familjen, pasi të kanë mbaruar edhe kursimet dhe kanë mbaruar (largqoftë!) edhe të afërmit e miqtë që mund të të ndihmojnë.

E paimagjinueshme dhe faktikisht e parealizueshme, qoftë për një familje, qoftë për një shtet, qoftë epër të gjithë shtete bashkë, që janë sot në botën ku jetojmë kaq shumë të ndërvarur në fatet e tyre nga njëri-tjetri.

Atëherë, si i bëhet?

I bëhet tamam si ajo shprehja “luan macja me miun”, ku miu nuk rri dot pa dalë nga vrima se përndryshe ngordh, por kur del e ka mendjen jo vetëm të ushqehet, por edhe të mos kthehet në ushqim për vetë macen. Natyrisht, çdo krahasim çalon, por sot vetëm ata që e kanë mendjen në gjumë dhe vetëm gojën kanë punë, mund të thonë që ne nuk do të kishim pasur tamam fatin e atij miut të pavëmendshëm, nëse nuk do të kishim qenë kaq të shpejtë e kaq të vëmendshëm qyshse ky armik na erdhi në derë si një mace e egër në kërkim të ushqimit në trupat tanë dhe të njerëzve tanë të dashur.

Ne do të përdorim një taktikë të copëtimit të valës goditëse të armikut gjatë Fazës II. Që do të thotë, do të hapemi me kujdes, do të hapemi kudo, por jo kudo njësoj dhe njëkohësisht. Ҫfarë do të thotë kjo?

Po ta shohim sot, bilancin e Shqipërisë në hartën e Ballkanit, të Europës, apo të botës, po të doni, ne hyjmë në grupin e vendeve më të suksesshme aktualisht në dy parametrat kryesorë. Të gjithë janë të rëndësishme, por dy janë kryesore, numri i të vdekurve për një milionë banorë dhe numri i të sëmurëve në terapi intensive në raport me numrin e të infektuarve. Sepse masat e forta shtrënguese kanë funksionuar më së miri deri këtu, falë qeverisë që i mori shpejt dhe më lejoni ta them, deri këtu ka bërë një menaxhim shembullor, por mbi të gjitha falë jush, falë qytetarëve shqiptarë që në 99% keni qenë engjëjt mbrojtës të familjeve tuaja dhe vetë popullit, të cilit të gjithë i përkasim.

Por, po të shohim nga ana tjetër hartën e Shqipërisë, kemi një pamje të qartë të faktit se vala e goditjes së armikut nuk ka qenë kudo e njëjtë. Që do të thotë që, nëse hapemi kudo njësoj dhe njëkohësisht, ne rrezikojmë ta zgjerojmë, jo ta ngushtojmë fushëveprimin e armikut, gjë që do t’u kushtonte padrejtësisht të gjithëve, njësoj një kthim të të gjithëve mbrapa, sepse numri i të infektuarave dhe si pasojë (mos o Zot!) i të vdekurve dhe i pacientëve në nevojë për terapi intensive, duke u hapur të gjithë njësoj kudo, rritet përtej një niveli garancie për sistemin shëndetësor.

Prandaj ne do të hapemi kudo, por jo njësoj. Përshembull, në një zonë si Gjirokastra apo Dibra ku risku është sot për sot shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim të masave, ndërsa në një zonë si Kruja për momentin asnjë lehtësim, apo në një zonë si Tirana apo Durrësi që kanë intensitet popullate, një lehtësim të moderuar. Natyrisht këto zona nuk janë të dhëna njëherë e përgjithnjë, por mund të variojnë në bazë të dinamikës së luftës, në bazë të shifrave të të infektuarve dhe të sjelljes së qytetarëve në raport me rregullat.

Kjo qasje taktike do të na lehtësojë, por dhe do të na mësojë shumëçka gjatë muajit maj, por mbi të gjitha do të na garantojë një hapje shumë më të sigurtë dhe me një risk shumë më ulët që të mos kthehemi të gjithë mbrapsht, për shkak se u rrit shpejt kudo efekti i valës goditëse.

E nga ana tjetër, kjo qasje do të lehtësojë shumë në zona të ndryshme lëvizjen në këmbë apo me automjet brenda për brenda zonës, pa i detyruar zonat me risk të ulët, të rrinë mbyllur njësoj si një zonë me risk të lartë për shkak se në një zonë me risk të lartë, jashtë kontaktit me ta, ka një zinxhir infeksioni.

Kështu që, brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizjen në territorin përkatës, duke e hequr atë dhimbjen e kokës së njerëzve të fshatit psh për të shkuar në qytet apo të një familje të tërë për të ndenjur brenda sepse vetëm një anëtar i saj mund të dalë për pazar. Po ashtu dhe fashat orare nuk kanë pse të jenë njësoj, uniform, si në zonat me risk të ulët, ashtu dhe në zonat me risk të lartë.

Nga ana tjetër, sjellja e duhur e komunitetit mund ta mbajë zonën me risk të ulët në vazhdimësi.

Ashtu sikundër masat e shtrënguara në një zonë me risk të lartë dhe respektimi i tyre nga të gjithë qytetarët, mund ta kthejnë atë, më shpejt se vonë, në një zonë me risk të ulët. Besoj se më kuptoni në çka po them, por sigurisht ky është parimi taktik i fragmentimit të valës goditëse të armikut, të cilin do ta shpjegojmë, argumentojmë dhe artikulojmë konkretisht qysh prej javës së ardhshme, kur në bazë të hartës së ekonomisë dhe të propozimit të Ministres së Shëndetësisë do të pilotojmë në disa zona me risk të ulët një lehtësim më të madh të masave sesa në pjesën tjetër të vendit.

Kjo ishte e para dhe kryesorja nga diskutimi i sotëm.

E dyta, folëm në qeveri për domosdoshmërinë e zbatimit të protokolleve të sigurisë nga bizneset. Po hapim dhe do të vazhdojmë të hapim aktivitetin ekonomik, por ama nuk mund dhe nuk do të tolerojmë asnjë shmangie nga protokolli. Me hyrjen në fuqi të masave të reja në Kodin Penal, për të cilat janë dakord dhe qeveria dhe Presidenti, – pse e them këtë, – sepse ju mund ta imagjinoni vetë se sa të domosdoshme dhe sa të rëndësishme janë këto masa të reja, përderisa dy palë që vijnë nga një konflikt jo i vogël para një muaji e pak, kanë konsensus të plotë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, – që do të thotë se pasojat e shmangies së protokolleve janë të patolerueshme, janë të papranueshme, të pajustifikueshme dhe janë të ndëshkueshme, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht.

Po bëj një ilustrim. Një trim që deri më sot hapte lokalin e lagjes, kapej, gjobitej dhe mbyllej, tanimë kapet, gjobitet, i sekuestrohet dhe malli dhe përfundon deri edhe prapa hekurave për kërcënim të drejtpërdrejtë të shëndetit të njerëzve.

Prandaj të jemi shumë të qartë.

Sot, nuk shkohet më në punë si deri dje, për të hapur dyqanin dhe për të bërë lekë, por shkohet dhe për të mbrojtur shëndetin e personelit dhe të blerësve. Psh ata që kanë një ndërmarrje fason, nëse nuk zbatojnë protokollet e sigurisë dhe kapen në shkelje të tyre, nuk ja hedhin dot më me një gjobë dhe me një mbyllje të aktivitetit, por mund të përfundojnë edhe ata prapa hekurave për përhapje, me ose pa dashje të epidemisë me pasojë largqoftë vdekjen e njerëzve.

Prandaj ju bëj edhe njëherë thirrje. Mos i hapni dyert dhe mos i ngrini qepenat e njësive tuaja ekonomike pa marrë në portalin “e urryer” e-albania, vërtetimin që biznesi juaj mund të punojë dhe protokollin përkatës të sigurisë shëndetësore për kategorinë e biznesit tuaj.

Taskforca ndërinstitucionale anticovid, e cila po ngrihet do të bëjë kontrolle të vazhdueshme dhe nuk do të tolerojë, duke filluar nga java e ardhshme nëse nuk gjen në mjedisin tuaj të biznesit vërtetimin që mund të jeni të hapur dhe protokollin përkatës. Nuk ka llafe në këtë pikë.

E meqë jemi tek e-albania. Mos harroni të merrni autorizimet për automjetet për punë. Ndërkohë që po punojmë pa pushim që të garantojmë dhe ata që kanë autorizime nga policia e shtetit për të lëvizur jashtë fashave orare për shkak të natyrës së punës që të mos ketë probleme me autorizimin online. Sidoqoftë, deri kur të kemi funksionalitet të plotë për këtë kategori, autorizimi i policisë së shtetit edhe për disa ditë mund të mbetet i vlefshëm. Ndërkohë që, autorizimi me email për të lëvizur brenda fashave të përgjithshme orare, nuk ka më vlerë ditën e hënë më 27 prill.

E treta dhe e fundit sic ju thashë dje, një masë shumë e madhe aplikuesish për paketën e parë që u ankuan se u refuzuan, morën emailin e konfirmimit nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve se përfitojnë 40 mijë lekë nga paketa e zgjeruar. Pra, nuk u refuzuan, por ishin në kategorinë e paketës se zgjeruar. Ndërkohë që nesër janë 11 mijë nga 13 mijë aplikantët e parë të paketës së zgjeruar që do të marrin 40 mijë lekë.

Ndërkohë që, sic ju thashë dje, brenda javës mbyllen edhe verifikimet e ankimimeve për paketën e parë, prej ku më informuan nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve se priten edhe disa mijëra përfitues të tjerë.

Kështu pra miq, jemi në një situatë shumë pozitive, mos marrshim më sysh, por as nuk jemi jashtë rrezikut te madh, as nuk duhet të na gënjejë mendja se kjo luftë iku, apo se do mbarojë nesër dhe gjithçka do kthehet si më parë. Por, pa diskutim, pikërisht se deri këtu kemi bërë, keni bërë kaq shumë dhe bashkërisht kemi arritur rezultate kaq domethënëse, sot mund ta shohim muajin maj me optimizëm por pa humbur asnjë cast vëmendjen mbi faktin se hapja e mëtejshme apo kthimi pas aty ku ishim varen vetëm nga ne, varet nga sjellja e gjithsecilit, në mbrojtje të rezultatit të derikëtushëm, duke u hapur më tej, pa harruar të lajmë duart sa më shpesh, të mos afrohemi më shumë se 1 metër e gjysmë me të tjerët jashtë shtëpisë, të mos qëndrojmë me më shumë se 1 person në rrugë, të mos tolerojmë shitës pa maska, të mos futemi më shumë se dy vetë në një dyqan të vogël, të mos grumbullohemi në hyrje të tregjeve apo të bankës, por të mbajmë radhë, e kështu me radhë e me radhë.

Janë gjëra të lodhshme, janë gjëra të vogla, por janë gjëra jetike, e nëse gjithsecili bën këto çdo ditë edhe hapja do të jetë më e gjerë dhe më e sigurtë çdo javë dhe muajt që vinë më të lehtë. Prandaj shëndet, durim, besim dhe këmbëngulje me vetëdijen se nëse secili bën gjënë e duhur, gjithçka tjetër është dytësore.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.