Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave, datë 10 Prill 2020:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT TË RISTRUKTURIMIT TEKNIK DHE MENAXHUES TË KESH, SH.A.-SË DHE FUQIZIMIN E SISTEMIT ELEKTRIK SHQIPTAR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9045, DATË 3.4.2003

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit të ristrukturimit teknik dhe menaxhues të KESH, sh.a.-së dhe fuqizimin e sistemit elektrik shqiptar, ratifikuar me ligjin nr.9045, datë 3.4.2003, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS DHE TË PROCEDURËS SË DHËNIES SË NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE PËR FOSHNJAT E PORSALINDURA DHE MËNYRËN E BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET INSTITUCIONEVE TË SHËRBIMIT SPITALOR DHE ATYRE TË GJENDJES CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. MASA E DHËNIES SË NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE

1. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) për prindin/prindërit me foshnja të porsalindura është, si më poshtë vijon:

a) Në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë për lindjen e foshnjës së parë;
b) Në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për lindjen e foshnjës së dytë;
c) Në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim;
ç) Për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilën foshnjë;
d) Për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe më shumë), masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilën foshnjë.

2. Në masën e ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfshihet edhe shpërblimi në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për regjistrimin e lindjes brenda afatit, të përcaktuar në pikën 4, të nenit 41, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar.

II. PROCEDURA PËR DHËNIEN E NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE

1. Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi), sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, e përfitojnë:

a) prindi/prindërit, shtetas shqiptarë për foshnja të lindura brenda ose jashtë vendit dhe të regjistruara sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile;
b) prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin e Kombëtar të Gjendjes Civile.

2. Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të prindit dhe regjistron foshnjën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.
Pas regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi.

3. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi), sipas përcaktimeve të pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, i jepet prindit/prindërve, menjëherë pas lëshimit të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”, në përfundim të procedurave të regjistrimit të foshnjës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
Në rastin kur foshnja ndërron jetë pas lindjes, por për të është plotësuar nga ana e institucionit spitalor dokumenti “Certifikatë asistence në lindje”, prindi/prindërit përfitojnë ndihmën e menjëhershme financiare (bonusin) pasi të kryhet regjistrimi në RKGJC, nga ana e nëpunësit të shërbimit të gjendjes civile dhe të lëshohet dokumenti “Certifikatë nga akti i lindjes” dhe certifikata familjare sipas përcaktimeve të pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi.

4. Masa e ndihmës së menjëhershme financiare jepet në formën e një çeku, të emetuar në emër të prindit/prindërve, dhe ose sipas rasteve të përcaktuara në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi, dhe të pagueshëm:

a) 35 (tridhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”;
b) 75 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”;
c) 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”;
ç) Diferenca e mbetur prej 5 (pesë mijë) lekësh, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të foshnjës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

5. Vlera e përcaktuar në çek tërhiqet në bankat e nivelit të dytë me të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.

III. MËNYRA E BASHKËPUNIMIT NDËRMJET INSTITUCIONEVE TË SHËRBIMIT SPITALOR DHE ATYRE TË GJENDJES CIVILE

1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale miraton formatin e dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”, e cila është e njëjtë në të gjitha institucionet e shërbimit spitalor publik dhe miraton formatin e shërbimit spitalor jopublik që ka vendosur vetë institucioni.

2. Institucioni i shërbimit spitalor publik ose jopublik ku ndodh lindja e foshnjës plotëson dokumentin “Certifikatë asistence në lindje” në dy kopje dhe pajis prindin/prindërit me një kopje të saj. Orari i pajisjes së prindit/prindërve me dokumentin “Certifikatë asistence në lindje” është nga ora 9:00 deri në 13:00, nga e hëna në të shtunë. Orari i nëpunësit të shërbimit të gjendjes civile pranë shërbimit spitalor publik ose jopublik është nga ora 09:00-14:00, nga e hëna në të shtunë.

3. Prindi/prindërit e pajisur me dokumentin “Certifikatë asistence në lindje” paraqiten para nëpunësit të shërbimit të gjendjes civile, të ngarkuar me detyrë pranë institucionit të shërbimit spitalor për mbajtjen e “Aktit të lindjes”, çdo ditë, nga e hëna në të shtunë, nga ora 9:00 deri në 13:00. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, në prezencë të prindit/prindërve, administron dokumentin “Certifikatë asistence në lindje”, si dhe mjetin e identifikimit të tyre.

4. Kopja e dytë e dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”, së bashku me fotokopjen e dokumentit të identitetit të prindit/prindërve i jepet zyrtarisht (dorëzohet) me procesverbal nga personi i autorizuar i institucionit të shërbimit spitalor te nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, i ngarkuar me detyrë pranë institucionit të shërbimit spitalor, në përfundim të çdo dite.

5. Për lindjet e ndodhura jashtë institucionit të shërbimit spitalor, si banesë, tren, anije etj. apo në çdo ambient tjetër që nuk është përmendur në këtë vendim personeli që asiston ose verifikon lindjen ka detyrimin të plotësojë dokumentin “Cerfikatë asistence në lindje” e të pajisë me një kopje të saj prindin/prindërit dhe kopjen e dytë ta dorëzojë brenda 5 (pesë) ditëve nga data e lindjes së foshnjës në zyrën e gjendjes civile në territorin ku ka ndodhur lindja.

6. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, pasi ka administruar dokumentet e listuara sipas pikave 4 dhe 5, të këtij kreu, kryen verifikimin në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, verifikon përbërjen familjare, numrin e foshnjave, dhe pasi bie dakord me prindin/prindërit mbi numrin e pjesëtarëve të familjes, printon certifikatën me gjendje familjare para mbajtjes së aktit të lindjes.

7. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile mban aktin e lindjes, në prezencë të prindit/prindërve, sipas procedurës së përcaktuar për këtë qëllim. Pas mbajtjes së aktit të lindjes printon certifikatën nga akti i lindjes, si dhe certifikatën familjare, duke pasqyruar në përbërjen familjare edhe foshnjën.

8. Në rastet kur prindi/prindërit kanë pretendime mbi numrin e anëtarëve të familjes, nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile kryen verifikimet e nevojshme deri në zgjidhjen përfundimtare.

9. Certifikatat e plotësuara dhe të lëshuara sipas pikës 8, të këtij kreu, kanë shënimin “Lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare” (Baby Bonus).

10. Prindi/prindërit pasi janë pajisur me certifikatat e sipërpërmendura, paraqiten pranë nëpunësit të autorizuar nga institucioni i shërbimit spitalor ku ka ndodhur lindja, për tërheqjen e çekut.

11. Në rastet kur prindi/prindërit nuk mbajnë aktin e lindjes së foshnjës në institucionin e shërbimit spitalor, personi i autorizuar pranë institucionit të shërbimit spitalor ia depoziton kopjen e dokumentit “Certifikatë asistence në lindje” nëpunësit të gjendjes civile të atashuar pranë këtij institucioni për verifikimin e pjesëtarëve të familjes. Nëpunësi i gjendjes civile i atashuar pranë shërbimit spitalor publik/jopublik lëshon certifikatën familjare të prindit/prindërve dhe ia jep nëpunësit të autorizuar të institucionit spitalor, me qëllim përcaktimin e vlerës së çekut. Të gjitha veprimet e sipërpërmendura bëhen në prani të prindit/prindërve.

12. Për rastet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, çeku lëshohet në emër të prindit/prindërve pasi foshnja regjistrohet si shtetas i Republikës së Shqipërisë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

13. Për foshnjën e lindur në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe të braktisur nga prindi/prindërit, për emetimin e çekut kujdestarit ligjor të fëmijës, merren parasysh afatet për marrjen e kujdestarisë ligjore, sipas legjislacionit në fuqi.

14. Pas verifikimit, nëpunësi i autorizuar i shërbimit spitalor plotëson dy çeqe. Çeku i parë do të jetë në vlerat e përcaktuara në pikën 4, të kreut II, të këtij vendimi.

15. Çeku i dytë do të jetë në masën prej 5 000 (pesë mijë) lekë dhe do të emetohet nga banka pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të foshnjës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

16. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile me detyrë pranë institucionit të shërbimit spitalor publik ose jopublik, çdo ditë të hënë, bën bilancin e të gjitha dokumenteve “Certifikatë asistence në lindje” të mbajtuara gjatë javës pararendëse dhe të dorëzuara nga institucioni i shërbimit spitalor, sipas pikës 2, të këtij kreu, duke evidentuar ato raste për të cilat është mbajtur akti i lindjes.

17. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, për rastet kur prindi/prindërit refuzojnë të bëjnë regjistrimin e foshnjës së lindur pranë institucionit të shërbimit spitalor ku ka ndodhur lindja, i dërgon Zyrës së Gjendjes Civile të vendbanimit të nënës dokumentin “Certifikatë asistence në lindje”, së bashku me dokumentin e identitetit të prindit/prindërve.

18. Nëpunësi i gjendjes civile pranë institucionit të shërbimit spitalor i dërgon informacion me shkrim Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, çdo ditë të hënë, për dokumentet “Certifikatë asistence në lindje”, të mbajtuara në javën pararendëse dhe të përcjella për veprim të mëtejshëm në zyrat e gjendjes civile të vendbanimit të nënës.

19. Në rastin kur akti i lindjes nuk mbahet në institucionin e shërbimit spitalor, prindi/prindërit ose njëri nga personat e parashikuar nga ligji i shërbimit të gjendjes civile, për deklarimin e lindjes paraqiten pranë zyrës së gjendjes civile ku kanë vendbanimin. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, pas paraqitjes së deklaruesit, kryen veprimet sipas legjislacionit në fuqi dhe pajis me certifikatat e nevojshme deklaruesin.

20. Nëpunësit e zyrës së gjendjes civile ku ka vendbanimin prindi/prindërit, të cilit i ka ardhur njoftimi “Certifikatë asistence në lindje”, verifikon fillimisht nëse është regjistruar foshnja e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Nëse foshnja nuk është e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile e regjistron atë në Regjistrin e Përkohshëm.

21. Pas regjistrimit të foshnjës në Regjistrin e Përkohshëm, nëpunësi i gjendjes civile vepron në përputhje me legjislacionin në fuqi për gjendjen civile.

22. Në rastet kur lindja ka ndodhur në shërbimin spitalor jopublik të licencuar sipas legjislacionit në fuqi, prindi/prindërit pasi e regjistrojnë foshnjën në zyrën e gjendjes civile, pajisen me certifikatën personale nga akti i lindjes dhe familjare me shënimin:

—“Lindje në institucion jopublik (emri i institucionit), lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare” (Bonusi),

do të paraqiten pranë Shërbimit Social Shtetëror për tërheqjen e çekut, sipas vlerave të përcaktuara në këtë vendim. Përfituesit e çeqeve paraqesin pranë Shërbimit Social Shtetëror:

a) certifikatën e lindjes, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile;
b) certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile;
c) kartat e identitetit të prindit/prindërve.

25. Në rastet kur akti i lindjes është mbajtur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nëpunësi i zyrës së gjendjes civile pasqyron lindjen në RKGJC, sipas procedurës. Nëpunësi, pasi verifikon nëse lindja është pasqyruar sipas afateve ligjore brenda 90 ditëve pajis deklaruesin me certifikatën personale e familjare me shënimin:

— Lindje jashtë shtetit, nr… akti, datë…, muaj…, viti, vendin ku ka ndodhur lindja, lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare, regjistruar brenda afatit 90-ditor (Bonusi),

i cili do të paraqitet pranë Shërbimit Social Shtetëror për tërheqjen e çekut, sipas vlerave të përcaktuara në këtë vendim. Përfituesit e çeqeve paraqesin pranë Shërbimit Social Shtetëror:

a) certifikatën e lindjes, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile;
b) certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile;
c) kartat e identitetit të prindit/prindërve.

26. Në rast se deklarimi i aktit të lindjes të mbajtur jashtë vendit kryhet jashtë afatit 90-ditor, nëpunësi i gjendjes civile kryen pasqyrimin e lindjes në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, pajis deklaruesin me certifikatën personale e familjare me shënimin:

— Lindje jashtë shtetit, nr..akti, datë…, vendin ku ka ndodhur lindja, “Për përfitim të ndihmës së menjëhershme financiare Bonus, regjistruar jashtë afatit 90-ditor, nuk përfiton çekun prej 5 000 pesë mijë lekësh).

Në këto raste prindi/prindërit nuk përfitojnë pagesën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.

27. Për të gjitha rastet që nuk janë parashikuar nga ky vendim veprohet sipas legjislacionit në fuqi.

28. Tërheqja e çekut (Baby Bonus) bëhet personalisht nga prindi/prindërit dhe afati është 1 vit kalendarik nga dita e lindjes së foshnjës, për foshnjat e lindura brenda ose jashtë shtetit.

29. Të gjitha institucionet e shërbimit spitalor, publike dhe jopublike, që kanë shërbimin e lindjes së foshnjës, duhet të bëjnë me dije dhe të kenë të njoftuar në mënyrë publike se në institucionin e tyre ofrohet edhe shërbimi i gjendjes civile për regjistrimin në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të foshnjës së porsalindur.

30. Drejtuesi i shërbimit spitalor, publik dhe jopublik, i licencuar sipas legjislacionit në fuqi, ka detyrimin t’i ofrojë kushte pune dhe një mjedis të përshtatshëm nëpunësit të shërbimit së gjendjes civile, brenda institucionit për kryerjen e detyrave të tij, sipas legjislacionit në fuqi.

IV. SANKSIONET

1. Zbatimi i përcaktimeve të bëra në këtë vendim nga ana e institucionit të shërbimit spitalor publik dhe/ose jopublik, që ka shërbimin e lindjes së foshnjës, është subjekt kontrolli nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

2. Në rast se strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë.

3. Shkelja e përcaktimeve të bëra në këtë vendim nga ana e institucionit të shërbimit spitalor, publik dhe/ose jopublik, që ka shërbimin e lindjes së foshnjës, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) do të jepet sipas përcaktimeve në vendimin nr.740, datë 12.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (Bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij”, për të gjithë përfituesit që kanë nisur procedurat për marrjen e këtij përfitimi, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Vendimi nr.740, datë 12.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (Bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN SI DHE PROCEDURAT E NIVELI I TARIFAVE TË SHËRBIMEVE QË DO TË OFROHEN NGA AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE (ATRAKO)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 12, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit së Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekt i këtij vendimi janë organizimi dhe funksionimi i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (në vijim ATRAKO), në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e koncesioneve/partneritetit publik privat dhe me këtë vendim, si dhe procedura për përcaktimin e tarifave të shërbimeve që do të ofrohen nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO).

2. ATRAKO është institucion publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për ekonominë. Buxheti i Agjencisë financohet nga buxheti i shtetit, gjithashtu, dhe nga donatorë të ndryshëm dhe miratohet me buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, si zë i veçantë.

3. Misioni i ATRAKO-s është të nxisë dhe të asistojë autoritetet kontraktuese në përgatitjen, vlerësimin dhe negociimin e koncesioneve/partneriteteve publike private.

4. ATRAKO ka fushë përgjegjësie ndihmën dhe këshillimin e autoriteteve kontraktuese si dhe sigurimin e standardeve për zbatimin e procedurës së koncesionit, nëpërmjet unifikimit dhe hartimit të modeleve standarde.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË ATRAKO-S

ATRAKO ka përgjegjësitë, si më poshtë vijon:

a) Të organizojë punën për të nxitur dhe këshilluar autoritetet kontraktuese në fushën e koncesioneve/partneriteteve publike private;
b) Të organizojë punën për hartimin dhe unifikimin e modeleve standarde;
c) Të organizojë punën për monitorimin dhe analizimin e tendencave aktuale evropiane dhe globale në fushën e koncesioneve/partneriteteve publike private, me qëllim propozimin e ndryshimeve ligjore dhe promovimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I ATRAKO-S

1. ATRAKO e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.

2. Struktura dhe organika e ATRAKO-s miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

3. ATRAKO kryen detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi në fushën e koncesioneve/partneritetit publik privat, si dhe në çdo akt tjetër ligjor e nënligjor që lidhet më këtë fushë.

4. ATRAKO bashkëpunon me ministritë e linjës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim mbledhjen e të dhënave mbi procedurat për dhënien me koncesion dhe partneritet publik privat.
Ministritë e linjës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të dorëzojnë pranë Agjencisë të gjitha kontratat e koncesionit/PPP, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pas nënshkrimit të tyre.

5. ATRAKO bashkëpunon me Agjencinë e Prokurimeve Publike, për të publikuar dokumentet standarde të procedurës konkurruese të koncesionit dhe partneritetit publik privat.

6. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë, me propozim të kryetarit të Agjencisë.

7. ATRAKO drejtohet nga kryetari, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët. Kryetari i ATRAKO-s përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ka detyrat, si më poshtë vijon:
a) Cakton objektivat dhe detyrat e njësive organizative në përbërje të ATRAKO-s;
b) Bashkërendon punën midis njësive organizative në përbërje të ATRAKO-s;
c) Nxjerr urdhra dhe udhëzime të brendshme, me qëllim marrjen e masave dhe përmbushjen me efikasitet të detyrave e të objektivave të ATRAKO-s si dhe disiplinimin e aktiviteteve të saj.

8. Marrëdhëniet e punës së kryetarit dhe të nëpunësve të ATRAKO-s rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

9. ATRAKO ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e ATRAKO-s përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e (emri i ministrisë përgjegjëse), Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

10. Vula e ATRAKO-s ka formën dhe elementet e paracaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. PROCEDURA PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E OFRUARA NGA ATRAKO

1. ATRAKO siguron të ardhura nga shërbimet që kryen në dobi të autoriteteve kontraktuese dhe nga donatorë të ndryshëm.

2. Tarifa për shërbimet e ofruara nga ATRAKO shpallet në dokumentet e procedurës konkurruese dhe paguhet nga operatori fitues, përpara nënshkrimit të kontratës, me autoritetin kontraktues, si më poshtë vijon:

a) Për projekte koncesioni/PPP me vlerë investimi deri në 700 000 000 (shtatëqind milionë) lekë, tarifa është 700 000 (shtatëqind mijë) lekë;
b) Për projekte koncesioni/PPP me vlerë investimi mbi 700 000 000 (shtatëqind milionë) lekë deri në 2 100 000 000 (dy miliardë e njëqind milionë) lekë, tarifa është 1 400 000 (një milion e katërqind mijë) lekë;
c) Për projekte koncesioni/PPP me vlerë investimi mbi 2 100 000 000 (dy miliard e njëqind milionë) lekë deri në 7 000 000 000 (shtatë miliardë) lekë, tarifa është 2 800 000 (dy milionë e tetëqind mijë) lekë;
ç) Për projekte koncesioni/PPP me vlerë investimi mbi 7 000 000 000 (shtatë miliardë) lekë, tarifa është 4 200 000 (katër milionë e dyqind mijë) lekë.

3. Të ardhurat e përfituara sipas pikës 2, të këtij kreu, do të derdhen në buxhetin e shtetit.

4. Administrimi dhe veprimtaria financiare auditohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë dhe institucionet e tjera të ngarkuara me ligj për auditim.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Vendimi nr.150, datë 22.3.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO)”, i ndryshuar, shfuqizohet.

2. ATRAKO mbart të gjitha të drejtat dhe detyrimet e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, të krijuar me vendimin nr.150, datë 22.3.2007, të Këshillit të Ministrave.

3. Nëpunësit civilë të ATRAKO-s do të trajtohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ATRAKO për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.