Vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave, datë 14 Prill 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” TRUALL, PËR SIPËRFAQEN NDËRTIMORE SIPAS LIDHJES NR.1, TË PASURISË ME NUMËR 104/18, ZONA KADASTRALE 2136, BASHKIA SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore 156 m2, sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 104/18, zona kadastrale 2136, fshati Kënetë, Bashkia Shijak, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 104/18, zona kadastrale 2136, fshati Kënetë, Bashkia Shijak.
3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, të bëjë ndarjen e pasurisë me numër 104/18, zona kadastrale 2136, fshati Kënetë, Bashkia Shijak, në dy pasuri, truall dhe arë, për sipërfaqen ndërtimore që ndryshon në kategorinë e resursit “truall” dhe për sipërfaqen që mbetet në zërin kadastral “arë”, sipas planvendosjes që shoqëron lejen e ndërtimit.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, këshilli i Qarkut Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E PESTË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e pestë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, të hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në pjesën e pestë të rregullave teknike për industrinë e gazit të përfshihen rregulla për sistemin e transmetimit e të shpërndarjes, referuar kodeve të praktikave në vazhdim, si më poshtë vijon:
a) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G100 (A), tetor 2015, “Kërkesat e kualifikimit për ekspertët e impianteve energjetike të sistemeve të furnizimit me gaz”.
b) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 402, prill 2011, “Statistikat e rrjetit dhe dëmeve – Mbledhja dhe vlerësimi i të dhënave për zhvillimin e strategjive të mirëmbajtjes për rrjetet e shpërndarjes së gazit”.
c) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzues teknik G 452, nëntor 2013, “Shpimet dhe mbylljet në tubacionet e gazit me presion të lartë”.
ç) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 465-2, prill 2002, “Linjat e gazit me një presion operimi deri në 5 bar – Riparimi”.
d) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 2000, maj 2017, “Kërkesat minimale për ndërveprimin dhe lidhjen në rrjetet e furnizimit me gaz”.
dh) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzues teknik–info gaz nr.10, gusht 2015, “Impiantet e gazit natyror në zonat industriale dhe në fushat e përdorimit të gazit operacional”.
e) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 10, qershor 2018, “Mbrojtja katodike nga korrozioni (MKK) e tubacioneve të groposura, e tubacioneve në impiantet komplekse dhe enët depozituese prej çeliku; projektimi, ndërtimi, vënia në punë, operimi dhe mirëmbajtja”.
ë) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzues teknik G 473, janar 2018, “Metodat për zbulimin, vlerësimin, trajtimin dhe shmangien e dëmtimeve në tubacionet e gazit me presion të lartë”.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “SISTEMIMI I HAPËSIRAVE PUBLIKE NË LAGJEN “DONIKA KASTRIOTI”, ZONA E ÇERDHES NR.7”, BERAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Sistemimi i hapësirave publike në lagjen “Donika Kastrioti”, zona e çerdhes nr.7”, Berat.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Berat.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “Tokë truall + ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 476 121.37 (katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e një pikë tridhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 476 121.37 (katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e një pikë tridhjetë e shtatë) lekësh, të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Berat.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Berat.
8. Bashkia Berat të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Berat.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, për pasurinë e shpronësuar.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat dhe Bashkia Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA