Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar hapjen e disa zonave të gjelbra, ku ka rrezik të ulët të përhapjes së Covid19, si një fazë pilotimi për hapjen në fazat e mëtejshme të vendit, duke përcaktuar edhe hartën e zonimit sipas riskut. Konkretisht nga data 27 Prill do të ketë një lehtësim të posaçëm, por me rregulla strikte për lëvizjen në qarqet Dibër, Gjirokastër, në zonën e përbashkët të bashkive Pogradec, Përrenjas, Librazhd, në zonën e përbashkët të bashkive Sarandë, Himarë, Delvinë, Konispol, Finiq, si dhe në Bashkinë Divjakë.
Për të diskutuar mbi modalitetet e lehtësimit të lëvizjes në këto zona, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilluan sot në mbrëmje një video konferencë me kryetarët e këtyre bashkive. Kryeministri Rama kërkoi nga bashkiakët që të zbatohet përpikmërisht protokolli i lëvizjes, në mënyrë që këto zona të mos kthehen në të kuqe sa i përket riskut të përhapjes së pandemisë.
“Bazuar në opinionin e ministres së Shëndetësisë dhe të ekspertëve përkatës kemi hartëzuar një lëvizje të ndryshme për bashkitë tuaja, duke u nisur nga kalkulimet e bëra mbi modelin e kurbës dhe zhvillimin në dinamikë në territor të pandemisë dhe duke konsideruar riskun e ulët, por risku i ulët nuk do të thotë që ju jeni në zona që janë të paprekshme, ashtu sikundër nuk do të thotë që nëse rregullat nuk zbatohen në këto zona, nuk mund të kthehet nga e gjelbër në të kuqe ngjyra e riskut. Është shumë e rëndësishme që të merrni masat dhe personalisht në krye të kësaj pune të ndiqni nga afër të gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël mbyllur,” u shpreh Kryeministri Rama.
Duke iu referuar posaçërisht të moshuarve, si kategoria më e riskuar nga Covid-19, Kryeministri tha se fasha e orarit të lëvizjes për ta do të jetë e limituar deri në orën 08:30, kohë kur nuk do të lejohet asnjë grupmoshë tjetër të dalë nga shtëpia, nëse nuk ka një autorizim për të shkuar në punë.
“Do ketë një fashë të veçantë për pensionistët çdo mëngjes. Deri në orën 08:30 pensionistët do kenë liri lëvizjeje dhe në këtë fashë nuk do ketë këmbësorë të tjerë, përjashto ata që kanë autorizimin për të shkuar në punë. Është shumë delikate çështja e të moshuarve dhe për këtë duhet shumë kujdes që të garantohet që nuk do ketë problem. Nga ora 09:30 deri në 17:30 cilido mund të dalë, apo mund të lëvizë me makinë pa pasur nevojë për autorizim, por përsëri me kushtin: jo më shumë se 2 persona dhe absolutisht të mos lëvizin jashtë zonës. Policia do të angazhohet me shumë vëmendje për të vendosur postblloqe. Kush kapet në thyerje që ka lëvizur nga zona të tjera do të penalizohet. Është shumë e rëndësishme të mbyllni parqet. Policia duhet të ketë në vëmendje bashkë me Ushtrinë që të mos lejohet frekuentimi i parqeve,” u shpreh më tej Kryeministri, duke nënvizuar se “kjo javë që vjen deri në mes të javës tjetër do të na ndihmojnë për të kuptuar si ecën dinamika për një hapje më të madhe”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se pavarësisht kësaj hapjeje të parë, në çdo rast do të jenë gati frenat e emergjencës për rikthimin e kufizimeve në shfaqjen e parë të rrezikut në këto zona.
“Bazuar në një vlerësim dinamik, Komiteti Teknik i Eksperteve ka hartuar planin e lehtësimit gradual të masave, një plan i qartë, i bazuar në situatën aktuale, sigurisht edhe në një vlerësim në të gjithë qarqet e vendit, sa i përket transmetimit dhe zinxhirit të infeksionit. Do të ketë lehtësim të lëvizjes së qytetarëve në zonat e gjelbra, apo me risk të ulët të përhapjes së infeksionit, duke zbatuar disa protokolle strikte për të cilat kërkohet edhe angazhimi i bashkive. Ndaj duhet të përgatitemi këto dy ditë që të hënën që do të filloj zbatimi i këtij plani, nëpërmjet strukturave në bashki, por edhe në qark të bëjmë të mundur monitorimin e rregullave të reja. Ne kemi gati frenat e emergjencës për çdo rast. Nëse vërejmë që në një bashki ka rrezik ne menjëherë do të marrim masat që ta kthejmë në gjendjen e mëparshme”, tha Manastirliu.
Sipas protokollit të përcaktuar për zonat e gjelbra, automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 09:30 deri në orën 17:30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët. Gjithashtu, ndalohet rreptësisht hyrje-dalja e qytetarëve në perimetrin e këtyre zonave. Pensionistët do të lëvizin lirisht në këmbë deri në orën 08:30, orar gjatë të cilit nuk mund të lëvizë asnjë këmbësor tjetër, përveç atyre që kanë autorizim për punë. Nga ora 09:30 deri në 17:30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia, por me kushtin e ndalimit të qëndrimit të një vend të më shumë se dy personave sëbashku.
Newsroom
Hapja në zonat e gjelbra, fazë pilotimi në bashkitë me rrezik të ulët