Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vlora turistike po pasuron resurset e saj tërheqëse bregdetare me investime që synojnë të transformojnë plazhin natyral buzës së detit në një plazh urban të klasit të parë për vlonjatët e për turistët.
Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet që po kryhen për fazën e dytë të Lungomares në këtë qytet, ku veç rehabilitimit të shëtitores përgjatë gjithë vijës bregdetare do të krijohet një plazh i ri natyral, të cilit pritet t’i shtohen edhe dy pishina publike, një olimplike e një për fëmijë, parkim, si dhe shërbime të tjera për thithjen e sa më shumë vizitorëve.
“Do bëhet plazhi më i bukur i Vlorës. Do jetë si Jala. Plazh me 5 yje,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
I gjithë plazhi pritet të shtohet me rreth 630 metra gjatësi vijë bregdetare që mund të frekuentohet masivisht duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
“E gjithë zona do të ketë nënkalime me tunele për të gjithë pushuesit,” u shpreh kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.
Përgjatë të gjithë shëtitores së re do të ndërtohet një mur i ri mbajtës buzë shkëmbit, si dhe shkallare që do të shërbejnë për një akses më të lehtë të bregut të detit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.