Deklaratë e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati pas Raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015:
Në emër të Qeverisë Shqiptare dëshiroj të falenderoj misionin e OSBE/ODIHR-it për bashkëpunimin dhe monitorimin e procesit zgjedhor të 21 qershorit 2015 në Shqipëri.
Shqipëria dëshmoi vullnet të plotë për të realizuar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe nën transparencën e plotë të vëzhguesve ndërkombëtar ë, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së qeverisë shqiptare për t’u angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve vendore.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it evidenton përparimin në krahasim me proceset e mëparshme zgjedhore në vend, si dhe evidenton mangësi që mbeten për t’u adresuar.
Raporti evidenton qartë angazhimin e qeverisë shqiptare të konfirmuar nga Kryeministri për adresimin e plotë të këtyre rekomandimeve.
Shqipëria organizoi një proces zgjedhor të qetë, ku dita e votimit siç përshkruhet në raport, ishte krejt normale dhe vetë fushata elektorale u karakterizua nga një klimë zgjedhore pozitive dhe paqësore. Pjesëmarrje aktive e minoriteteve, promovimi në të gjitha nivelet i barazisë gjinore, programet edukative dhe informimi bënë këto zgjedhje më gjithëpërfshirëse, duke siguruar një hapësirë përfaqësimi të garantuar për të gjithë.
Përtej hapave dukshëm pozitiv bërë nga Shqipëria, evidentimi i mangësive që mbeten për t’u adresuar është për ne një udhërrëfyes për ato hapa që duhet të ndërmerren me synim konsolidimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe praktikat më të mira dhe angazhimet e OSBE/ODIHR-it.
E vlerësojmë metodologjinë e Raportit, i cili përmban rekomandime specifike, për raste specifike, që do të na mundësojnë veprime për institucionet e administrimit zgjedhor në Shqipëri, partitë politike dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces. Në këtë kuadër, shprehim angazhimin konkret të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët e institucionet zgjedhore në Shqipëri, në funksion të përmirësimit dhe konsolidimit të demokracisë, sikundër për të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjor ë që do të mundësojnë përmirësimin e mëtejshëm e procesit zgjedhor në vend.
Mirëpresim në këtë rast, gjithashtu, përfaqësinë e OSBE/ODIHR-it për të diskutuar në Tiranë më konkretisht se si mund t’i përkthejmë rekomandimet më specifikisht në një plan të qartë veprimi për të gjithë aktorët që përfshihen në procesin zgjedhor.
Qeveria Shqiptare shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata aktorë që me profesionalizmin e tyre kontribuuan në organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke mundësuar shënimin e një hapi të rëndësishëm përpara në Shqipëri.
Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen këtu jam i hapur për pyetje nëqoftëse do të ketë.
***
Zoti Bushati, raporti, sipas opozitës, është raporti më i keq i dhjetë viteve të fundit.
Së pari, këtu unë jam tek Selia e Këshillit të Ministrave. Nuk jam në selinë e një partie politike.
Së dyti, më lejoni t’ju informoj, dhe përmes jush gjithë opinionin publik, që një që raporti iu dorëzohet autoriteteve shqiptare, nuk iu dorëzohet partive politike. Ndoshta, ky është dhe një element që duhet precizuar më tej.
Së treti, nuk më surprizon leximi i ndryshëm që i bëhet raportit nga aktorë të ndryshëm politikë. Mund t’ju them qartë dhe mund t’ju ftoj që të bëjmë një krahasim të të gjithë raporteve të OSBE/ODIHR-it në Shqipëri. Të krahasojmë qoftë me zgjedhjet e 2011-ës, ku flitet qartë për përdhunim të rregullave të lojës, për ndryshim të rregullave të lojës, për një KQZ totalisht partizane. Ndërsa sot, flasim për një politizim të procesit zgjedhor për shkak se aktorët janë të tillë; për mënyrën se si u administrua procesi zgjedhor në 2011-ën, për atë se çfarë ngjall me përfshirjen e gjyqësorit dhe trysninë që u bë në mënyrë që rezultati të inxhinierohej. Ndërsa sot jemi në kushtet kur mangësitë vihen re si përsa i përket zbatimit të ligjit në tërësinë e tij, nga të gjithë institucionet e përfshira, nga të gjithë aktorët apo mangësi të karakterit ligjor, që do të përmirësojnë më mirë integritetin e procesit zgjedhor. Besoj se duhet të ekzistojë gjithë vullneti i të gjithë aktorëve politikë, jo thjesht i qeverisë shqiptare për t’i administruar sa më mirë zgjedhjet, të cilat janë në prag. Ndaj ne shprehim angazhimin si qeveri shqiptare, për të punuar jo thjesht me ODIHR-in, me ekspertët e ODIHR-it, por me të gjithë aktorët politikë për ta konsoliduar këtë proces.
Unë mund t’i shkoja dhe frazave të ndryshme të raportit, mund t’i referohesha dhe faktit që sipas vlerësimit jo thjesht dita e votimit, por në 93% të qendrave të votimit procesi vlerësohet si një proces i ndershëm, çka bie totalisht në kundërshtim me vetë vlerësimet që ka pasur OSBE/ODIHR-i për zgjedhjet e mëparshme, ku thuhej që një pjesë e mirë e procesit të numërimit nëpër qendrat e numërimit nuk e kalonte klasën sipas OSBE/ODIHR-it. Ndërkohë këtu, në këtë Raport ne nuk kemi një klasifikim të tillë, as përsa i përket procesit zgjedhor, as përsa i përket integritetit të procesit të numërimit.
Natyrisht, ka elementë të cilët duhet të adresohen si përsa i përket funksionimit të KQZ-së, administrimit të procesit zgjedhor në nivel kapilar, një rol më të mirë të medias, një përsosmërie përsa i përket etikës në procesin zgjedhor dhe ndarjes së shtetit nga pushteti. Në qoftë se në raporte të tjera kemi pasur fraza rrënqethëse përsa i përket mungesës së vijës ndarëse mes shtetit dhe pushtetit, në këtë raport për herë të parë, përveç problematikave që evidentohen në këtë drejtim, evidentohet nga ana tjetër edhe vullneti i qeverisë, i Kryeministrit përsa i përket rastit të legalizimeve për të mos e përsëritur si praktikë dhe për t’u ndarë nga kjo praktikë.
Më pas, në mënyrën se si e lexon opozita, i vetëm është fakti që unë nuk di për asnjë nga proceset zgjedhore në 61 bashki të vendit të ketë pasur një ankesë apo një padi që është çuar deri dhe në gjykatë nga ana e opozitës që pretendon mungesën e besueshmërisë së këtij procesi dhe manifakturimin apo inxhinierimin e rezultatit.
Pavarësisht leximit që i bëtë raportit, është edhe nënvizimi se është përdorur shteti për të deformuar votën, siç është përdorur blerja e votës apo të tjera mangësi që lidhen kryesisht me vullnetin e qeverisë për të organizuar zgjedhje. Si dhe cilat do të jenë hapat konkrete të qeverisë për atë që është cilësuar si politizimi i KQZ-së, do të ketë masa për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të KQZ-së?
Së pari, pavarësisht se roza më pëlqen si ngjyrë dhe është ngjyra e forcës politike që unë përfaqësoj, nuk do të ndaja konstatimin me ju që leximi qeverisë shqiptare është rozë. Përsa kohë qeveria shqiptare në mënyrë të kthjellët njeh progresin që evidenton Raporti dhe gjithashtu është e gatshme për të përmirësuar dhe konsoliduar më tej procesin zgjedhor përsa i takon pjesës që ka qeveria shqiptare, në një proces zgjedhor bazuar mbi rekomandimet specifike që ka Raporti i ODIHR-it. Ka qenë një kërkesë e jona specifike drejtuar ekspertëve të ODIHR-it për të evidentuar rast pas rasti të gjitha ato që mund të konsiderohen si mangësi në një proces zgjedhor. Ju iu referuat pjesës së raportit që flet për akuzat e ndërsjella përsa i përket blerjes së votës dhe natyrisht raporti bën një fotografim të situatës, konteksit politik, kontekstit social, kontekstit mediatik mbi të cilin është zhvilluar një proces zgjedhor. Natyrisht nuk mund të mos rri pa përmendur faktin që gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka pasur akuza të ndërsjellta nga të gjithë palët politike për blerje votash apo për përdorim të segmenteve të caktuara të administratës publike, ku rasti në fjalë dihet që dhe një pjesë e mirë e disa kryetarëve të bashkive rikandidonin.
Qeveria shqiptare është e hapur për të punuar me ODIHR-in në këtë drejtim. Kam marrë një letër nga drejtori i ODIHR-it ku ata dëshirojnë që të vijnë në Tiranë për të diskutuar më konkretisht rekomandimet specifike se si mund t’i përkthejmë një plan të qartë masash. Kemi angazhim të plotë për të bashkëpunuar jo thjesht me to, por edhe me aktorët e tjerë politikë, me minorancën parlamentare dhe mbi të gjitha për të studiuar të gjitha opsionet që do të mundësonin zbatimin e këtyre rekomandimeve. Sesi do të jetë e ardhmja e KQZ-së, formati, mënyra e operimit, trupa e administrimit zgjedhor, kjo është një çështje që mbetet për t’u diskutuar. Bie fjala, raporti sugjeron që administrimi zgjedhor të mos bëhet më me komisionerë të cilët nominohen apo propozohen nga parti politike pjesëmarrëse në këtë proces. A është Shqipëria e gatshme për të ecur në këtë drejtim? Kjo nuk kërkon thjesht një raport të mirë në letër siç është raporti i OSBE/ODIHR-it apo rekomandimet specifike, por kërkon dhe një vullnet politik, që nuk është thjesht dhe vetëm në dorën e një pale politike që në rastin konkret është qeveria.
Faleminderit!