Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dokumenti i pronësisë në Kadastër tashmë mund të merret online. Falë revolucionit digjital 2020 aplikimi dhe marrja e certifikatës së pronësisë mund të bëhet online përmes portalit e-albania në pak minuta. Praktika e re i jep fund vonesave, ecejakeve të qytetarëve dhe rushfetit dhe rrit transparencën. Sistemi i ri u prezantua sot për publikun gjatë një takimi online të Kryeministrit Edi Rama, Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetëtore të Kadastrës, Artan Lame, Drejtores së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karcanaj. Kryeministri Rama u shpreh se deri më sot hipoteka ka qenë

pika më e nxehtë e këtyre 30 viteve në raport me shërbimin ndaj qytetarëve, por që kalimi i shërbimeve online e transformon tërësisht këtë marrëdhënie.

“Tanimë nuk kemi sistemin e deri përpara disa kohësh me ALUIZNI-n, nga njëra anë dhe hipotekën, nga ana tjetër, po kemi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, një sistem i integruar dhe shërbimet online në Kadastër janë pjesë e revolucionit digjital që e kthen vitin 2020 në një vit transformimi të madh, duke lehtësuar qytetarët nga pritjet, ecejaket, rëndesat dhe për të krijuar një kornizë të plotë transparence, llogaridhënieje për të gjithë sistemin që u shërben qytetarëve në të gjitha shërbimet,” – u shpreh Kryeministri.

Nga 1 janari i këtij viti, shërbimeve kadastrale kryhen online dhe nga sot i shtohet edhe një shërbim i rëndësishëm si ai i marrjes së dokumentit të pronësisë. I pagëzuar me ”revolucioni digjital 2020”, zgjerimi i shërbimeve online po i jep fund praktikave apo kanaleve korruptive në sportelet ku shteti jep shërbimin ndaj qytetarëve.

”Që nga 1 janari shërbimet kadastrale bëhen me aplikim online dhe me futjen e vulës elektronike, tanimë edhe pjesa tjetër e shërbimit do bëhet online, që do të thotë që nuk është më nevoja për të shkuar fizikisht për të marrë shërbime, sepse gjithçka do të bëhet nga shtëpia, nga telefoni apo kompjuteri më i afërt. Me aplikimet aplikimet online, procedura ka ndryshuar në pjesën e parë të saj. Qytetarët aplikojnë përmes celularit apo kompjuterit personal, ose shkohet në sportele ku ndihmohen të bëjnë aplikimit online. Sot jemi këtu për të lajmëruar që lehtësohet i gjithë procesi. Ky është një revolucion i vërtetë dhe i plotë në rezultatin konkret, që i gjithë sistemi thithës i të ardhurave të qytetarëve përmes kanaleve të zeza të korrupsionit bie,” – theksoi Kryeministri.

Drejtori i AKK-së, Artan Lame shpjegoi mënyrën si funksion dhënia e shërbimit përmes aplikimit online.

“Qytetari me shërbimet e pronës ka 3 elementë, e para; ku e merr shërbimin, e dyta; sa kohë duhet që ta marrë shërbimin dhe e treta; cilësia. “Ku“ – në e zgjidhëm me aplikimin online, pra, qytetari nuk ka më punë me sportelet tona. “Kur” – është ajo që po rregullojmë saktësisht sot. Aplikimi bëhet online e nëse arrin të paguajë me kartë, ose direkt aty ku është qytetari, përgjigja kthehet brenda 5 minutave. Nga dita e nesërme, shërbimi është paguaj dhe e merr brenda minutash. Për të gjithë pronat e tjera është shërbimi, do aplikojë online dhe përgjigjen do e marrë online brenda afateve ligjore. Si sasi dalin përtej 1 milionë e 700 mijë. Kadastra ka trashëguar rreth 50 milionë dokumenta, të cilat duhet t’i hedhi në sistem. Me këtë sistem, me këtë metodikë të re hedhim rreth 12 milionë dokumenta,” – tha Zoti Lame.

Kontakti nëpunës-qytetar zhduket tërësisht, sikundër eleminohen edhe ndërhyrjet jashtë sistemit.

”Asnjë qytetar nuk mund të thotë më që takova atë se më thirri. Nuk mund ta thotë askush e askush nga punonjësit tanë nuk është i justifikuar të thotë e thirra këtu se nuk kuptoj ndonjë gjë. Çdo ditë jemi duke koordinuar me njëri-tjetrin e me bankat që sistemin që sot e kemi me 2 banka, në ditët në vijim të jetë me të gjithë bankat. Me këtë sistem, Kadastra nuk ka më dorë të thotë se e kujt është midis dy personave. E mbyll përfundimisht dhe këtë anë të vjetër e shumë të trishtë, që ka qenë tenderi kryesor në Kadastër. Ruajtja e privatësisë është totale se nuk ka persona në mes.
Kur e gjetëm, sistemi kishte rreth 1600-1700 përdorues jashtë sistemi që nuk e dinte askush kush ishin. Kjo ishte bërë me qëllimin, që edhe kur bëhej prekje në sistem, sistemi nuk jepte kush e ka bërë ndërhyrjen. Natyrisht që u fshinë të gjitha këto dhe nga momenti që sistemi u vu nën kontroll, çdo veprim që bëhet në sistem, dihet kur ka hyrë e kush ka hyrë, që do të thotë, duhet të mbajë përgjegjësi për çdo veprim.”

Zoti Lame tha se një tjetër risi e rëndësishme që lehtëson marrëdhēniet mes bashkëpronarëve është heqja dorë nga praktika e certifikatës si kopje unike dhe lëshimi i saj sipas këtkesës për çdo bashkëpronar.

“Certifikata e pronësisë, për shkak të historikut, që vjen që nga koha e Turqisë, që ishte një kopje unike, nëse kishte bashkëpronar, ata fillonin ziheshin kush do mbante certifikatën e fillonin me gjyqe. Me këtë sistem, certifikata nuk ka më kopje unike e çdo bashëkpronar që do një kopje të certifikatës aplikon dhe e merr.”

Aplikimi mund të bëhet në pak minuta përmes kompjuterit, celularit, apo edhe një zyre noterie, të cilat janë të lidhura online me sistemin e Kadastrës. Sistemi i ri, sipas Zotit Lame, është inovativ edhe për:

”Çështja e certifikatave, dokumenteve pa vule fizike, ne jemi mësuar të kemi atë vulën me firmë. Me këtë sistem nuk ekziston më kjo. E gjithë kjo është tek truri i sistemit, i cili ka dy elementë sigurie që e bëjnë të panevojshëm vulën fizike. Pas vetë krijimit të kadastrës si institucion dhe pas bërjes së ligjit të ri vitin e kaluar, kjo është realisht refomra më e madhe në këtë çëshjte.”

Ndërsa Drejtoresha e AKSHI-it, Mirlinda Karcanaj theksoi se qyteyarët po kërkojnë gjithnjë e më shumë shërbime përmes e-albania.

“Janë automatizuar të gjitha shërbimet e Kadastrës. Ka zero kontakte qytetari dhe biznesi me punonjësit e Kadastrës e si rrjedhim, zero korrupsion. Kjo nuk është më risi. Ajo që është risi tani është fakti që çdo hije skeptizimi që ishte nga 1 janari është shuajtur gjatë këtij 2 mujori pandemie. Sepse kanë qenë të mbyllura sportelet fizike, por e-albania ka vazhduar shërbimin online 24 orë 7 ditë të javës. Shifrat tegojnë se kanë qenë 40 mijë qytetarë që kanë marrë shërbime gjatë këtij 2 mujore. Shërbimi më i kërkuar ka qenë kopja e kartelës së pasurisë. Ky është 70% e shëbrimeve vjetore që Kadastra jep.
Ky shërbim merret tani fare thjeshtë. Një klik në portal, një pagesë minimaliste që bëhet dhe shërbimi vjen me vule elektronike, nëse është në bashkësine e pasurive të dixhitalizuara për 3 minuta, përndryshe është afatit 5 ditor,” – u shpreh Zonja Karcanaj.

Kryeministri Rama u shpreh se mbetet e rëndësishme çështja e ambientimit me sistemin dhe domosdoshmëria e informimimit të qytetarëve, lidhur me funksionimin e tij. Ai kërkoi nga Drejtoria e Përgjitshme e Kadastrës dhe AKSHI hartimin e një plani dy mujor për shpjegimin e sistemit dhe trajnimin e të gjithë personave përkatës në pushtetin vendor.

“Bashkërisht, Kadastra dhe AKSHI bëni një plan të paktën dy mujor për lajmërimin sensibilizimin, shpjegimin e sistemit dhe njëkohësisht dhe për trajnimin e të gjithë personave në pushtetin vendor, që janë një si lloj fronti i parë pune për t’i shërbyer qytetarëve në këtë proces tranzicioni.
Nga ana tjetër, gjëja tjetër e rëndësishme është se institucionet do ta marrin shërbimin në kohë reale, pra, prokuroritë, gjykata, ILKPD-ja, bashkitë, policia, struktura e vetting-ut, banka dhe kështu zhduket edhe antikapi i vjetër i ekzistencës në kopje unike të një certificate. Adaptimi me filozofinë e re të administrimit të dokumenteve me vulë elektronike është tani në proces. Fakti që pavarësisht se dhe sistemi i ri që prezantuam në janar është ende shumë i ri, por, pavarësisht të gjithë pengesave dhe situatës së krijuar nga pandemia, ka vazhduar të funksionojë. 40 mijë shërbime nuk janë pak dhe ajo që është shumë inkurajuese eshte që në këtë proces janë të përfshirë të gjitha moshat. Unë nuk shoh asnjë problem moshash në këtë proces. Ne kemi parë edhe me platformën e bashkëqeverisjes që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që kanë përdorur platformën janë pensionistë. E mesojnë, ose kanë një nip apo një mbesë, një fqinjë, ose zyra e postës, zyra e njësive administrative, aq më tepër që bëhet fjalë për shërbime që janë direkt, pa stres, në kohë reale.”

Drejtori i Përgjithshëm i ASHK-së, Artan Lame tha se gjatë muajit prill, si pasojë e sporteleve të mbyllura për shkak të pandemisë, aplikimet e bërë nga vetë qytetarët ishin të shumta.

“Pandemia ne na shërbeu për një gjë, që duke qenë të mbyllura sportelet, veçanërisht në prill, duke qenë të mbyllura edhe noterët, qytetarët nuk kishin asnjë mundësi aplikimi, përveçse online. Ne kemi vetëm për muajin prill, 37.332 aplikime, pra, janë 37 mijë aplikime të bëra pa noter, pa avokat, por të bërë vetë. Natyrisht që, kjo gjë lehtësohet tani, sepse hapja e ADISA-as, hapja e noterëve të tjerë ndihmon.”

Më pas, Drejtorja e përgjithshme e AKSHI-t Zonja Mirlinda Karcanaj tregoi aplikimin nga ana e një biznesi për marrjen e një kartele pasurie, ku edhe pagesa e shërbimit mund të bëhet online, përmes llogarisë bankare.
Kryeministri tha se tashmë një proces, i cili në 30 vjet njërëzve mund t’u ketë marrë edhe vite në pamundësi për ta realizuar, mund të kryhet vetëm në pak minuta, duke e vlerësuar këtë si një moment i një transformimi të madh për shërbimet publike në Shqipëri.

“Në këto pak minuta që po bëhej aplikimi u krye nje proces që në 30 vjet, njerëzve mund t’i ketë marrë edhe vite në pamundësi për të gjetur shtegun e duhur për të marrë një dokument. Është një nga ëndrrat e mia në fakt që hipoteka të mos ishte më si një ”Meka” apo ”Vatikani” i të gjithë djajve dhe dokumenti i pronësisë të merrej kështu siç ndodh nga sot e tutje. Më kujtohet që kur e kemi thënë që duam që kadastrën, hipotekën ta fusim në xhep të çdo qytetari dhe jo xhepin e çdo qytetari ta ketë në dorë çdo punonjës i hipotekes, shumë veta u tallën, përqeshën dhe sot është një realitet, është një ditë shumë e mirë për shërbimet publike në Shqipëri. Është një moment i një tranformimi të madh,” – u shpreh Kryeministri Rama, duke falenderuar Drejtorin e Përgjithshëm të ASHK-së dhe Drejtoren e AkSH-it, pasi “pa ju të dy, kjo nuk do të ishte bërë sot realitet.“

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.