Fjala e Kryeministrit Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të Hidrocentralit të Skavicës:
Përshëndetje të gjithëve!
Është kënaqësi e vërtetë që në një hark kaq të shkurtër kohor ne rikthehemi këtu për një tjetër projekt madhor të sektorit elektroenergjetik, pas garës super të suksesshme ndërkombëtare për Parkun e Madh me energji diellore të Karavastasë, por, patjetër që shija e stome është e ndryshme dhe sigurisht është vërtet një shije shumë e veçantë, për faktin se, bëhet fjalë për një ëndërr në sirtar të shumë qeverive të Shqipërisë, qysh në fundvitet ‘60, – një ëndërr në sirtar që lidhet me finalizimin e projektit të Kaskadës së Drinit, – pasi e dimë të gjithë që projekti është ende i pafinalizuar, si rezultat pikërisht i mungesës së këtij komponenti të katërt, komponentit të Skavicës, që del në pah qysh në shkrimet e Dhimitër Frangut, Mesjetë, si pronë e Skënderbeut dhe një bastion i rëndësishëm i qëndresës, ku Gryka e Drinit rrethuar nga male shumë të lartë u shndërrua në një kështjellë natyrore të Arbërve. Kanë kaluar shumë vite, qysh nga viti 1963, kur për herë të parë është skicuar plani për hidrocentralit të Skavicës, pas Vaut të dejës në 1971-in, Fierzës në 79-ën, Komanit në 1985-ën Skavica mbeti thjesht një plan i parealizuar. Gjërat rrodhën ndryshe dhe me ndryshimin e sistemit u bënë nga të gjitha qeveritë përpjekje. Ka një përpjekje konkrete në maj të 2005-ës nga qeveria e mëparshme për një procedurë dhënieje me koncesion të hidrocentralit sipas një propozimi të pakërkuar, por rezultoi një flluskë sapuni. 3 vite më vonë, në 2008-ën, qeveria e mëparshme hapi një tender për ndërtimin e Hidrocentralit ku morën pjesë 6 kompani të huaja dhe në 2009-ën duhej shpallur fituesi, por asnjëherë nuk u shpall një i tillë dhe kështu vazhdoi historia, ndërkohë që, deri në vitin 2013, mund ta themi me plot gojën, 2 projektet e mëdha strategjike për vendin dhe për gjithë zonën verilindore, Skavica dhe Rruga e Arbrit shoqëruan në vijimësi qoftë dëshirat e sinqerta të qeverive, qoftë edhe fushatat elektorale, por asgjë nuk ndodhi.
Ne e kthyem Skavicën në tavolinë dhe në vitin 2017 në Samitin e Triestes HEC-i i Skavicës u miratua si një ndër projektet prioritare të Procesit të Berlinit, ku, qysh në strukturimin e Procesit, në 2014-ën, ne u pozicionuam për të ndjekur me përparësi këtë rrugë, duke garantuar në radhë të parë, jo thjesht financimin e një studimi, por cilësinë e tij. Faktikisht, në 2017-ën projekti u pranua dhe sot ne kemi një pamje të detajuar nga një kompani me një biografi të njohur botërisht, kompania franceze, ku na jepet qartësisht pamja, por dhe rruga për tu ndjekur.
Më vjen shumë mirë që kjo qeveri do të nisë punën pas 40 vitesh për ndërtimin e një hidrocentrali me rëndësi strategjike për sektorin, por edhe për ekonominë e vendit tonë në tërësi, duke e bërë realitet një potencial të gjithëditur dhe të gjithmonë-thënë nga të gjithë, që, Shqipëria ka për të pasur një rol kyç në rajon në fushën e prodhimit dhe import-eksportit të energjisë.
Sigurisht, edhe ne i kemi bërë përpjekjet tona për të adresuar nevojën e ndërtimit të Skavicës në një rrugë të zakonshme për sistemin që kemi zgjedhur me kontribut të sipërmarrjes, por duke parë qartësisht rëndësinë, duke parë me shumë vëmendje historinë e dështimeve të mëparshme të të gjitha qeverive të mëparshme dhe duke vlerësuar nga ana tjetër domosdoshmërinë në kushtet aktuale në kuadrin e planit të përgjithshëm kombëtar ekonomik dhe social që ne jemi në fazën e finalizimit ku ka hyrë tanimë dhe elementi i rimëkëmbjes, si rezultat i goditjes që, për ne, ishte e dyta pas tërmetit, nga Covidi, kemi vendosur që këtë vepër të madhe ta financojmë 100% me burimet e shtetit shqiptar.
Më kujtohet shumë vite më parë, një nga inxhinierët e njohur të botës së energjisë në Shqipëri më pati thënë që, “Kaskada e Drinit pa Skavicën është si një tufë delesh pa bariun”, pikërisht edhe për faktin se Skavica ka një rol vendimtar në menaxhimin e të gjithë burimit të energjisë, duke parandaluar përmbytjet kur ndodhin shkarkimet masive si rezultat i mbingarkesës së reshjeve, meriton besoj këtë përkufizim, si, bariu i asaj tufe hidrocentralesh. Është patjetër një zgjidhje përfundimtare për sa i përket përmbytjeve të imponuara nga pamundësia për të ruajtur ato miliona e miliona të ardhura që derdhen kur është e pamundur të përballohet mbingarkesa dhe njëkohësisht është edhe balancuesi financiar i të gjithë kësaj pasurie që, më në fund, përmes Skavicës, vihet përfundimisht nën kontroll dhe i gjithë procesi i import-eksportit bëhet shumë më i parashikueshëm dhe Shqipëria nuk do të jetë më e detyruar të importojë me detyrim-përcaktim dhe nga ana tjetër të eksportojë me detyrim-përcaktim pa vendosur dot kohën, pa vendosur se si importi, apo eksporti të hynë në një axhendë parashikueshmërie strategjike.
Nga ana tjetër, është e padyshimtë që kjo vepër do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për atë zonë dhe siç e thashë më parë, me Rrugën e Arbrit dhe me Skavicën, verilindja e vendit hyn në një fazë tërësisht të re në aspektin ekonomik dhe social. Është e vërtetë që hidrocentralet janë punëdhënës të rëndësishëm në Shqipëri, jo thjesht në fazën e ndërtimit, por dhe në fazën e operimit. Skavica do të jetë një punëdhënës i madh në fazën e ndërtimit dhe do të sjellë shumë punësim paskëtaj, si rezultat i të gjithë zhvillimit komplementar që do të ndodhë në zonë, ku, patjetër do të ndërhyhet edhe në infrastrukturë, do të ndërhyhet edhe në aspektin e administrimit urban të territorit. Bëhet fjalë për qindra vende pune direkte dhe mijëra indirekte të krijuara nga i gjithë zinxhiri i prodhimit që do duhet të vihet në punë për të mundësuar këtë vepër. Të kombinuara bashkë avantazhet që sjell në ekonomi për të gjithë verilindjen Rruga e Arbrit me Skavicën japin përfundimin e thjeshtë, që, rilindja e vendit hyn në një epokë të re, ku, dua ta risjell këtu edhe aeroportin e Kukësit, si një komponent plus, pasi ajo që vjen me krijimin e gjithë zonës së re liqenore dhe me funksionimin e gjithë kaskadës edhe si një rrugë, apo si një “shteg” turistik, bën që të thuhet me plot gojën që edhe turizmi do të impaktohet në mënyrë të rëndësishme. Këtu po sjell një shembull të thjeshtë: ne po bashkëpunojmë me drejtorin për një transformim të rëndësishëm urban dhe turistik në Koman, ku, faktikisht sot kemi nyje transporti për turistët që shfrytëzojnë Komanin si një pikë lëvizjeje të të ashtuquajturave tragete përgjatë rrjedhave lumore, them të ashtuquajtura sepse nuk janë tragete, janë baraka lëvizëse që me ndihmën e të madhit Zot vazhdojnë të kryejnë punën pa sjellë lajmin kobzi të ndonjë tragjedie dhe aty ndërhyrja që do të bëjmë do të jetë ndërhyrje komplekse, ku, nga një pikë kalimi nga autovetura në barakën lundruese, do të kemi një pikë turistike të mirëfilltë, një muze të të gjithë historisë së krijimit dhe zhvillimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar, një rrugë këmbësorësh panoramike dhe një kompleks të tërë që do të bëjë pa pikë dyshimi rolin e një magneti të fortë për shumëkënd, që, me të drejtë, nuk merr rrugën për të shkuar lart nga terrori i tranzicionit në barakën lundruese dhe nga mungesa e një promovimi si duhet të të gjithë asaj zone, si rezultat i mungesës së kësaj infrastrukture.
Liqeni i Skavicës patjetër që do të japë shumë të dhëna të reja lidhur me zhvillimin e mëtejshëm dhe po sjell këtu një shembull të thjeshtë, po të shikojmë transformimin fantastik të mjedisit dhe peizazhit në anën juglindore të Tiranës te Hidrocentrali i Devollit jemi po në të njëjtat kushte, jemi në kushtet e një transformimi në funksion të turizmit, ekonomisë dhe lëvizjes.
Sigurisht që Rruga e Arbrit dhe Skavica do të jenë në dialog për të fuqizuar shumë agroturizmin. Patjetër që do të kemi një zhvillim të rëndësishëm në të gjithë këtë jastëk të gjelbër të kryeqytetit, përmes Rrugës së Arbrit dhe sigurisht që me Skavicën këtu shtohet në mënyrë të ndjeshme potenciali për një hartë të integruar që është infrastrukturore, që është turistike, që është agroturistike, sigurisht që i jepet fund keqtrajtimit ekstrem të rezervave të energjisë së pastër në Shqipëri, si rezultat i një ecjeje në mënyrë të improvizuar dhe i copëzimit shpesh herë shumë dëmtues të këtij potenciali me ato HEC-et e vogla që në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin pikërisht gjakun e organizmit të vendit duke lënë shpesh herë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, duke lënë shpesh herë komunitete pa mundësinë për të punuar tokën si rezultat i tharjes së burimit, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit.
Natyrisht, që të jemi të qartë, Skavica nuk do ta bëjë Shqipërinë mini-superfuqi energjetike, – ka qenë një ambicie e shpallur e krijimit të një mini-superfuqie nga qeveria e mëparshme, një togfjalësh në vetvete problematik, se, edhe superfuqi edhe mini janë dy komponentë që sikur nuk shkojnë me njëri-tjetrin, që tregojnë thjesht dhe vetëm tavanin e megalomanisë provinciale, – sigurisht që Skavica nuk është konkurrente e centralit bërthamor që do ndërtohej në Shkodër, besoj që njerëzit e mbajnë mend që në planin për të krijuar mini-superfuqinë energjetike ishte dhe një central bërthamor tek Ura e Bunës, këto janë gjëra që ne nuk i arrijmë dot, realisht, pasi ne nuk jemi të dytët pas Gjermanisë siç ishim në kohën kur ishim duke u bërë mini-superfuqi dhe duke synuar të ktheheshim edhe në një prodhues atomik të energjisë, por, ajo që është e sigurtë është që Skavica është një gur themelor në plotësimin e një mozaiku të projektuar bukur me thënë të drejtën në të shkuarën e largët, por të parealizuar ende dhe për më tepër, shumë e rëndësishme kjo për ne, por dhe shumë e rëndësishme dhe në kontekstin e kohës që jetojmë, me Skavicën ne rrisim kapacitetin e prodhimit të energjisë së pastër dhe me Parkun Fotovoltaik që do të fillojë të ndërtohet, me zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të energjisë diellore dhe me futjen e komponentin e ri të erës, ne diversifikojmë burimet e energjisë së rinovueshme dhe brenda kornizës së plotësimit thuajse 100% të nevojave tona, kjo besoj e bën Shqipërinë një fuqi dinjitoze energjetike, jo superfuqi dhe patjetër që i jep mundësi ekonomisë të marrë një injektim të rëndësishëm në një fazë transformimi dhe tranzicioni, ku ambicia jonë është që të dalim më të fortë, pas dy goditjesh njëra pas tjetrës që morëm me tërmetin dhe me Covidin, përfshirë këtu në planin e përgjithshëm, ku rindërtimi ka nisur dhe do të intensifikohet jashtëzakonisht gjatë këtyre muajve. Qershori është muaji ku shumë kantiere do të hapen dhe në vijimësi do të kemi kantiere pas kantieresh me një zinxhir të gjatë dhe të fortë punësimi, ku së shpejti ministrja që për hir të të vërtetës meriton të gjithë respektin sepse është fokusuar me rezultate konkret deri tani tek disa projekte të mëdha, besoj që do të na mbledhë përsëri për të lajmëruar fillimin e procedurës dhe kur them procedurës, një procesi që na çon në kantier, për aksin Milot-Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës ku shpresojmë dhe besojmë që me rikthimin e normalitetit, së paku normaliteti i procesit të pezulluar të aeroportit të Vlorës do rikthehet dhe ne do të kemi brenda vitit shpresoj kantierin dhe me radhë, me një sërë veprash të tjera, kemi të gjitha arsyet të jemi shumë optimistë për vitin e ardhshëm, këtu kam parasysh, jo vetëm adresimin e pasojave dhe kurimin e plagëve të mëdha që hapi armiku i padukshëm por tejkalimin e tyre dhe kapërcimin e parashikuar për ekonominë si rezultat i të gjitha reformave, si rezultat i të gjitha përgatitjeve të bëra deri këtu.
Po e mbyll me një thënie, pikërisht nga zona e Ujmishtës, aty ku është Skavica, një thënie për të pazotët, sepse pazotësia ka sjellë për Shqipërinë që shumë gjëra që mund të ishin bërë shumë kohë më parë të marrin kaq shumë kohë dhe po të parafytyrosh se ku do të ishim sot nëse ato që ne me shumë përpjekje dhe jo pa të meta kemi bërë, qoftë në planin e reformave, qoftë në planin e projekteve është vërtet e dhimbshme. Nëse Reforma në Drejtësi do të kishte nisur 25 vite më parë sot do ishim në një Shqipëri tjetër. Megjithatë, ne nuk mundet dot të kthejmë kohën, por mundet që të fitojmë sa më shumë nga koha e humbur dhe shprehja thotë: “Drini mjaltë me i pru s’mun me ngjy as gishtin”, që do të thotë, që, në fakt, Zoti e ka bekuar këtë vend me të gjitha të mirat që i duhen për ta pasur vendin ku populli i tij jeton në normalitet, arsyeja pse sot ne jemi ende në kërkim dhe në përpjekje të mëdha të krijimit të atij normaliteti ekonomik dhe social është pikërisht ajo që Drini mjaltë ka pru, por të pazotët se kanë këtë popull të ngjyejë as gishtin. Duke ju falënderuar edhe njëherë të gjithëve, sidomos ata që kontribuuan për këtë projekt, duke shprehur mirënjohjen time dhe partnerëve tanë që dashamirësisht na dëgjuan, edhe pse si gjithmonë me vonesë, por vonesat e tyre janë të justifikuara dhe duke uruar që edhe Skavica të jetë kantier vitin e ardhshëm, siç e kemi planifikuar, por mos e dhëntë Zoti që të na dalë përpara ndonjë goditje e tretë, shpresoj shumë që së shpejti të jemi këtu për projektin tjetër të madh të infrastrukturës, rrugën Milot-Thumanë-Rrogozhinë-Fier.
***
Projekti i Hidrocentralit të Skavicës, një financim 100% i qeverisë shqiptare, hyn në rrugën e realizimit. Sot janë çelur zyrtarisht procedurat për këtë vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimit të Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik në rajon.
Hidrocentrali i Skavicës kompleton kaskadën e lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke iu dhënë përfundimisht fund humbjeve të energjisë dhe përmbytjeve kronike në pjesën e poshtme të kaskadës.
Zbatimi i këtij i projektit do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e sigurisë së veprave hidrike ekzistuese në kaskadë (HEC Vau i Dejës, HEC Fierza dhe HEC Koman).
Zhvillimi i këtij projekti do të shkaktojë rritjen e pavarësisë së Shqipërisë nga përdorimi i karburanteve fosile për prodhimin e energjisë elektrike, përshtatje më të madhe të sistemit elektroenergjetik në Shqipëri ndaj ndryshimeve klimaterike dhe zvogëlimin e varësisë së Shqipërisë nga importi i energjisë elektrike.
Zona në të cilën është propozuar të zhvillohet projekti i HEC Skavica pritet të ketë një rritje të aktivitetit ekonomik gjatë fazës së ndërtimit të HEC-it, çka do të sjellë një rritje të punësimit dhe ekonomisë lokale.
Me nisjen sot të procedurave, kantieri i madh i Skavicës pritet të hapet vitin e ardhshëm.