Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra shëndetësore e Krujës, një godinë ku nuk ishte vënë dorë prej 20 vitesh dhe ku mungonin një sërë shërbimesh, sot u rikthehet qytetarëve tësisht e transformuar. Falë investimit të qeverisë me një vlerë prej 26 milionë lekësh, godina e re, e rindërtuar nga themelet, ofron tashmë standarde bashkëkohore dhe kujdes të plotë mjekësor për rreth 15 mijë banorë që marrin shërbim në këtë qendër.
Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu panë nga afër investimin, pjesë e Programit të 300 Qendrave Shëndetësore.
“E kemi quajtur si qendrën e 180-të, pjesë e përfunduar tashmë e Programit të 300 qendrave shëndetësore. Ka një kapacitet që tashmë është vënë në funksionim dhe shfrytëzim të plotë, me të gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve. Është rehabilituar sipas standardeve më të mira. Këtë vit kemi filluar 120 qendra dhe ambulanca të tjera shëndetësore në të gjithë vendin. Do të vijojmë me programin e rehabilitimit, jo vetëm në aspektet e infrastrukturës, por edhe në aspekte të trajnimit të personelit mjekësor,” u shpreh ndër të tjera ministrja Manastirliu.
Duke qenë se Kruja ishte një ndër vatrat sa i përket përhapjes së Covid19 në Shqipëri, ministrja tha se i gjithë stafi i qendrave shëndetësore është vënë në funksion të përballimit të situatës.
“Qendrat shëndetësore janë duke bërë një punë të mirë edhe në raport me ndjekjen e rasteve pozitive me Covid19. Dihet që Kruja ka qenë një vatër e infeksionit. Mjekët e familjes janë duke bërë një punë shumë të madhe për ndjekjen e rasteve të Covid19 me simptoma të lehta, apo asimptomatikët, duke operuar me të gjitha strukturat e sistemit shëndetësor, me Urgjencën, spitalet, etj.,” u shpreh ajo.
Kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu panë nga afër edhe punën për rindërtimin e Spitalit Bashkiak “Stefan Gjoni”, Krujë, në kuadër të Programit të Rindërtimit të institucioneve shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku janë përfshirë 10 institucione shëndetësore. Vlera e investimit për rikonstruksionin dhe riorganizimin e këtij spitali është mbi 2.7 milionë euro.
“Projekti ka përfunduar dhe do fillojmë së shpejti me procedurat për rindërtimin e gjithë spitaleve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Do të ketë një rehabilitim tërësor me të gjithë komponentët e duhur. Risia është që do përfshihet edhe Materniteti i Krujës në këtë godinë, pasi do të kemi racionalizim të shërbimeve të brendshme. Spitali do ketë rreth 90 shtretër dhe të gjitha shërbimet që i nevojiten. Do ketë një bllok sallash operatore me 3 salla, ku brenda do përfshihen edhe salla e lindjes dhe do kemi të gjitha shërbimet e munguara edhe nga fakti që nuk ka pasur asnjë investim. Investimi i fundit në këtë spital është bërë në 2007-ën, por dhe ai jo thelbësor, thjesht rregullime estetike,” u shpreh ministrja Manastirliu.
Bashkia e Krujës ka qenë një ndër zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndaj gjatë këtij viti, përveç katër qendrave të parashikuara për t’u rindërtuar në Tapizë, Larushk, Berbere dhe Bushnesh do të rindërtohen edhe qendra shëndetësore e Borizanës dhe e Bubqit, të dëmtuara nga tërmeti. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hartuar projektet e rindërtimit për Spitalin Bashkiak Krujë, Spitalin Bashkiak Kurbin, Shërbimin e Kardiologjisë dhe Shërbimin e Pediatrisë së Përgjithshme në QSUT.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.