Në Fushë Krujë ka nisur puna për ndërtimin e shkollës së re “Kastrioti” dhe kopshtit të integruar si objekt më vete. Pas tërmetit të 26 nëntorit, gjithë objektet e dëmtuara dhe infrastruktura rreth tyre ka marrë udhën e procesit të rindërtimit, me standarde edhe më të mirë sesa ishin.
Për të parë nga afër çeljen e kantierit të kësaj shkolle ishte sot Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahemtaj. “Kjo është shkolla e parë që fillon punën në terren dhe nesër është një shkollë tjetër në Marikaj. Në harkun kohor të 2-3 javëve kemi 38 objekte arsimore të financuara nga buxheti i shtetit që lidhen kontratat e fillojnë nga puna, që janë të gjitha me afatin për t’u bërë deri në fund të vitit”, – tha ministri Ahmetaj.
Me shkollën “Kastrioti” hapet seria e kantiereve të Rindërtimit nga themelet të 129 shkollave, të cilat do të rilindin me standarde arkitektonike e arsimore model, në përputhje me standardet europiane, mbi rrënojat e ngrehinave të degraduara që shkatërroi tërmeti.
Kryeministri e cilësoi këtë si një transformim të madh duke e kthyer në një shkollë me standarde të denja për një vend që aspiron të aderojë në Bashkimin Europian. Ndërkohë falë procesit të Rindërtimit parashikohet të angazhohen më shumë se 100 kompani, të cilat do të punojnë për rindërtimin e çdo godine të dëmtuar nga tërmeti. “Strategjia ka qenë që të mos kishte përqendrime punësh në një apo dy kompani dhe deri në fund të procesit do ketë 100 deri në 130 kompani të vogla, të mesme e të mëdha që do kenë marrë përsipër punë të rindërtimit në shkolla, në infrastrukturë, në ndërtimin e njësive individuale, në ndërtimin e komplekseve urbane”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
Paralel me shkollat puna do të fillojë edhe për infrastrukturën shoqëruese. “Faza e ngritjes së kantiereve dhe hapjes së themeleve, ajo që duhet të mos lejojmë është që kjo pjesa e vështirë dhe e komplikuar e shtëpive individuale, që nuk janë të përbashkëta të mos marrë shumë kohë, edhe pse është e domosdoshme”, – u shpreh Kryeministri Rama.