Edhe në Marikaj të Vorës është çelur sot kantieri i ndërtimit për dy shkolla nëntëvjeçare, të cilat u shkatërruan pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi vendin dhe la dëme të mëdha edhe në institucionet arsimore në vend. Këto dy shkolla janë pjesë e 129 shkollave që do të rilindin me standarde arkitektonike e arsimore model, në përputhje me standardet europiane, mbi rrënojat që la pas tërmeti.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj, ishte sot në kantierin e Marikajt, ku një nga drejtuesit e punimeve detajoi projektin. “Shkolla ka të gjithë ambientet që i duhen një shkolle, palestra, fushat e sportit, ambientet e shkollës. Janë gjithsej 9 klasa dhe 4 laboratorë. Ka edhe ambientin për parashkollorët, me 3 klasa dhe me hyrje më vete për fëmijët e vegjël”.
Shkolla në Marikaj, e ndërtuar që në 1975 ishte amortizuar me kalimin e viteve dhe kushtet për rreth 250 nxënësit që studiojnë aty ishin të vështira. “Ne themi në mënyrë të vazhdueshme standardet europiane, por në fakt në këtë rast nuk është standarde europiane në mënyrë të përgjithshme, por janë standardet e shkollave të BE-së”, – u shpreh Rama.
Kryeministri gjithashtu e vuri theksin tek afati i mbarimit të punimeve, duke u shprehur se “në 26 nëntor duhet mbaruar dhe në 27 nëntor në mëngjes, një vit ekzakt pas mëngjesit të tmerrshëm duhet të vijnë këtu fëmijët”.