30 respiratorë të rinj i shtohen kapaciteteve publike, falë mbështetjes nga qeveritë e Zvicrës dhe Norvegjisë, si dhe nga PNUD, zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Gjatë marrjes në dorëzim të respiratorëve të rinj ishte e pranishme Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se kjo është një mbështetje për fuqizimin e shërbimit të terapisë intensive në vendin tonë.
“30 respiratorët, që vijnë nga kjo marrëveshje, janë vërtetë një mbështetje më shumë për fuqizimin e shërbimit të terapisë intensive në vendin tonë. Një pjesë e respiratorëve të cilët sot kanë ardhur, do të jenë për fuqizimin e shërbimit të terapisë intensive në këtë spital. Një pjesë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Do të vijojmë të fuqizojmë edhe kapacitetet për sa i përket spitaleve të tjera, të cilat ne i kemi cilësuar si spitale Covid”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës saj Manastirliu ka apeluar që qytetarët të respektojnë rregullat e vendosura si e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Është shumë e rëndësishme të ruajmë dhe të respektojmë ato masa në dukje të thjeshta, por që duhet të bëhen pjesë e jetës tone; që është distancimi fizik, që është ruajtja e higjienës personale, mbajtja patjetër e maskave kur nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik”, tha Manastirliu.
Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit ishin Ambasadori Norvegjez në Shqipëri Jens Erik Grondahl, Zëvëndës Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier, si dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD, Limya Eltayeb.
“Dua të them që jam shumë i lumtur të shoh që këto respiratorë kanë ardhur në Shqipëri. Kam dëgjuar që këto janë saktësisht pajisjet që ju keni nevojë. Në kohë pandemie solidariteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm”, tha Ambasadori Norvegjez në Shqipëri Jens Erik Grondahl.
“ Pandemitë si këto kanë nevojë për të pasur një qasje të përbashkët. Zvicra ka qenë aktive në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë. Ne duam vërtet të vazhdojmë të ndihmojmë qeverinë shqiptare dhe të fuqizojmë sektorin shëndetësor”, tha Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier.
“Ne duhet të qëndrojmë të gjithë shumë vigjilentë. Ne të gjithë kemi përgjegjësi si komunitet ndërkombëtar, por edhe çdo qytetar ka përgjegjësitë e veta. Pandemia nuk ka mbaruar akoma. Unë mendoj se duhet të shkojmë përtej solidaritetit, pasi siç e kam thënë askush nuk është i sigurt, derisa të gjithë të jenë të sigurt”, tha Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD, Limya Eltayeb.