Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 01 Korrik 2020: 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E ÇMIMEVE DHE TË KATEGORIVE QË PËRFITOJNË FALAS TEKSTET E BOTUARA NGA QENDRA E BOTIMEVE PËR DIASPORËN, PËR VITIN SHKOLLOR 2020-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të pikës 19, të vendimit nr.469, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, të ligjit nr.9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Me qëllim mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, Qendra e Botimeve për Diasporën boton, siguron dhe shpërndan për kategoritë që përfitojnë falas tekstet shkollore dhe ato plotësuese për vitin shkollor 2020-2021, sipas listës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Kategoritë që përfitojnë falas tekstet shkollore dhe ato plotësuese të botuara, të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, janë nxënësit dhe mësuesit, sipas përcaktimeve të vendimit nr.443, datë 26.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë”.

3. Tekstet shkollore të botuara, të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, duhet të jenë të pajisura nga ana e shtëpisë botuese me logon dhe pullën me hologram përkatëse.

4. Çmimet e teksteve shkollore dhe ato plotësuese për mësimdhënien në diasporën shqiptare vendosen në kopertinën e tyre, në përputhje me listën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

5. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga buxheti i miratuar për Qendrën e Botimeve për Diasporën.

6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË MIRDITË, VORË DHE RROGOZHINË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 316 970 000 (treqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në bashkitë Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi prej 29 820 000 (njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet mijë) lekësh;
b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 176 250 000 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh;
c) Bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi prej 110 900 000 (njëqind e dhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË URËS SË TAPIZËS DHE CAKTIMIN E AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e rindërtimit të Urës së Tapizës, në vlerën 151 539 896 (njëqind e pesëdhjetë e një milionë e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH.

2. Caktimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) si njësi zbatuese për rindërtimin e Urës së Tapizës.

3. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i miratuar në buxhetin e vitit 2020, i shtohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor” për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

4. Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, kthehen në zërin “Fondi për rindërtim”, të buxhetit të shtetit.
5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE BASHKIMIT TË SHOQËRIVE “CONCORD INVESTMENT”, SH.P.K., DHE “KASTRATI GROUP”, SH.A., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË SHTETËRORE GJIRI I LIMIONIT, SARANDË, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 265 2299,5 M2, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE TË MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe bashkimit të shoqërive “Concord Investment”, sh.p.k. dhe “Kastrati Group”, sh.a., si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme 265 2299,5 m2 dhe, konkretisht, pasuritë me nr.1/552, vol.46 fq.205, truall me sipërfaqe 208.693,5 m2, pasuria me nr.1/416, vol.30, fq.157, truall me sipërfaqe 39.446 m2, pasuria me nr.1/547, vol.40, fq.200, truall me sipërfaqe 1626 m2, pasuria me nr.1/548, vol.46, fq.201, truall me sipërfaqe 11130 m2, zona kadastrale 8642, në pronësi dhe përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe pasuria nr.1/420 vol.41, fq.178, truall me sipërfaqe 2502 m2, në zonën kadastrale 6842 dhe pasuria nr.4/160, vol.60, fq.44, truall me sipërfaqe 1902 m2, zona kadastrale 8641, në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për një periudhë 20 (njëzet) vjet, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT, PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT TË PORTIT TURISTIK DHE TË SHËRBIMEVE “MARINA LIMION”, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE BASHKIMIT TË OPERATORËVE EKONOMIKË “KASTRATI GROUP”, SH.A. DHE “EDIL-AL-IT”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 41, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, të portit turistik dhe të shërbimeve “Marina Limion”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë “Kastrati Group” sh.a. dhe “Edil-Al-It” sh.p.k.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR PROJEKTIN BASHKI TË FORTA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin bashki të forta, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI AGJENCI ZBATUESE PËR FONDIN GLOBAL TË MJEDISIT, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.152/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si agjenci zbatuese për Fondin Global të Mjedisit, për projektin e shërbimeve mjedisore, ratifikuar me ligjin nr.152/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.151/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e shërbimeve mjedisore, ratifikuar me ligjin nr.151/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR FONDIN E BESIMIT NR.TF 072239, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE ME SHQIPËRINË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.64/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Agjencia Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për fondin e besimit nr.TF 072239, për projektin e shërbimeve mjedisore me Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr.64/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.389, DATË 12.6.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET PËR LËSHIMIN E PASAPORTËS DIPLOMATIKE DHE ASAJ TË SHËRBIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shteti”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 10, fjalët “… 31 dhjetor 2021.” zëvendësohen me “… 31 dhjetor 2022.”;
b) Në pikën 14, fjalët “… 30 qershor 2020.” zëvendësohen me “… 31 dhjetor 2020.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.247, DATË 20.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE KUNDËR KORRUPSIONIT 2015-2020 DHE MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT 2020-2023, NË ZBATIM TË STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE KUNDËR KORRUPSIONIT 2015-2023 E TË PASAPORTËS SË INDIKATORËVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.247, datë 20.3.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2023”.

2. Në dokumentin bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:

a) Aneksi 1 zëvendësohet me aneksin me të njëjtin numër dhe me emërtimin “Plani i veprimit 2020-2023, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, 2015-2023”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

b) Pas aneksit 1 shtohet aneksi 2, me emërtimin “Pasaporta e indikatorëve, të planit të veprimit 2020-2023”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Kudo në dokument, emërtesat “Këshilli i Lartë i Drejtësisë” dhe “Ministria e Financave” zëvendësohen, përkatësisht, me “Këshilli i Lartë Gjyqësor” dhe “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” dhe akronimet “KLD” dhe “MF” zëvendësohen, përkatësisht, me “KLGJ” dhe “MFE”.

3. Kudo në vendim dhe në tekstin bashkëlidhur, fjalët “… Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 …” dhe “… Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 …” zëvendësohen, përkatësisht, me “… Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2023 … ” dhe “… Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2023 … ”.

4. Pika 2 shfuqizohet.

5. Pas pikës 2 shtohen pikat 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12 dhe 13, me këtë përmbajtje:

“3. Krijimin e Komitetit Koordinator për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, që kryesohet nga ministri i Drejtësisë dhe ka në përbërje këta anëtarë:

– Zëvendësministrin e Mbrojtjes;
– Zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– Zëvendësministrin e Brendshëm;
– Zëvendësministrin e Financave dhe Ekonomisë;
– Zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Zëvendësministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
– Zëvendësministrin e Kulturës;
– Zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
– Zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– Zëvendësministrin e Turizmit dhe Mjedisit.

4. Komiteti mblidhet jo më pak se një herë në tre muaj dhe sa herë është e nevojshme, me kërkesë të ministrit të Drejtësisë. Në mbledhjet e komitetit mund të ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues të organeve të qeverisjes qendrore e vendore apo të institucioneve të tjera, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e misionit.

5. Krijimin e Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion, përgjegjëse për inspektimet ndërinstitucionale, sipas planit të veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, e cila kryesohet nga ministri i Drejtësisë, Koordinator Kombëtar Antikorrupsion, dhe ka në përbërje këta anëtarë:

⦁ Përfaqësues të kabinetit të Kryeministrit (koordinatori i ZOS-it);
⦁ Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik;
⦁ Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror;
⦁ Përfaqësuesin e Departamentit të Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit, në Kryeministri.

6. Për realizimin e punës, Task-Forca kryen këto detyra:

a) Evidenton fushat parësore për kontrollin e brendshëm, administrativ dhe, sipas rastit, mund të përcaktojë detyra konkrete hetimi administrativ në institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit apo ministrave, administratës së prefektit;
b) Bashkërendon, nëpërmjet një programi të detajuar kontrollesh, procesin e verifikimit të ligjshmërisë, cilësisë dhe transparencës në institucionet që ofrojnë shërbime ndaj qytetarit, sipas vlerësimit të riskut që këto institucione paraqesin nga pikëpamja e abuzimeve dhe praktikave korruptive;
c) Mbikëqyr procesin e monitorimit të veprimtarisë së autoriteteve kontraktore në fushën e prokurimit publik;
ç) Krijon grupe të posaçme inspektimi me specialistë të ministrive ose institucioneve qendrore, të cilët zbatojnë procedurat e kontrollit apo të verifikimit, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendimin nr.94, datë 15.2.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për funksionet dhe procedurat e kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion të Këshillit të Ministrave”;
d) I rekomandon Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion propozime për përmirësimin apo përshtatjen e akteve ligjore ose të çdo akti tjetër të organeve të administratës shtetërore, si pasojë e mangësive, pasaktësive, mungesës së harmonizimit, mospërputhjes dhe mosrealizimit të qëllimit të pritshëm.

7. Në përfundim të çdo inspektimi apo kontrolli, nga grupet e posaçme të inspektimit hartohet raporti që do t’i paraqitet Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion, me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Task-Forca e dërgon raportin pranë titullarëve të institucioneve përkatëse për marrjen e masave të duhura.

8. Task-Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion mblidhet me kërkesë të kryetarit. Në rast mungese të kryetarit, mbledhjet e Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion kryesohen nga zëvendësministri i Drejtësisë. Kur vlerësohet e përshtatshme, në mbledhjet e Task-Forcës mund të marrin pjesë edhe përfaqësues nga institucionet e tjera shtetërore, në veçanti ato që ushtrojnë funksione trajtimi të ankesave, inspektimi, auditimi dhe kontrolli të brendshëm.

9. Strukturat e dedikuara për luftën kundër korrupsionit pranë Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion shërbejnë si sekretariat teknik për Task-Forcën Ndërinstitucionale Antikorrupsion.

10. Strukturat e Inspektoratit Qendror vihen në dispozicion të Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion për të mbështetur zbatimin e programeve të verifikimit ose kontrollit të përcaktuara prej saj.

11. Koordinatori Kombëtar Antikorrupsion raporton periodikisht pranë Kryeministrit për ecurinë e punës.

12. Ngarkohen Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe strukturat e auditimit të brendshëm të çdo institucioni, subjekte të këtij vendimi, të mbështesin punën e Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion.

13. Ngarkohen ministri i Drejtësisë, Koordinator Kombëtar Antikorrupsion, dhe institucionet e përmendura në këtë vendim për ndjekjen dhe zbatimin e tij.”.

6. Vendimi nr.241, datë 20.4.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të veprimit 2018-2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, 2015-2020, e të pasaportës së indikatorëve, krijimin, funksionimin dhe detyrat e Komitetit Koordinator për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, 2015-2020, dhe Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.692, DATË 5.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “KRITERET PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATË PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË UDHËRRËFYESIT TURISTIK, DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE KODIN E ETIKËS SË TYRE””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 57, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.692, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 3, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për turizmin …”.

2. Në rregulloren “Kriteret për pajisjen me certifikatë për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, detyrat, përgjegjësitë dhe kodin e etikës së tyre”, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Pas shkronjës “ç”, të pikës 2, të nenit 2, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) “Aplikim elektronik”, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, ku të mundësohet aplikimi për pajisjen me certifikatë për ushtrimin e veprimtarisë së udhërëfyesit turistik dhe dorëzimi i dokumenteve që shoqërojnë kërkesën.”.

b) Në nenin 5 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

i. Paragrafi i parë, i pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për t’u pajisur me certifikatën e udhërrëfyesit turistik, aplikuesi duhet të plotësojë formularin e aplikimit, i cili duhet të përmbajë:”.

ii. Shkronja “ç”, e pikës 2, shfuqizohet.
iii. Shkronja “a”, e pikës 3, shfuqizohet.
iv. Pas shkronjës “dh”, të pikës 3, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) Fotografinë për dokument të aplikuesit në format elektronik.”.

c) Në nenin 10 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

i. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Udhërrëfyesi, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë para përfundimit të afatit të vlefshmërisë së certifikatës së tij, aplikon nëpërmjet formularit të aplikimit, me të njëjtat të dhëna, të parashikuara në pikën 2, të nenit 5.”.

ii. Shkronja “a”, e pikës 2, shfuqizohet.
iii. Pas shkronjës “d”, të pikës 2, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:

“dh) Fotografinë për dokument të aplikuesit në format elektronik.”.

II. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2021.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.893, DATË 4.11.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSPEKTORATIT KOMBËTAR TË MBROJTJES SË TERRITORIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.893, datë 4.11.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Kudo në përmbajtje të vendimit, emërtesa “Ministria e Punëve të Brendshme” zëvendësohet me fjalët “… Ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike …” dhe fjala “… Dega …” zëvendësohet me fjalët “… Drejtoria Rajonale …”.

2. Në kreun I bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është institucion qendror, buxhetor, person juridik, publik, në varësi të ministrit përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë e territorit dhe të ndërtimeve, si dhe për parandalimin, mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e peizazhit, të tokës, të ajrit, të ujërave dhe të pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrje të kundërligjshme të çfarëdo lloji, me seli në Tiranë.”.

b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Misioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit është kontrolli, mbrojtja e territorit dhe e peizazhit nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt në fushën e zhvillimit, të planifikimit, të mbrojtjes së territorit, të tokës, të ajrit, të ujërave dhe të pyjeve, të disiplinimit të punimeve në ndërtim, të produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore.”.

3. Në kreun II bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 1, pas shkronjës “ë” shtohen shkronjat “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, me këtë përmbajtje:

“f) Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Berat;
g) Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Dibër;
gj) Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Elbasan;
h) Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Fier;
i) Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Lezhë.”.

b) Në pikën 4, fjalët “… në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar …” zëvendësohen me “… në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e territorit, peizazhit dhe pyjeve nga ndërhyrjet e kundërligjshme …”.

c) Në pikën 5, fjalët “… rajonal përkatës …” zëvendësohen me “… përkatës në bazë qarku …”.

4. Në pikën 4, të kreut IV, fjalët “… me nenin 11, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”” zëvendësohen me “… me dispozitat ligjore në fuqi.”.

II. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Për vitin 2020, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.

2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është:

a) 14 pozicione për kategorinë e mesme drejtuese;
b) 30 pozicione për kategorinë e ulët drejtuese.

3. Pozicionet në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e mesëm drejtues, gjithsej 14, si dhe për nivelin e ulët drejtues, gjithsej 21, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR INFORMACIONIN KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, KRIMEVE TË RËNDA DHE TERRORIZMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, si dhe të pikës 5, të nenit 37, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Struktura administruese e bazës të të dhënave, krijuar në bazë të nenit 37, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, është Operacioni Forca e Ligjit (në vijim referuar OFL), në Policinë e Shtetit.

2. Regjistrimi i të dhënave në bazën e të dhënave bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

3. Baza e të dhënave ka për qëllim administrimin, përpunimin dhe analizimin e të dhënave mbi krimin e organizuar, krimet e rënda e terrorizmin dhe përmban të dhënat e mëposhtme:

a) Çdo vendim penal, pavarësisht nëse ka marrë formë të prerë ose jo, për një nga veprat penale të parashikuara në nenin 5, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave;
b) Çdo vendim penal të dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë ose të huaj ose pa shtetësi por me banim në shtetin shqiptar, për një nga veprat penale të parashikuara në nenin 5, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave;
c) Çdo vendim mosfillimi të procedimit, të pushimit të akuzës ose të çështjes ose për dërgimin e çështjes në gjyq për një nga veprat penale të parashikuara në nenin 5, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave;
ç) Çdo vendim për marrjen e masave parandaluese personale, sipas parashikimeve të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave;
d) Çdo vendim për marrjen e masave parandaluese me karakter pasuror dhe ekonomik, të marrë sipas parashikimeve të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave ose sipas parashikimeve të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.

4. Të dhënat e përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, janë të dhëna parësore në bazën e të dhënave shtetërore ICMIS – Sistemi Elektronik i Regjistrimit të Çështjeve Gjyqësore, të administruar nga Ministria e Drejtësisë.

5. Të dhënat parësore të bazës të të dhënave janë elementet, si më poshtë vijon:

a) Gjykata ose autoriteti tjetër që e ka dhënë;
b) Të dhënat referenciale mbi gjenealitetet e të pandehurit, të të dënuarit ose të shtetasit ndaj të cilit është marrë vendimi, sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të pikës 3, të këtij vendimi, ose janë marrë masat parandaluese sipas shkronjave “ç” dhe “d”, të pikës 3, të këtij vendimi, ose të dhëna të tjera personale që vlejnë për ta identifikuar si dhe gjenealitetet e palëve të tjera private;
c) Akuza ose lloji i masës parandaluese personale ose me karakter pasuror;
ç) Parashtrimi i përmbledhur i rrethanave të faktit;
d) Dispozitivi;
dh) Data dhe vendi i marrjes së vendimit.

6. Të dhënat dytësore të bazës të të dhënave janë të dhëna që merren nga:

a) Ministria e Drejtësisë;
b) Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
c) Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
d) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
dh) Agjencia e Prokurimit Publik;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
ë) Qendra Kombëtare e Biznesit;
f) Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
g) Bankat e nivelit të dytë;
gj) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;
h) Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
i) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

7. Për të dhënat që administrohen në bazën e të dhënave ndërveprohet me:

a) bazën e të dhënave të sistemit gjyqësor;
b) bazën e të dhënave të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
c) bazën e të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në kuadër të projektit të shkëmbimit të informacionit;
ç) bazën e të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

8. Baza e të dhënave ndërvepron me çdo sistem tjetër të Policisë së Shtetit, sipas procedurave standarde të punës të miratuara nga drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

9. Niveli i aksesit dhe të drejtat e secilit përdorues për punonjësit e OFL-së në bazën e të dhënave përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke marrë parasysh funksionin dhe pozicionin e punës së përdoruesve.

10. Nivelet e bazës të të dhënave janë, si më poshtë vijon:

a) Përdorues;
b) Konsultues;
c) Menaxhues;
ç) Supervizor.

11. Subjektet që kanë akses të nivelit “Konsultues” në bazën e të dhënave janë, si më poshtë vijon:

a) Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
b) Prokuria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
c) Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
d) Shërbimi Informativ i Shtetit;
dh) Komisioni i Prokurimit Publik;
e) Agjencia e Prokurimit Publik.

Aksesi në bazën e të dhënave i këtyre subjekteve është në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre dhe përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

12. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Operacioni Forca e Ligjit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE NË PASURINË ME NUMËR 27/31 DHE TË NJË SIPËRFAQEJE NË PASURINË ME NUMËR 27/32, ZONA KADASTRALE 1030, BASHKIA ROSKOVEC

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të një sipërfaqeje prej 1 006 (një mijë e gjashtë) m2 në pasurinë me numër 27/31 dhe të një sipërfaqeje prej 1 260.7 (një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë pikë shtatë) m2 në pasurinë me numër 27/32, zona kadastrale 1030, Bashkia Roskovec, sipas certifikatave të pasurive, hartave treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore, sipas lidhjes nr.1, të pasurive me numër 27/31 dhe 27/32, zona kadastrale 1030, njësia administrative Strum, Bashkia Roskovec.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Fier dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË TRAKTATIT TË EKSTRADIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të traktatit të ekstradimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.