Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 08 Korrik 2020:

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT OSE TË RIPARIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) SI DHE MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË DURRËS, TIRANË, LEZHË, KRUJË DHE KAVAJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 4 852 410 743 (katër miliardë e tetëqind e pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e dhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 3 220 790 743 (tre miliardë e dyqind e njëzet milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekësh për:

i. financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në masën 2 140 100 000 (dy miliardë e njëqind e dyzet milionë e njëqind mijë) lekë;
ii. financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në masën 1 080 690 743 (një miliard e tetëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekë.

b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 703 220 000 (shtatëqind e tre milionë e dyqind e njëzet mijë) lekësh për:

i. financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në masën 559 370 000 (pesëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e treqind e shtatëdhjetë mijë) lekë;
ii. financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në masën 143 850 000 (njëqind e dyzet e tre milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

c) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 249 450 000 (dyqind e dyzet e nëntë milionë e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

ç) Bashkisë Krujë i transferohet fondi prej 660 700 000 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

d) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 18 250 000 (tetëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Lezhë, Tiranë Jug, Tiranë Veri, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Kukës, Lushnjë, Sarandë, Kavajë, Durrës, Vlorë, Berat dhe Zonat e Stimuluara.

2. Masa e kompensimit është 62 695,3 (gjashtëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e pesë presje tre) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 581 538 573,55 (pesëqind e tetëdhjetë e një milionë e pesëqind e tridhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e tre presje pesëdhjetë e pesë) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:

a) Për pronat me numrat rendorë sipas kolonës 1, të shtojcës 1, përkatësisht, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7, nr.8, nr.9, nr.10, nr.11, nr.14, nr.15, nr.16, nr.17, nr.18, nr.51, nr.56, nr.92, nr.93, nr.169, nr.174, nr.177, nr.178, nr.182, nr.186, nr.187, nr.188, nr.201, nr.210, nr.211, nr.213, nr.214, nr.218, nr.219, nr.234, nr.256, nr.257, nr.260, nr.261, nr.268, nr.276, nr.284, nr.285, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

b) Për pronën me numër rendor 195, sipas kolonës 1, të shtojcës 1, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pa përfunduar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Lezhë, Tiranë Jug, Tiranë Veri, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Kukës, Lushnjë, Sarandë, Kavajë, Durrës, Vlorë, Berat dhe Zonat e Stimuluara, kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR GARANTIMIN E RREGULLIT E TË SIGURISË NË GJYKATA DHE PROKURORI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve dhe i procedurave lidhur me rregullin e sigurinë në ambientet e gjykatave dhe të prokurorive, nëpërmjet të cilave synohet marrja e masave të destinuara për:

a) mbrojtjen e personave, duke përfshirë magjistratët, punonjësit e administratës së gjykatës dhe të prokurorisë, palët në proces, personat e thirrur në proces, publikun dhe të gjithë përdoruesit e tjerë, nga aktet e agresionit apo nga aktet keqdashëse të vullnetshme;
b) sigurinë e tërësisë së ndërtesës së gjykatës dhe të prokurorisë, të të gjitha objekteve dhe pajisjeve të strehuara në to, duke përfshirë të gjitha hapësirat e jashtme që ndodhen në perimetrin e tyre, përfshirë edhe parkingun, nga rreziqet e zjarrit, elektrike si dhe rreziqe të tjera të dëmtimit.

2. Rregullat mbi sigurinë dhe rregullin në gjykata e prokurori hartohen dhe zbatohen në përputhje me parimin e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, të konfidencialitetit, të mosdiskriminimit, të garantimit të aksesueshmërisë së personave me aftësi të kufizuara si dhe të aksesit të barabartë në drejtësi.

3. Rregullat e parashikuara në këtë vendim nuk duhet të cenojnë veprimtarinë gjyqësore dhe administrative të institucioneve përkatëse, si dhe zhvillimin në mënyrë transparente e publike të proceseve gjyqësore.

4. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

a) “Punonjës sigurie”, punonjësit e ngarkuar për të garantuar rendin dhe sigurinë në gjykata e prokurori, sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës në fuqi.
b) “Gjykata”, gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit, Gjykata e Lartë, si dhe gjykatat e tjera të cilat krijohen me ligj, me përjashtim të gjykatave, siguria dhe rregulli i të cilave gjen rregullim të posaçëm.
c) “Prokurori”, prokuroritë pranë gjykatave me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë, pranë gjykatave me juridiksion të përgjithshëm të apelit dhe Prokuroria e Përgjithshme, me përjashtim të Prokurorisë së Posaçme.
ç) “Kryetar”, kryetari i gjykatës ose i prokurorisë, përfshirë kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
d) “Këshillat”:

i. Këshilli i Lartë Gjyqësor;
ii. Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

dh) “Ambiente”, përkatësisht, ambientet e brendshme të gjykatës apo të prokurorisë dhe trualli funksional përreth tyre, duke përfshirë pjesët e përbashkëta me ndërtesën kryesore, parkingun për automjetet, si dhe çdo objekt tjetër brenda perimetrit rrethues të godinës, që përdoret në funksion të ushtrimit të veprimtarisë të gjykatës dhe të prokurorisë.
e) “Siguria e ambienteve”, i referohet ndalimit të hyrjes së paligjshme, dëmtimit dhe kryerjes së akteve të dhunshme ndaj ambienteve, sjelljes së eksplozivëve, të armëve ose të sendeve të tjera që mund të përdoren si armë ose çdo aktiviteti tjetër të paligjshëm ndaj ambienteve të gjykatës apo prokurorisë.

II. KRITERET PËR GARANTIMIN E RREGULLIT DHE TË SIGURISË NË GJYKATA E PROKURORI

1. Këshillat hartojnë politikën për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht, në ambientet e gjykatës apo të prokurorisë, e cila është në përputhje me politikën e përgjithshme kombëtare dhe përcakton qartë objektivat e përgjithshëm në lidhje me rregullin e sigurinë, si dhe pasqyron angazhimet e marra për përmirësimin e performancës së tyre në çdo gjykatë e prokurori.

2. Kriteret që duhet të udhëheqin këshillat në garantimin e rregullit dhe të sigurisë në institucionet përkatëse lidhen me:

a) përgatitjen dhe përditësimin e programit për menaxhimin e rregullit e të sigurisë;
b) planifikimin e nevojave buxhetore në fushën e rregullit dhe të sigurisë;
c) përcaktimin e objektivave në fushën e rregullit e të sigurisë së ambienteve, si dhe në fushën e sigurisë në punë;
ç) përcaktimin e objektivave prioritarë të përmirësimit të performancës dhe të ndërhyrjeve në fushën e rregullit e të sigurisë;
d) kryerjen e diagnostikimeve të sigurisë ndaj zjarrit në gjykata dhe prokurori, me qëllim identifikimin e të gjitha rasteve të mospërputhjes me rregullat e mbrojtjes nga zjarri dhe propozimin e planeve të sigurimit të ndërtesave;
dh) hartimin dhe zbatimin e planeve të veprimit, për të përmirësuar parandalimin e rreziqeve të rënies së zjarrit, si dhe të planeve të emergjencave sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen civile;
e) marrjen e masave për vendosjen e pajisjeve të nevojshme për funksionimin, kontrollin dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të sigurisë;
ë) përgatitjen dhe përditësimin e procedurave që mundësojnë ndërgjegjësimin dhe informimin në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen e nëpunësve të gjykatës apo të prokurorisë dhe stafit administrativ;
f) marrjen e masave për përmirësimin në mënyrë të vazhdueshme të sigurisë së objekteve dhe sigurisë në punë dhe ofrimin e trajnimeve të detyrueshme për stafin e gjykatave e të prokurorive në fushën e sigurisë;
g) rishikimin dhe kontrollin periodik të sistemit të menaxhimit të sigurisë dhe mjeteve ekzistuese, me qëllim garantimin e përshtatshmërisë e të efikasitetit të tyre;
gj) vendosjen e rregullave e të procedurave në lidhje me ruajtjen dhe instalimin e pajisjeve të sigurisë, si dhe ruajtjen e shkatërrimin e dokumentacionit, të regjistrave fizikë ose elektronikë, të sistemeve dhe çdo mjeti ose pajisjeje tjetër, nëpërmjet të cilit administrohen dhe përpunohen të dhënat personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
h) përcaktimin e përgjegjësisë së aktorëve të ndryshëm të gjykatave e të prokurorive, të ngarkuar me klasifikimin e informacioneve dhe përhapjen e tyre;
i) përcaktimin e rregullave e të masave në kuadër të garantimit të konfidencialitetit dhe të sigurisë të të dhënave personale që do të përpunohen gjatë implementimit të masave të sigurisë fizike.
3. Këshilli i gjykatës miraton rregulla të veçanta për çështje të ruajtjes dhe të sigurisë në gjykatë.

III. RREGULLAT E SIGURISË

Rregullat e sigurisë janë, si më poshtë vijon:

1. Sigurimi i ambienteve:

Ndërtesa e gjykatës dhe e prokurorisë ruhet me punonjës të sigurisë, për të garantuar ruajtjen e rregullit e të sigurisë, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

2. Hyrja në godinë:

a) Hyrja e publikut në godinën e gjykatës apo të prokurorisë realizohet vetëm nëpërmjet hyrjes kryesore, pas verifikimit të dokumentit të identifikimit nga punonjësi i sigurisë.
b) Hyrja kryesore e godinës së gjykatës apo të prokurorisë mbikëqyret nga një ose disa punonjës të sigurisë.
c) Çdo person i nënshtrohet procedurave të kontrollit dhe të sigurisë në momentin e hyrjes në godinë.
ç) Magjistratët, punonjësit e administratës së gjykatës dhe të prokurorisë, si dhe personat e autorizuar nga kryetari hyjnë në godinë nëpërmjet një hyrjeje të veçantë.
d) Hyrja e personave të ndaluar apo të arrestuar, të paraburgosurve dhe të dënuarve të shoqëruar realizohet nëpërmjet hyrjes së veçantë për këto kategori.
dh) Hyrjet e veçanta, sipas shkronjave “ç” dhe “d”, të kësaj pike, shërbejnë edhe si dalje emergjence në rastet kur jepet urdhër për evakuim nga kryetari.

3. Hyrja e automjeteve:

a) Hyrja e automjeteve në dispozicion të gjykatës apo të prokurorisë, të automjeteve private të magjistratëve dhe të punonjësve të administratës, e mjeteve të cilat transportojnë të akuzuarit nga institucionet e paraburgimit dhe të dënuarit nga institucionet e vuajtjes së dënimit, për të marrë pjesë në seancë, si dhe të automjeteve të furnizimit dhe ofruesve të jashtëm të shërbimit, realizohet përmes portave të veçanta për hyrjen e këtyre automjeteve.
b) Në raste të veçanta, sipas rastit, mund të lejohen të hyjnë edhe automjete të tjera, vetëm me autorizim paraprak të kryetarit.
c) Hapësira e parkimit rreth godinës së gjykatës apo të prokurorisë përdoret vetëm për automjetet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike.
ç) Hyrja e automjeteve mbikëqyret me punonjës sigurie.

4. Siguria në godinë:

a) Rregullat bazë të sigurisë që duhet të përmbushen nga çdo gjykatë dhe prokurori janë:

i. pajisja me detektorë elektronikë, që vendosen pranë hyrjes kryesore për diktimin e hyrjeve të paautorizuara;
ii. vendosja e pajisjeve të testuara për fikjen e zjarrit në ambientet e godinës së institucionit përkatës si dhe sistemit të alarmit të zjarrit;
iii. pajisja me mjete të sigurisë (çelësa, karta hyrjeje apo mjete të tjera të kësaj natyre) e punonjësve të administratës të institucionit përkatës, me qëllim realizimin e hyrjes nëpërmjet hyrjes së veçantë të godinës së institucionit;
iv. pajisja me sistemin e kamerave të vëzhgimit të lidhura me detektorë alarmi dhe atë elektronik të lejimit të hyrjes në godinë, si dhe me server të ruajtjes së këtyre të dhënave për një periudhë deri në 2 muaj;
v. pajisja e dritareve me sistem elektronik detektimi, me sensorë apo detektorë;
vi. vendosja e sinjalistikës për vendkalimet e emergjencës që i mundësojnë personelit dhe publikut të dalë jashtë me shpejtësi;

b) Informacioni i përmbledhur mbi rregullat bazë të sigurisë afishohet në një vend të dukshëm në ambientet hyrëse të institucionit përkatës.

c) Gjykatat dhe prokuroritë përcaktojnë personat përgjegjës që do të kenë akses në sistemet e kamerave si dhe vendosin rregulla specifike lidhur me përpunimin e të dhënave personale, në përputhje me udhëzimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, “Për përpunimin e të dhënave personale me sistemin e video survejimit në ndërtesa dhe mjedise të tjera”.

IV. PUNONJËSI I SIGURISË

1. Punonjësi i sigurisë garanton rregullin dhe sigurinë në:

a) hyrjet kryesore dhe të veçanta të institucionit përkatës;
b) portat për hyrjen e automjeteve dhe hapësirën e parkimit;
c) sallën e gjyqit, nëse i kërkohet nga kryetari i seancës, në zbatim të urdhrave të dhënë prej tij;
ç) ambientet e tjera të brendshme, të cilat përfshijnë kryesisht korridoret lidhëse pranë zyrave, si dhe brenda perimetrit rrethues të godinës së institucionit përkatës.

2. Punonjësi i sigurisë ka uniformën e tij të veçantë, me qëllim evidentimin nga publiku si dhe pajiset me mjet identifikimi, që përmban në mënyrë të dallueshme fotografinë e punonjësit, funksionin e tij dhe shenjën dalluese të subjektit të ofrimit të shërbimit të sigurisë.

3. Punonjësi i sigurisë është i detyruar të mbajë në vend të dukshëm mjetin e identifikimit, gjatë gjithë qëndrimit të tij në ambientet e institucionit përkatës.

4. Punonjësi i sigurisë mund të kontrollojë hyrjen e godinës apo automjetet dhe personat që dyshohen se përbëjnë rrezik për sigurinë e mjediseve, brenda një perimetri prej 5 metrash rreth godinës së institucionit përkatës, duke nisur prej vijës së objektit.

5. Procedura e verifikimit dhe e kontrollit të personave nga punonjësi i sigurisë konsiston dhe kryhet, si më poshtë vijon:

a) Kontrolli i identitetit të personave që hyjnë ose qëndrojnë në ambientet e institucionit, nëpërmjet verifikimit të dokumentit të identifikimit të këtyre personave;
b) Në rast se personi që hyn nuk posedon asnjë dokument identifikimi, identifikimi i tij mund të konfirmohet në një mënyrë tjetër të përshtatshme;
c) Në rast se identiteti i personit nuk mund të konfirmohet, punonjësi i sigurisë nuk lejon hyrjen e tij në institucionin përkatës;
ç) Kontrolli fizik i personave që hyjnë, qëndrojnë ose largohen nga ambientet e institucionit përkatës, si dhe i sendeve që zotërojnë apo mbajnë me vete;
d) Kontrolli sipas shkronjës “ç”, të pikës 5, të këtij kreu, mund të bëhet nëpërmjet këqyrjes, prekjes sipërfaqësore ose duke përdorur mjete të tjera të përshtatshme, të tilla si detektorët;
dh) Kontrolli që përfshin prekjen sipërfaqësore bëhet nga punonjësi i sigurisë me gjininë e njëjtë me personin që hyn, qëndron ose largohet nga ambientet e institucionit, përveçse në rastet kur nuk është e mundur kryerja e kontrollit aty për aty, në mënyrë të menjëhershme.

6. Regjistrimi i sendeve bëhet, si më poshtë vijon:

a) Punonjësi i sigurisë ruan përkohësisht sende të personit, në vende të krijuara posaçërisht për këtë qëllim, me qëllim për të lejuar personin të hyjë në ambientet e institucionit.
b) Regjistrimi i sendeve të mbajtura bëhet në formë të shkruar dhe me nënshkrimin e personit që posedon këtë send.
c) Personi, i cili kundërshton mbajtjen e sendit/eve të ndaluar/a, nuk lejohet të hyjë në institucion.
ç) Punonjësi i sigurisë mban përgjegjësi për ruajtjen e sendit gjatë kohës që personi qëndron në ambientet e institucionit përkatës dhe kthimin e sendit me shkrim në momentin e largimit nga institucioni.

7. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, në ambientet e institucioneve përkatëse nuk lejohet mbajtja e sendeve, por pa u kufizuar vetëm në to, të përcaktuara, si më poshtë vijon:

a) Armët, sipas kuptimit të dhënë nga legjislacioni në fuqi për armët;
b) Sende të mprehta ose me majë (duke përfshirë brisqe, gërshërë, kaçavida ose çdo send tjetër të ngjashëm);
c) Spray për mbrojtje;
ç) Pranga;
d) Kafshë;
dh) Substanca narkotike e psikotrope;
e) Çdo mjet tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë dhe rregullin në ambientet e institucionit.

8. Lista e sendeve të ndaluara, sipas pikës 7, të këtij kreu, afishohet në një vend të dukshëm në ambientet hyrëse të institucionit përkatës.

9. Në rastet kur mbajtja me vete e sendeve të ndaluara përbën vepër penale, punonjësi i sigurisë autorizohet të ndalojë mbajtësin e tyre dhe të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

10. Rregullat për sendet e ndaluara nuk zbatohen për:

a) personat, që mbajnë armë vetëm për shkak të funksionit dhe gjatë kryerjes së tij;
b) sende që përbëjnë provë materiale, për qëllime të gjykimit.

11. Punonjësi i sigurisë, me qëllim ruajtjen e rregullit e të sigurisë në ambientet e institucionit përkatës, kryen detyrat e mëposhtme:

a) Siguron ndalimin e hyrjes për personat, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë e personave ose të godinës së institucionit përkatës;
b) Ushtron kontroll personal nëpërmjet pajisjeve teknike dhe inspekton çantat e personave që hyjnë në ambientet e brendshme të institucionit;
c) Merr masa për bllokimin e përkohshëm të sendeve, mbajtja dhe futja në institucion e të cilave është e ndaluar sipas këtij vendimi, me qëllim për të lejuar personin të hyjë në ambientet e institucionit përkatës;
ç) informon kryetarin e institucionit përkatës dhe, në mungesë të tij, kancelarin, për sjellje të dyshimta nga personat që ndodhen në ambientet e godinës së institucionit;
d) Merr masat e nevojshme për kufizimin e qarkullimit të automjeteve të palejuara në hapësirat e parkimit, në bodrume, në garazhe, si dhe në oborrin e institucionit përkatës;
dh) Përdor forcën fizike në përputhje dhe proporcion me rastet që e kanë diktuar atë dhe aq sa është e nevojshme për të shmangur apo neutralizuar situatën e rrezikut të krijuar;
e) Raporton pranë kryetarit të institucionit përkatës dhe, në mungesë të tij, kancelarit, telefonatat që përmbajnë kërcënime të shprehura apo nënkuptojnë mundësinë e një rreziku real për magjistratët dhe/apo punonjësit e administratës së institucionit;
ë) Jep udhëzime të shprehura, në zbatim të urdhrave të kryetarit të institucionit;
f) Mban kontakte të vazhdueshme me institucione si policia, personeli i grupit të shoqërimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, spitalet, zjarrfikëset dhe i raporton në mënyrë periodike kryetarit të institucionit përkatës;
g) Ndërmerr kontrolle rutinë për të gjitha pajisjet e sigurisë dhe i raporton kryetarit të institucionit përkatës në rast të mosfunksionimit të këtyre pajisjeve;
gj) Vlerëson mjediset e prirura ndaj zjarrit dhe mbron personat si dhe pasuritë nga rreziku i ndezjes apo shpërthimit së zjarrit;
h) Kryen evakuimin e godinës, në zbatim të urdhrit verbal të kryetarit, sipas planeve të emergjencave të përcaktuara për rastet e evakuimit. Në rastet e rrezikut të madh e të menjëhershëm, evakuimi mund të kryhet edhe pa urdhër të kryetarit.
i) Informon menjëherë kryetarin, dhe në mungesë të tij kancelarin, si dhe strukturat policore për çdo ngjarje të rëndë që paraqet rrezik real dhe cenon sigurinë e institucionit përkatës, e cila konstatohet pas orarit zyrtar.

V. DREJTIMI I PERSONELIT TË SIGURISË

1. Kryetari i institucionit përkatës drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e punonjësit të sigurisë, e cila kryhet në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.

2. Në ushtrimin e funksioneve të tij, kryetari kryen këto detyra:

a) Jep urdhra verbalë për evakuim:

i. në rast rreziku brenda godinës, që nuk mund të evitohet në mënyrë tjetër;
ii. në rast aktivizimi të sistemit të alarmit për rënien e zjarrit.

b) Mban kontakte të herëpashershme me strukturat drejtuese policore, për të garantuar rregullin dhe sigurinë;
c) Harton planet e veprimit për sigurimin e rregullit në institucion;
ç) Krijon dhe përditëson një regjistër të sigurisë ndaj zjarrit, i cili përmban të gjitha informacionet e domosdoshme për sigurinë nga zjarri për ndërtesat e hapura për publikun dhe shërben si regjistër sigurie dhe si historik i parandalimit dhe fikjes së zjarreve;
d) Merr masat për mbajtjen e pajisjeve teknike në gjendje funksionale dhe testimin sistematik të tyre;
dh) Merr masat e nevojshme për furnizimin me energji elektrike në mënyrë të qëndrueshme dhe vendosjen e gjeneratorëve në vende të sigurta;
e) Merr masat për sigurimin e mirëmbajtjes dhe të kontrollit të rregullt të sistemeve të informacionit;
ë) Merr çdo masë tjetër të nevojshme për të garantuar rregullin dhe sigurinë në ambientet e institucionit përkatës.

3. Gjatë ushtrimit të detyrave të përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, me qëllim garantimin e rregullit e të sigurisë, kryetari ndihmohet nga kancelari për përmbushjen e tyre.

VI. RREGULLA TË FUNDIT

1. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi mbulohen, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

2. Ngarkohen Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kryetarët si dhe kancelarët e gjykatave dhe të prokurorive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.47, DATË 22.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË  PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2020, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.47, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 2 278 (dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë) veta.

2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, në ndarjet “Gr.05, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, “Gr.10, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”, “Gr.15, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme” dhe “Gr.87, Institucione të tjera qeveritare”, shtohen nënndarjet sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Në ndarjen “Gr.05, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural” periudha kohore për 2 punonjësit manovratorë dhe 3 punëtorë të mirëmbajtjes së zgarës të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Durrës bëhet 6-mujore.

II. Ngarkohen institucionet e përmendura në këtë vendim që të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhën kohore të punësimit dhe kategorinë përkatëse të pagës së tyre.

III. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.313, DATË 1.7.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E STRUKTURËS, TË NUMRIT TË PUNONJËSVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE TË POLICISË SË BASHKISË DHE KOMUNËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.8224, datë 15.5.1997, “Për organizimin dhe funksionimin e policisë së bashkisë dhe komunës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në lidhjen bashkëlidhur vendimit nr.313, datë 1.7.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 19, të kreut XXXIV, numri maksimal i punonjësve të Policisë Bashkiake, për Bashkinë Tiranë, bëhet 500 (pesëqind) veta.

2. Numri i përgjithshëm i punonjësve të Policisë Bashkiake bëhet, gjithsej, 1 387 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e shtatë) veta.

II. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KËRKESAVE MINIMALE TË PERFORMANCËS SË ENERGJISË SË NDËRTESAVE DHE TË ELEMENTEVE TË NDËRTESAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kërkesat minimale për performancën e energjisë së ndërtesave dhe të elementeve të ndërtesave, duke synuar që të arrihen nivelet optimale të konsumit energjetik për një përdorim tipik të ndërtesës.

2. Ky vendim përcakton kërkesat minimale të performancës së energjisë për:

a) të gjitha ndërtesat e reja dhe njësitë e ndërtesave të reja gjatë të gjitha fazave të ndërtimit, përfshirë projektimin;
b) ndërtesat ekzistuese dhe njësitë e ndërtesave ekzistuese, kur ato i nënshtrohen një rinovimi të rëndësishëm ose kur shtohen/zgjerohen, përfshirë projektimin;
c) elementet e veçanta të ndërtesës, të cilat janë pjesë e mbështjellëses së ndërtesës dhe që kanë një ndikim të konsiderueshëm mbi performancën e energjisë së ndërtesës, kur ato zëvendësohen ose i shtohen ndërtesës;
ç) infiltrimet e ajrit në ndërtesë;
d) sistemet teknike të ndërtesave të reja dhe ndërtesave ekzistuese (në rastin kur instalohet një sistem i ri ose kur do të zëvëndësohet) lidhur me performancën e tyre energjetike, përfshirë instalimin në mënyrën e duhur, vendosjen e sistemeve të tyre të kontrollit dhe automatizimin me qëllim rritjen e efiçencës.

3. Kërkesat e këtij vendimi zbatohen për ndërtesat rezidenciale ose të banimit sipas tipologjisë së përdorimit të stokut të këtyre ndërtesave në përputhje me pikën 7, të nenit 5, të ligjit nr.116/2016:

a) Ndërtesa të veçuara të banimit me një familje, përfshirë vilat, ndërtesa të lidhura dhe/ose shtëpi të veçuara me tarracë, të shënuara me kodin R1;
b) Blloqet e apartamenteve, përfshirë ndërtesa banimi me tre ose më shumë apartamente dhe blloqet e ndërtuara nga institucionet e mirëqenies sociale, të shënuara me kodin R2.

4. Kërkesat e këtij vendimi zbatohen për ndërtesat publike dhe jorezidenciale, sipas tipologjisë dhe funksionalitetit të stokut të këtyre ndërtesave në përputhje me pikën 7, neni 5, të ligjit nr.116/2016:

a) Zyrat, përfshirë bibliotekat, ndërtesat kërkimore dhe muzeumet, e shënuara me kodin JR1Z;
b) Ndërtesat e edukimit/arsimimit, përfshirë shkollat, universitetet, kopshtet, institucionet e edukimit, konviktet, gjykatat, burgjet dhe qendrat akomoduese, të shënuara me kodin JR2A;
c) Spitalet, përfshirë ndërtesat e kujdesit shëndetësor, ndërtesat e rehabilitimit dhe të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të shënuara me kodin JR3SP;
ç) Hotelet dhe restorantet, përfshirë ndërtesa biznesi dhe ndërtesa akomodimi dhe shërbimi, përveç ndërtesave të zyrave dhe ndërtesave tregtare, të shënuara me kodin JR4HR;
d) Ndërtesa ku zhvillohen aktivitete të tregtisë me shumicë ose pakicë që klasifikohen si ndërtesa shërbimi, përfshirë ndërtesa argëtuese, tregtare dhe ndërtesa stacioni/terminale, të shënuara me kodin JR5SH;
e) Objektet sportive, përfshirë objektet e mbyllura, përveç shesheve me akull të brendshëm, të shënuara me kodin JR6S.

5. Termat e përcaktuar në ligjin nr.116/2016, “Për performancën e energjisë në ndërtesa”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

a) “Vlera U, ose vlera specifike e koeficientit të përgjithshëm të transmetimit të nxehtësisë [W/(m2K)]”, humbja totale e nxehtësisë specifike përmes një elementi humogjen (mur, dritare, çati, tarracë, derë e jashtme dhe dysheme e mbështetur me tokën, përfshirë rezistencat termike për konveksion dhe rrezatim brenda dhe jashtë mbështjelljes) të mbështjellëses së ndërtesës për metër katror të sipërfaqes së elementit, për një ndryshim prej një gradë Kelvin midis temperaturës së brendshme dhe asaj të jashtme.

b) “Konsumi total i energjisë së ndërtesës (kWh/vit)”, sasia në kWh e energjisë ekuvalente të dhënë, e cila konsumohet përgjatë një viti përmes përdorimit të sistemeve teknike të ndërtesës për kontrollin e klimës së brendshme për ngrohjen, për ftohjen, për ngrohjen e ujit sanitar, për ventilimin, për ndriçimin dhe për funksionimin e pajisjeve të tjera elektrike.
Nga bilanci për konsumin total të energjisë në ndërtesë janë zbritur energjitë e rinovueshme të pakontrolluara që hyjnë në ndërtesë në formë pasive (diellore dhe ajri), si edhe energjia e rinovueshme e prodhuar për vetëkonsum brenda ndërtesës, së bashku me energjinë aerotermike ose gjeotermike të rinovueshme, të përdorur nga pompat e nxehtësisë.
Në bilancin vjetor për konsumin total të energjisë në ndërtesë do të përfshihen të gjitha humbjet e energjisë nga sistemet teknike, përfshirë burimet e energjisë, sistemet e gjenerimit të nxehtësisë, të shpërndarjes dhe të transformimit të energjisë.

c) “Nevoja për energji”, sasia e energjisë (elektrike dhe/ose termike pa marrë parasysh humbjet e sistemit dhe shndërrimet e energjisë) e nevojshme për kontrollin e klimës së brendshme në ngrohje/ftohje, ngrohjen e ujit për nevoja sanitare, ndriçimin, ventilimin dhe funksionimin e pajisjeve ndihmëse për realizimin e këtyre nevojave përmes energjisë termike dhe/ose elektrike. Nevoja për energji përfshin: nevojën për energji primare për ngrohjen/ftohjen e hapësirës, ngrohjen/ftohjen e ajrit të ventilimit, ngrohjen e ujit shtëpiak, ndriçimin dhe energjinë për funksionimin e pajisjeve.

ç) “Përdorimi tipik i një ndërtese”, përdorimi normal nga pikëpamja e funksioneve dhe numri i personave (okupantëve) në një ndërtesë, e cila sillet në përputhje me kërkesat minimale të performancës së energjisë, që merr parasysh qëllimin e përdorimit të ndërtesës, gjendjen e kushteve klimatike të mjedisit të jashtëm dhe klimatizimin e mjediseve të brendshme, kohën gjatë së cilës ndërtesa dhe sistemet e saj teknike përdoren dhe fitimet/humbjet e nxehtësisë ndodhin gjatë këtij përdorimi tipik ose standard.

d) “Ndërtesat publike”, në Shqipëri janë çdolloj ndërtese që është e aksesueshme për punonjësit dhe publikun, të cilat janë pronë dhe financohen përmes parave të taksave nga qeversja qendrore dhe bashkitë. Të gjitha llojet e zyrave të shërbimeve qeveritare dhe ato të bashkive konsiderohen ndërtesa publike.

II. KËRKESAT MINIMALE TË PERFORMANCËS SË ENERGJISË NË NDËRTESA

II.1. Kërkesat minimale të performancës së energjisë për mbështjelljen e ndërtesës dhe elementeve të veçanta të saj

Ndërtesat e reja dhe njësitë e tyre, si edhe ndërtesat ekzistuese dhe njësitë e tyre kur këto të fundit i nështrohen një rinovimi (ose rikonstruksion) të rëndësishëm përmbushin kërkesat e mëposhtme lidhur me performancën e energjisë:
1. Humbjet e nxehtësisë me transmetim nga mbështjellja (ku përfshihen muret, dritaret, dyert, çatia dhe dyshemja e mbështetur me tokën) e ndërtesave të reja dhe njësitë e ndërtesave të reja të shprehura me koeficientin e përgjithshëm të transmetimit të nxehtësisë U nuk tejkalojnë vlerat e lejuara të këtij koeficienti, të përcaktuara më poshtë:

a) Muret e jashtme në kontakt me mjedisin e jashtëm U = 0.38 (W/m2K)
b) Çatia (e pjerët ose taracë) U = 0.35 (W/m2K)
c) Soleta e papafingos U = 0.38 (W/m2K)
ç) Dysheme e mbështetur në tokë U = 0.5 (W/m2K)
d) Komponentët me xham (dritaret me kornize alumin i izoluar, plastike, druri, etj) në të cilët vlera U për strukturat e transparente (dritaret) përfshin xhamin dhe kornizën. U = 2.00 (W/m2K)

2. Humbjet e nxehtësisë me transmetim nga mbështjellësja (ku përfshihen muret, dritaret, dyert, çatia dhe dyshemja e mbështetur me tokën) e ndërtesave ekzistuese dhe njësitë e ndërtesave ekzistuese, kur ato i nështrohen një rinovimi të rëndësishëm dhe/ose kur shtohen/zgjerohen, të shprehura me koeficientin e përgjithshëm të transmetimit të nxehtësisë U, nuk tejkalojnë vlerat e lejuara të këtij koeficienti, të përcaktuara më poshtë:

a) Muret e jashtme në kontakt me mjedisin e jashtëm U = 0.40 (W/m2K)
b) Çatia (e pjerët ose taracë) U = 0.35 (W/m2K)
c) Soleta e papafingos U = 0.45 (W/m2K)
ç) Dysheme e mbështetur në tokë U = 0.5 (W/m2K)
d) Komponentët me xham (dritaret me kornize alumin i izoluar, plastike, druri, etj) në të cilët vlera U për strukturat e transparente (dritaret) përfshin xhamin dhe kornizën. U = 2.20 (W/m2K)

3. Çdo element i veçantë i ndërtesës ekzistuese si, dyshemeja, muret e jashtme, dritaret dhe/ose çatia, për të cilat në gjendjen para rinovimit vërtetohet që kanë vlerën U, nën vlerat e U-së (shprehur në W/m2K) të përcaktuara në kreun II.1, pikat 1 dhe 2, nuk është e detyrueshme të zvogëlohet më tej për shkak të rinovimit.

4. Kur rinovimi i një ndërtese ekzistuese përfshin rikonstruksionin për zgjerimin e sipërfaqes së dyshemesë së ndërtesës në masën mbi 30%, atëherë kjo shtesë konsiderohet si ndërtesë e re dhe plotëson kërkesat e përcaktuara në pikën 2, të ndarjes II,1, të këtij kreu.

5. Kur njëri nga elementet e veçuara nga mbështjellja e ndërtesës, si për shembull një dritare, derë e jashtme ose një mur i tërë, zëvendësohet tërësisht, elementi zëvendësues plotëson standardin e kërkuar në pikën 2, të ndarjes II.1, të këtij kreu.

6. Kërkesat minimale të performancës së energjisë për ndërtesat dhe njësitë e ndërtesave, që do t’i nënshtrohen një rinovimi të rëndësishëm, nuk zbatohen nëse zbatimi i këtyre kërkesave nuk përputhet me nivelin optimal të kostos, pra nuk është teknikisht ose praktikisht i realizueshëm dhe ekonomikisht i justifikueshëm për të gjithë jetëgjatësinë e ndërtesës.

7. Nivelet e performancës energjetike, që synohen të arrihen, përcaktohen në përputhje me metodologjinë e miratuar për llogaritjen e niveleve të kostos optimale për kërkesat minimale të performancës së energjisë së ndërtesave.

II.2. Kërkesat minimale të performancës së energjisë në sistemet teknike të ndërtesës

1. Të gjitha sistemet teknike për ndërtesat e reja rezidenciale dhe jorezidenciale, si edhe njësitë e tyre në fazën e projektimit miratohen dhe specifikohen nga audituesi i certifikuar i energjisë të kenë performancë të lartë të energjisë, në përputhje me standardet indikative minimale të efiçencës së energjisë, të përcaktuara në tabelën 1 të shtojcës I si dhe kërkesat e standardeve kombëtare të produktit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.68/2012.

2. Për qëllime të llogaritjes së performancës së energjisë në ndërtesë dhe për të plotësuar kërkesat për energji me qëllim plotësimin e kërkesave minimale të komfortit njerëzor në to, ndër të tjera, llogaritja e energjisë së përdorur për ngrohjen, ftohjen, ventilimin, prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar dhe ndriçimit, bëhet për nivelet optimale të kostove në përputhje kërkesat minimale për:

a) temperaturat minimale të zonave të ndërtesës për ngrohjen e hapësirës në (°C);
b) temperaturat maksimale të zonave të ndërtesës për ftohjen e hapësirës në (°C);
c) vlerat minimale të ajrit të freskët që ventilon hapësirën në (lit/m2/person);
ç) sasinë minimale të ujit të ngrohtë sanitar në (lit/person/ditë);
d) nivelin minimal të ndriçimit në (lux/m2).

Kërkesat minimale më sipër janë vendosur në tabelën 2 të shtojcës I dhe marrin në konsideratë numrin minimal të personave që okupojnë 1 m2 të ndërteses (persona/m2), së bashku me nivelin e metabolizmit (W/person) ose të nxehtësisë që çliron personi që okupon hapësirën. Këto vlera konsiderohen të pandryshuara gjatë përdorimit tipik të ndërtesës dhe zonave të saj.

3. Për ndërtesat ekzistuese dhe njësitë e tyre (rezidenciale dhe jorezidenciale) që i nështrohen ose jo një rinovimi apo rikonstruksioni të rëndësishëm, kur një pjesë e sistemeve teknike instalohet ose zëvendësohet, sistemi teknik i zëvendësuar apo instaluar i ri duhet të ketë një efiçencë energjetike në përputhje me standardet indikative minimale të efiçencës së energjisë, të përcaktuara në tabelën 1 të shtojcës I të këtij vendimi.

4. Për ndërtesat e reja dhe njësitë e tyre dhe për ndërtesat ekzistuese dhe njësitë e tyre që i nështrohen një rinovimi të rëndësishëm, kur parashikohet instalimi i ri i sistemit të ventilimit rekomandohet të përfshihet gjithmonë edhe rekuperatori i nxehtësisë me standardet indikative orientuese të efiçencës së energjisë, të përcaktuara në tabelën 1 të shtojcës I të këtij vendimi.

5. Në të gjitha rastet kur kërkohet leje ndërtimi për një ndërtesë të re dhe njësitë e saj si dhe për rinovimin apo rikonstruksionin e rëndësishëm të një ndërtese ekzistuese dhe njësitë e saj, në raportin e auditimit dhe të verifikimit të energjisë, që shoqëron certifikatën e performancës së energjisë, jepen prova se janë analizuar mundësitë e përdorimit të sistemeve alternative me efiçencë të lartë, të parashikuara, si më poshtë:

a) Sistemet e decentralizuara të furnizimit me energji që shfrytëzojnë burime të rinovueshme të energjisë, siç janë sistemet fotovoltaike vetëprodhuese për ndërtesën që rinovohet apo ndërtohet e re, panelet diellore për ujin e ngrohtë, pompat e nxehtësisë me performancë të lartë të ftohura me energji gjeotermike apo në ujërat sipërfaqësore për ngrohje/ftohje dhe ujë të ngrohtë sanitar;
b) Sistemet koogjeneruese;
c) Sistemet me pompa nxehtësie me koeficient performance të lartë;
ç) Sistemet e ngrohjes dhe ftohjes individuale dhe/ose të përqendruara, veçanërisht ato që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie që përdoren në qytete;
d) Sistemet e ngrohjes së ujit me burime të rinovueshme;
dh) Rikuperimi i energjisë në sistemet e ventilimit;
e) Ndriçimin efiçent duke përjashtuar llampat inkandeshente.

6. Përputhshmëria e ndërtesës me kërkesat minimale për performancën e energjisë në sistemet teknike të ndërtesës vlerësohet në bazë të lëshimit të certifikatës paraprake të performancës së energjisë pas regjistrimit të saj nga AEE-ja, gjatë fazës së projektimit, dhe me përfundimin e ndërtesës, dëshmia e përputhshmërisë me këto kërkesa sigurohet me lëshimin e certifikatës përfundimtare të performancës së energjisë.

II.3. Performanca e plotë e integruar e energjisë së ndërtesës

1. Konsumi total vjetor i energjisë së ndërtesës për një metër katror të sipërfaqes së përdorshme (të okupuar) të saj përfshin shumën e nevojës për energji primare për ngrohje, ftohje, ventilim, ujë të ngrohtë saniatar dhe ndriçim sipas përdorimit tipik të ndërtesës dhe vlerësohet nëpërmjet gjenerimit të certifikatës së performancës së energjisë (ÇPE), duke përdorur Metodologjinë Kombëtare të Llogaritjes së performancës së integruar të energjisë së ndërtesave të reja apo të rinovuara dhe të njësive të këtyre ndërtesave, të miratuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë në ndërtesa”, dhe programin kompjuterik të miratuar.

2. Ndërtesa konsiderohet se është në përputhje me kërkesat minimale të performancës së energjisë, nëse vlera e llogaritur e shkallës së efiçencës së energjisë primare në ÇPE është më e vogël ose e barabartë me 50.
Shkalla e efiçencës së energjisë primare përcaktohet si shumëzim i numrit pa përmasë 50 me raportin e nevojës për energji (në kWh/ m2 në vit) nga ndërtesa aktuale (NEA) e marrë në shqyrtim, mbi normën e synuar të nevojës për energji (në kWh/ m2 në vit) të ndërtesës referente (NER).

3. Certifikata e përkohshme për performancën e energjisë për ndërtesën e projektuar paraqitet si pjesë e aplikimit për leje ndërtimi. Regjistrimi i saj në AEE bëhet nëse janë përmbushur kushtet e përcaktuara në pikat e seksionit II.1 dhe II.2 dhe në pikën 2, të këtij seksioni.

4. Certifikata përfundimtare për performancën e energjisë për ndërtesën lëshohet pas përfundimit të ndërtesës në përputhje me përdorimin tipik (standard) të ndërtesës dhe vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij seksioni.

5. Ministria e përgjegjëse për ënergjinë, në jo më pak se çdo pesë vjet, e rishikon këtë vlerë kufi dhe e ndryshon këtë vendim për të vendosur një kufi të ri, më të ulët, nëse analiza e kostos optimale tregon që kjo është e justifikuar.

II.4. Kërkesat minimale për ndërtesat me performancë “afër zero energji”

1. Ndërtesa konsiderohet se është me performancë “afër zero energji” nëse i plotëson kërkesat e mëposhtme:

a) Raporti i konsumit total të energjisë së ndërtesës aktuale për një m2 të sipërfaqes, ndaj nevojës për energji të një m2 të ndërtesës referente, i shprehur në përqindje, të jetë më i vogël se 50%;
b) Raporti i energjisë së rinovueshme të prodhuar në ndërtesë gjatë një viti kundrejt konsumit total të energjisë të ndërtesës aktuale për një m2 të sipërfaqes, i shprehur në përqindje të jetë më i madh se 50%;
c) Vlera e llogaritur e shkallës së efiçencës së energjisë primare në CPE të jetë më e vogël se 25.

2. Verifikimi i kërkesave të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, bëhet nga auditues energjetikë të certifikuar nga AEE-ja, të cilët gjatë kryerjes se auditimit të energjisë së ndërtesës janë bazuar në Metodologjine Kombëtare të Llogaritjes, përmes përdorimit të programit kompjuterik të miratuar për gjenerimin e CPE.

3. Të dhënat mbi përputhshmërinë me standardin e ndërtimit me konsum “afër zero energji” përfshihen nga audituesi i energjisë në certifikatën e performancës së energjisë.

III. PROJEKTIMI DHE ZBATIMI I KËRKESAVE MINIMALE PËR PËRFORMANCËN E ENERGJISË NË NDËRTESAT

III.1. Detyrimet e subjekteve projektuese ndaj projekteve për ndërtesat e reja dhe atyre që i nënshtrohen rinovimit të rëndësishëm

1. Subjektet juridike projektuese, gjatë përgatitjes së projektit të ndërtesave të reja apo njësive të ndërtesave të reja, parashikojnë të gjitha aspektet e lidhura me ndërtimin, përfshirë:

a) materialet e ndërtimit dhe përmasat për secilin element;
b) materialet izoluese dhe trashësinë e tyre;
c) nyjet termike ose urat ndërmjet elementeve;
ç) llojin dhe performancën e sistemeve teknike (ngrohje, ftohje, ndriçim, vetilim, ujë i nxehtë);
d) kontrollin manual ose automatik të këtyre sistemeve.

2. Subjektet juridike projektuese kryejnë llogaritjet për përzgjedhjen e sistemeve teknike në përputhje me përcaktimet në këtë vendim ose drejtpërdrejt ose me ndihmën e ekspertëve ose audituesve të energjisë, për të siguruar:

a) vlerat U për çdo element mbështjellës të ndërtesës (mure, dritare, dysheme, çati, dyer), të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të kreut II.1;
b) vendosjen e fuqisë së instaluar të sistemit të ngrohjes në përputhje me kërkesat minimale të komfortit, të parashikuara në kreun II.2, pika 2, shkronja “a”;
c) vendosjen e fuqisë së instaluar të sistemit të ftohjes në përputhje me kërkesat minimale të komfortit, të parashikuara në kreun II.2, pika 2, shkronja “b”;
ç) vendosjen e sistemit të ventilimit për të respektuar vlerat e ajrit të freskët që ventilon hapësirën në përputhje me kërkesat minimale të komfortit, të parashikuara në kreun II.2, pika 2, shkronja “c”. Sistemi i ventilimit mund të jetë i integruar me sistemin qendror të ngrohje/ftohjes dhe duhet të parashikojë vendosjen e sistemit të rikuperimit të nxehtësisë për të reduktuar sasinë e energjisë të nevojshme për të arritur kërkesat minimale të furnizimit me ajër të freskët;
d) vendosjen e sistemit për prodhimin (ngrohjen) e ujit të ngrohtë sanitar (UNS) në përputhje me kërkesat minimale të komfortit, të parashikuara në kreun II.2, pika 2, shkronja “ç”;
dh) vendosjen e sistemit të ndriçimit në përputhje me kërkesat minimale të komfortit, të parashikuara në kreun II.2, pika 2, shkronja “d”.

3. Në bazë të rezultateve të llogaritjes së performancës së energjisë nga programi kompjuterik i miratuar, subjekti juridik projektues konfirmon nëse ndërtesa përputhet me kërkesat minimale për performancën e energjisë së ndërtesave. Në rast se këto kërkesa nuk përputhen, projekti ndryshohet derisa të përputhet me kërkesat e këtij vendimi.

4. Subjekti juridik projektues regjistron/përshkruan të gjitha specifikimet teknike në vizatimet dhe planet e detajuara inxhinierike. Këto specifikime përmbajnë të gjitha vlerat e përzgjedhura për kërkesat minimale të performancës së energjisë në përputhje me këtë vendim.

5. Gjatë aplikimit për të marrë leje ndërtimi në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, subjekti juridik projektues pajiset me certifikatën paraprake për performancën e energjisë për ndërtesën e projektuar nga audituesi energjetik i certifikuar nga AEE-ja.

III.2. Aprovimi i projektit

1. Subjekti juridik projektues/aplikanti si pjesë të dokumentacionit tekniko-ligjor që paraqet pranë autoriteteve përkatëse, ku aplikohet për leje ndërtimi, paraqet edhe certifikatën paraprake për performancën e energjisë, të lëshuar nga Audituesi Energjetik i Certifikuar, së bashku me “Deklaratën e përgjegjësisë profesionale”, nëpërmjet të cilës ai konfirmon dhe mban përgjegjësi për përputhshmërinë e projektit të propozuar me legjislacionin në fuqi që përcakton kërkesat minimale për perfomancën e energjisë së ndërtesave.

III.3. Aprovimi përfundimtar

1. Për ndërtesën e përfunduar, me qëllim marrjen e certifikatës së përdorimit të miratuar nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, aplikanti paraqet raportin përfundimtar të auditimit të efiçencës së energjisë, certifikatën përfundimtare të performancës, të lëshuar nga Audituesi Energjetik i Certifikuar dhe regjistruar pranë AEE-së, së bashku me “Deklaratën e përgjegjësisë profesionale”, nëpërmjet së cilës ai konfirmon dhe mban përgjegjësi për përputhshmërinë e projektit të përfunduar me legjislacionin në fuqi që përcakton kërkesat minimale për perfomancën e energjisë së ndërtesave.

III.4. Zbatimi i kërkesave minimale të performancës së energjisë për ndërtesat ekzistuese

1. Pronarët e ndërtesave me ndihmën e subjekteve juridike projektuese/zbatuese aplikojnë pranë autoriteteve aprovuese për të marrë leje ndërtimi me qëllim kryerjen e punimeve rinovuese në ndërtesë.

2. Pronari i ndërtesës ose subjekti juridik projektues i kontraktuar nga ai jep detaje për punimet që do të kryhen, duke përfshirë:

a) ndërhyrje me qëllim përmirësimin e performancës së energjisë në mbështjelljen e ndërtesës ose elementeve të veçanta të saj sipas parashikimeve të këtij vendimi;
b) ndërhyrje për ndryshimin e sistemeve ngrohëse/ftohëse, të ventilimit, UNS dhe ndriçimit me qëllim përmirësimin e performancës së energjisë të sistemeve teknike në përputhje me parashikimet dhe rekomandimet e këtij vendimi.

3. Pronari i ndërtesës ose subjekti juridik projektues, në projektin e rinovimit evidenton rezultatet e vlerave të U-së dhe efiçencën e sistemeve teknike të ndërtesës duke e krahasuar me vlerat fillestare sipas një raporti të audituesit.

4. Autoriteti aprovues vendos për të lëshuar ose jo lejen e ndërtimit/rinovimit pas rishikimit të dokumenteve të depozituara duke i krahasuar rezultatet me kërkesat e këtij vendimi.

5. Nëse kërkesat janë përmbushur, autoriteti aprovues lëshon lejen për rinovim.

6. Nëse këto kërkesa nuk janë përmbushur, autoriteti refuzon duke kërkuar rishikimin e projektit.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia për Efiçencën e Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të gjitha bashkitë dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi 3 (tre) muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË PASURISË 2/128, ZONA KADASTRALE 8541, NJËSIA ADMINISTRATIVE GJIROKASTËR DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME, SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të truallit me sipërfaqe 774 m2, katit bodrum me sipërfaqe 74.4 m2, katit përdhes me sipërfaqe 220.7 m2 dhe katit të parë 282.7 m2, të ndërtesës tre kate, të pasurisë 2/128, zona kadastrale 8541, njësia administrative Gjirokastër, sipas hartës kadastrale dhe planimetrive bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër.

2. Pjesa e pasurisë 2/128, e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, të ndryshuar.

3. Agjencisë Shtetërore të Kadastrës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve të pjesës së pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROJEKTIT PILOT “PËR MASAT PËR NXITJEN E TË NXËNIT, TË VIJUESHMËRISË DHE PËRPARIMIT TË NXËNËSVE TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “NAIM FRASHËRI”, KORÇË, PËR VITIN SHKOLLOR 2020-2021”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e 300 (treqind) bursave/kuotave ushqimore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2020-2021.

2. Vlera e bursës/kuotës ushqimore ditore është 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në ditë për nxënës, për mbulimin e kostos ushqimore. Vlera e bursës/kuotës ushqimore, që do t’u ofrohet nxënësve në mjediset e shkollës, në formën e shërbimit ushqimor ditor, të paketuar për çdo nxënës, për 170 (njëqind e shtatëdhjetë) ditë mësimore, jepet sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare Korçë-Pustec, në fillim të vitit shkollor, të dërgojë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, Bashkia Korçë, listën emërore të nxënësve që ndjekin mësimin në këtë institucion arsimor, përfitues të bursës/kuotës ushqimore. Lista emërore detajohet sipas klasave, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Një kopje e kësaj liste dërgohet në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë.

4. Fondet publike për mbulimin e shpenzimeve për bursat/kuotat ushqimore me qëllim zbatimin e këtij vendimi, rialokohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për Bashkinë Korçë dhe administrohen nga kjo bashki.

5. Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare Korçë-Pustec dhe drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, organizojnë aktivitete ekstrakurrikulare, me qëllim nxitjen e të nxënit, të vijueshmërisë dhe të përparimit të nxënësve të kësaj shkolle. Këto aktivitete organizohen në përputhje me udhëzimin nr.30, datë 12.9.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”.

6. Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programin buxhetor të arsimit 9-vjeçar.

7. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Korçë, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë, Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare Korçë-Pustec dhe shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË PUNËVE PUBLIKE NË KOMUNITET

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të punëve publike në komunitet.

2. Programi i punëve publike në komunitet është një program 12-mujor, i cili ka qëllim përfshirjen në tregun e punës të punëkërkuesve të papunë afatgjatë nëpërmjet ofrimit të mundësive të trajnimit dhe të punësimit me kohë të pjesshme në aktivitete me fokus shërbimet në dobi të komunitetit.

3. Fushat e veprimtarisë së programit të punëve publike në komunitet përfshijnë:

a) shërbimet e kujdesit për fëmijët;
b) shërbime të kujdesit shëndetësor dhe social;
c) shërbime të rehabilitimit të ish-përdoruesve të substancave narkotike;
ç) punime dhe shërbime për komunitetin dhe mjedisin;
d) shërbime këshillimi dhe informacioni;
dh) shërbime rinore;
e) sport;
ë) art, turizëm dhe kulturë.

II. PROGRAMI

1. Programi i punëve publike në komunitet zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, më poshtë AKPA, në bashkëpunim me organizatat e përcaktuara në pikën 5, të kreut III, të këtij vendimi, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e kësaj Agjencie, përfshirë aspektet financiare, ato të menaxhimit dhe të trajnimit.

2. Kohëzgjatja e mbështetjes së ofruar nga ky program është 12 muaj.

3. Punëkërkuesit e papunë, pjesëmarrës në këtë program, angazhohen 20 orë në javë gjatë 5 (pesë) ditëve të javës. Pjesën tjetër të ditës së punës punëkërkuesit e papunë pjesëmarrës mund të angazhohen në trajnime shtesë. Trajnimi kryhet në qendrat publike të formimit profesional ose në ato private të licencuara.

4. Në dispozicion të punëkërkuesve të papunë, pjesëmarrës në këtë program, vihet një mbikëqyrës, sipas pikës 9, të kreut III, të këtij vendimi, i cili është përgjegjës për zhvillimin e planit individual të trajnimit (PIT) për çdo person të punësuar në projekt dhe për garantimin e zbatimit të këtij programi.

5. PIT-ja mund të përfshijë trajnime më të avancuara ose të specializuara të aftësive apo dhe mund të ofrohet si mbështetje për njohuritë bazë të shkrimit dhe leximit. Ndërsa një pjesë e trajnimit duhet të trajtojë një gamë të gjerë temash që lidhen me jetën dhe me punën për një orientim më të mirë në tregun e punës.

6. PIT-ja miratohet nga strukturat përkatëse të AKPA-së.

III. KRITERET E APLIKIMIT

1. Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar dhe aktivë, për jo më pak se 12 muaj në zyrën e punës, të moshës mbi 25 vjeç, pasi të kenë marrë shërbimet e nevojshme të punësimit, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi nga specialisti përkatës i punësimit. Nevojat dhe profili i punëkërkuesit duhet të përshtaten me kërkesat për aftësi të vendit të punës që siguron programi për ta.

2. Punëkërkuesit, pjesëmarrës në këtë program, në rast largimi, mund të zëvendësohen vetëm gjatë tremujorit të parë të programit.

3. Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program, brenda një periudhe pesëvjeçare.

4. Punëdhënësit, të regjistruar në zyrën e punës, me të drejtë përfitimi në këtë program, janë:
a) organizata jofitimprurëse;
b) organizata të shoqërisë civile;
c) biznese sociale/sipërmarrje sociale/ndërmarrje sociale;
ç) institucione publike.

5. Punëdhënësit duhet të jenë të specializuar në fushat e përcaktuara në pikën 3, të kreut I, të këtij vendimi, të cilët zbatojnë projekte me interes publik, në nivel vendor dhe në favor të komunitetit, të cilët kanë kapacitetet dhe eksperiencën e duhur për zbatimin e këtyre projekteve.

6. Punëdhënësit, sipas pikës 4, të kreut III, të këtij vendimi, duhet të jenë të regjistruar sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe të kryejnë aktivitete në përputhje me qëllimin e përcaktuar në aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre.

7. Punëdhënësit, sipas pikës 4, të kreut III, të këtij vendimi, duhet të kenë shlyer detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

8. Punëdhënësit, pjesëmarrës në këtë program, mbartin të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet e mbikëqyrjes dhe të punësimit, sipas legjislacionit në fuqi.

9. Punëdhënësit kanë të drejtë të aplikojnë për maksimumi dy grupe, me numër jo më të madh se 7 (shtatë) punëkërkues të papunë secili grup.

10. Punëdhënësi ka për detyrë të punësojë një mbikëqyrës për çdo grup përfituesish nga 1 në 14 pjesëmarrës, i cili mund të punojë deri në 40 orë në javë.

11. Në rast largimi të mbikëqyrësit, punëdhënësi është i detyruar ta zëvendësojë atë duke njoftuar në AKPA dhe, kjo e fundit, të japë miratimin. Në rast të kundërt, duhet të kthejë 100% të subvencioneve të përfituara për pjesën e punëdhënësit.

12. Mbikëqyrësi ka për detyrë të ndjekë me përpikëmëri mbikëqyrjen e punëkërkuesve, pjesëmarrës në program, sipas kushteve të kontratës për zbatimin e projektit, lidhur ndërmjet punëdhënësit, punëmarrësit dhe AKPA-së.

IV. MBËSHTETJA E PËRFITUESVE

1. Punëdhënësi përfitues, sipas pikës 4, të kreut III, të këtij vendimi, përfiton një grant për të financuar shpenzimet.

2. Për punëkërkuesit e papunë, pjesëmarrës në program, financimet janë, si më poshtë vijon:

a) Financim i pagës në shumën 50% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
b) Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesën e kontributeve të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit.
c) Kupon për trajnim të punëkërkuesve të papunë, pjesëmarrës në program, deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë, në rastet kur trajnimet e miratuara nuk ofrohen nga ofruesit publikë të arsimit dhe formimit profesional.
ç) Për përfituesit jetimë që përfitojnë nga ky status edhe pasi kanë kaluar moshën 25 vjeç, sipas legjislacionit në fuqi, prindër të vetëm me fëmijë nën 6 vjeç, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit, viktimat e dhunës në familje ose të dhunës me bazë gjinore, përfitues të ndihmës ekonomike, romë dhe egjiptianë mbulohen edhe shpenzime të tjera, si më poshtë vijon:

i. Bonus për shpenzimet e transportit mbulohen për të gjitha kategoritë e mësipërme, të cilët e kanë vendbanimin mbi 2 km nga vendi i punës, në vlerën prej 1 600 (një mijë e gjashtëqind) lekësh në muaj;
ii. Për prindërit e vetëm me fëmijë nën gjashtë vjeҫ jepet bonus në vlerën prej 3 000 (tre mijë) lekësh në muaj, për ndjekjen e kopshteve dhe të çerdheve për çdo fëmijë në ngarkim;
iii. Financim deri në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë për një person, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë, nëse punëson më shumë se dy persona, për përshtatjen e arsyeshme të vendit të punës për personat me aftësi të kufizuara.

3. Për punëdhënësin, pjesëmarrës në program, financimet janë, si më poshtë vijon:

a) Për mbikëqyrësin financim të pagës në shumën:

i. 50% të pagës mesatare në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për grupin nga 1-7 punëkërkues të papunë pjesëmarrës, për 20 orë në javë;
ii. 100% të pagës mesatare në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për grupin nga 1-14 punëkërkues të papunë pjesëmarrës, për 40 orë në javë.

b) Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesën e kontributeve të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës mesatare në shkallë vendi, të ofruara gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit.
c) Tarifë për mbulimin e shpenzimeve materiale të nevojshme për zbatimin e projekteve të punësimit në komunitet, në shumën totale deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo përfitues, këto të justifikuara me fatura tatimore, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Granti disbursohet në këste. Kësti i parë prej 20% jepet pas nënshkrimit të kontratës për të mbuluar shpenzimet e para të projektit dhe, në vijim, çdo muaj, pas vërtetimit të shpenzimeve.

V. RREGULLAT DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT

1. AKPA-ja, nëpërmjet strukturave të saj, publikon informacionin e nevojshëm në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në platforma të tjera (faqe interneti, media sociale, shtyp) në lidhje me zbatimin e programit dhe informon rregullisht punëdhënësit dhe punëkërkuesit e regjistruar.

2. Në fillim të çdo shpalljeje për aplikim, AKPA-ja harton dhe publikon termat e referencës, së bashku me kriteret e aplikimit dhe të vlerësimit sipas këtij vendimi, fushat dhe vlerat e financimit, si dhe afatet dhe procedurën e aplikimit. AKPA-ja, në varësi të programit që do të financohet, përcakton dhe miraton kritere të veçanta, të cilat përfshihen në dokumentet e konkurrimit dhe shpallen publikisht.

3. Punëdhënësit mund të aplikojnë për përfshirjen në program, në rrugë elektronike apo fizikisht në zyrën përkatëse të punësimit të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, me dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Formularin e aplikimit të plotësuar, sipas modelit standard të miratuar dhe të publikuar nga AKPA-ja;
b) Autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet AKPA-ja për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të aplikimit;
c) Vetëdeklarim mbi mospasjen në ngarkim të punëdhënësit të shkeljeve apo të sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, gjatë dy viteve të fundit;
ç) Vendimin e regjistrimit nga gjykata e rrethit gjyqësor, origjinal ose fotokopje e noterizuar (vetëm organizatat);
d) Kopje të statutit të organizatës, origjinal ose fotokopje e noterizuar (vetëm organizatat);
dh) Kopje e noterizuar e NIPT-it (vetëm organizatat);
e) Licencë/leje të vlefshme për ushtrim veprimtarie, origjinal ose fotokopje e noterizuar, nëse veprimtaritë e kërkuara për t’u financuar nuk mund të kryhen, sipas ligjit, pa zotëruar një licencë të akorduar nga autoritetet publike.

4. Pas marrjes së aplikimit nga punëdhënësi, struktura rajonale e punësimit kryen verifikimet e përmbushjes së kritereve të punëdhënësit, nëpërmjet dokumenteve të paraqitura dhe nxjerr nga sistemi ekstraktin historik të punëdhënësit, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (për bizneset sociale/sipërmarrjet sociale/ndërmarrjet sociale) si dhe vërtetimin për pagimin e detyrimeve tatimore, ku konfirmon se nuk ka detyrime tatimore.

5. Struktura rajonale e punësimit, brenda 7 (shtatë) ditëve pune nga momenti i aplikimit, verifikon plotësimin e kushteve formale paraprake të aplikimit dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e zbatueshme të programit. Në rast të mosplotësimit të kushteve paraprake, struktura rajonale e punësimit i kërkon aplikuesit plotësimin e dokumentacionit.

6. Në rast të plotësimit të kushteve paraprake, në bashkëpunim me strukturën vendore të punësimit dhe punëdhënësin, brenda 7 (shtatë) ditëve pune nga momenti i plotësimit të dokumentacionit, hartohet lista e pjesëmarrësve punëkërkues të papunë në program, dhe projekti paraqitet në Komisionin e Miratimit të Programeve të Nxitjes së Punësimit. Komisioni ka detyrën e vlerësimit të secilit aplikim, brenda 5 (pesë) ditëve pune, me qëllim miratimin ose refuzimin e tij në përputhje me kriteret e mëposhtme:

a) Projektet duhet të jenë jo për qëllime komerciale dhe fitimi;
b) Punëdhënësit kanë kapacitetin e ofrimit të një programi trajnimi të mirëorganizuar dhe me variacion për të gjithë pjesëmarrësit;
c) Punëdhënësit kanë kapacitet për të ofruar përvojë pune ose aftësi, të cilat mund të transferohen në tregun e hapur të punës dhe të mbështesë personin e papunë drejt një progresi më të lehtë;
ç) Punëdhënësit kanë kapacitet për të ofruar zhvillim dhe trajnim për pjesëmarrësit, të orientuar veçanërisht drejt rritjes së gatishmërisë së pjesëmarrësve për të marrë pjesë në tregun e hapur të punës, me objektiva të qartë dhe mbështetje për progres;
d) Punëdhënësit kanë kapacitet për ta administruar projektin me sukses, për sa u përket financave, regjistrave financiarë dhe jofinanciarë, detyrimeve ligjore etj.;
dh) Programi i punës së punëdhënësve nuk duhet të ketë pjesë të tij asnjë promovim/advokim të:

i. një partie specifike politike ose të politikave të një partie specifike politike;
ii. një besimi specifik fetar ose kishe, përveçse nëse kufizohet qartësisht tek anëtarët/ithtarët e asaj kishe/atij besimi;
iii. ndonjë kulti (laik ose fetar);

7. Struktura rajonale e punësimit i komunikon punëdhënësit aplikues përgjigjen përfundimtare mbi pranimin apo refuzimin e aplikimit, brenda 2 (dy) ditëve pune.

8. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi i papunë, në cilësinë e punëmarrësit, lidhin një kontratë pune, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë, në përputhje me programin. Një kopje e kontratës së punësimit mbahet në strukturën rajonale të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili monitoron zbatimin e saj deri në përfundim të projektit.

9. Pas nënshkrimit të kontratës së punës, sipas pikës 8, të kreut V, të këtij vendimi, ndërmjet strukturës rajonale, punëdhënësit dhe punëkërkuesit të papunë pjesëmarrës në program, nënshkruhet marrëveshja trepalëshe për zbatimin e programit.

10. Për pjesëmarrësit në program, të cilët kanë qenë përfitues të ndihmës ekonomike, struktura vendore informon institucionin përgjegjës për shërbimin social.

11. Nëse punëdhënësi zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën me përfituesin, punëdhënësi është i detyruar të kthejë 100% të mbështetjes financiare të përfituar deri në atë moment, për rastet e zgjidhjes së kontratës për shkaqe të paarsyeshme ose të pajustifikuara.

12. Nëse punëdhënësi nuk respekton marrëveshjen trepalëshe për zbatimin e programit, ai përjashtohet nga pjesëmarrja në program për një periudhë katërvjeçare.

13. Financimi i punëdhënësit do të bëhet në formë rimbursimi, pas verifikimit nga struktura përkatëse të punësimit të kryerjes së pagesës nga ana e tij.

14. Monitorimi i zbatimit kryhet nga strukturat përkatëse të punësimit.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet për programet e nxitjes së punësimit sipas zonave gjeografike, sektorëve ekonomikë dhe nevojave të punëkërkuesve dhe miraton planin e zbatimit të fondeve të nxitjes së punësimit, pas propozimit nga Drejtoria e Përgjithshme e AKPA-së.

2. AKPA-ja përgatit raportin vjetor brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe strukturës përgjegjëse të ndihmës shtetërore.

3. AKPA-ja ruan të dhënat për programet 10 (dhjetë) vjet, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

4. Vlerësimi i ndikimit të programeve kryhet çdo katër vjet nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.

5. Afati i zbatimit të programit është 5 (pesë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

6. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së për miratimin e rregullores së zbatimit të programit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”.

8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, shkronja “dh”, 18, shkronja “e” e 32, pika 2, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e raportit vjetor për ndihmat shtetërore të vitit 2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.