Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Banorët e zonës së mbrojtur dhe qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës fillimi i sezonit të ardhshëm turistik do t’i gjejë me ujë 24 orë në shtëpitë e tyre. Pas përmbylljes së fazës së parë të investimit për përmirësimin e infrastrukturës së Sistemit të Ujësjellës-Kanalizimeve në këtë bashki, tashmë ka nisur puna për fazën e dytë të projektit që parashikon të realizojë 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi për pjesën historike të qytetit.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan punimet për ujësjellësin e Gjirokastrës, një investim me vlerë 7.5 milionë euro.

“Është një pjesë përfundimtare për të furnizuar me ujë qytetin e Gjirokastrës, pjesën historike të tij. Në përfundim të këtij projekti, i cili dorëzohet sipas kontratës në gusht të vitit 2021, por ne synojmë që ta mbarojmë përpara fillimit të sezonit turistik, qyteti i Gjirokastrës në tërësinë e tij do të ketë 24 orë ujë dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, me një cilësi tjetër,” u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Nga ana tjetër, ministrja tha se, për shkak të rrjetit të amortizuar të trashëguar që sillte si pasojë abuzime dhe humbje të mëdha në rrjet, tjetër investim i rëndësishëm konsiderohet edhe vendosja e 5 mijë matësve të rinj që do ndikojnë në rritjen e performancës së vetë Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

Investimi për përmirësimin e infrastrukturës së sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në zonën e mbrojtur dhe qendrën historike të Gjirokastrës parashikon gjithashtu një sistem modern kanalizimesh për mbi 8 mijë banorë të qytetit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.