Tepelena, e njohur si një zonë zhvillimi blegtoral, po njeh investime të rëndësishme edhe në industrinē e përpunimit të mishit. Impianti i ri i përpunimit të mishit që po ngrihet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural përmes programit IPARD do të krijojë një lehtësi të jashtëzakonshme për blegtorët e zonës, duke garantuar sigurinë e plotë ushqimore për konsumatorët.
Kryeministri Rama, së bashku me drejtoren e AZHBR-së, Fida Krifca dhe kreybashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçi, u njoh nga afër me projektin per ndërtimin e një impianti modern të mishit dhe nënprodukteve të tij. Ky investim do të plotësojnë nevojat e tregut vendas për prodhime të një standardi dhe cilësie të lartë. “Është financuar nga Programi IPARD. E kemi kontraktuar në tetor të vitit të kaluar. Po shoshim së bashku implementimin dhe zhvillimin e projektit. Kjo do të zgjidhë gjithë çështjen e sigurisë ushqimore sa i përket blegtorisë, në një zonë që shquhet për blegtori“, – u shpreh Krifca.
Kapaciteti është 30 gjedhë dhe 700 bagëti të imta. “Duke qenë se jemi zonë blegtorale, kjo do të mbulojë gjithë rajonin e jugut”, – the kreu i bashkisë së Tepelenës.
Mbështetja financiare e fermerëve përmes programit për zhvillimin rural IPARD II, është në funksion të rritjes së prodhimit, ofrimit të avantazheve konkurruese, duke krijuar bazat e një bujqësie moderne dhe kompetitive. “Në momentin që krijohet kjo mundësi, atëherë zinxhiri i prodhimit është shumë më i sigurt dhe vetvetiu fillon dhe përpunimi e të gjitha me radhë”, – nënvizoi Kryeministri.
Newsroom
Industria e përpunimit të mishit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian