Shkolla 9-vjecare “Neim Babameto” në Durrës, e cila u rrënua nga tërmeti i 26 nëntorit, sot është kthyer në kantier ndërtimi për ta ringritur mbi themele të reja. 1 vit pas tërmetit shkatërrues, pikërisht në 26 nëntor, shkolla do të jetë gati për të pritur në mjediset e saj, tashmë shumë më cilësore dhe sipas standardeve europiane, 1064 nxënës.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako ndoqën sot në terren, punimet për shkollen e re.
Ajo do të ketë 30 klasa, 8 laboratorë, bibliotekë, ambiente për mësuesit, palestër si dhe salla polivalente ndërkohë që parashikohet që pas rifillimit të mësimit në këtë shkollë, procesi të kryet me një turn dhe jo më me dy, siç zhvillohej para tërmetit.
Kjo shkollë me një infrastrukturë moderne, me standarde e kushte optimale për nxënësit e mësuesit, është një nga 143 shembujt e rindërtimit nga themelet të institucioneve arsimore ne vend.
“Projekti i shkollave është një program masiv rindërtimi me standarde optimale të Bashkimit Europian, qoftë në rastet kur kemi financuar nga buxheti i shtetit direkt, qoftë në rastet e financimeve nga donatorët. Faktikisht janë shkolla që do të bëhen të reja, me laboratorë, me palestër, me bibliotekë, me gjithçka që i duhet një hapësire të arsimit para universitar për të qenë një hapësirë mësimi, një hapësirë argëtimi dhe një hapësire për komunitetin
Objektivi është që kjo shkollë këtu, që ishte shembulli më dramatik i dëmit që solli tërmeti i 26 nëntorit, në 26 nëntorin që vjen të hapë dyert e të jetë shembulli i transformimit të një krize të madhe në një mundësi për një transformim të madh. Kështu do të bëhet dhe me shtëpitë, kështu do bëhet dhe me banesat kolektive.”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Ndër të tjera, Kryeministri foli edhe për shtëpitë individuale, për të cilat tha se “javën që vjen mbyllet kontrata për fillimin grupit të parë, në gjithë territorin jashtë bashkisë së Tiranës që menaxhohet nga Fondi Shqiptar i zhvillimit. Njëkohësisht edhe Bashkia e Tiranës ka nisur bllokun e parë të shtëpive individuale dhe jemi shumë afër fillimit të punëve për banesat kolektive. Në Durrës kemi disa banesa kolektive individuale, kemi dhe një bllok masiv banimi me të gjitha shërbimet, me kopsht, me çerdhe, me shkollë, me qendër shëndetësore, me postë, me stacionin e policisë, me mjedise rekreative, ambiente sportive në zonën e Spitallës, ku po punojmë ngushtësisht për të fokusuar donacionin bujar të princit të Emirateve të Bashkuara dhe jam shumë besimplotë që në fillim të vjeshtës, aty do të jemi në kantier sepse po punohet sëbashku me studion emiratase për të gjithë detajimin e elementëve të projekt zbatimit”, – tha Kryeministri.
Ai shtoi se edhe në Laç, për pak javë do të çelet kantieri ku do të nisë puna për ndërtimin e një lagjeje të re, ashtu si në gjithë vendin, të cilat në fund do të jenë një hapësirë për një jetë të re dhe shumë herë më cilësore për njerëzit.
“Në zonat ku do ndërtojmë lagjet e reja ka pasur nevojë të bëjmë edhe gjithë verifikimet e pronës publike dhe private e në rastet kur jemi ndeshur me situata pronash të legalizuara kemi kryer të gjithë procedurat për dëmshpërblimin për ata të cilët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e banesave të reja e që kanë dashur t’i marrin direkt lekët në dorë. Ndërsa të tjerë kanë pranuar që mjediset ekzistuese që janë në zonat ku do bëhet rindërtimi, t’i marrin në komplekset e reja, kuptohet me një cilësi shumë herë më të mirë se ato që kishin. Do të bëjmë kontratat individuale me të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë, që ta kenë shumë të qartë dhe me përgjegjësi ligjore nga ana e shtetit se ku do të sistemohen e sa do të përfitojnë”, – përfundoi Kryeministri Rama.