Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Mund t’ju informoj mbi raportin, se Komisioni i Venecias ka nënvizuar jo një, por një sërë shkeljesh të Presidentit të Republikës.
Janë të shkruara, e zeza mbi të bardhë.
Një seri shkeljesh të bëra nga Presidenti i Republikës, të cilat flasin qartë për drejtësinë e vendimit tonë për t’ia nënshtruar këto shkelje një Komisioni të posaçëm Hetimor parlamentar, i cili ka bërë një punë voluminoze dhe ka dhënë një ndihmë të madhe me rekomandimet përkatëse, bazuar mbi të gjithë analizën e raportit të Komisionit të Venecias dhe të gjitha gjetjet përkatëse lidhur me veprimtarinë e Presidentit të Republikës në ato drejtime për të cilat ne kemi parë të arsyeshme të hyjmë në këtë proces.
Edhe në këtë rast është një tjetër mundësi për të parë qartë dallimin mes nesh dhe gjithçkaje që thuhet gabimisht, ose keqdashësisht për ne.
Ne e kemi lexuar me shumë vëmendje raportin e Komisionit të Venecias dhe nuk e kemi konsideruar ndonjëherë Komisionin e Venecias si një aneks të punës tonë, por si një pikë referimi dhe përderisa Komisioni i Venecias thotë, sipas gjykimit të tij, që ne mund të mos e ndajmë, se, “shkeljet e bëra nuk janë mjaftueshmërisht të rënda për të shkarkuar Presidentin”, atëherë kemi parë me shumë vëmendje konstatimet e Komisionit që nuk na rekomandon të shkarkojmë Presidentin, por na rekomandon të marrim masa për të ardhmen në mënyrë që të kufizojmë hapësirën e abuzimit nga ana e Presidentit. Jo thjesht të këtij Presidenti por të çdo presidenti që në një republikë parlamentare nuk mund të bëjë as këto që bën ky president dhe as ato që bazuar në shembullin e keq të këtij presidenti, të tjerë presidentë, në radhë, mund të bëjnë.
Janë një sërë shkeljesh të konstatuara dhe të argumentuara.
Uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë Presidentin! Përkundrazi, ka nxjerrë në pah një nga një të gjitha shkeljet. Shkelje, të cilat janë të një natyre që lidhet me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për t’u sjellë në zyrën e Presidentit të Republikës si tutor i opozitës. Kjo është e vërteta dhe këtë e dinë të gjithë.
Dikush këtu tha diçka që e thonë edhe të tjerë dhe që përsëritet shumë shpesh, që, “ne e zgjodhëm Presidentin e Republikës”. Por, të gjithë ata që e thonë këtë, harrojnë se Ilir Meta u bë President me votat e tij dhe tonat që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin. Këtë e harrojnë. Qysh në atë kohë unë e kam thënë që zgjodhëm Presidentin më të mirë që mund të kishte zgjedhur opozita.
Sigurisht që, as unë vetë nuk e kisha paraparë që Presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën sa do të bëhej i keq për Shqipërinë, me akte vandale ndaj Kushtetutës dhe me akte në kundërshim të plotë me traditën e vendosur në atë zyrë nga presidentë të tjerë të profileve të ndryshme që vinin nga rrugë të ndryshme të jetës, por që asnjëherë nuk shkuan përtej kornizës kushtetuese.
E kam thënë dhe është koha ta përsëris këtu, që, përpara Ilir Metës, Bujar Nishani duket si George Washington. Nëse e ndajmë Bujar Nishanin në dy pjesë, në Bujar Nishanin e statuseve dhe të intervistave pa frena dhe në Bujar Nishanin e firmave si President në funksion të kryerjes së detyrës, Bujar Nishani i statuseve dhe intervistave ishte një sëkëlldi për Kushtetutën dhe për shoqërinë, në pikëpamje të të qenit simbol i unitetit kombëtar, ndërsa Bujar Nishani i procedurave kushtetuese dhe i firmave të hedhura si President ishte absolutisht në rregull me Kushtetutën.
Të njëjtën gjë mund të themi për të gjithë presidentët me radhë, por jo për Ilir Metën.
Ilir Meta e ka kthyer zyrën e Presidentit në një seli të operacioneve politike të njëanshme dhe në një vatër të hedhjes në zjarr, apo të ndezjes së zjarreve duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin e tij ndaj kësaj shumice si benzinë. Ama, këtu ne dhe jo vetëm në këtë rast, por si në çdo rast – dhe kur them ne, them ne: unë dhe gjithë shumica parlamentare – jemi në radhë të parë për të garantuar në çdo hap dhe në çdo vendim raportin e drejtë me veten dhe me njerëzit. Për hir të këtj raporti dhe për hir të misionit që kemi për të emancipuar politikën shqiptare, qeverisjen dhe marrëdhëniet e një shumice me vetë sensin e shtetit, nuk mund ta anashkalojmë apo të bëjmë sikur nuk e lexojmë atë pikë të raportit të Komisionit të Venecias, ku thuhet se, “pavarësisht të gjitha shkeljeve”, dmth i ka bërë shkeljet dhe i ka bërë vëndçe, “shkeljet nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin e Presidentit”.
Komisioni Hetimor e thotë shumë qartë që, ne nuk kemi një përkufizim të shkeljes së rëndë, se ç’do të thotë shkelje e rëndë në vetvete për të konstatuar pastaj a është, apo jo e rëndë, por mesazhi që japim ne, duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës në këtë rast dhe duke e parë këtë rast si një mundësi për të adresuar për të ardhmen ato që rezultojnë të jenë hapësira për abuzim është që ne nuk jemi këtu për të ushtruar vullnetin e shumicës pa marrë në konsideratë asgjë përtej këtij vullneti. Që do të thotë, në respekt të opinionit të Komisionit të Venecias të cilit i jemi referuar vijimësisht dhe ndaj të cilit kemi reaguar gjithmonë pozitivisht, ne do të qëndrojmë tek çfarë do të bëjmë më tutje.
Që Presidenti ka tejkaluar kompetencat;
Që Presidenti ka ndërhyrë në mënyrë joproporcionale në të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur;
Që Presidenti ka cënuar parimin e sovranitetit të popullit;
Që Presidenti që ka shkelur parashikimet ligjore për periudhën zgjedhore;
Që presidenti nuk ka respektuar parimin e unitetit të populit, – këto janë fakte të konstatuara të bazë të opinionit të Venecias.
Nuk janë hartime.
Janë fakte juridikisht të vërtetuara!
Që Presidenti është në shkelje dhe jeton duke shkelur Kushtetutën vijimësisht në atë zyrë, kjo as nuk ka diskutim. Por, përtej Kushtetutës, Presidenti ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme etikën e atij institucioni, ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme atë që është arsyeja e ekzistencës së institucionit të Presidentit, që është: Të jetë simbol i unitetit kombëtar dhe të jetë mbi palët dhe jo të bëjë mitingje me një palë kundër një pale tjetër. Është i pari dhe uroj i fundit dhe kur them uroj, kam parasysh ndonjë president tjetër shqiptar, nuk kam parasysh presidentë të tjerë në republika parlamentare as në Europë, as në Afrikë, as në asnjë kontinent, pra të jetë i fundit që del në miting për të kërkuar nga populli të rrëzojë qeverinë.
Është sa e paimagjinueshme, aq edhe qesharake.
Por, nëse Ilir Meta nuk e ka problem të bëhet qesharak, ne nuk mundet dot të bëhemi joseriozë në raport me çfarë na thotë një palë tjetër, – një palë mbi palët në këtë rast,- që është Komisioni i Venecias.
Ne asnjëherë nuk kemi pretenduar që jemi të përsosur, se nuk jemi, asnjëherë nuk kemi pretenduar që jemi të pagabueshëm, se nuk jemi dhe mbi të gjitha, asnjëherë gabimet tona nuk i kemi mbuluar me vullnetin e shumicës dhe asnjëherë gabimeve tona nuk u kemi ikur me idenë se do harrohen.
Përkundrazi!
Gjejeni në historinë e këtyre 30 viteve një tjetër shumicë qeverisëse dhe një tjetër Kryeministër që kërkon ndjesë publike kur diçka e bërë rezulton të jetë e gabuar!
Ne jemi absolutisht të vetëdijshëm që përderisa punojmë, siç thotë populli, do gabojmë. Por, dallimi mes atyre që gabojnë është i madh; Kur e njeh, e pranon dhe reflekton ndaj gabimit tënd dhe kur bën sikur ke të drejtë, megjithëse, edhe ti vetë e di që e ke gabim.
Për t’i rënë shkurt kësaj pjese, dua të nënvizoj se është koha që ky Kuvend t’i japë drejtim përmes vullnetit të kësaj përfaqësie të popullit këtu në këtë sallë, qartësimit të kompetencave formale dhe substanciale të Presidentit, si dhe parashikimit të tyre shprehimisht në një ligj organik për institucionin e Presidentit, – është folur për këtë ligj organik për institucionin e Presidentit shumë herë, është ndërmarrë jo njëherë hapi për të filluar punën dhe për një arsye, apo për një tjetër, gjithmonë kjo punë nuk ka mbaruar në gjithë këto vite. Kur them gjithë këto vite flas për 20-25 vjet, nuk flas për këto vite që ne jemi në qeveri, – një ligj organik për institucionin e Presidentit ku të përfshihet përcaktimi i mekanizmave zhbllokues në rast mosveprimi në ushtrimin e kompetencave, ku përfshihen përcaktime të qarta për mosbllokimin në të ardhmen të proceseve zgjedhore në vend dhe ku të evitohet krijimi i precedentëve skandalozë që deformojnë demokracionë dhe ofendojnë popullin sovran, ku të bëhet një thjeshtim i dispozitave për emërimin e anëtarëve të Gjykatës dhe këtu nuk jemi më në ligjin për Presidentin, por jemi në rekomandimet që jep Komisioni për të garantuar mandatin 9-vjeçar për secilin dhe mekanizmat zhbllokues përkatës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, si dhe emërimet e tjera në sistemin e drejtësisë, ku të plotësohet me mekanizma zhbllokues mosushtrimi i kompetencave formale të organizimit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Imagjino një President që thotë nuk të thërras në betim, – dmth nuk ka Kushtetutë, nuk ka shkrues të Kushtetutave demokratrike, qysh se kanë filluar të shkruhen, që mund ta kenë çuar ndër mend se Presidenti diku mund të shfaqet si një person që thotë “Nuk të thërras në betim. S’dua”.
Çfarë do bëjnë parlamentet, çfarë do bëjnë shumicat apo pakicat parlamentare kur do të duhet të adresojnë probleme të natyrave të ndryshme? Do rrinë të bëjnë komisione hetimore dhe të rrinë të bëjnë debate, se Presidenti gdhihet me hënën nga ana tjetër?
Kjo nuk mund të vazhdojë më!
Ashtu sikundër, nuk mund të vazhdojë më dhe nuk mund të ndodhë më, që Presidenti të refuzojë të dekretojë ministra.
Është e pandodhur ndonjëherë!
Të gjitha këto duhen adresuar në një paketë që ky parlament duhet të marrë përsipër ta votojë, jo për Ilir Metën, por për institucionin e Presidentit, i cili sot është kapur për fyti dhe përdoret si një instrument për të bërë politikë partiake, për të marrë pozicione partiake, për të goditur për qëllime partiake, për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt.
Sigurisht që, as nuk diskutohet që secili mban përgjegjësi për atë që bën vetë dhe ne mbajmë përgjegjësi për atë që bëjmë ne. Prandaj, pavarësisht që ne kemi një President me hënë, sa herë që hëna rrotullohet në anën e duhur dhe ai ka vullnetin për të qenë bashkëpunues, – siç ndodhi në periudhën e parë të përballjes me Covidin, – ne jemi në dispozicion nuk diskutohet. Sepse nuk jemi në dispozicion të Ilir Metës si person, ne jemi në dispozicion të vendit dhe të njerëzve.
Nuk jemi ne që i ushqejmë konfliktet, nuk jemi ne që i duam konfliktet, nuk jemi ne që jetojme me konflik. Por sigurisht, ne jemi zgjedhur që të udhëheqim. Nuk jemi ne ata, që duhet të ndjekim nga mbrapa të gjithë ata që populli nuk i ka venë në krye, por i ka vënë secilin në vende të tjera, por jo në kreun e vendit.
Kjo është arsyeja pse në datën 30 korrik së bashku ne do të votojmë ndryshimet për të cilat kemi rënë dakord, duan apo s’duan, ju pëlqen apo nuk ju pëlqen atyre, që nga jashtë parlamentit mendojnë se sa më shumë të bërtasin dhe sa më shumë të shantazhojnë, aq më shumë do të fitojnë.
Asgjë nuk kanë për të fituar në atë rrugë!
Ne kemi votuar këtu Marrëveshjen e 5 qershorit dhe do t’i qëndrojmë asaj marrëveshjeje. Ata që thonë se 30 korriku cënon Marrëveshjen e 5 qershorit nuk dinë çfarë flasin. Sepse Marrëveshja e 5 qershorit nuk është bllokimi i neneve që duhet të reflektojnë pas ndryshimeve kushtetuese, ato ndryshime.
Marrëveshja e 5 qershorit ka thelb, ka përmbajtje, administrata zgjedhore, financimi i partive, etj, etj dhe të gjitha ato nuk preken dhe do të zbatohen ashtu siç kemi rënë dakord.
Sigurisht që, pas votimit të gjithë janë në të drejtën e tyre që të vazhdojnë të diskutojnë. Prandaj, unë e përsëris këtu apelin për Partinë Demokratike dhe për të gjithë grupin jashtë parlamentit që të mos lodhen duke kundërshtuar 30 korrikun.
30 korriku është kry!
Është një marrëveshje e nënshkruar dhe të gjithë ata që e kanë marrë përsipër ta votojnë, do ta votojnë. Është e mbyllur, është vullneti i këtij parlamenti, i cili mund të jetë ilegjitim për Ilir Metën sipas rastit, se kur votohet 5 qershori nuk janë 82, janë më shumë, kur votohet 30 korriku qenkan 82. Sipas tij edhe ju jeni ilegjitimë këtu. Sipas meje jo. Ju keni legjitimitet.
Kështu që, ne udhëheqim. Kjo na sjell shpesh në situata konflikti që nuk janë zgjedhja jonë. Ne kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë për dialog, komunikim dhe ndërveprim me të gjithë. S’kam refuzuar unë ndonjëherë të ulem me Lulzim Bashën, ka refuzuar në vijimësi Lulzim Basha të ulet me mua. Nuk ka refuzuar ndonjëherë PS të ulet në tavolinë me PD, ka refuzuar në vijimësi PD të ulet në tavolinë me PS. Nuk ka refuzuar Komisioni parlamentar i posaçëm i Reformës Zgjedhore ku ishim bashkë në këtë komision edhe ne, edhe ju që të kishim edhe Partinë Demokratike pjesëmarrëse, ka refuzuar Partia Demokratike që të vijë në atë komision dhe me idenë gjithmonë të pengmarrjes. Por peng Partinë Socialiste, peng shumicën tonë parlamentare peng qeverinë tonë nuk e merr dot askush!
Ju them atyre, që e komentojnë këtë vendim si ndryshim të kursit tonë në lidhje me Ilir Metën, jo nuk është i tillë. Ne kemi menduar se Ilir Meta duhej shkarkuar, ne mendojmë se Ilir Meta duhet shkakuar.
Por ne jemi ndryshe. Ne nuk themi “jemi vetëm ne dhe bëjmë si të duam”. Komisioni i Venecias na e ka dhënë këtë fjali para syve që “shkeljet janë, por jo aq të rënda”. Ne mendojmë se janë shumë rënda, por në respekt të një të vërtete të thjeshtë që, ne asnjëherë nuk i kemi thënë vetes që ne jemi të pagabueshëm dhe asnjëherë nuk i kemi ngritur vendimarrjet tona mbi idenë e pagabueshmërisë tonë. Mbase kanë të drejtë ata, mbase nuk kemi të drejtë ne. Mbase! Unë mendoj se ne kemi të drejtë, ama ne në këtë rast nuk përfaqësojmë thjesht dhe vetëm disa njerëz. Ne përfaqësojmë shtetin shqiptar. Ne përfaqësojmë qeverinë e shtetit shqiptar dhe si të tillë, ne përfaqësojmë qeverinë dhe shtetin seriozisht. Kjo është e thjeshtë.
Ilir Meta meriton të shkarkohet sipas këndvështrimit tonë, por nëse kemi këtë rekomandim nga Venecia dhe kemi shkuar tek Venecia dhe e kemi vlerësuar gjithmonë Venecian si një këshilltar të mirë, të urtë dhe të distancuar, atëherë ne i nënshtrohemi kësaj.
E rëndësishme është se çfarë vjen të mos sjellë të reja nga fronti i shkeljeve dhe i vandalizmave antikushtetues në zyrën e Presidentit. Prandaj, ligjin organik për Presidentin dhe të gjitha ndërhyrjet e tjera të nevojshme, që në rast se presidentit i qëllon ta ketë hënën mbrapsht në një kohë kur popullit shqiptar i duhet të shkojë në zgjedhje dhe bën përsëri çudira të tilla që ne as që na shkojnë në mendje, sepse nuk i kanë shkuar në mendje atyre që kanë shkruar Kushtetutën – është e shkruar aty dhe mbaron.
Së dyti, 30 korriku, Kushtetuta e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë. Presidenti nuk ka asnjë të drejtë mbi vendimin e Parlamentit për ndryshimin e Kushtetutës. Nuk ka fare! Nuk është si me vendimet e tjera.
Nuk i kërkohet fare të ketë një opinion. Thjesht duhet ta pranojë, siç do ta pranojnë të gjithë dhe siç e pranuat dhe ju Korab së bashku me Myslymin në atë kohë kur thoshit, ne nuk do ta njohim këtë Kushtetutë në ‘98, por jo vetëm e njohët, por edhe ju nënshtruat. Kështu do ta njohin dhe kështu do t’i nënshtrohen edhe ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut që të gjithë. Ju jeni në një proces reformimi të brendshëm që do ta çoni deri në fund. E për ta çuar deri në fund Korab, mos e kujto me nostalgji partinë e vjetër. Të renë bëje që të mos i ngjajë fare të vjetrës. Përpiqu! Me Ilir Metën pastaj është puna jote. Mbase do të arrini të bëni një shumicë të tillë që do të arrini të na impononi ne që s’kemi votat të të bëjmë ty president. Atëherë çfarë do thonë që “bëri Edi Rama Korabin President?” Jo, ti do të behesh me votat e tua si Ilir Meta. Kështu që 30 korriku nuk lëviz. Jemi të qartë. Pastaj problematikat, hapja e listave, -e themi jo më pak se dy të tretat, por jo më pak se dy të tretat, nuk do të thotë që s’është as 100%. Patjetër mund të jetë edhe 100%. Por kjo bëhet me diskutim, nuk bëhet me ultimatume dhe me statuse, edhe me çfarë vendosi ajo që quhet opozita e bashkuar. Se nëse ajo është opozita e bashkuar, atëherë Myslymi dhe ju jeni bashkimi opozitar.
E dyta, koalicionet. Vazhdojnë prapë, duan të heqin koalicionet, duan të ndalojnë koalicionet, e rrokanisën dynjanë me emaile.
Të drejtën për t’u bashkuar nën një çadër ne nuk do ta heqim, por edhe këtë do ta sanksionojmë në Kodin Zgjedhor. Nuk është Kushtetuta rregullore ushtarake, pavarësisht se me President si Ilir Meta je i detyruar ta kthesh Kushtetutën në rregullore, por nuk është rregullore. Kështu që, edhe këtë do ta shohim në proçes dhe sigurisht që janë të ftuar, të mirëpritur, të na bashkohen në diskutim, të na sjellin opsionet e tyre. Ishte Myslym Murrizi dëshmitar, ishte Rudina Hajdari dëshmitare, kur ne ju thamë “na tregoni një vend që e ka koalicionin siç e kemi ne sot” dhe përgjigja që ne morëm ishte:“Është në një libër të Universitetit “La Sapienza””, por nuk na dhanë ndonjë vend. Në mbledhjen e fundit, unë nuk isha, nuk e di a ishte ti Myslim në mbledhjen e fundit, doli Letonia. Letonia e ka as më shumë e as më pak, siç themi ne, por jo siç e kemi sot. Doli Kosova, e njëjta gjë. Kështu që ka kohë dhe ka gjithë vullnetin nga ana jonë me gjithë vullnetin për të diskutuar.
Ne na gjeti ky taksirat me një opozitë brenda dhe një opozitë jashtë.
Do ta mbajmë deri në fund, por duke ja bërë të qartë të dyja opozitave se as njëra dhe as tjetra, nuk mund t’i kërkojnë të gjitha siç i duan vetë. E duke ia bërë shumë të qartë atyre që janë jashtë se fakti që janë jashtë, nuk u jep ndonje pushtet të veçantë mbi ne që jemi këtu në këtë sallë, përkundrazi. Prandaj, të mos e harrojnë asnjëherë, se këtu në sallë vendosen gjërat. Ka deputetë si parafolësja që nuk e kanë problem që i shajnë dhe i sakatojnë dhe i thonë ilegjitim, bastardë etj, etj, por në tërësi, në këndvështrimin tim, kam shumë më tepër respekt për opozitën që është këtu në sallë sesa për opozitën që është jashtë salle. Sigurisht që, edhe këtu në sallë opozita ka disa hudhra për të prishur syrin e keq dhe po e prishin syrin e keq me sukses. Kështu që përtej klithmave policore nga kjo foltore, në 30 korrik ne do të votojmë as më shumë dhe as më pak, por atë që kemi rënë dakord. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europën ku duam të integrohemi.
Faleminderit!