Në Laç, Programi i Rindërtimit ka avancuar me hapa të shpejtë dhe brenda pak javësh do të nisë puna për ndërtimin e dy lagjeve të reja me banesa individuale dhe me pallate, së bashku me infrastrukturën e re rrugore dhe të shërbimeve të zonës. Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Rindërtimit, koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj, panë nga afër 2 sheshet e rindërtimit, ku në bllokun e parë po angazhohet Agjencia e Strehimit të Republikës së Turqisë, ndërsa blloku i dytë do të ndërtohet me fondet e qeverisë shqiptare.
“Ka përfunduar e gjithë shembja e objekteve. Jemi në procesin e largimit të inerteve. Në zonën tjetër, 1/2, kemi filluar me prishjen e pallateve. Këtu është dhe spitali i Laçit, ndërsa në zonën 1/1 do të jetë godina e Bashkisë,” shprehet kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.
“E gjitha kjo krijon një tjetër premisë, se duhen bërë jo thjesht pallate, por lagje me të gjitha,” u shpreh Kryeministri Rama, duke shtuar se për të ardhur deri këtu, në sheshin e ndërtimit, janë dashur një sërë procedurash.
“I gjithë procesi i projektimit, që ka dhe ai kohën e vet, gjithë procesi i ndarjes së financimeve mes mbështetjes financiare për ata që meremetojnë dhe për rindërtimin, por dhe procesi i përgatitjes së garave, kështu që, vetvetiu është një kohë që po të ishte në procedurat normale do kishte marrë më shumë se 12 muaj, pa llogaritur efektin e bllokimit nga Covid-i, plus që kemi pasur probleme të mëdha me dokumentacionin nga pikëpamja e hipotekave, nga pikëpamja e titujve brenda familjeve me 2 kurora, 3 kurora, e rasteve kur ata që janë dëmtuar kanë qenë emigrantëve, etj.,” tha Kryeministri.
Sa i takon spitalit të ri të Laçit, ministri Ahmetaj tha se brenda dy javësh do mbyllen procedurat: “Procedura e spitalit është çështje maksimumi 2 javësh dhe pastaj fillon puna në terren, me përgatitjen e kantierit”.
Paralelisht po punohet edhe për projektin e rrugës drejt Sh’na Ndoit, që do të plotësojë ndërhyrjen masive në këtë qytet, ku falë vendit të shenjtë hyjnë çdo vit 2.5 milionw vizitorë, çka me lagjen e re e plot shërbime cilësore do ta kthejë Laçin në një qytet të vogël të turizmit religjioz.