Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në takimin e zhvilluar me drejtues të sistemit doganor dhe tatimor të Republikës së Shqipërisë:

 

Zonja dhe zotërinj,

Drejtore dhe drejtorë të sistemit doganor dhe tatimor të Republikës së Shqipërisë!

Jeni sot këtu, sepse siç jeni vënë më parë në dijeni ka ardhur koha e sprovës së sprovave për trupën e doganierëve dhe tatimorëve të këtij shteti. Çelja e një beteje frontale në çdo hapësirë dhe në çdo cep të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohet aktivitet ekonomik dhe tregtar për të marrë në mbrojtje konsumatorin e për ta vendosur shtetin në krah të çdo biznesi që paguan taksat sipas ligjit.

Jeni këtu sot, sigurisht jo për të marrë dijeni për këtë sprovë të re dhe madhore, por për ta marrë drejtpërdrejtë mesazhin e qeverisë shqiptare.

Qeveria është e vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj beteje të re që nuk është një aksion i radhës në vazhdën e një tradite të vjetër të doganave dhe tatimeve, por një operacion pa ndalim, deri në vendosjen e plotë të rendit ligjor në hapësirën e aktivitetit ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë.

Kjo do të thotë në radhë të parë se ne dëshirojmë që secila dhe secili prej jush të jetë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi historik, në fakt, të informalitetit dhe jo pjesë e problemit.  Ose më troç, ne nuk dëshirojmë që sjellja e papërshtatshme, qasja e padenjë, veprimet e paligjshme, të cilat e kanë karakterizuar historikun e kësaj trupe që ju sot drejtoni, të bëhen arsye, që do të ndajnë nga rruga e kësaj beteje këdo qoftë nga ju.

Ky është padyshim një paralajmërim i hapur për të gjithë ju dhe përmes jush për të gjithë punonjësit e varësisë suaj, sepse dihet botërisht për 20 e ca vitesh tanimë, që informaliteti i lartë i ekonomisë sonë nuk është thjesht një produkt i sjelljes, qasjes dhe veprimeve të paligjshme të atyre që merren me biznes, por edhe i një administrate doganore dhe tatimore që ka pjesën e vet të madhe të përgjegjësisë, pikërisht për shkak të sjelljes, qasjes dhe veprimeve të paligjshme të jo pak njerëzve brenda saj.

Kryefjala e këtij kapitulli të ri që duam të çelim në aleancë me konsumatorët dhe në bashkëpunim me bizneset që paguajnë rregullisht taksat do të jetë e qartë nga fillimi deri në fund të punës suaj së çdo dite. Kjo nuk është një betejë kundër biznesit, por një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin dhe shtetin shqiptar, nga ata që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe tregtar në shkelje të ligjit, duke vjedhur blerësit, duke penguar me konkurrencë të pandershme të tjerët në fushën e sipërmarrjes dhe duke grabitur paratë që shtetit i duhen për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të investuar në ujësjellësa, shkolla, spitale dhe me radhë.

Kjo do të thotë që fjalia juaj e parë e çdo dite për punonjësit tuaj duhet të jetë, respekt dhe mirësjellje në derën e çdo biznesi. Falënderim për çdo biznes të rregullt dhe masë për çdo biznes që gjendet në shkelje të ligjit. Për çdo rast, respekt për mirësjellje. Ne dhe ju, qeveria dhe ekipi drejtues i doganave dhe tatimeve do t’iu kërkojmë përditë qytetarëve dhe bizneseve ndihmën e tyre të pazëvendësueshme në këtë betejë.

Në radhë të parë do t’iu kërkojmë të denoncojnë çdo sjellje, qasje apo veprim të padenjë të punonjësve të doganave apo tatimeve. Do t’iu vëmë në dispozicion adresa, numra telefoni dhe kanale komunikimi në rrjetet sociale për të denoncuar me mesazhe apo me foto, a me video çdo shfaqje të padenjë ku përfshihen persona që përfaqësojnë administratën doganore ose tatimore. E për çdo rast të kësaj natyre do të japim llogarinë e duhur, duke marrë masat e duhura dhe duke dhënë shpjegimet e duhura publike.

Për çdo rajon apo degë të sistemit tuaj do të ketë një plan të detajuar të operacionit, një kalendar të përcaktuar veprimesh për çdo punonjës dhe një tabelë rezultatesh të pritshme dhe të krahasuara në mënyrë periodike, me rezultatet e arritura në bazë të së cilës do të bëhet vlerësimi i punës së çdo rajoni dhe të çdo individi.

Nga ana tjetër, në kuadrin e masave të reja ligjore që do ti propozohen deri në fund të shtatorit Kuvendit të Shqipërisë, do të jetë dhe propozimi për të rënduar ndjeshëm dënimin për fshehjen, nga ana e  punonjësve tatimorë, të një aktiviteti të paligjshëm tregtar, përkundër ryshfetit.

Po ashtu, ne do tu vëmë në dispozicion konsumatorëve të mashtruar apo bizneseve të cenuara nga konkurrenca e pandershme, kanalet e duhura të komunikimit për të na bërë me dije çdo rast konkret të mosdhënies së kuponit fiskal apo të shmangies nga detyrimi për të paguar taksat.

Fitorja e kësaj beteje është e barabartë me ulje taksash, rritje rrogash dhe mundësi shumë më të mëdha për investime publike në të mirë të çdo komuniteti.

Ulja e informalitetit në nivelet e pranueshme të një vendi normal evropian është e barabartë me një hov të ri në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit si asnjëherë më parë.

Por pa dyshim, suksesi në këtë beteje është i barabartë me një rritje të konsiderueshme të nivelit të bashkëjetesës sonë shoqërore, si vend dhe si popull në mes të Evropës. Qysh se qeveria jonë e ka shpallur përpara sezonit të pushimeve, objektivin për ta çelur, duke nisur nga muaji shtator, këtë front të ri të përpjekjes sonë të përbashkët modernizuese dhe zhvillimore për Shqipërinë, ne kemi angazhuar në terren ekipet për të sonduar fushën e betejës të ardhshme. Të dhënat e sondimit janë sa shqetësuese, aq dhe inkurajuese për të gjithë, në kuptimin që potenciali për sukses është shumë i madh.

Rreth 1/3 e bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e vendit tonë ose nuk janë fare të regjistruara, ose nuk kanë fare kasa fiskale ose kasat fiskale i kanë si orendi pa vlere që nuk i përdorin, në shkelje të rëndë të ligjit po se po, por edhe në vjedhje të konsumatorit.

Një nga masat që ne do të marrim do të jetë një thirrje publike. Po ashtu detyrimi për çdo biznes që të vendosë një tabelë ku konsumatorit ti thuhet se ka të drejtë të  mos paguajë nëse nuk merr kuponin. Ndërsa në total 50 % e bizneseve, pothuajse nuk japin asnjë kupon, duke qenë haptazi në kundërvajtje të plotë ligjore dhe padiskutim në shkelje të plotë të çdo norme etike, në raport me konsumatorët.

Prandaj, unë sot, dhe në ditët në vijim të gjithë ju, do të vazhdojmë t’ju bëjmë apel në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar të paregjistruar, të vrapojnë të regjistrohen. I përgëzoj ata që kanë filluar të vrapojnë, duke shtuar fluksin e regjistrimeve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve. Të regjistrohen përpara sesa të nisë operacioni rrënjësor i kësaj sëmundjeje të patolerueshme. Të vendosin kasën fiskale dhe ta vënë atë në shërbim të plotë të konsumatorit, përpara se operacioni që do të nisim ti vendosë pa kthim përpara ligjit. Të mos u japin më blerësve të mallit të tyre fatura që nuk kanë asnjë lloj vlere fiskale ligjore, përpara se të përballen me ligjin dhe të humbasin shumë më tepër se sa çmund të fitojnë duke u përballuar me ligjin.

Edhe njëherë të gjithëve ju dua tua përsëris sepse  e konsideroj fjalë kyç që nuk duhet harruar në asnjë çast. Ne duam mirëkuptim dhe bashkëpunim me biznesin, jo luftë kundër biznesit. Ne duam të mbrojmë çdo konsumator, nga cilido që nuk u jep kuponin fiskal kur ju shet çfarëdo qoftë. Ne duam të jemi në krah të çdo biznesi të vogël ose të madh që paguan taksat dhe dëmtohet nga konkurrenca e pandershme. Ne u dhamë kohë dhe atyre dyqaneve dhe restoranteve që nuk ishin në rregull që të hynë në binarët e ligjit, sepse ne nuk duam të ushtrojmë forcën e ligjit, përpara se të përdorim me të gjithë forcën e arsyes, duke patur parasysh që kjo sëmundje ka 20 e kusur vite që zhvillohet në trupin e ekonomisë shqiptare, dhe jo vetëm për faj të biznesit, po edhe për faj të një shteti që deri dy vjet më parë bënte vetëm sehir.

Ndërkohë që puna e doganave dhe e tatimeve  e zhvilluar në këto dy vite ka hedhur një bazë, mbi të cilën ne mund të vazhdojmë me këmbë në tokë një operacion që përndryshe do të kishte dështuar. Kjo sëmundje nuk është e re. Ka vite e vite që e gërryen organizmin e ekonomisë sonë kombëtare dhe organizmin e çdo ekonomie familjare dhe është zhvilluar, e përsëris, jo vetëm për faj të biznesit. Por koha po skadon dhe prandaj këtë apel do ta përsërisim më shpesh, deri në fillimin e operacionit, i cili njësoj si operacioni i energjisë që sot e gjithë ditën vazhdon, për të shkulur deri në fund çdo lidhje të paligjshme dhe për të çuar deri në fund projektin e transformimit të sektorit të energjisë nga një sektor problematik që kërcënonte ta çonte Shqipërinë në një humnerë kolapsi energjetik dhe financiar, në një sektor fitimprurës për vendin dhe për çdo familje të këtij vendi, – e po njësoj edhe ky operacion nuk do të ndalet përpara askujt dhe për asnjë arsye.

Dua gjithashtu ta bëj shumë të qartë se ky operacion nuk ka në fokusin e vet më të vegjlit, por në radhë të parë, më të mëdhenjtë. Prandaj dhe përgatitja e operacionit ka nisur nga më të mëdhenjtë me një analizë shumë të detajuar të situatës nga ana e shtabit drejtues të kësaj beteje. Nafta, cigarja, mallrat e vlerës dhe tregtia me shumicë do të jenë në qendër të përpjekjes sonë frontale. Por, pa dyshim zinxhiri i informalitetit ka një fillim, ka dhe një fund.

Ne nuk duhet të lëmë pa kontrolluar asnjë hallkë të zinxhirit, nga më të mëdhenjtë tek më të vegjlit. Por, e përsëris, nga më të mëdhenjtë tek më të vegjlit. Nga ata që kërcënojnë themelet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në ekonominë e këtij vendi, tek ata që jetojnë duke ja hedhur çdo ditë konsumatorit në dyqane, restorante dhe në pika të tjera shërbimesh me pakicë. Edhe diçka në fund, kujtdo që ju pyet se përse nuk e bëmë që në fillim këtë operacion, përgjigjja është shumë e thjeshtë: Sepse ata që nuk e bënë 23 vjet dhe e lanë shtetin copë-copë në pragun e një humnere borxhesh dhe kolapsi energjetik, na e bënë të pamundur të merremi më parë me këtë operacion madhor, që kërkon një terren të përgatitur.

Sot terreni është i përgatitur dhe fara e kulturës së ligjit, e respektit të ligjit dhe e sjelljes në bazë të ligjit të atyre që përfitojnë çfarëdo qoftë me aktivitetin e tyre të çfarëdoshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, tanimë është mbjellë.

Ne na duhet vetëm të vazhdojmë ta kultivojmë, sepse jemi larg së qeni një vend ku ligji është i barabartë për të gjithë. Por edhe pse kjo betejë, ju e dini mirë është më e vështira në gjithë këto beteja të radhës që i kemi hapur dhe që po i fitojmë përditë. Është një betejë për të cilën na është dashur të bëjmë hapa të matur, me rezultate konkrete dhe faktikisht rezultatet e arritura sot flasin vetë në krahasim me të shkuarën pavarësisht se janë të pamjaftueshme në krahasim me të ardhmen. Këto janë javët e apeleve të fundit dhe të marrjes së masave nga çdokush që nuk dëshiron të ketë probleme me ligjin dhe me shtetin.

Unë ju uroj suksese të gjithëve për të mirën e vendit, por edhe për të mirën tuaj. Sepse ashtu siç kemi bërë me operacionin e energjisë, duke e konsideruar problemin, një problem që nuk është jashtë nesh, por që është dhe brenda nesh, dhe ashtu siç nuk kemi hezituar të ndëshkojmë drejtues dhe punonjës të sistemit të shpërndarjes së energjisë të përfshirë në bashkëpunime hajdutërie dhe korrupsioni, nuk do të hezitojmë të ndëshkojmë askënd dhe brenda sistemit të doganave dhe të tatimeve të Republikës së Shqipërisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.